Forumi Horizont | Gjithsej 12 faqe: [1] 2 3 4 5 6 7 8 9 10 » ... E fundit » Trego 12 mesazhet në një faqe të vetme |
Forumi Horizont (http://www.forumihorizont.com/index.php3)
- Diskutime Shoqërore (http://www.forumihorizont.com/forumdisplay.php3?forumid=125)
-- "Stela", letër kërcënuese para vrasjes (http://www.forumihorizont.com/showthread.php3?threadid=8991)
"Stela", letër kërcënuese para vrasjes
Joana Dudushi është gjetur e masakruar, rreth 60 metra larg kabinës ku banonte prej pak muajsh së bashku me gjyshen
"Stela", letër kërcënuese para vrasjes
Joana, e njohur si “Stela” denoncoi për shfrytëzim, agjentët e Antitrafikut. Shoqërohet ish- i dashuri
Ardian Dauti
VLORË-Masakrohet me thikë Joana Dudushi, pak muaj pas denoncimit publik që ajo u bëri disa oficerëve të antitrafikut të Vlorës. Trupi pa jetë i Joanës, ose siç njihet ndryshe “Stelës” është gjetur në orët e para të mëngjesit të djeshëm, në një rrugicë të errët pranë kabinave të plazhit. 18-vjeçarja, nënë e një foshnjeje, është gjetur nga një fqinj i saj, i cili ka telefonuar menjëherë sallën operative të policisë së Vlorës. Brenda pak minutash, punonjës të shumtë të policisë, kanë mbërritur pranë kabinave, në njërën prej së cilës banonte prej pak javësh viktima dhe kanë këqyrur trupin e 18-vjeçares. “Vrasja e Joana Dudushit është bërë me anë të thikës. Ajo është goditur nga shtatë thika në gjysmën e trupit dhe me dy thika në zemër, plagë këto që i kanë shkaktuar vdekjen e menjëhershme”,-pohoi për “Shekullin” mjeku ligjor. Pasi kanë kryer veprimet e para hetimore në vendin e ngjarjes, punonjësit e policisë e kanë dërguar trupin pa jetë në morg, ku i kanë kryer edhe ekspertiza të tjera mjeko-ligjore, për të bërë të mundur zbardhjen e kësaj vrasjeje makabre.
Gjetja e trupit
“ Në rrugicën pranë kabinave të plazhit ndodhet trupi i masakruar i një vajze. Ju lutem ejani shpejt”. Kjo telefonatë anonime ka mbërritur në sallën operative të policisë së Vlorës në orën 5.00 të mëngjesit të djeshëm, duke alarmuar forcat e shumta të policisë. Oficerët e policisë kriminale dhe një grup hetimor, i ngritur brenda pak minutash, kanë zbarkuar në vendin ku telefonuesi lajmëroi se ndodhej kufoma. Trupi i masakruar i Joanës është gjetur rreth 60 metra larg kabinës ku ajo banonte javët e fundit, së bashku me foshnjen e saj. Vajza ndodhej përtokë, ndërkohë që në trupin e saj dalloheshin së largu plagët e shkaktuara nga një mjet i mprehtë. Sipas burimeve nga grupi hetimor, mësohet se Joana Dudushi është goditur 7 herë me thikë në trup dhe dy herë në zemër, plagë këto që i kanë shkaktuar vdekjen e menjëhershme.
Hetimi
Burime nga grupi hetimor pohojnë për “Shekullin” se ka prova të mjaftueshme për të zbuluar në kohë rekord autorin e këtij krimi. Gjatë ditës së djeshme, policia e Vlorës ka shoqëruar shumë persona të cilët dyshohej se kanë dijeni në lidhje me ngjarjen, 2 prej të cilëve janë mbajtur më gjatë në mjediset e komisariatit. Mësohet se njëri prej të shoqëruarve ka qenë i dashuri i pak kohëve më parë i Joana Dudushit, i cili është marrë në pyetje për disa orë me radhë, nga grupi hetimor. Në trupin e viktimës, punonjësit e policisë kanë gjetur dy telefona celularë, njëri prej të cilëve i përkiste Joanës dhe tjetri gjyshes së saj. Sipas burimeve të policisë, telefonat e gjetur në trupin e të masakruarës mendohet se janë një pikënisje e mirë për zbardhjen e ngjarjes, pasi do të verifikohen të gjitha thirrjet telefonike që 18-vjeçarja ka marrë. Ndërkaq, në trupin e Joanës janë gjetur edhe prova të tjera materiale, të cilat janë dërguar në Laboratorin Qendror Kriminalistik, për ekspertizë. Zyrtarët e policisë së Vlorës pohojnë se përgjigjja e këtyre ekspertimeve pritet të zbardhë misterin e masakrimit të Joana Dudushit.
Viktima
Joana Dudushi, e bija e Besnik dhe Rajmonda Dudushit ka lindur në Vlorë në vitin 1987. Ajo ishte e papunë dhe vetëm 3 muaj më parë ishte bërë me djalë. Burime nga policia e Vlorës pohojnë se katër vjet më parë, prindërit e saj janë divorcuar, ndërkohë që adoleshentja ka jetuar me gjyshen e saj. Mësohet se që prej asaj kohe, Dudushi është ndaluar disa herë nga policia, e akuzuar për ushtrim prostitucioni në mjediset publike. Rreth 3 muaj më parë, Joana lindi një djalë dhe pas daljes nga materniteti, e ka dorëzuar atë në shtëpinë e fëmijës. Një muaj më pas, Joana e ka marrë sërish foshnjen, me të cilin jetonte në kabinën e plazhit. “Më kanë marrë në telefon nga policia kriminale dhe më kanë thënë se nëse nuk e merr fëmijën nga jetimorja, do ta gjesh të vdekur”, -pretendoi Joana, gjatë kohës që mori djalin e saj 3-muajsh. Prej pak ditësh, 18-vjeçarja banonte e vetme në kabinën e plazhit, ndërkohë që djalin ia kishte lënë gjyshes, me pretendimin se kishte probleme dhe se e kërcënonin vazhdimisht.
VIKTIMA
Joana Dudushi, vajza e masakruar ishte 18 vjeç. Prindërit e saj janë divorcuar katër vjet më parë, kohë në të cilën vajza mbeti pa përkrahje. Për të kujdesej gjyshja e moshuar, por burimet e policisë pohojnë se ajo është ndaluar disa herë nga policia, me akuzën e ushtrimit të prostitucionit në mjediset publike.
FOSHNJA
Vetëm 3 muaj më parë, Joana Dudushi lindi fëmijën e saj të parë. Pas daljes nga materniteti ajo e dorëzoi foshnjen në shtëpinë e fëmijës, por pas një muaji u kthye atje e penduar, për ta marrë sërish. Joana u kishte thënë punonjëseve se e kishin kërcënuar, që nëse nuk e merrte djalin e saj, do ta gjente të vdekur
MASAKRIMI
18-vjeçarja është gjetur e masakruar, rreth orës 5.00 të mëngjesit të djeshëm. Trupi i saj ishte braktisur rreth 60 metra larg kabinës ku banonte, ndërkohë që në trup kishte shumë plagë të shkaktuara nga një thikë. Sipas ekspertëve mjeko-ligjorë, ajo kishte marrë 7 plagë në trup dhe 2 në zemër, të cilat i shkaktuan vdekjen
DENONCIMI
E masakruara, “Stela” që denoncoi agjentët e antitrafikut
VLORË- Joana Dudushi njihet nga opinioni publik me pseudonimin “Stela”, emër që sipas saj e mbante gjatë misionit që kishte, si e rekrutuar nga disa agjentë të antitrafikut. Ajo ka denoncuar agjentët në emisionin “Fiks Fare” të Top Chanel, ku ka pohuar se ata e kishin rekrutuar për të futur në kurth tutorët e femrave, që sipas saj liroheshin vetëm pasi paguanin shuma të majme parash. “Unë nuk jam paguar asnjëherë nga agjentët e antitrafikut për punën që kam bërë, ndërkohë që janë futur në burg persona të pafajshëm, të cilët nuk kanë kryer asnjë krim”,-mësohet të ketë thënë Joana në emisionin e mësipërm. Ajo ka denoncuar me emër 4 agjentë të antitrafikut, që sipas saj e mësonin të akuzonte persona të ndryshëm për shfrytëzim prostitucioni, të cilët liroheshin vetëm pasi paguanin shuma të majme parash. Pak javë më parë, 18-vjeçarja Dudushi ka qënë dëshmitare në një seancë gjyqësore, ku i pandehur ishte një djalë i akuzuar për shfrytëzim për qëllime prostitucioni të një vajze nga Elbasani. “ I akuzuari nuk ka faj. Isha unë ajo që e implikova atë, pasi më thanë agjentët e antitrafikut ta bëja një gjë të tillë”,-ka thënë ajo para trupit gjykues, duke shtuar se ka thënë gjithçka që i kanë mësuar punonjësit e policisë. “Unë kërkoj falje për fjalët që kam thënë për të pandehurin, por edhe për shumë persona të tjerë, që janë futur në burg për fajin tim”,-ka thënë “Stela” në këtë seancë gjyqësore. Thëniet e saj nuk janë marrë seriozisht nga trupi gjykues, pasi ajo deklaroi të kundërtën e atyre që kishte deklaruar me shkrim në polici dhe në prokurori. Madje, gjykata e deklaroi atë të papërgjegjshme, duke u bazuar edhe në raportin e bërë nga mjekët, pas ekspertizës së 18-vjeçares.
Shekulli
02/08/2005
KATEGORIA: Kronike nga rrethet
----
Sa gjynah!!! Kjo ishte ajo neqoftese keni ndjekur emision fiks fare kishte dal ne kamera duke denoncuara keta krimenele.
Gjithsej 12 faqe: [1] 2 3 4 5 6 7 8 9 10 » ... E fundit » Trego 12 mesazhet në një faqe të vetme |
Materialet që gjenden tek Forumi Horizont janë kontribut i vizitorëve. Jeni të lutur të mos i kopjoni por ti bëni link adresën ku ndodhen.