Forumi Horizont Gjithsej 2 faqe: [1] 2 »
Trego 2 mesazhet në një faqe të vetme

Forumi Horizont (http://www.forumihorizont.com/index.php3)
- Gjeologji & Gjeografi (http://www.forumihorizont.com/forumdisplay.php3?forumid=151)
-- Të dhëna gjeografike dhe arkeologjike mbi qytetin e Tiranës... (http://www.forumihorizont.com/showthread.php3?threadid=9290)


Postuar nga amoxil datë 28 Gusht 2005 - 22:12:

Të dhëna gjeografike dhe arkeologjike mbi qytetin e Tiranës...

TIRANA, Kryeqyteti i Shqiperise shtrihet 110 m mbi nivelin e detit, ne nje rrafsh i cili pershkohet nga lumi i Tiranes. Ne perendim midis rruges Tirane-Durres shtrihet Kodra e Gjate me 491 m lartesi. Ky masiv i vogel mund te kalohet ne veri nga Vora ose ne Jug nga Qafa e Erzenit. Ne lindje rrafshnalta kufizohet nga Masivi i Dajtit (1612 m) dhe nga Mali i Priskes (1365 m). Ndermjet tyre shtrihet Qafa e Priskes (850 m). Ne Jug shtrihet Qafa e Krrabes me 933 m mbi nivelin e detit. Tirana ka nje siperfaqe rreth 40 Km2.

Nga faktet e gjetura ne rrenojat e nje keshtjelle ka mundesi te behet fjale mbi nje keshtjelle te cilen Prokopi von Caesarea ne shekullin e gjashte e ka quajtur "Tirkan". Sidoqofte qyteti i sotem u themelua ne vitin 1614 kur Sulejman Pasha Mulleti ndertoi nje xhami pikerisht ne vendin ku sot ndodhet statuja e Ushtarit te Panjohur. Xhamia u shkaterrua nga Lufta e dyte Boterore. Trazirat e pas vdekjes se Kapllan Pashes (1816) e shkaterruan nje pjese te qytetit si dhe pronat e Familjes Toptani. Ne vitin 1920 Kongresi i Lushnjes shpalli Tiranen kryeqytet te Shqiperise, ne vend te Durresit. Ne ate kohe Tirana numeronte vetem 10000 banore nderkohe qe Shkodra dhe Korça numeronin dyfishin e Tiranes. Vetem pas 1938 Tirana mund te renditej ne nje radhe me keto dy qytete. Tirana u clirua nga pushtimi fashist ne 17 Nentor 1944. Ne ate kohe ajo numeronte rreth 60 000 banore.


Pellgu i Tiranës
Burimi i materialeve nder te tjera nga :http://www.tirana.gov.al/
Shqipëria e mesme, me zonat malore, kodrinore e fushore të saj ofron një pasuri të ndjeshme në fushën e historisë, administrimit, etnografisë e trashëgimisë kulturore. Tipologjia e përgjithshme e zhvillimit të tyre është reale edhe për pellgun e Tiranës.


Tirana u themelua si qytet më 1614, por toka mbi të cilën u ndërtua ka gjurmë më të hershme banimi.



Gjurmë të lashta banimi në pellgun e Tiranës.
Stacion paliolitik në verilindje rrëzë malit të Dajtit. Shpella e Zezë ose ndryshe Shpella e Pëllumbasit vendbanim i hershëm që dëshmon mbi gjurmët e hershme të banimit në këtë pellg.


Kjo dëshmi i takon zonës perëndimore të qendrës të qytetit. Ajo paraqitet si një ndërtim me aks gjatësor, me drejtim perëndim-lindje dhe përbëhet nga naosi (salla) në perëndim. Ndërsa narteksi (parasalla) dhe mjediset e tjera janë të vendosur në anën veriore.


Me interes për të gjykuar mbi zhvillimin e kësaj treve, në veçanti për këtë qendër banimi fshatare në rrugët që lidh Dyrrahin me Skampën, janë dy mozaikët, ai i naosit dhe norteksit.


Mendohet se godina është rrënuar në periudhën e antikitetit të vonë. Kemi të bëjmë me një ndërtesë banimi të shek. II-III të erës sonë të kthyer në kishë gjatë shekullit të IV-V, në ndërtesë kulti.



Kalaja e Petrelës.
Kalaja e Petrelës nga zbulimet e bëra, është kala mesjetare e ndërtuar në kohën e sundimit të Perandorit Bizantin Justianit të I, në shekullin e VI pas Krishtit. Kjo qe një prej kalave të ngritura prej tij në sistemin mbrojtës së Perandorisë. Është kala e ngritur mbi një terren me shpate mjaft të pjerrëta, madje nga ana jugore dhe juglindore të thepisura, të cilat e kanë bërë kalanë shumë të mbrojtur. Ajo u ngrit në momentin kur Kalaja e Vilës, kala antike, e cila ndodhet përballë Kalasë së Petrelës, e humbi rëndësinë e saj. Ajo u ngrit kryesisht për qëllime ushtarake. Kalaja e Petrelës kontrollonte rrugën Egnatia, dega Durrës-Tiranë-Elbasan, e cila për kohën kishte rëndësi të veçantë.

Në fillim të shek. XIV-të ishte nën sundimin e Topiajve, në atë kohë zotërues midis Matit e Shkumbinit, në një faqe të murit ruhet dhe emblema e parë e Topiajve.



Kalaja e Prezës.
Barleti përmend Prezën si qyteza e Parthinëve. Fakti që e përmend Barleti tregon se ajo duhet të jetë ndërtuar para rrethimeve të Krujës dhe ndërtimi i saj duhet të jetë në fillim të shek. XV nga Topiasit të cilët ishin zotëruesit e kësaj zone.


Me sa kuptohet, braktiset në kohën e Gjon Kastriotit dhe vetë i biri i tij. Pas pushtimit turk asaj iu bënë disa riparime, ndërmjet të tjerave u ndërtua edhe një xhami.

Të dhëna arkeologjike.
Mozaiku i Tiranës është i vetmi monument arkeologjik brenda territorit të qytetit të Tiranës. Në vitin 1972, gjatë punës për ndërtimin e pallateve të bllokut “Partizani” në lagjen nr. 9 të qytetit të Tiranës, u zbuluan rrënojat e një ndërtese antike, njëri nga ambientet e të cilit ishte i shtruar me mozaik. Sipas autorëve, kemi të bëjmë me një qendër fshatare të shekujve të parë pas Krishtit që në fillim të shek. III u zëvendësua me një vilë fshatare (rustica). Salla me mozaik e pajisur dhe me një absidë ishte ambjenti kryesor i saj. Autorët mendojnë edhe që në shek. V-VI vendin e vilës e zuri një bazilikë paleokristiane. Pjesa e gërmuar e monumentit u rrethua dhe u vu në mbrojtje nga Instituti i Monumenteve të Kulturës (IMK). Gjatë viteve 2003-2004 punimet e sistemimit të rrugëve dhe instalimeve të ndryshme të bllokut “Partizani” zbuluan pranë rrethimit të monumentit pjesë të tjera të kompleksit. Më kryesoret këtu ishin vaskat e fermentimit të mushtit të rrushit, por edhe pjesë të tjera muresh në dy pika të ndryshme. Brenda këtij kompleksi u zbuluan tre stela varresh të periudhës romake. Gërmimet e fundit përforcuan mendimin se kemi të bëjmë me një vilë fshatare, ndërkohë që nuk është gjetur asnjë e dhënë për transformimin në bazilikë paleokristiane të mbështetur nga autorët e gërmimit të parë të viteve ’70. Në mënyrë konvencionale, siti arkeologjik është emërtuar dhe njihet me emrin “Mozaiku i Tiranës”.


  Gjithsej 2 faqe: [1] 2 »
Trego 2 mesazhet në një faqe të vetme

Materialet që gjenden tek Forumi Horizont janë kontribut i vizitorëve. Jeni të lutur të mos i kopjoni por ti bëni link adresën ku ndodhen.