Forumi Horizont Gjithsej 6 faqe: [1] 2 3 4 5 6 »
Trego 6 mesazhet në një faqe të vetme

Forumi Horizont (http://www.forumihorizont.com/index.php3)
- Historia e Shqipërisë dhe Shqipëtrëve mbas luftës së dytë botërore (http://www.forumihorizont.com/forumdisplay.php3?forumid=256)
-- “Fillet e izolimit shqiptar: Regjimi i Enver Hoxhës në vitet 1944-1961” (http://www.forumihorizont.com/showthread.php3?threadid=9367)


Postuar nga amoxil datë 06 Shtator 2005 - 00:55:

“Fillet e izolimit shqiptar: Regjimi i Enver Hoxhës në vitet 1944-1961”

Mbulimi i llojlloshmërisë së shoqërisë shqiptare për të mbetur në pushtet

Edhe pse ishte çështje që tërhiqte vëmendjen në të kaluarën, “risitë” e shtetit eremit të Enver Hoxhës, që në një pikë vendosi të ndërtojë mbi një milion bunkerë për të mbajtur jashtë “invaduesit revizionistë”, ka çorientuar hulumtuesit e historisë së pasluftës së Shqipërisë. Duke identifikuar regjimin me diçka si risi, misterie, apo edhe “kthim prapa” në epokën e stalinizmit, kornizat e tilla referuese kanë shtrembëruar mënyrën se si historianët dhe shkencëtarët e shkencave shoqërore kanë vlerësuar Shqipërinë, qoftë në vend, qoftë në vendet fqinje. Jo vetëm që supozimet se regjimi i Hoxhës përfaqësonte tërë shqiptarët ishin mëse të gabueshme, por këto shrembëronin, gati gjatë tërë kohës së pasluftës, edhe kuptimin që kishim për ngjarjet që po ndodhnin brenda në Kosovë, në Maqedoni por edhe në vetë Shqipërinë. Për të përmirësuar disa nga keqkuptimet që ende mbesin të forta edhe tani në shekullin e njëzet e njëtë, këtë kapitull do t’ia kushtoj studimit të regjimit të Enver Hoxhës. Jo vetëm që do të ofroj pikëvështrim të ri në interpretimin e ngjarjeve që ndodhën në Shqipëri në periudhën mes viteve 1944 e 1985, por do të prek edhe disa nga çështjet rajonale që mbështesin shqetësimet e mia me atë se si janë keqkuptuar shqiptarët në të kaluarën. Do të bëj këtë duke treguar se si regjimi i Enver Hoxhës, larg nga të qenët “shtet eremit”, në të vërtetë prekej me botën e jashtme në një varg ndërrimesh politike të ndërlikuara që në mënyrë të drejtë për drejtë prekën marrëdhëniet e shtetit shqiptar me popullatën që kontrollonte. Me rëndësi është se ajo që formësonte këto ndërime në politikë në botën e jashtme ishte jostabiliteti përbrenda vendit. Gjatë shekullit të njëzetë, shqiptarët përjetuan lloj-lloj ndarjesh rajonale, familjare e kulturore që u bënë burim i legjitimimit të skemës ambicioze të Enver Hoxhës për kontroll në periudhën e pasluftës. Dy kapitujt e ardhshëm e portretizojnë këtë regjim që gjeti burimin operacional të legjitimitetit në rajonalizmin historik të Shqipërisë dhe, nëpërmjet manipulimeve me ndarjet e këtilla, në mënyrë brutale mbajti pushtetin për dyzet vite. Janë këto tensione sociale dhe çarje kulturore ato që në mënyrën më të mirë demonstrojnë sa të gabueshme ishin keqinterpretimet e Shqipërisë dhe shqiptarëve si një çështje e vetme, koherente dhe e njëtrajtshme. Në të vërtetë, bazë e metodologjisë sime në këtë libër është identifikimi dhe pastaj integrimi i këtyre faktorëve specifikë ndarës ndër shqiptarët dhe mënyra se si këta formësuan regjimin e Enver Hoxhës.

Identifikimi i burimit të fuqisë

Shpesh është supozuar, gabimisht, se është e mundur që të bëhen analiza institucionale apo ideologjike të regjimit në Shqipërinë e pasluftës, e kështu të identifikohet edhe një formë universale “e shtetit” në Shqipërinë e Enver Hoxhës. Për fat të keq të historianëve, institucionet shtetërore dhe rrënjët ideologjike janë të paqarta dhe janë indikatorë mashtrues të politikës së shtetit dhe motiveve prapa vendimeve politike. Analizat ekonomike të viteve të Enver Hoxhës, studimet gjeopolitike formaliste apo eksplorimet komparative të shtetit komunist mund të jenë dukur forma gjegjëse të punës gjatë Luftës së Ftohtë, por kjo krejtësisht ka huqur aspektin fundamental të regjimit të Enver Hoxhës dhe atë të kërkimit të hegjemonisë në Shqipëri. Në vend të kësaj, shteti i Enver Hoxhës duhet të analizohet në kontekst të zhvillimit socio-historik të Shqipërisë, që nuk supozon se Shqipëria përbëhej nga një trup i vetëm dhe uniform social e politik që do të manifestonte ndarjet përgjatë vijës idologjike e jo asaj sociokulturore. Kjo është veçanërisht e qartë kur i kushtojmë vëmendje të veçantë ngjarjeve që ndodhin në Shqipëri shikuar me syrin që është më i ndjeshëm ndaj dallimeve rajonale përbrenda vendit. Nën një shikim më të mprehtë, tërë institucionet e shtetit të Hoxhës ishin të mobilizuara në mënyrë specifike që të bëjnë të mundur zhvillim të atillë të ngjarjeve që do të maksimizonin nevojat e Enver Hoxhës për pushtet/fuqi, nevoja këto që kishin për vete baza të caktuara sociale e kulturore. Për shembull, planet ekonomike pesëvjeçare dhe thirrjet për efikasitet dhe zell më të madh në zbatimin e parimeve të marksizëmleninizmit, nuk kishin për qëllim që të ndjeket një hap “racional” (mendohet universal) i zhvillimit. Më parë, këto programe synonin që të garantojnë hegjemoninë e pakontestueshme të shtetit të Enver Hoxhës mbi llojllojshmërinë kulturore të Shqipërisë. Duke injoruar një nga qëllimet kryesore të regjimit, që të ushtrohet pushtet i padiskutueshëm mbi një shoqëri që historikisht ka qenë e “leckosur” nga shumë qarqe të fuqisë që garonin me njëra-tjertën, historianët dhe shkencëtarët e shkencave shoqërore shpesh kanë fshirë dhunën aktuale që ka kërkuar implementimi i këtyre politikave. Në Shqipëri, si dhe në shumicën e shoqërive të asaj kohe, lufta për pushtet në vend dhe rrymat e komunizmit internacional të viteve 1940 kuluam me ngritjen në pushtet që klikave që gravitonin rreth një lideri, në rastin tonë, Enver Hoxha, që mobilizoi edhe pohimet ideologjike universaliste edhe paragjykimet lokale që të vihen në thelb të shtetit të pasluftës. Ngritja e Enver Hoxhës dhe dominimi në Shqipëri, si një tosk nga qyteti jugor i Gjirokastrës, është një shembull i mirë i fuqisë së strukturave sociale të përcaktuara nga shteti, lidhjeve fluide mes shtetit dhe shoqërisë dhe influencës së ideologjive të jashtme legjitimuese në tjetërsimin e shoqërive margjinale. Pas një rishikimi të shpejtë të antagonizmave të përgjithshëm, që bëra në kapitullin hyrës, do të tregoj shfrytëzimin eklektik nga ana e Enver Hoxhës të integrimeve shoqërore si armë politike që, ndonëse të mbështjella me ide universale që për disa shkollarë ishin nacionalizëm shqiptar, në të vërtetë shërbenin për realizimin e qëllimeve të ngushta politike që identifikonte më shumë se gjysmën e shqipfolësve të Ballkanit si armiq të shtetit progresiv shqiptar. Shpresoj se duke ndriçuar masat e marra nga regjimi i Enver Hoxhës për të imponuar identitetin tosk gjatë dhe menjëherë pas luftës, natyra e kërkimit tonë në shtetin e pasluftës, në përgjithësi, do të vëjë fokusin në faktorët sociohistorikë të injoruar në literaturë. Kjo do t’i bëjë lexuesit që të shohin nevojën që të përqendrohen në grupet e shumta e të dallueshme që marrin pjesë në ngjarjet e sotshme në Ballkan, e të cilat kërkojnë njohje të ambicieve të tyre dhe perceptimit gjithnjë në ndërrim të të vetvetes.
Gegët, toskët dhe Partia Komuniste

Precedenti organizativ i shtetit të Enver Hoxhës këtu studiohet me një filtër të ndieshëm në marrëdhëniet historike nërmjet gegëve dhe toskëve të diskutuara në hyrje të librit. Kjo është veçanërisht e rëndësishme për të kuptuar komunitetet malësore që do të përjetonin fushatën më agresive të nënshtrimit kulturor e ekonomik nën regjimin e Enver Hoxhës. Të ndarë në dhjetë deri pesëmbëdhjetë grupe familjarare nëpër tërë malet e veriut të Shqipërisë, deri në shekullin e nëntëmbëdhjetë vetëm besimi në Zot, qoftë kjo të shkonte kah Roma ose Stambolli, dhe familja, lidhnin gegët me botën. Është me rëndësi të vërehet se Kisha Katolike në veçanti luajti rol instrumental në ruajtjen e kësaj kulture të dallueshme dhe të identitetit organizativ edhe gjatë epokës otomane edhe në periudhën mes dy luftërave. Me figura të shumta kulturore si Atë Gjergj Fishta që promovonin dhe definonin identitetin kulturor geg, Kisha Katolike do të bëhej qartë armiku numër një i Enver Hoxhës. Se Shqipëria Veriore në aspektin kulturor dhe ekonomikisht jetonte në një mënyrë që e dallonte nga Jugu dhe mesi i Shqipërisë, e kjo u bë shkas për diferencim në fillim të shekullit njëzet, do të tregohet të jetë motivi kryesior dhe faktor legjitimues i persekutimimit nga ana e regjimit të Enver Hoxhës të popullatës gege në epokën e pasluftës. Do të qartësohet më poshtë se Kisha dhe liderët e saj qenë veçanërisht në thumb për shkak të rolit të tyre historik në definimin e kulturës dhe të gjuhës gege dhe shiheshin si sfidë kryesore e strategjisë së Hoxhës për imponimin e kulturës dhe gjuhës së Jugut në tërë vendin. Por, Kisha nuk do të jetë e vetmja pjesë kulturore që do të sulmohej nga Enver Hoxha gjatë kohës së pasluftës, por edhe liderë të dalluar të komunitetit, linguistë, historianë dhe intelektualë gegë do të konsiderohen cak i pranueshëm për eliminim. Duket se faktori qendror motivues në këtë fushatë ishte synimi për ndërrim rajonal të pushtetit. Ekspansioni kulturor verior në fillim të shekullit njëzet përkthehej në anksiozitet ndër shumë liderë kulturorë të Jugut që shikonin me armiqësi traditat e dallueshme letrare e me këtë edhe fuqinë politike të gegëve. Me lidhje të mira me diasporën shqiptare që ishte formuar në Perëndim dhe të ndikuar nga institucionet e jashtme religjioze - Kisha Ortodokse Shqiptare e ajo Greke dhe sekti bektashi - që theksonin identitetin më të gjerë, gati universal, bënin që toskët e Jugut të kenë aspirata fundamentalisht të tjera sociopolitike në krahasim me shqiptarët e Veriut dhe historikisht i shikonin me përbuzje dhe përqeshje traditat e forta të Veriut. Jo më pak se tosku i shqutar Sami Frashëri në veprën e tij “Besa Yahud Ahde Vefa”, e shkruar në vitin 1874, paraqet krejt qartë nivelin e përbuzjes sociale e intelektuale që artistokracia e sofistikuar dhe e edukuar toske e Perandorisë Otomane ndiente për shqiptarët e pahijshëm të maleve. Vepra paraqet tensionet e brendshme të “shqiptarëve” dhe dallimet drastike sociale e ekonomike ndërmjet popullatës së Veriut dhe asaj të Jugut. Për Frashërin dhe intelektualët toskë otomanë, praktika veriore e gjakmarrjes dhe “neveritë” e tjera i mohonin shtetit otoman të drejtën që të fuste “civilizimin” në veri, gjë që u bë figura kryesore arsimore e përdorur gjatë viteve të Enver Hoxhës dhe e theksuar në veprat letrare nga shkrimtari kryesor i Enver Hoxhës, Ismail Kadare, përfshirë edhe “Prillin e thyer” të famshëm. “Sjelljet shkatërrimtare të zakoneve fisnore” ishin një nga të këqijat e vëna në thumb në programet shkollore të shtetit “modern” të Enver Hoxhës, ndërsa etnografët shqiptarë sistematikisht denigruan kulturën gege për dyzet e pesë vjetët e ardhshëm, temë kjo së cilës i kthehem në gjysmën e dytë të këtij kapitulli. Natyrisht se ka pasur periudha të aleancave të përkohshme ndërmjet grupeve gege e toske, por këto përjashtime janë ekzagjeruar nga literatura nacionaliste, që mbyllnin sytë para dhunës që përjetuan ikonat kulturore gege dhe institucionet e tyre gjatë viteve 1940 e 1950. Në të vërtetë, gjatë tërë shekullit të njëzetë ka evidencë të tensioneve të brendshme që përkthehen në konflikt të hapur ndërmjet grupeve që dallohen për nga kultura e tyre gege ose toske. Mund të kuptojmë pjesën më të madhe të jostabilitetin në vitet e para të shtetit të pavarur në periudhën mes dy luftërave, për shembull, duke menduar për shumë qarqe të pushtetit që vepronin në vijat gegë e toskë e jo ato “shqiptare”. Për më shumë, ky faktor i “jounitetit” shpesh rezultonte me pohime irredentiste të vendeve fqinje në kohën e mbretit Zog, pasi grupet lokale lidheshin me serbët, malazeztë, italianët, grekët apo bullgarët kur për këtë kishin nevojë. “Lufta civile” që shkatërroi lëvizjen antifashiste në Shqipërinë e okupuar gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe politikat e mëpastajme të Partisë Komuniste Shqiptare duhet po ashtu të shikohen me sy të përqendruar në këto trajektore kulturore e historike që përsëri “prejnë” çdo njësi politike të quajtur “shqiptare”. Këto tensione manifestohen përbrenda PKSH-së gjatë periudhës mes luftave, periudhës së krijimit të saj, duke treguar se si edhe ideologjitë më universale, progresive e çliruese nuk mund t’i ndryshonin lojalitetet individuale.

A bashkëpunonte Enver Hoxha me liderët religjiozë

Enver Hoxha tregonte mbivalenca ideologjike në kohën kur fraksioni prostalinist villte vrerë kundër Perëndimit. Të udhëhequr nga Nako Spiru, militant, udhëheqës i rinisë komuniste nga 1943 deri më 1946, ky fraksion lëshonte direktiva që dallonin Bashkimin Sovjetik nga aleatët tjerë të përkohshëm kapitalistë, duke u shkaktuar shqetësime të mëdha agjentëve britanikë që punon me forcat kryengritëse brenda në Shqipëri. Për shembull, Qarku i Shpatit, më 3 nëntor 1943, theksonte “reaksionin” që ekzistonte në kampin anglo-amerikan, dhe se populli shqiptar duket të kuptojë se “të dyja, edhe Britania e Madhe edhe Amerikan kurrë nuk janë munduar të ndalin reaksionin në Evropë, por vetëm ta ndajnë atë nga Hitleri”. Në këtë këto rrethana politikie, mbështjetja subtile e Enver Hoxhës për fuqitë perëndimore zbulojnë oportunistin dhe mbijetuesin politik që ishte ai dhe tregojnë se sa larg ishte ai nga të qenët dogmat stalinist, çfarë do të identifikohej më vonë. Se Enver Hoxha vazhdonte të lavdëronte publikisht Çerçillin me gjithë ndjenjat e hapta armiqësore të shprehura nga Grupi i të rinjve, tregon se ende nuk ishin qartësuar vijat nga do të shkonte PKSH-ja dhe se nuk ishte qartësuar gati asgjë rreth Kosovës në aleancat e bëra mes jugorëve dhe sllavëve. Ky zbulim do të tretohet i rëndësisë së madhe kur të analizohen politikat e Enver Hoxhës si lider i Shqipërisë dhe kur të masim veprat e liderëve shqiptarë në Kosovë pas luftës, sepse qartë kemi të bëjmë këtu jo me njerëz të udhëhequr nga zelli ideologjik, por më tepër nga interesat imediate të dala nga aleancat rajonale e jo nga nevojat më të gjera, gjithëshqiptare. Në rastin e Enver Hoxhës, duket se gjatë luftës ai ka lënë përshtypje të atilla sa që britanikët e kanë keqkputuar dhe nuk e kanë vlerësuar drejt rolin e tij që atëherë ishte paksa më margjinal në raport me qarqet vendimmarrëse në PKSH në periudhën mes viteve 1943-1944. Njohja se britanikëve Enver Hoxha u dukej margjinal në qarqet e vërteta të pushtetit në PKSH është e rëndësishme për të zbuluar më tutje motive prapa persekutimit që Enver Hoxha bëri kreu mbi popullatën gege. Agjentët e involvuar në ngjarjet e asaj kohe tregojnë se elemente të PKSH-së dëshironin të eleminonin Enver Hoxhën, veçanërisht Koçi Xoxe, aleati kryesor i Marshallit Tito në lëvizjen partizane shqiptare. Marrëdhëniet mes Hoxhës dhe Xoxes (Titos) shpesh ishin të tensionuara kryesisht për shkak të simpative të përhershme të Hoxhës për aleatët. Megjithatë, ndoshta kjo nuk ishte arsyeja kryesore për tensione të tilla. Duke se më parë do të jetë se Xoxe ndihej disi i pasigurt kur rreth tij ishte Enver Hoxha pasi ai kishte shumë i popullarizuar ndër luftëtarët shqiptarë. Duke mbajtur këtë në mend, ndoshta do të mund të paramendohej se Hoxha ka ndier rastin që në një moment, ndoshta publikisht, të sfidojë Xoxen. Prandaj, nëse ai ka pasur në mend që të bëjë lëvizje drejt marrjes së pushtetit në PKSH, atij i është dashur një bazë e qëndrueshme në të cilën do të qëndronte. Me fjalë të tjera, Enver Hoxha ësthë dashur të kërkojë një legjitimim të atillë që do të forconte lidhjet e tij me Perëndimin si dhe të forconte autoritetin e tij në partinë e dominuar nga toskët. Do të bëhet e qartë se Enver Hoxha është përcaktuar për atë që të ekploatojë identitetin tosk të shokëve të tij dhe urrejtjen e tyre të përgjithshme për shqiptarët e veriut me qëllim që të sigurojë ngritjen e tij në partinë që po bëhej gjithnjë e më radikale e më e varur nga Tito dhe Moska. Prandaj, që në periudhën mes viteve 1943 e 1944, Enver Hoxha insistonte që identiteti rajonal e linguistik (ndoshta madje edhe religjioz) njëherë i anëtarëve të fraksionit të tij, e pastaj edhe partisë në përgjithësi, të jetë kriter për vënien e lojalitetin përbrenda lëvizjes antifashiste. Nuk është rastësi që në këtë kohë PKSH-ja do të fillojë të shpenzojë shumë më shumë kohë në luftimin e rivalëve të tyre katolikë gegë e myslimanë sunitë, se sa forcat okupuese. Evoluimi i manipulimit me shoqërinë vërehet së pari me lidhjet e forta që kishte krijuar Hoxha me figurat religjioze të jugut, që ndër të tjera tregon se Enver Hoxha vështirë të ishte promovues i ateizmit të inspirtuar nga stalinizmi. Hoxha u lidh hapur me liderët e rëndësishëm religjiozë nga jugu, si peshkopi Fan Noli, atë kohë në Boston, babai i bektashinjve Faja Martaneshi, i cili pas luftës u bë nënkryeministër i Republikës dhe babain bektashi Fejzo Mallakastra që u emërua në Asamblenë Kombëtare më 1945. Aleancat e tilla ishin thelbësore për arsye simbolike si dhe politike, pasi publikisht i jepnin garanci popullatës së jugut se Hoxha ishte kulturalisht i lidhur me ta. Në këtë kuptim, Enver Hoxha ishte qartë më i afërt politikisht me temperamentin e popullatës së jugut që nuk do të nxitej nga interpretimet staliniste të marksizmit, por do të mund të mobilizohej përgjatë vijave kulturore e rajonale. Në të vërtetë, 6.000 bektashinj luftuan përkrah bandave komuniste gjatë Luftës së Dytë Botërore, duke marrë pjesë në vrasjen dhe shkatërrimin e shtëpive dhe fsharave të katolikëve dhe myslimanëve sunitë. Aleanca me bektashinjtë, në veçanti, u tregua thelbësore që Enver Hoxha të vazhdojë të gëzojë përkrahjen e trupave jugore gjatë luftave të brendshme në vitet e ardhshme. Këto kontradikta në shikim të parë ideologjike janë informuese kur kihet parasysh presioni që vinte nga Moska dhe Tito që të ulet ndikimin i liderëve religjiozë në shoqërinë e Shqipërisë Jugore. Edhe pse ishte “Komunist”, Enver Hoxha ia doli që të theksojë identitetin e tij shoqëror e kulturor me gjithë presionin nga jashtë, fenomen ky që nuk është unik për Shqipërinë. Fraksioni i Enver Hoxhës jo vetëm që mirëpriti bashkëpunimin e figurave religjioze edhe nga kisha ortodokse edhe nga sekti bektashi, por Enver Hoxha madje publikisht ftoi emrat si peshkopi Noli që t’i bashkohen regjimit të tij pas luftës: “Zemra ime dëshiron që në zgjedhjet e ardhshme (1945) emri juaj të figurojë së bashku me tonin, dhe që populli shqiptar lirshëm dhe demokratikisht të mund të miratojë përpjekjet dhe aksionet tona të përbashkëta”.
Lufta e Enver Hoxhës me gegët

Fushata antigegë e Enver Hoxhës arriti kulmin menjëherë pas çlirimit të Tiranës, në vitin 1944, kohë kjo kur dukej më pak e nevojshme që të krijohen përçarje në shoqërinë shqiptare dhe kur - q’ishte edhe më me rëndësi - duhej punuar në rindërtimin e vendit. Të mbëshjtella me gjuhën e ekonomisë dhe modernizimit kulturor, përpjekjet për të homogjenizuar Shqipërinë dhe “për të rrëzuar barrierat që ndajnë gegët dhe toskët” morën pothuajse menjëherë kualitete të cilat Arshi Pipa i quajti “imperializëm kulturor” toskë. Në vend se të përmirësonte qëndrimin e tij ndaj gegëve në vendin e çliruar, Enver Hoxha zgjeroi fushatën e tij, duke realizuar synimin për pushtet të plotë përbrenda PKSH-së duke u varur edhe më tutje në aftësinë që të mbajë mbështetjen e armatës së tij tani të madhe e lojale toske. Duke njohur animin e madh kulturor të involvuar në projektet e mëpastajme për ndërtimin e shtetit, shteti i pasluftës i Enver Hoxhës mund të vëzhgohet në një dritë tjetër nga ajo që e rendit atë në tipologjinë e shteteve komuniste apo e karakterizon atë thjesht në termat etnonacionale.

Lufta e Enver Hoxhës me gegët

Enver Hoxha dhe PKSH-ja ngadhënjimtare nuk humbën kohë për të imponuar pushtetin e vet. Për shkak të kundërshtimeve kundër shtetit të ri të formuar të dominuar nga toskët, regjimi i Enver Hoxhës, nëpërmjet një sërë të sulmeve të maskuara mirë, kërkoi që të qetësojë gegët duke shkatërruar “bazat reaksionare”, siç e karakterizonte veriun në përgjithësi PKSHja. Përpjekjet për të nxjerrë veriun nga “izolimi feudal” filluan me një fushatë agresive që kërkonte t’i detyronte gegët “... të pranojnë edukimin dhe kulturën, dhe kështu të zhvillojnë dashurinë e plotë për atdheun dhe të krijojnë lidhje të forta solidariteti me popullin shqiptar”. Pikëpamja se gegët janë “njerëz mali” të pakulturuar është ide që ka ekzistuar që nga koha otomane në literaturën toske dhe fakti që as shumë dhe me aq gatishmëri është përmendur në periudhën që po studiojmë këtu, tregon se sa larg shkoi politika etnike e Enver Hoxhës për të arsyetuar fushatën e tij dhe të mbajë një politikë të përçarjes gjatë tërë dyzet vjetëve të pushtetit të tij. Në procesion e degardimit të kulturës gege, Enver Hoxha mohoi shumë figura të shquara të kulturës së shqiptarëve të veriut, para së gjithash, poetin Gjergj Fishta, “Lahuta e Malcisë” e të cilit konsiderohej kryevepër e prozës shqipe. Jo vetëm që njerëzit e Enver Hoxhës nxorën eshtrat e Fishtës nga varri i tij dhe i hodhën në lumin e afërt për të treguar kështu edhe fshirjen e tij fizike nga historia e Shqipërisë, por ai vazhdimisht përqeshej në “historitë” e mëpastajme të letërsisë shqipe. Për shembull, në versionin e vitit 1983 të “Historia e letërsisë shqipe”, për Fishtën thuhet se “ka vënë kishën dhe religjionin para kombit shqiptar”; se ai “propagandonte ndjenja antisllave dhe bënte luftën kundër pushtimit osman sekondare (në raport me luftimin e sllavëve)”; duke zhvleftësuar gjuhën e tij dhe gjuhën gegë në përgjithësi duke shkruar “arti i tij, ... një formë e afërt me folklorin, që shquhej me efekte të sforcuara, shprehje brutale dhe stil që shkonte deri në banalitet”. Ky sulm në Fishtën përmbledh natyrën e luftës kulturore të Enver Hoxhës kundër gegëve gjatë të dyzet vjetëve sa ishte në pushtet. Fakti që aq vonë, edhe në vitin 1983, hasen sulme të tilla në gjuhën gegërishte, që quhej “e thjeshtë”, “e parafinuar” dhe “barbarike”, zbulon përkjekjet e përqendruara, afatgjate, që të zhduket çfarëdo evidence dalluese e kulturës gege. Fushata e viteve 1944-1045 zbulon se shteti i ri shqiptar u angazhua së tepërmi që të veprojë sipas logjikës që jep arsyetim kulturor për fushatën brutale të shtypjes. Është me rëndësi të vërehet se fjalori i përdorur në këtë luftë të brendshme ishte i bazuar në nocionet moderniste për konfrontimin e forcave të “modernitetit” me “traditën”. Kjo retorikë tregon ngjashmëritë në kuptimin e botës së pasluftës që kishte retorika zyrtare e regjimit të Enver Hoxhës dhe agjencitë e Kombeve të Bashkuara që veprojnë sot në Kosovë si dhe shkollarët që kanë studiuar synimet afatgjata të Shqipërisë përgjatë vijave të “zhvillimt” abstrakt. Këto të përbashkëta mes shkollarëve bashkëkohorë dhe shtetit “modernizues” të Enver Hoxhës mund të ndihmojnë të shpjegohet mungesa e interesimit ndër shkollarët perëndimorë për konfliktet sociale që ndodhnin në Shqipëri dhe për rilindjen e stereotipeve për shqiptarët që pengojnë aq shumë përpjekjet për të zgjidhur shumë kriza në Ballkan. Ana njerëzore e projekteve të tilla zhvillimore të udhëhequra nga shteti nuk janë marrë kurrë në konsideratë.

Sulmet ndaj inteligjencies, kulturës dhe besimit gegë

Derisa shehët bektashinj dhe priftërinjtë ortodoksë vazhduan të luajnë rolin e tyre legjitim në kuadër të regjimit të Tiranës, ndërkohë që sulmet kundër priftërinjve françeskanë ishin shtuar, Vatikani i konsideronte këto sulme si të motivuara politikisht dhe të drejtuara kundër shqiptarëve të veriut. Do të përkujtohet se Kisha katolike ka luajtur një rol të rëndësishëm në propagandimin e kulturës gege, ndërsa një pjesë e sulmeve të Hoxhës ishte drejtuar nga besimtarët gegë me qëllim të shkatërrimit të vlerave të tyre konfesionale dhe strukturave kulturore të tyre. Raportimet jo të pakta të agjentëve britanikë dhe dëshmitë e të gjithë atyre që kishin arritur t’i iknin regjimit terrorist tregonin se priftërinjtë ishin sulmuar kur nëpër vendbanime dhe qytete kishin hyrë trupat me qëllim të poshtërimit të individëve dhe shkatërrimit të selive ku punonin prijësit gegë, siç ishte rasti me Prek Calin. Peshkopët ishin detyruar t’i pastronin rrugët dhe banjot publike dhe të veshnin rroba klounësh me mbishkrime të varura nga qafa në gjoks që thoshin: “Kam nënshkruar kundër popullit”. Politika e poshtërimit të klerësisë katolike bëhej me qëllim të veçantë për të diskurajuar të gjitha ata që paraqiteshin si mbështetës potencialë të kishës dhe rezistencës gege. Sulmet ndaj Kishës katolike ishin të ndërlidhura me shkallën e radikalizmit në rritje të regjimit të Hoxhës. Prapa perdes së gjoja luftimit të “imperializmit” dhe “rezistëncës”, Hoxha, nëpërmjet manipulimit me të ashtuqujaturit armiq të brendshëm dhe të jashtëm krijoi shumë shpejt politikën në zhvillim të shtetit represiv. Fushata e përndjekjeve ishte e bazuar në akuzat për “besnikëri jopatriotike” nga e cila Vatikani konsiderohej qendra e të gjitha këtyre implikimeve. Dhe si pasojë, jo e befasishme, presioni kolektiv i zbatuar nga popullata toske, si u nënvizua më sipër, kjo fushatë shumë shpejt u shndërrua në një orgji linçimi. Lek Marashi (një anëtar i Grupit Nacionalist Katolik), i cili akoma po e luftonte regjimin komunist deri në zënien e tij më 1945 paraqet njërin prej shembujve më konkret të kohës, dhe të bashkëpunimit të kishës me qarqet që luftonin komunistët dhe violentët toskë të rreshtuar në taborrin e forcave kundërshtare. Dhe derisa rezistenca ende ishte e gjallë, sulmet drejtuar kishës katolike duhej atribuar fushatës publike që ndikoi në ndarjen e të gjitha lidhjeve mes fashizmit, imperializmit dhe Kishës katolike. Shumë sish nga bashkësia toske shfrytëzuan rastin dhe disponimin e kohës për të sulmuar pa ndonjë shkas aktivistët dhe priftët e tyre. Argjipeshkopi Thaçi nga Durrësi vdiq në vitin 1946 si pasojë e “arrestit shtëpiak” pas një troturimi të gjatë që ia kishin bërë atij ushtarët toskë. Në të njëjtën mënyrë, Argjipeshkopi Prendushi nga Shkodra vdiq në një kamp pune më 1949, ndërsa sistematikisht iu ishte nështruar mundimeve, rrahjeve arbitrare dhe formave të tjera të torturës. Por, dita më e tmerrshme për klerin katolik të shqiptarëve ishte 8 marsi i 1948 kur 19 klerë ishin torturuar dhe më pastaj ishin ekzekutuar nën akuzën se kishin bërë propagandë antikomuniste. Në këtë vazhdë, nuk ka pasur asnjë hezitim të vetëm nga ana e regjimit të Hoxhës për të sulmuar bashkësinë intelektuale e shpirtërore të gegëve si dhe të figurave më prominente të kulturës së tyre. Duke e shfrytëzuar frikën kolektive dhe më pas zemërimin e toskëve të instrumentalizuar si një armë të fuqishme Hoxha ia doli të sigurojë një pushtet të pakufishëm dhe të pakontestueshëm politik në Shqipërine e pasluftës. Në të njëjtën kohë, Hoxha po e ushqente regjimin e tij dhe po e zgjeronte influencën e tij në një hapësirë më komplekse të sistemit ndërnacional duke u futur edhe në lojërat ballkanike gjë që e bëri atë një person jashtëzakonisht të rëndësishëm për Josepf Stalinin në kohën e mosmarrëveshjeve Tito-Stalin.


  Gjithsej 6 faqe: [1] 2 3 4 5 6 »
Trego 6 mesazhet në një faqe të vetme

Materialet që gjenden tek Forumi Horizont janë kontribut i vizitorëve. Jeni të lutur të mos i kopjoni por ti bëni link adresën ku ndodhen.