| Forumi Horizont | Gjithsej 5 faqe: [1] 2 3 4 5 » Trego 5 mesazhet në një faqe të vetme |
Forumi Horizont (http://www.forumihorizont.com/index.php3)
- Faik Konica (http://www.forumihorizont.com/forumdisplay.php3?forumid=88)
-- Kush është Faik Konica (http://www.forumihorizont.com/showthread.php3?threadid=97)
Kush është Faik Konica
Faik Konica është një nga personalitetet më në zë të kulturës dhe letërsisë shqiptare. Prozator dhe poet, publiçist dhe estetist, kritik letrar dhe përkthyes, ai me veprën e tij të shumanshme pasuroi dhe ngriti në lartësi të reja fjalën shqipe dhe mendimin letrar shqiptar. Njeri me dituri të madhe, dhe dhunti artistike, mjeshtër i hollë i gjuhës shqipe, F.Konica ka hyrë në historinë e kulturës sonë kombëtare jo vetëm si erudit e stilist i përkryer, por edhe si shkrimtar me vlera të shquara ideoartistike. I lindur në Konicë, më 15 mars 1875 në një familje të vjetër feudale mësimet e para ai i mori në vendlindje, në gjuhën turke, arabe dhe greke. Më vonë hyri në liceun perandorak francez të Stambollit për të kryer pastaj shkollën e mesme në Francë. Ndoqi studimet për filozofi në Dizhon dhe Paris. Fitoi disa konkurse, duke u nderuar me çmime për aftësitë e tij intelektuale jo të zakonta. Më 1912 u diplomua për letërsi në universitetin e Harvardit të SH.B.A.
Veprimtarinë e tij publiçistike e letrare F.Konica e zhvilloi kryesisht në shtyp, në revistën "Albania" ai botoi vjersha, proza poetike, skica, tregime, portrete, ese, artikuj të ndryshëm etj. Përgatiti dhe përmbledhjen letrare "Kandili i kuq", por nuk mundi ta botojë. Në të vërtetë nga Konica nuk kemi asnjë libër të botuar, me përjashtim të vëllimit me përralla të përkthyer "Nën hijen e hurmave"(1924). Krijimtaria e tij ka mbetur e shpërndarë në shtypin e kohës dhe një pjesë është e papërfunduar. Prej tyre duhen veçuar si vepra të rëndësishme proza e gjatë satirike, "Doktor Gjilpëra zbulon rrënjët e dramës së Mamurasit", cikli i tregimeve "Kater përralla nga Zullulandi", udhëpërshkrimi "Shqipëria si m'u duk…". Ai la në dorëshkrim anglisht veprën "Shqipëria - kopshti shkëmbor i Evropës jug-lindore" dhe ese të tjera, e cila u botua pas vdekjes (1957).
| Gjithsej 5 faqe: [1] 2 3 4 5 » Trego 5 mesazhet në një faqe të vetme |
Materialet që gjenden tek Forumi Horizont janë kontribut i vizitorëve. Jeni të lutur të mos i kopjoni por ti bëni link adresën ku ndodhen.