Forumi Horizont | Gjithsej 5 faqe: [1] 2 3 4 5 » Trego 5 mesazhet në një faqe të vetme |
Forumi Horizont (http://www.forumihorizont.com/index.php3)
- Historia e Shqipërisë dhe Shqipëtrëve mbas luftës së dytë botërore (http://www.forumihorizont.com/forumdisplay.php3?forumid=256)
-- Shumë pak shqiptarë kanë refuzuar bashkëpunimin me Sigurimin (hapja e dosjeve) (http://www.forumihorizont.com/showthread.php3?threadid=9372)
Shumë pak shqiptarë kanë refuzuar bashkëpunimin me Sigurimin (hapja e dosjeve)
Përse nuk duhet të hapen dosjet dhe çfarë pasojash do të kenë ato për Shqipërinë? Kush janë të rekrutuarit dhe sa është numri i tyre. Cila është baza mbi të cilën rekrutoheshin agjentët dhe cilët janë të privilegjuarit dhe të privuarit e kësaj "ushtrie spiunësh". Hollësi nga rekrutimi dhe pasojat e tij në shoqërinë shqiptare
Gjeneral Astrit Mehja
Që me lindjen e shtetit, është organizuar edhe shërbimi i fshehtë, i quajtur rrjet spiunazhi, agjenturor, informativ, inteligjent e gjithfarë emërtimesh sipas çdo vendi e shteti përkatës. Ndërsa tek ne është quajtur përgjithësisht rrjeti agjenturor, bashkëpuntorë, dhe së fundmi, informatorë të kategorive të ndryshme.
"Rrjet agjenturor" kanë organizuar brenda sistemit të Ministrisë së Punëve të Brendshme organet e Sigurimit të Shtetit (përfshi dhe ato të Sigurimit të ushtrisë) si dhe organet e policisë, kryesisht ato të policisë kriminale (që para vitit 1992 quheshin seksione apo degë të ndjekjes së krimeve.
Jo se them ndonjë gjë të re, por, sa për kujtesë duhet përmendur se ky rrjet shtrihej në të gjitha institucionet qendrore e vendore deri në vitin 1984, përjashtuar organet e Partisë Punës në qendër dhe në bazë, Presidiumi, Qeveria dhe në ministrrinë e Punëve të Brendshme (përjashtuar repartet e kufirit, gardës dhe të policisë në rang ushtari, nënoficeri e polici).
Në vitin 1984, pas goditjes se grupeve "armiqësore" të M. Shehut, K. Hazbiut, F. Shehut etj., në krye të Ministrisë së Punëve të Brendshme ishte ëmëruar Hekuran Isai, nën drejtimin e të cilit u ripunua platforma e punës operative, që mesa mbaj mend, u miratua nga ish Byroja politike pak para vdekjes së E. Hoxhës. Ndryshimet ishin thelbësore, kryesisht duke ndaluar kategorikisht ndërtimin e punës agjenturore operative, tashmë jo vetëm në organet e Partisë Punës, por në të gjitha dikasteret dhe institucionet qendrore, përfshi dhe Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve, si dhe në organet e pushtetit vendor, deri në këshillat popullore dhe fshatrave, shkollat etj., (përjashtmar ministrinë e Mbrojtjes).
Kuptohet që veprimtaria e mëparshme e organeve të Sigurimit të Shtetit u konsiderua jo vetëm e gabuar, sektare, koçixoxizëm, rankoviçizëm e deri dhe armiqësore. Në shumë pak raste mbi bazën e ankesave dhe me iniciativën e H. Isait iu fal dënimi personave të arrestuar për agjitacion e propagandë, çka në raport me numrin shumë të madh të të dënuarve, ishte i papërfillshëm, pa efekte edhe propagandistike.
Por, deri në këtë periudhë, për hir të së vërtetës duhet thënë se ishin rekrutuar dhjetëra mijëra informatorë, një shifër galopante që, për arsye të sekretit nuk mund ta deklaroj.
Kush ishin ata që rekrutoheshin
Por natyrshëm lind pyetja, në cilat shtresa e institucione e organizoi me gjerësisht këtë rrjet? Në radhë të parë në radhët e elementëve armiq e keqbërës (ish monarkistë, ballistë, ish zyrtarë të regjimeve të mëparshme, tregtarët, kulakët, elementi antiparti që lindi nga disidenca e viteve të pasçlirimit, të burgosurve e internuarve, në radhët e forcave të armatosura (përjashtuar në mënyrë kategorike oficerët e sistemit të ministrisë Punëve të Brendshme).
Tërheqja në bashkëpunim apo rekrutimi bëhej përgjithësisht mbi baza "vullnetare" patriotike dhe me material shtrëngues (duke i vërtetuar dhe falur veprën penale të kryer). Për personat që për momentin e bisedimeve pranonin, i merrej një deklaratë me shkrimin e tij, duke i caktuar dhe pseudonimin e parrullë e kundërparrullë, i hapej dosje e kartela të ndryshme. Një burokraci e madhe, e mundimshme për të dy palët, edhe për zyrtarët, edhe për personin që i propozohej të bashkëpunonte. Ishte një moment shumë delikat saqë shpesh herë të krijoheshin dhe komplikacione të ndryshme, sepse personi nuk kishte ardhur vetë të bashkëpunonte, por ishte thirrur nëpërmjet disa kombinacioneve të fshehta dhe shumë të vështira.
Edhe unë kam bërë jo shumë, rreth 100 rekrutime në radhët e elementëve keqberës, por edhe të personave 'patriotë' siç thuhej rëndom për ata persona që nuk ishin nga radhët e kontigjenteve armiq e keqbërës. Fillimisht, shumica dërrmuese, jo vetëm mua, por pothuajse të gjithë agjenturistëve u ka ndodhur të mos pranohet bashkëpunimi, sepse u mungonte një dëshirë e tillë duke e konsideruar një veprim që i cenonte karakterin e dinjitetin personal e familjar. Mirëpo në kushtet e një regjimi të rreptë diktatotrial rreth 70 përqind e tyre pranonin, dhe nga këta një minimum aktivizoheshin dhe jepnin informacione rregullisht, ndërsa pjesa tjetër ose vinte në takim dhe s'jepte asgjë, ose jepte informacione të pavlera dhe dita-ditës shkëputeshin duke nxjerrë justifikime nga më të ndryshmet, deri sa përjashtoheshin nga rrjeti formalisht me dokumente se de fakto ata ishin vetëpërjashtuar, pavarësisht se kishin pranuar të nënshkruanin deklaratën, të mermin pseudonimin etj..
Shumë pak shqiptarë kanë refuzuar bashkëpunimin
Personat që refuzonin në mënyrë kategorike qysh në fillim të bisedave, realisht janë një numër i vogël, rreth 3000, për të cilët hapej kartela: "Personi që ka refuzuar të bashkëpunojë me organet e Sigurimit dhe të Policisë", - kartelë e cila ruhej dhe ndiqte personin sipas vendbanimit, deri sa vdiste. Kjo kartelë plotësohej që kuadro të tjerë agjenturistë, të mos merrnin mundimin për t'i propozuar herë tjetër. Persona që mburren duke thënë se unë në atë kohë kam qenë trim dhe s'kam pranuar të bashkëpunoj dhe është jashtë këtij fondi kartelash, nuk thotë të vërtetën, për të mos thënë që gënjen. Inaktiviteti i agjenturës ose mungesa e dëshirës së popullit për të bashkëpunuar me shërbimet e fshehta të asaj kohe, u bë i dukshëm në vitet '70, por ajo arriti kulmin në mesin e viteve '80 dhe këtë problem, si asnjëherë tjetër, e mori në dorë vetë Komiteti Qendror i Partisë Punës, ku krahas studimit dhe një analize të hollësishme, u përcaktuan detyra, sipas tyre, të rëndësishme, që do të çonin në efektivitetin e informatorëve. Për të qenë korrekt në ministri për ketë pati reagime nga kuadro të veçantë, duke e konsideruar si diçka të jashtëzakonshme dhe jo në përputhje të paktën me praktikën e deriatëhershme. Prapëseprapë veprimtaria, asokohe e quajtur armiqësore dhe ajo keqbërëse, po shtohej dhe informacioni po minimizohej. Kjo mungesë u zëvendësua me veprime të tjera të ashpra, jo ligjore që nga një drejtor në atë kohë, pavarësisht shumë gabimeve, i quajti masa drakoniane duke u deklaruar hapur se ishte kundër tyre dhe se i zbatonte jashtë vullnetit dhe dëshirës së tij.
Si filloi të degradonte agjentura?
Në fundin e viteve '90 ndodhën ato ndryshime që tashmë i mbajmë mend të gjithë e situatat e krijuara, sidomos vendosja e pluralizmit politik, jo vetëm e gjeti të papërgatitur ministrinë e Brendshme, por e çorientoi jashtë mase. Kuptohet që, agjentura jo vetëm u tërhoq edhe më shumë, por shumica dërrmuese kërkonin që t'i asgjësohej dosja e materiale të tjera që komprometonin figurën e tyre dhe pak a shumë kjo u realizua. Me akte normative të ministrit u asgjësuan me dhjetëra mijëra dosje të informatorëve në ministri dhe në degët e Brendshme. Dhe deri këtu gjysma e të keqes, sepse ndoshta nga hutimi, apo edhe shkarkimi i shumë zyrtarëve të meparshëm, ngelën pa u djegur regjistrat dhe një nga llojet e kartelave ku ishin të evidencuar të gjithë personat që kishin pranuar të bashkëpunojnë, ku ndodhej krahas gjeneraliteteve, edhe pseudonimi e ndonjë hollësi tjetër profesionale. Për fat të keq, në këto lista janë edhe ata mijëra të quajtur informatorë apo agjentë dhe që s'kanë dhënë qoftë dhe një informacion e janë seleksionuar si inaktivë.
Ndryshimet që ndodhën pas 2 korrikut 1990 e në vazhdim dhe sidomos pas rrëzimit të sistemit komunist dhe vendosjes së pluralizmit, shkaktoi pështjellim të madh në rrjetin agjenturor, pati nga ata që vranë veten apo u vranë nga persona të dënuar, qindra e mijëra shkuan në shtete të ndryshme familjarisht, deri në Zelandën e largët dhe s'kanë për t'u kthyer ndonjëherë në Shqipëri. Megjithatë shumë ngelën se s'iu dha mundësia të largoheshin dhe një pjesë u përfshinë në proceset demokratike për përmbysjen e sistemit. Një diçka e tillë ishte llogjike, pasi për hir të ideve, bindjeve politike apo origjinës, ata, pavarësisht bashkëpunimit "vullnetar", ishin persekutuar, internuar, dëbuar e dënuar vetë ose pjesëtarë të familjes dhe farefisit e, padyshim e kishin ëndërruar e dëshiruar me kohë përmbysjen e diktaturës. Rrjedhimisht, ata si gjithë të tjerët u integruan në administratë, por dhe në sfera të larta të politikës, disa prej të cilëve u bënë deputetë, deri edhe ministra apo shefa të institucioneve të larta qendrore.
Komisionet për pastërtinë e figurës
Edhe pas marrjes se pushtetit nga Partia Demokratike, është bërë zhurmë e madhe për hapjen e dosjeve të informatorëve dhe sidomos për pastrimin e politikës dhe administratës prej tyre, për çka në vitin 1996 u bë një ligj për verifikimin e pastërtisë së figurës së një grup personave të caktuar, duke u krijuar një komision me z.Hajri Mezini ne krye. Por puna e këtij komisioini ishte e cekët, sipërfaqësore se s'kishte s'i bëhej ndryshe, pasi hapja e dosjeve për të gjithë politikën e administratën, për mendimin tim do të hapte probleme të mëdha.
Edhe tani pas 14 vjetësh demokracie, ridel në skenë problemi i hapjes së dosjeve, tashmë nga shkrimtari i madh Ismail Kadare, i mbështetur nga një tjetër shkrimtar dhe politikan Dritëro Agolli. Sipas shtypit del se edhe presidenti zoti Moisiu na qenka dakord për t'i hapur dosjet, sepse sipas shkrimtarëve tanë të shquar, të urtë dhe të mençur ata ish spiunë (siç thote i shquari Kadare) na e paskan pasur përgjegjësinë për burgosjen, ndjekjen apo persekutimin e shkrimtarëve dhe asnjëherë s'kam parë të flitet për dëshmitarët që kanë dalë hapur në gjyq kundër tyre, apo dhe për shkrimtarët apo artistët kamikaze të regjimit që me akt-ekspertimet e tyre artistike pohonin, vlerësonin apo argumentonin se veprimtaria e X shkrimtari, skenaristi, regjizori, piktori, skulptori, muzikanti etj., na qenkëshin jo në përputhje me vijën e politikën e partisë, të realizmit socialist, me pikëpamje borgjezo revizioniste, pra një krijimtari e bërë me dashje për të minuar dhe dobësuar pushtetin popullor (agjitacion e propagandë).
Ose ku qëndron ndryshimi i ish informatorëve në art nga qëndrimi denigrues disa herësh i plenumit të ish Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve për dhjetëra shkrimtarë e artistë të shquar të vendit. Mbaj mend qëndrimin e turpshëm të këtij plenumi për novelën e shkrimtarit realist Koço Kosta në vitet '70 etj..
Pse jam kundër hapjes së dosjeve?
Unë personalisht pata fatin e keq të njihem me emrat e informatorëve edhe në radhët e shkrimtarëve dhe artistëve të Shqipërisë dhe duke pasur parasysh që regjimi i Hoxhës ishte regjimi më i egër, më brutali dhe më kriminali në Europë, ndihem i obliguar që të jap doemos mendimin tim për këtë problem kaq delikat duke u deklaruar kategorikisht kundër hapjes së dosjeve dhe publikimit të emrave të ish informatorëve.
Them se të nderuarit Kadare, apo edhe Agollit e ndonjë tjetri, mund t'ia kenë sugjeruar këtë për t'i futur në qorrsokak e për të cenuar sadopak dinjitetin e madhështinë e tyre si shkrimtarë dhe burra të mençur të kombit.
Gabim. Gabim i madh dhe me pasoja të pallogaritshme do të ishte ndërmarrja e një veprimi të tillë, jo vetëm për ish informatorët, por do t'i vihej një njollë e zezë historisë së letërsisë dhe artit shqiptar. Jo zoti Kadare, sepse prej tyre kemi shkrimtarë që na kanë dhënë romane, novela, poezi, drama të mrekullueshme, kemi piktorë e skulptorë të shquar, aktorë, skenaristë regjisorë brilantë që vazhdojnë të na mahnisin me artin e tyre, Une kam parë që me "ish"-ët është shoqëruar dhe i ka jo vetëm kolegë, por edhe miq vetë Kadareja, Agolli e të gjithë ne... Sepse ata pavarësisht "një gabimi të së kaluarës diktatoriale", janë njerëz e shqiptarë të mirë dhe me kontribute të mëdha që populli ua vlerëson dhe i admiron. Prandaj të mos kënaqemi me atë që unë do ta quaja një rast fatkeq të gjithsecilit prej tyre.
E, nëse propozimi i Kadarese mund të merrej në konsideratë, një ligj i tillë do të bëhej jo vetëm për shkrimtarët, por për të hapur dosjet e të gjitha shtresave. Dhëntë zoti të mos ndodhë, pasi për vetë specifikën që ka Shqipëria, kjo do të ishte një '97 e dytë dhe do ta kthente dhe 20 vjet prapa shoqërinë shqiptare, aq hallemadhe për momentin dhe që po përballet mbi të gjitha me një varfëri të tejskajshme.
Disa dosje apo regjistra aty janë, brezat e ardhshëm do t'i studiojnë, do të shkruajnë histori apo ndoshta edhe romane e skenare filmash me to.
Unë shpresoj ta takoj personalisht Kadarenë, të bisedoj dhe besoj se do ta bind që dosjet për nja 50 vjet a më shumë duhet të rrinë të konsevuara.
Shënim
Autori Astrit Mehja ka qenë ish zv.ministër i Rendit dhe drejtor i Përgjithshëm i Policisë.
Gjithsej 5 faqe: [1] 2 3 4 5 » Trego 5 mesazhet në një faqe të vetme |
Materialet që gjenden tek Forumi Horizont janë kontribut i vizitorëve. Jeni të lutur të mos i kopjoni por ti bëni link adresën ku ndodhen.