| Forumi Horizont | Gjithsej 5 faqe: [1] 2 3 4 5 » Trego 5 mesazhet në një faqe të vetme |
Forumi Horizont (http://www.forumihorizont.com/index.php3)
- Figura te njohura te Pavaresise (http://www.forumihorizont.com/forumdisplay.php3?forumid=210)
-- Lasgushi antifashist, zbulohen letrat e panjohura (http://www.forumihorizont.com/showthread.php3?threadid=2089)
Lasgushi antifashist, zbulohen letrat e panjohura
A është shkencëtar Lasgushi? Dy janë dorëshkrimet e panjohura të Poradecit, që e bëjnë të detyrueshme këtë pyetje: “Anthologjia shqiptare e kësikohshme” dhe studimi mbi rolin e dr.Norbert Joklit në albanologji
Nga Shaban Sinani
Që Lasgush Poradeci, përveçse poet i brendësisë, ishte dhe studiues me kërkesa të larta, ky është një fakt i mirënjohur. Dihet se, në përfundim të studimeve universitare në Austri, poeti i dashurisë dhe i liqenit pati përfunduar një tezë doktorate mbi Emineskun dhe vendin e tij në letërsinë rumune, ku nuk mungonin dhe krahasimet ndërballkanike. Në mesin e viteve ’30 ai shkroi posaçërisht për Naimin dy studime përmbajtësore. Fakte të tjerë, të pasistemuara, njoftojnë se Poradeci ishte më se i vëmendshëm ndaj procesit letrar, ndiqte rrjedhat e letërsisë, dinte mirë ç’kërkonte politika kulturore-letrare prej krijuesve (pavarësisht se herë-herë i ironizonte kërkesat e saj), mbante shënime mbi librat gjatë leximit dhe shkruante vlerësime deri për fjalë e figura (një rast i tillë lidhet madje me një prej veprave të I. Kadaresë), kishte shenjat e veta për të veçuar të bukurën dhe për të mbajtur qendrim estetik ndaj artit e krijimtarisë. Por gjetja e disa dorëshkrimeve origjinale të tij në një koleksion dokumentesh me autorësi të papërcaktuar qartë në AQSH bën që të rimerret edhe një herë, në një trajtë tjetër, pyetja e vrazhdë e Krist Malokit, kësaj radhe jo për Lasgushin poet, as me ndonjë paraprirje për ta vënë në dyshim si të tillë, por për të bërë të njohur një anë thuajse të heshtur të personalitetit të tij:
A është shkencëtar Lasgushi?!
Dy janë dorëshkrimet e panjohura të Poradecit, që e bëjnë të detyrueshme këtë pyetje: “Anthologjia shqiptare e kësikohshme” “Antologji e letërsisë bashkëkohore”, dhe studimi mbi rolin e dr.Norbert Joklit në albanologji.
Vepra e parë është përfunduar në vitin 1937, afërsisht dy vjet pas botimit të tekstit të E. Çabejt për shkollat e mesme “Elemente të literaturës dhe të gjuhës shqipe”. Kësaj vepre Poradeci ia ka kryer të gjitha shërbimet shkencore që nevojiten për një botim antologjik. Libri është ndërtuar në dy pjesë: fillimisht poezia dhe pastaj proza. Në poezi janë zgjedhur vetëm autorë të shekullit të 20-të, duke nisur prej Çajupit (pa Naimin). Në prozë, me sa duket, edhe për shkak të kufizimeve në mundësitë e zgjedhjes, janë përfshirë edhe autorë të shekullit të 19-të (Kristoforidhi). Nga autorët e afirmuar para përgatitjes së antologjisë bie në sy mungesa e Nolit dhe e Konicës. Kjo është një çështje që do studiuar. Në librin e vet Çabej e kishte bërë objekt studimi veprën e Nolit, pavarësisht se ky ishte kundërshtar i mbretërisë. Zgjedhja e Poradecit, që është njëherësh edhe identifikim i shijes vetjake të tij, del në formën e një pikëpyetjeje në rastin e Konicës.
Mungesa e Migjenit duhet të shpjegohet jo vetëm me kohën kur u përgatit antologjia (1937), por edhe me faktin që “Vargjet e lira” u hoqën nga qarkullimi menjëherë pas botimit dhe u desh mjaft kohë për t’u përhapur e bërë të njohura.
Antologjia ka pasur qëllim të dyfishtë: shkollor dhe promovues - të udhëheqë lexuesin vendës dhe të huaj drejt përfundimit se letërsia shqipe tashmë është një letërsi tradicionale, me vlera antologjike dhe vlera të tjera të gjithfarshme.
Ndryshe nga thuajse çdo rast tjetër, autori në këtë vepër nuk nënshkruan me emrin letrar, por me emrin e vërtetë dhe titullin shkencor: “Dr. Llazar Gusho”.
Sipas të gjitha gjasave, antologjia është dorëzuar për botim. Në frontespic ka madje edhe emrin e entit botues: Instituti Shqiptar. Prej këndej duhet të ketë shkuar në bibliotekën e ministrisë së kulturës popullore, ku është gjetur para se të hynte në AQSH. Vepra ka renditjen përfundimtare të autorëve. Për çdo pjesë të zgjedhur (prozë, poezi) autori ka përpunuar atë që quhet “aparat shkencor”: fjalorin, shpjegimet e figurave, herë-herë madje dhe krahasime me kuptime të të njëjtave fjalë në disa gjuhë të huaja.
Përveç kësaj - dhe kjo është më e rëndësishmja për t’iu përgjigjur pyetjes “A është shkencëtar Lasgushi” - antologjia përmban parathënien dhe pasthënien e përzgjedhësit, me vlerësime të përgjithshme për letërsinë shqipe të gjysmës së parë të shekullit të 20-të, si dhe vlerësime të posaçme për çdonjërin prej shkrimtarëve të pranuar në antologji, që prej Kristoforidhit e Skiroit, Çajupit e Asdrenit, tek Kuteli, Ali Asllani, Lumo Skëndo, Fishta, Prennushi, Mjeda e Koliqi. Shënimet e përveçme për çdo poet a prozator të zgjedhur i tejkalojnë jo vetëm krahasimisht kërkesat bio-bibliografike të domosdoshme për botimet antologjike. Për çdonjërin prej shkrimtarëve ka vlerësime e shpjegime që do të ndihmonin edhe sot relativizimin e historisë së letërsisë shqipe.
Në “Anthologjinë shqiptare të kësikohshme” ka vendin e vet edhe poezia e Lasgush Poradecit. Me shumë finesë, për të shmangur provokimin etik të lexuesit, në këtë rast autori ka zgjedhur të paraqitet jo i vetëvlerësuar, por prej shkrimtarit Mitrush Kuteli, duke iu referuar një artikulli të tij botuar në Bukuresht në revistën “Boabe de Grâu” më 1934.
Një anë tjetër e rëndësishme e punës së Lasgush Poradecit si përzgjedhës kritik dhe vrojtues i hollë e i vëmendshëm i lëndës letrare janë konsideratat e tij për një grup shkrimtarësh e poetësh që më vonë nuk janë rimarrë as në botime antologjike, as në studime letrare, midis të cilëve tërheqin vëmendjen emrat e Hamid Gjylbegajt, Mihal Sherkos, Stefan Shundit dhe Hilmi Lekës. Mjafton fakti që këta autorë janë çmuar prej Lasgushit për t’u rikthyer vëmendjen në studimet e ardhshme dhe në botimet shkollore. Në mënyrë të veçantë meriton kujdes shkencor raporti i Poradecit me ato që zakonisht janë quajtur “rikrijime”, me një bazë së pari lëndën folklorike, që çmohen veçmas jo vetëm tek personaliteti krijues i Mitrush Kutelit, por edhe tek proza rrëfimtare në stil folklorik-popullor e Mihal Sherkos, i cili cilësohet “literarisonjësi” i folklorit shqiptar.
Dorëshkrimi i dytë gjendet në të njëjtin koleksion (edhe ky jo në fondin personal të Lasgush Poradecit) dhe është shkruar më 22 maj 1938. Në këtë rast autori ka nënshkruar me emrin letrar. Ky është një artikull i plotë, i dorëzuar për botim, pastaj i redaktuar (ka dy redaktime, njëri prej të cilëve është prej vetë autorit, kurse tjetri duket i redaksisë). Artikulli i kushtohet personalitetit të dr.Norbert Joklit. Eshtë një thirrje ku gërshetohen të gjithë argumentet e mundshëm: shkencorë, kulturorë, atdhetarë, emocionalë, sentimentalë, lajkatues, profetizues, humanitarë, gjithçka pa përjashtim, që qeveria e Shqipërisë të bëjë të mundur shpëtimin e albanologut të njohur, të rrezikuar seriozisht prej urrejtjes në rritje të antisemitizmit dhe të judeofobisë, duke krijuar rrethanat e nevojshme zyrtare dhe të çfarëdo lloji tjetër për ta tërhequr prej Austrisë ku gjendej në “atdheun e tij të dytë shpirtëror“, në Shqipëri.
Që Lasgush Poradeci do të shkruante në përkrahje të dr.Norbert Joklit, kjo është jashtë çdo dyshimi. Por pjesa më befasuese e këtij dorëshkrimi është argumenti hyrës, ku shkrimtari i qortuar sistematikisht në tekstet shkollore për letërsinë si “asnjanës“ dhe “bashkëpunëtor në heshtje“ me nazifshistët, paraqitet hapur si denoncues i rrezikut që përfaqëson doktrina e “Führer-it“, e sistemuar në veprën “Mein Kampf“ dhe i kujton vendit të tij detyrimin e mirënjohjes për t’i dhënë strehë hebreut Norbert Jokl, pa harruar t’i kujtojë edhe botës se ç’gjëmë po i pret izraelitët në gjithë botën prej revanshit të “Reich-ut“!.
Përveç “preambolës“ së artikullit, që merr shkas prej pushtimit të Austrisë nga Gjermania, rreziku i judeofobisë evokohet edhe në dy raste të tjera, por në këto dy raste teksti në brendësi është shuar gati-gati në mënyrë të palexueshme. Nga konteksti duket se shkurtimi është bërë nga redaksia së cilës artikulli i është paraqitur për botim, prej së cilës, sipas të gjitha gjasave, nuk arriti të marrë kurrë pëlqimin e botimit, me gjithë shkurtimet.
Veç këtij profili antifashist - zor se mund të gjenden autorë të tjerë nga Shqipëria, duke përfshirë flamurtarët e antifashizmit, që të kenë akuzuar drejtpërsëdrejti “Mein Kampf“ si burimin e ekspansionit nazifashist - nga autori në këtë artikull shpërfaqen dije të konsoliduara dhe të paqortueshme edhe sot, pas 70 vjetësh, mbi albanologjinë, si dhe një përfytyrim i shkëlqyer për mundësinë e zhvillimit të saj, fillimisht në kuadër të një Instituti të Albanologjisë, më pas të një seminari të përhershëm për gjuhën, letërsinë dhe kulturën shqiptare, duke konkluduar me një Fakultet të Letrave Shqipe.
Në të dyja këto vepra ligjërimi i Lasgush Poradecit paraqitet në një rrafsh krejt tjetër. Si shkencëtar Poradeci ka një fjalor krejt tjetër, të prirur drejt terminologjisë së rreptë, me mjaft huazime prej gjuhëve të huaja, me fjali të gjata, paranteza dhe shpjegime kalimtare. Lasgushi shkencëtar nuk lodron me fjalën sikurse në poezi, përkundrazi, kërkon ngjyresën më të përpiktë që i lyp ligjërimi.
Artikulli “Profesor Jokl-i në dispozicion të Shqipërisë” botohet duke ruajtur drejtshkrimin dhe sintaksën burimore të autorit. Në raste të veçanta, për lehtësi kuptimi, në kllapa katrore është dhënë sinonimi. Në ndonjë rast tjetër, kur leximi i fjalës apo shprehjes në dorëshkrim ka qenë i pamundur, për shkak të dëmtimit të dokumentit, shënimi gjithashtu është vënë në kllapa katrore.
| Gjithsej 5 faqe: [1] 2 3 4 5 » Trego 5 mesazhet në një faqe të vetme |
Materialet që gjenden tek Forumi Horizont janë kontribut i vizitorëve. Jeni të lutur të mos i kopjoni por ti bëni link adresën ku ndodhen.