Forumi Horizont Gjithsej 5 faqe: [1] 2 3 4 5 »
Trego 5 mesazhet në një faqe të vetme

Forumi Horizont (http://www.forumihorizont.com/index.php3)
- Diskutime Shoqërore (http://www.forumihorizont.com/forumdisplay.php3?forumid=125)
-- Ja baronët shqiptarë të krimit, Cilat janë grupet më të fuqishme krimit (http://www.forumihorizont.com/showthread.php3?threadid=2752)


Postuar nga Ben-SHkodrani datë 28 Tetor 2003 - 23:10:

Ja baronët shqiptarë të krimit, Cilat janë grupet më të fuqishme krimit

Ne gjithashtu kemi një mesazh për baronët e krimit: Ne e dimë apo do të zbulojmë së shpejti se cilët jeni. Qeveria ime, partnerët tanë evropianë ju janë vënë pas…". Kjo është një pjesë nga deklarata e papritur e ambasadorit amerikan në Tiranë e shqipëruar në rastin më të parë që atij i'u dha pas një ngjarjeje të bujshme siç është vlerësuar vrasja e shoferit të kryeprokurorit shqiptar. Por kush janë në të vërtetë baronët e krimit në Shqipëri apo më saktë bandat më të njohura të pasviteve '90?

"Hakmarrja Shqiptare për Drejtësi"
E bërë publike për herë të parë në vitin 1996 u konsiderua si një organizatë kriminale me karakter politik. Madje u tha se ajo u godit pak kohë para se të realizonte një atentat kundër presidentit të vendit në atë kohë. Këtij grupimi i'u atribuan një sërë grabitje bankash, vrasja e ish-drejtorit të burgjeve Bujar Kaloshi dhe hedhja në erë e supermarketit të VEFA. U arrestuan pothuaj të gjithë anëtarët e akuzuar. Të cilët fituan lirinë pas hapjes së burgjeve në vitin 1997 në një kohë kur gjykata ende nuk kishte shkuar te dhënia e vendimeve. Grupi vazhdon të mbetet ilegal edhe pas vitit 1997. Vetëm në vitin 2002 gjykata e faktit në Tiranë pezullon urdhër-arrestet për anëtarët e tij. Porse pak muaj më vonë gjykata e Apelit e rikthen grupin në ilegalitet. Nuk ka shumë të dhëna për linjën e veprimeve të saj dhe fuqinë reale. Kundërveprimi i shtetit ndaj bandës kohët e fundit është dukur inekzistent.

"Banda e rrugës së Durrësit"
E bërë e njohur pas ekzekutimit me antitank të Denis Ginës në vitin 1999. Tashmë mendohet të ketë një krah dominues të bandës. Pra një krah që ka triumfuar mbi kundërshtarët e vet të të njëjtit grup në një luftë të egër hakmarrëse. Konsiderohet një grupim me një fuqi të madhe ekonomie dhe mbështetje politike të të dy krahëve. Policia deri diku është munduar të mos lejojë të krijohet miti i paprekshëmrisë së kësaj bande. Pothuaj i ka pastruar të gjitha paratë në biznese të ligjshme dhe është lidhur me politikën.

"Bandat e Durrësit"
Ato mendohet të jenë disa dhe në veprim. Mendohet se ka gati një vit që të gjitha palët kanë vendosur një farë arëmpushimi solid midis tyre të kushtëzuar nga fuqia ekonomike e siguruar me anë të veprimtarive kriminale. Për bandat mund të thuhet tashmë se kanë ndarë qytetin në zona influence përfshirë edhe Shijakun. Konsiderohet se janë shumë të lidhura me politikën e të dy krahëve. Nuk janë shquar për egërsi ekzekutimesh. Gjenden në periudhën e pastrimit të parave në veprimtari të ligjshme dhe katapultimit në politikë.

"Banda e Fierit"
Mendohet të jetë një bandë ku kapërthehen një pjesë e mirë e linjave të drogës së llojit heroinë të ardhur nga Turqia. Në krye të saj është një personazh i njohur nga të gjitha strukturat e antidrogës në Shqipëri. Nuk dihet suporti i tij politik, veçse deri tani ka qenë i paprekshëm. Është duke pastruar paratë e pista.

"Bandat e Vlorës"
Konsiderohen pothu-aj të palexueshme, pasi të gjithë krerët e policisë të dërguar në Vlorë kanë qenë përzgjedhje të gabuara të politikës dhe jo profesionistë. Mendohet se vrasja e një eksponenti të njohur në Greqi para pak kohe e ka bërë akoma më të palexueshme pamjen. Gjithsesi mbeten një rrezik potent që pjell vrasje të dhunshme të cilat mbeten mister, të ngjashme me vrasjet e fundit në Tiranë.

"Banda e Beratit"
Është një grupim i fortë, ish-pjesë e Bandës së famshme të Beratit të vitit 1996. Më saktë një grupim që ka mbijetuar në sajë të lidhjeve me politikën dhe me struktura të policisë. Aktualisht nuk dihet shumë për aktivitetin. Mendohet se banda është në periudhën e pastrimit të parave të pista.


Mesazhi i Xhefrit sipas ...

SABRI GODO
President nderi i Partisë Republikane
"Deklarata paralajmërim për qeverinë" "Deklarata e ambasadorit amerikan në Tiranë, Xhemjs Xhefri, është një deklaratë serioze. Eshtë një paralajmërim i vërtetë dhe i qartë ndaj qeverisë shqiptare. E nëse do të lexojmë mes rreshtash, ashtu si duhet të bëjnë diplomatët, do të shohim se gishti është drejtuar drejt pushtetit, ku dhe është duke gjetur strehë krimi i organizuar. Krimi ka pasur terren në Shqipëri dhe nuk ka lëshuar ende asnjë pozicion, ashtu si me keqardhje ka vërejtur dhe ambasadori Xhefri. Ne duhet të dëgjojmë dhe të bazohemi në ato që thotë Xhefri sepse këto deklarata, janë në një farë mënyre konkluzione të nxjerra në bazë të studimve dhe të të dhënave të qeverisë së Shteteve të Bashkuara në bashëkpunim me qeveritë e vendeve evropiane. Ndaj duhet vepruar sa më shpejt pasi durimi i shqiptarëve është sosur".


BLENDI KLOSI
Ministër i Shtetit pranë Kryeministrit
"Duhet kontributi i të gjithë faktorëve"."Qeveria Shqiptare edhe në të ardhmen garanton partnerët ndërkombëtarë që ashtu siç ka bërë në 18 muaj duke goditur trafikun e qënieve njerëzore, nuk do të rreshtë përpjekjet për të goditur pa kompromis krimin e organizuar, korrupsionin dhe trafiqet e çdo lloji. Ne vlerësojmë inkurajimin në këtë drejtim dhe kërkojmë që përpjekjeve tona t'u bashkohen edhe faktorë të tjerë institucionale dhe shoqërorë për të realizuar goditjen e krimit të organizuar me drejtësi të organizuar. Ne mendojmë se kontributi i të gjithë faktorëve është shumë i vlefshëm për të arritur progres në këtë drejtim".


SHABAN MEMIA
Anëtar i komisionit parlamentar për rendin dhe SHISH-in
"Krimi bashkëpunon mesegmente të shtetit""Prej kohësh kemi folur se krimi në Shqipëri është duke sfiduar shtetin. Vetëm gjatë këtij viti kemi patur të paktën 10 vrasje të tipit mafioz të biznesmenëve deri tek shoferi i kryeprokurorit. Por probleme shumë shqetësuese mbeten trafiku i narkotikëve dhe qënieve njerëzore. Një problem ku nuk është vënë dorë mbetet regjimi i shkatërruar kufitar. Pothuaj 99% e drogave kapen nga shërbimet e shteteve fqinje. Nga ana tjetër strukturat e antikrimit janë inefiçente. Ndërkohë vihet re se krimi bashkëpunon me segmente të shtetit dhe politikanë e deputetë të majtë. Por edhe prokuroria e gjykata nuk veprojnë në bazë të ligjit për të goditur strukturat kriminale. Qëndrimet e opozitës kanë qenë gjithmonë në të njëjtën gjatësi vale me ato të opinionit ndërkombëtar. Mendoj se do të ketë një pamje krejt tjetër nëse do të ndahet krimi nga politika".


THOMA JANO
Zv/mininstër i Rendit
"Mungojnë mjetet në luftën ndaj krimit""Bashkëveprimi me amerikanët ka qenë i vazhdueshëm. Task Force është struktura e re e krijuar për të luftuar krimin e organizuar. Në kuadër të formimit të kësaj strukture është në përfundim një program pilot për pesë qytetet kryesore të vendit. Janë përzgjedhur prokurorët dhe oficerët e policisë gjyqsore nga më të mirët, të cilët do të trajtojnë rastet e krimit të organizuar dhe krimet e rënda. Krimi në vendin tonë po humbet gjithnjë e më tepër terren. Strukturat që e luftojnë atë janë të motivuara, por kjo nuk do të thotë që lufta të bëhet me fushata. Ka probleme përsa i përket mjeteve për të bërë sa më efikase këtë luftë, duke filluar këtu me aparaturën e bërjes së ADN-së".


BAJRAM IBRAJ
Drejtor i Përgjithshëm i Policisë
"Falenderojmë ambasadën për mesazhin""Gjejmë me vend të falenderojmë Ambasadën USA në Tiranë për mbështetjen e vazhdueshme dhe inkurajimin stimulues që i ka dhënë institucioneve shqiptare të zbatimit të ligjit përfshi edhe policinë. Ne vlerësojmë maksimalisht vlerësimin dhe suportin që kanë dhënë dhe po i japin partnerët amerikanë policisë shqiptare. Drejtoria e përgjithshme e policisë dëshiron të garantojë ambasadën USA se mesazhe të tilla shprese dhe inkurajimi na angazhojnë edhe më tepër në përpjekjet për realizimin e obligimeve tona institucionale në luftën ndaj krimit të të gjitha llojeve dhe formave".


PJERIN NDREU
Drejtor i Policisë së Tiranës
"Krimi jo vetëm punë e policisë"."Mendoj se ambasadori amerikan nuk e kishte fjalën vetëm për vrasjet. Prononcimi ishte një shqetësim përgjithësues për krimin, ku përfshihen edhe trafiku i drogës, i qënieve njerëzore etj. Kështu që mesazhi nuk është vetëm për policinë. I mbetem mendimit se që të ketë një zhvillim të dukshëm pozitiv në luftë kundër krimit, duhet të ketë bashkëpunim të të gjitha institucioneve të shtetit".


  Gjithsej 5 faqe: [1] 2 3 4 5 »
Trego 5 mesazhet në një faqe të vetme

Materialet që gjenden tek Forumi Horizont janë kontribut i vizitorëve. Jeni të lutur të mos i kopjoni por ti bëni link adresën ku ndodhen.