Forumi Horizont Gjithsej 5 faqe: [1] 2 3 4 5 »
Trego 5 mesazhet në një faqe të vetme

Forumi Horizont (http://www.forumihorizont.com/index.php3)
- Pashko Vasa (http://www.forumihorizont.com/forumdisplay.php3?forumid=62)
-- Kush është Pashko Vasa (http://www.forumihorizont.com/showthread.php3?threadid=84)


Postuar nga Ami- datë 01 Janar 2003 - 21:46:

Kush është Pashko Vasa

Pashko Vasa, i njohur sidomos me emrin Vaso Pasha, është një ndër udhëheqësit më të hershëm e më të njohur të lëvizjes sonë kombëtare. Ai ka hyrë në historinë e Rilindjes si ideolog dhe si poet i saj. Lindi në Shkodër më 1825. Mësoi disa gjuhë të huaja si autodidakt dhe fitoi një kulturë shumë të gjerë për kohën. Rreth vitit 1847 shkoi në Itali dhe mori pjesë me armë në dorë në revolucionin e Venedikut kundër pushtimit austriak. U tregua trim dhe me aftësi ushtarake. Pas dështimit të kësaj lëvizjeje, P.Vasa u vendos në Stamboll. Në Turqi P.Vasa u ngrit në shkallën e lartë të hiearkisë shtetërore. Nga viti 1883 e deri sa vdiq, më 1892 në Bejrut, ishte guvernatori i përgjithshëm i Libanit.
Veprimtarinë letrare P.Vasa e zhvilloi kryesisht në vitet `50-`60 të shekullit XIX. Gjithë krijimtaria e tij lidhet ngushtë me atdheun, me historinë dhe lashtësinë e popullit shqiptar, me mbrojtjen e të drejtave të tij si komb. "A mos është krim ta duash vendin tënd? - shkruante ai. - Ajo që është një cilësi, një virtyt për të tjerët, nuk mund të jetë tjetër gjë për ne„. Shkroi poezi, prozë artistike, publiçistikë dhe libra gjuhe.
Veprat më të rëndësishme të P.Vasës janë: përmbledhja me vjersha "Trëndafila dhe gjemba„(1873), ku flet me zjarr e mall për vendlindjen dhe dëshiron lirinë e Shqipërisë. Më 1879 botoi frëngjisht trajtesën: "E vërteta për Shqipërinë dhe shqiptarët„, në të cilën argumenton lashtësinë e popullit shqiptar, tregon vetitë e tij dhe mbron të drejtat kombëtare. Botoi më 1890 romanin "Bardha e Temalit„ të shkruar frëngjisht, ku përshkruan zakone e doke të jetës shqiptare në sfondin e luftës për çlirim kombëtar. Shkroi edhe një "Gramatikë të shqipes për të huajt„(1887).
Por kryet e vendit në krijimtarinë e tij e zë vjersha "O moj Shqypni„
Kjo vjershë lindi në ditët e stuhishme të Lidhjes Shqiptare të Prizerenit dhe qarkulloi gojë më gojë, ngandonjëherë edhe si këngë. Në të ndihet jehona e ngjarjeve dramatike që kalonte vendi ynë, kur shqiptarët mbronin me gjak trojet e tyre nga lakmitë e shovinistëve fqinjë dhe nga vendimet e padrejta të Kongresit të Berlinit.


  Gjithsej 5 faqe: [1] 2 3 4 5 »
Trego 5 mesazhet në një faqe të vetme

Materialet që gjenden tek Forumi Horizont janë kontribut i vizitorëve. Jeni të lutur të mos i kopjoni por ti bëni link adresën ku ndodhen.