| Forumi Horizont | Gjithsej 2 faqe: [1] 2 » Trego 2 mesazhet në një faqe të vetme |
Forumi Horizont (http://www.forumihorizont.com/index.php3)
- Mediat Shqiptare (http://www.forumihorizont.com/forumdisplay.php3?forumid=129)
-- Ismail Kadare merr cmimin "Princi i Asturias" (http://www.forumihorizont.com/showthread.php3?threadid=17369)
Ismail Kadare merr cmimin "Princi i Asturias"
Në praninë e familjes mbretërore të Spanjës
Çmimi, shkrimtari i madh merr "Princin e Asturias"
LETERSIA NUK NJEH KUFIJ
Është një kënaqësi e veçantë për mua të jem i pranishëm në këtë sallë. Kënaqësia është e dyfishtë, sepse e gjitha kjo ndodh për letërsinë, univers të cilit unë i përkas. Ka pasur dhe vazhdon të ketë akoma dy ide radikale mbi letërsinë. Njëra, e vjetra, paksa naive beson se letërsia ashtu si edhe artet e tjera ka qenë në gjendje të prodhojë mrekulli për botën. Ideja tjetër, moderne, e për rrjedhojë nuk ka se si të jetë naive, beson se letërsia dhe artet nuk i shërbejnë askujt përveç vetvetes. Në këto dy ide, e vërteta dhe e pavërteta gjenden të përziera. Gjithsesi, si njeri i artit, unë jam i predispozuar të besoj te mrekullitë. Ekziston një model për këtë paradigmë: miti i Orfeut. Me të drejtë është konsideruar si miti më misterioz i njerëzimit. Ekzistenca e tij është e lidhur me fuqinë e artit. Orfeu fitoi me gjërat e tij të çuditshme, ndonëse nuk mundi të kalonte murin e vdekjes, iu afrua më shumë se kushdo tjetër. Përmenda këtë mit të njohur për t‘i paraprirë një tjetër miti, në dukje më i rëndomtë, por i të njëjtit lloj. Njëzet vjet më parë, nëse dikush do t‘i kishte përmendur dikujt tjetër se mund të ndodhte që një ditë, një shkrimtar shqiptar do të merrte një çmim në Spanjë e që për më tepër do t‘i dorëzohej nga princi trashëgimtar, do ta kishin quajtur menjëherë të çmendur e do ta kishin mbyllur në çmendinë. Kjo do të kishte qenë më e pakta nga dy të këqijat. Sipas mundësisë së dytë, dikush mund të përfundonte në gjykatë e të torturohej si konspirator i rrezikshëm. Ndoshta ky parashtrim mund të duket shumë dramatik, por më lejoni ta shpjegoj. Shqipëria vendi im dhe Spanja, atdheu juaj, me përjashtim të një miqësie të shkurtër në shekullin XV, nuk kishin lidhje të tjera. Shkëputja totale ndodhi shekullin e shkuar kur vendi im komunist, i dalluar për prishjen e marrëdhënieve( si të thuash ishte një specialitet i tij), i preu të gjitha lidhjet me Spanjën. Por si gjithçka në këtë botë, edhe mrekullia e letërsisë ka një traditë. Pikërisht në kohët e akullta për të cilat fola më sipër, kur mes vendit tim dhe Spanjës nuk kishte ndonjë të ardhme, një kalorës vetmitar, duke injoruar ligjet e botës, i ka kaluar disa herë kufijtë e pakapërcyeshëm. E imagjinoni se kujt po i referohem: Don Kishotit. Ishte i vetmi që nuk u ndalua dot nga regjimi komunist, për të cilin gjëja më e lehtë në botë ishte mohimi. Don Kishoti si libër, por edhe si personazh real, ishte aq popullor në Shqipëri, thuaj se e kishte prodhuar ajo vetë. Dikush mund ta gjejë arsyen në shpjegimin e mëposhtëm për këtë paradoks: Don Kishoti ishte i çmendur, po aq i çmendur ishte edhe shteti shqiptar, kështu që është logjike që dy të çmendur të kuptohen. Ju kërkoj ndjesë që krahasova Don Kishotin me çmendurinë perverse të shtetit tim, më lejoni t‘ju them se nuk ka ndodhur siç unë e përshkrova, sepse paralelizmi lidhet me një tjetër fenomen. Bëra këtë hyrje të gjatë, për të mbërritur në thelbin e fjalimit tim të shkurtër, pavarësinë e letërsisë. Don Kishoti e kaloi kufirin shqiptar, sepse mbi të gjitha ishte i pavarur. Fakti që një shkrimtar shqiptar është i pranishëm për të marrë një çmim nga një mbretëri perëndimore, për krijimtarinë letrare të shkruar veçanërisht në një vend komunist, kjo ndodh sepse letërsia, për vetë natyrën e saj është e pavarur. Ky është një debat i hershëm. Ka qenë e ndoshta është akoma shqetësimi kryesor i artit. Në dallim nga pavarësia e shteteve, ajo e letërsisë është globale. Rrjedhimisht edhe mbrojtja e saj ndodh në nivel botëror. Kjo nuk e bën më të lehtë. Përkundrazi, pavarësia e letërsisë dhe e arteve është një proces në zhvillim. Për mendjen njerëzore është e vështirë të kuptojë dimensionet e saj të vërteta. Të mësuar që pavarësia u referohet së pari shteteve, kombet, por edhe qeniet njerëzore e kanë të vështirë të shkojnë përtej kësaj. Të shkosh përtej, do të thotë të kuptosh se pavarësia e artit nuk është çështje luksi, një dëshirë për të perfeksionuar vetë artin. Bëhet fjalë për një kërkesë reale dhe të detyrueshme. Në të kundërt, ky univers paralel nuk do të qëndronte në këmbë. Do të kishte rënë me kohë. Perceptimi, siç e theksova më parë është i vjetër. Po aq i vjetër është edhe termi "republika e letrave". Prirja për ta parë letërsinë si një botë shpirtërore, por me elemente materiale: hapësira, koha, lëvizja, është e njohur, por jo e mjaftueshme. Ne e pranojmë si një botë paralele referimi, por në momentin që duhet të kemi një përfytyrim të plotë për të, mentaliteti ynë i ngushtë, konformist e ka të vështirë të pranojë paralelizmin, pra pavarësinë e vërtetë. Sapo themi pavarësi, instinkti ynë i vjetër na shtyn në sens të kundërt. Nuk jemi në gjendje ta shmangim idenë se arti mund të jetë i pavarur nga shtetet, doktrinat, moda, por e shohim gjithnjë të varur nga diçka. Në këtë moment mendojmë për botën reale, thënë ndryshe për jetën tonë. Ideja që letërsia ka varësi nga jeta gjen shtrirje thuajse botërore. I lejoj vetes të bëj një pyetje heretike: A është e vërtetë kjo? Tani për tani, përgjigjja duhet domosdoshmërisht të ketë dykuptimësi: nuk mund të mohosh që arti ka lidhje me jetën, edhe pse pjesërisht. Më lejoni që në përfundim të fjalimit tim, të shpjegoj këtë gjysmëherezi. Nëse pranojmë se letërsia dhe arti kanë jetë paralele, gjithashtu kemi pranuar se është një botë rivale. Meqenëse rivaliteti të çon domosdoshmërisht në konflikt, na pëlqen të mos pranojmë që mes këtyre dy botëve, asaj të jetës dhe të artit, ka konflikt. Në fakt konflikti ekziston. Herë është i dukshëm e herë të tjera i fshehur. Jeta reale ka armët e veta në këtë përballje me artin: censurën, doktrinat dhe burgun. Ashtu sikurse edhe arti ka mjetet e komunikimit, pikat e tij të forta dhe në fund armët, pjesa më e madhe e të cilave janë sekrete. Jeta reale ndonjëherë shfaqet e paepur, e pamëshirshme. Një poet romantik gjerman i imagjinonte tercinat e Dante Aligerit si kunja kërcënuese e herë të tjera si mjete torture ndaj mendjes së turbulluar nga kriminaliteti. Por lufta mes dy botëve është edhe më e ndërlikuar nga sa duket. Poeti gjerman ngulmonte që disa janë lodhur nga armiqësia që kanë për artin e të tjerë nga dashuria për të. Paradoksalisht ka shumë nga ata që bëhen armiq të artit, atëherë kur besojnë se e duan atë. Si rrjedhojë, pavarësia e letërsisë dhe e artit bëhet gjithnjë e më e vështirë. Gjithsesi, ne shkrimtarët jemi të bindur që arti nuk do ta ngrejë kurrë flamurin e dorëzimit. Meqenëse përmenda këtë fjalë të trishtë, besoj se duhet të kthehem sërish te vizioni i botëve që ndodhen përballë njëra-tjetrës në pritje të një fitoreje: asaj të botës reale ose të artit. Natyrisht, ka shumë ndryshime mes tyre por edhe një dimension madhor që qëndron mbi të gjithë. Po jua tregoj: ndërsa në konfliktin e saj me artin, bota reale arrin në një tërbim të tillë sa do të ishte gati ta shkatërronte, në asnjë rast, e përsëris që në asnjë rast, letërsia dhe kundërpërgjigjja e artit ndaj botës reale nuk ka qëllim ta dëmtojë, por në të kundërt, lufton për ta bërë më të bukur, më të jetueshme. Ka një ndryshim të madh mes të dyve. Në këtë rast, ky ndryshim nuk është veçse një dëshmi e pavarësisë së vërtetë të artit.
Gazeta Shqip
p.s. Lajmi ishte per nenforumin e letersise por e postova ketu pasi tek ai nenforum nuk gjeta opsionin e hapjes se temave te reja.
| Gjithsej 2 faqe: [1] 2 » Trego 2 mesazhet në një faqe të vetme |
Materialet që gjenden tek Forumi Horizont janë kontribut i vizitorëve. Jeni të lutur të mos i kopjoni por ti bëni link adresën ku ndodhen.