Forumi Horizont Gjithsej 23 faqe: [1] 2 3 4 5 6 7 8 9 10 » ... E fundit »
Trego 23 mesazhet në një faqe të vetme

Forumi Horizont (http://www.forumihorizont.com/index.php3)
- Analiza (http://www.forumihorizont.com/forumdisplay.php3?forumid=291)
-- Europa: destinacioni X (eseja e Mustafa Nanos qe fitoi çmimin e pare) (http://www.forumihorizont.com/showthread.php3?threadid=8307)


Postuar nga Fajtori datë 14 Maj 2005 - 04:56:

Europa: destinacioni X (eseja e Mustafa Nanos qe fitoi çmimin e pare)

Shkrimi qe vijon eshte pjese e nje eseje 60 faqeshe qe fitoi çmimin e pare ne konkursin e organizuar nga fondacioni Soros per esene me te mire mbi integrimin e Shqiperise ne Bashkimin Europian. Eshte nje udhetim i pameshirshem qe perdor nje fjalor te paster shqiptar dhe prek problemet dhe iluzionet aktuale. Me penen e tij Nano hap dritare te reja per te kuptuar pse-te e shumta qe mundojne brezin e ri.

Le te fillojme me pjesen e pare. Publikimi do te behet dita dites per te bere leximin sa me te kendshem dhe tema do te hapet ne fund per te shkruar opinionet vetjake.


--------------------------------------------------------------------------




Avitje tinzare tek argumenti

Sa herë që i kthehen dhjetorit të vitit '90, shumë prej nesh, edhe sot e kësaj dite, në mënyrë të vetvetishme janë të prirur t'i japin atij muaji një përmasë jo të zakontë; hëm heroike, hëm vizionare, gjë që është e diskutueshme sot e gjithë ditën. Madje, kam frikë se nuk është e vërtetë. Diku e dikur kam shkruar diçka, të cilën vazhdoj ta besoj edhe sot:
"Përmbysja e regjimit komunist nuk ndodhi ngaqë thjesht deshën apo u trimëruan përmbysësit dhe përfaqësuesit e tyre; me fjalë të tjera e në një rrafsh universal, nuk është e reja që avitet e shpërthen, aq sa është e vjetra që zbythet e ngordh, e rrjedhimisht, çdo përmbysje nuk duhet parë vetëm si prepotencë e gjallërisë së asaj që po lind, por edhe si zemërgjerësi e lodhjes së asaj që po vdes." E di, është një këndvështrim pesimist, çmobilizues, i kulluar niçean mbi historinë, thelbin e të cilit, dikush mund ta kërkojë (jo pa të drejtë), te përbuzja e reagimit të turmave, por do të bëjë më mirë ta shohë te zhveshja e këtij reagimi prej çdo domethënieje vizionare.


Dhe ndërsa, me pak fjalë, rrekem të deheroizoj e të ridimensionoj atë ngjarje, të cilën ndokush, o ngaqë ka qenë personazh i saj, o ngaqë ka qenë spektator i radhës së parë -trimëri më vete edhe kjo- o ngaqë lumturisht identifikohet në një mënyrë çfarëdo me të, o ngaqë nuk di gjë tjetër në këtë botë, veç të shkojë pas berihajt, nuk lodhet së vizatuari në mënyrë poetike, e pra, ndërsa rrekem të deheroizoj atë ngjarje, as nuk nxitem prej dëshpërimit që më (na) ka kapur më pas, as nuk më pëlqen të më ngatërrojnë me një reaksionar të lodhur, e çfarë do të ishte tejet trishtuese, me një njeri, i cili, pasi ka mbushur një kobure me baltë, qëllon me të mbi një ngjarje me të vërtetë fatlume në historinë e këtij populli. E kam përshëndetur dhe e përshëndes përmbysjen, por nuk mund të bie në ujdi me personalizimin poetik të saj (edhe kur autorësia u jepet turmave shumëmijëshe, kemi të bëjmë bash me një "personalizim". E nuk është se jam një idhtar i pandreqshëm i determinizmit. Jo! E lë veten shpesh të impresionohem e të kondicionohem prej spontanitetit. Dhe nuk ka dyshim që lëvizje të tilla, siç është ajo e dhjetorit të vitit '90, kanë anët e tyre spontane e mistike, shpesh herë të pashpjegueshme për një kohë të gjatë, e pse jo, për gjithë kohën.


Kjo është mistika e turmave dhe e lëvizjeve të saj, me të cilën mund të interpretohet paradoksalisht pagabueshmëria e tyre, kur qëllon që janë edhe të pagabueshme (qëllon ndonjëherë që janë të tilla). Dhe në këtë pikë, unë po heq dorë së kërkuari qimen në vezë, po heq dorë së kërkuari gabimin brenda pagabueshmërisë së përmbysjes. Do bëj të kundërtën. Do të kapem fort pas motos së asaj lëvizjeje, e cila, sidoqë ka qenë esencialisht magjepsëse, ka nevojë, aq më shumë sot, të saktësohet e të ndriçohet: "E duam Shqipërinë si gjithë Europa." Më shumë se një dekadë pas ngjarjes së madhe, kjo moto ngjan të jetë e vetmja poezi e lëvizjes. Nuk ishte një slogan publicitar i thurur në studiot e marketingut modern, apo pjellë e mendjeve të shkathëta të marifetçinjve të spektaklit. Ishte një duf i brendshëm, i artikuluar vetvetiu, qartë dhe larg çdo dileme. Ja, për këto çudira janë të afta turmat. Pikërisht kjo gjë duhet shpjeguar. Ose duhet tentuar të shpjegohet.




  Gjithsej 23 faqe: [1] 2 3 4 5 6 7 8 9 10 » ... E fundit »
Trego 23 mesazhet në një faqe të vetme

Materialet që gjenden tek Forumi Horizont janë kontribut i vizitorëve. Jeni të lutur të mos i kopjoni por ti bëni link adresën ku ndodhen.