Forumi Horizont Gjithsej 2 faqe: [1] 2 »
Trego 2 mesazhet në një faqe të vetme

Forumi Horizont (http://www.forumihorizont.com/index.php3)
- Shqiperia, traditat kulturore (http://www.forumihorizont.com/forumdisplay.php3?forumid=114)
-- Kësaj here, kishim ftuar Mirushin (http://www.forumihorizont.com/showthread.php3?threadid=6842)


Postuar nga edzaloshnja datë 02 Dhjetor 2004 - 21:07:

Kësaj here, kishim ftuar Mirushin

Nga Eduard Zaloshnja

(Botuar ne gazeten Panorama)

Çdo vit në këtë kohë, ne shqiptarët e zonës metropolitane të Uashingtonit mblidhemi në atë që kemi bërë traditë ta quajmë Darka e Flamurit. Dhe çdo vit, ftojmë një grup muzikor shqiptar, vëmë një flamur shqiptar në krye të sallës ku shtrojmë banketin, vëmë disa tullumbace kuq e zi në tavolinat ku ulemi, këndojmë hymnin kombëtar dhe, pasi pijmë ndonjë gotë, kërcejmë e kuvendojmë plot zhurmë. Ndërsa këtë vit ishte ndryshe. Jo se nuk i bëmë ato që bëjmë çdo vit; ato i bëmë të gjitha. Por kësaj here, kishim mes nesh edhe Mirushin; Mirushin që e bën vargun të qajë, apo që e bën atë të qeshë; Mirushin që i merr vargjet nga letra e i bën jetë; Mirushin që të vjedh nga realiteti e të çon ku t’i ketë dashur zemra autorit të vargjeve, sikur ti të ishe një pupël e lehtë.

Të gjithë e prisnim që Mirushi do të na kënaqte, por jo që do të na mahniste. Dhe kur ai recitoi, në fakt, na mahniti. Ai e mori vajzën që qëndiste flamurin në vitet e përtymura nga baruti i Çerçizëve e na e solli të gjallë në mes të Uashingtonit. Dhe vajzat shik të Uashingtonit u përlotën. Ato vajza që duken aq të distancuara nga Shqipëria e largët e aq të zhytura në modernizmin amerikan, papritmas, dukeshin si çikat e maleve ku dikur burra të rëndë luftonin për vatan.

Dhe kur Mirushi na solli në sallë Nolin për të thënë plot krenari “Mbahu nëno mos ki frikë, se ke djemtë në Amerikë”, edhe burrave më të fortë filluan t’iu lëngështohen sytë. Papritmas, tek njerëz që duken fare të shkëputur nga vendi që kanë lënë pas e të preokupuar me jetën sfiduese të metropolit ku jetojnë, dalloje shkëndija patriotizmi. Për ato minuta që Mirushi e zhyti gjithë sallën në vargjet e Nolit, të dukej sikur gjindja në të do të ngrihej e njëzëri do të thoshte: “Mjaft punuam për tjerë ne fatkeqë; të kthehemi në vendin ku kemi lerë e që po heq.”

Minutat e Mirushit kuptohet që nuk zgjatën shumë. Sepse tek e fundit, minutat, minuta janë. Dhe, si të tilla, ato ikin shpejt. Por sado të shkurtra minutat, ajo që ndjeu salla kur Mirushi e dehu me artin e tij, nuk mund të largohej lehtë. Sepse kur dehesh me artin e Mirushit, dehja nuk të del kollaj.

Sot, kur avujt e alkolit “Mirush” janë shpërndarë, ka shumë të ngjarë që shumica e shqiptaro-uashingtonianëve që ishin në Darkën e mrekullueshme të Flamurit, t’i jenë rikthyer preokupimeve të tyre të përditshme. Ndoshta ata vetëm kalimthi i kujtojnë momentet kur Mirushi i bëri të ndjehen patriotë. Dhe Mirushi i mirëkupton ata. Sepse ai e di që jeta nuk është aq e thjeshtë; ajo ka kërkesat e saj. Në fund të fundit, para se të merren me ndjenjat fisnike që ai solli në shpirtin e tyre, shqiptaro-uashingtonianët, si të gjithë njerzit e tjerë, duhet të vrasin mendjen si të plotësojnë nevojat për ushqim të mirë, rroba të ngrohta, shtëpi komode, e siguri për vete e fëmijët. Por për një gjë, Mirushi duhet të jetë më se i qetë: herë pas here, shqiptaro-uashingtonianët do ta kujtojnë. Dhe sa herë ta kujtojnë, do ta falenderojnë për momentet e mrekullueshme që ai u fali.


  Gjithsej 2 faqe: [1] 2 »
Trego 2 mesazhet në një faqe të vetme

Materialet që gjenden tek Forumi Horizont janë kontribut i vizitorëve. Jeni të lutur të mos i kopjoni por ti bëni link adresën ku ndodhen.