| Forumi Horizont | Gjithsej 14 faqe: « 1 2 3 4 5 6 7 8 9 [10] 11 12 13 14 » Trego 14 mesazhet në një faqe të vetme |
Forumi Horizont (http://www.forumihorizont.com/index.php3)
- Mediat Shqiptare (http://www.forumihorizont.com/forumdisplay.php3?forumid=129)
-- Rregullat e reja moderne per policine Shqiptare ! (http://www.forumihorizont.com/showthread.php3?threadid=16011)
Vendimi, pagat e reja të policisë
Lindita Çela Shekulli
Wed, 06 Aug 2008 08:24:00
Këshilli i Ministrave ka vendosur sistemin e ri të pagave, sipas gradave për rreth 17 mijë punonjës policie
Rritja sipas gradave të reja në Policinë e Shtetit, deri në 10 për qind. Ndryshohet drafti i policisë
TIRANË-Qeverisë shqiptare i janë dashur dy muaj për të vendosur sistemin e ri të pagave, në përputhje me gradat e reja për punonjësit e policisë së shtetit. Megjithëse prej kohësh, drafti i hartuar nga Drejtoria e Policisë së Shtetit, në përputhje me sistemin e ri të gradave ka kohë që gjendet në duart e ekspertëve të kryeministrisë, vetëm dje Këshilli i Ministrave ka vendosur miratimin e sistemit të ri të pagave.
Në bazë të vendimit të qeverisë, rreth 17 mijë punonjësit e policisë do të kenë një rritje të pagës së tyre deri në 10 për qind.Miratimi i pagesës së efektivave të policisë është bërë në funksion të gradave, ndërkohë që përcaktohen dhe niveli i shtesave për detyrat përkatëse të çdo punonjësi në Policinë e Shtetit. E ndërsa në vendim parashikohen rritja e pagesës së punonjësve të policisë, duke filluar që nga grada e nëninspektorit deri tek drejtori i Përgjithshëm, për policët e rolit bazë pritet që të ketë një rritje standarde prej 5 për qind të pagës. Rritje të pagës në një vlerë prej 10 mijë lekësh do të kenë edhe ata punonjës të policisë së shtetit, që punojnë në pozicione që lidhen me procesin e informatizimit të policisë.
Propozimet e Policisë së Shtetit kanë qenë tepër të “fryra” për qeverinë, edhe pse prej kohësh kanë premtuar trajtim më të mirë financiar për punonjësit e policisë. Burime të Drejtorisë së Policisë bëjnë të ditur se nuk është miratuar propozimi i paraqitur prej tyre, por drafti i kaluar nëDepartamentin e Administratës Publike.
Sipas të njëjtave burime mësohet se në duart e kryeministrit janë paraqitur rreth katër drafte, ku gjatë ditës së djeshme është miratuar vendimi që parashikon rreth 10 për qind të rritjes së pagesës së efektivave të policisë së shtetit, në përputhje me sistemin e ri të gradave. Kështu në bazë tëmbështetjes të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 88, të ligjit nr.9749,datë 4.6.2007, “Për Policinë e Shtetit”, me propozimin e ministrit të Brendshëm dhe të ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave ka vendosur që 34 000 lekë do të jetë rroga bazë e një nëninspektori në policinë e shtetit. Pagat rriten në mënyrë progresive, me rritjen e gradës.
Vendimi i qeverisë përcaktonpagesën bazë për të katër nivelet e uniformave blu, klasifikim i cili bëhet në bazë të sistemit të ri të gradave. Në tabelën e pagave të reja janë përcaktuar edhe shpërblimet për vjetërsi në punë si dhe për vështirësi në detyrë. I gjithë niveli i pagës së efektivave të policisë është i përcaktuar pikërisht në këtë formë. Drafti përcakton rrogën bazë dhe më pas shtesa për funksione dhe detyra të ndryshme që kanë inspektorët, kryeinspektorët,komisarët e deri tek Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, rroga bazë e të cilit është 115 000 lekë të reja.
Nga ajo sa shpjegojnë burime të policisë së shtetit thuhet se nga ky sistem do të përfitojnë një rritje të ndjeshme të pagesës në nivelet e ulta të uniformave blu. Ndërsa pika e katërt e këtij vendimi të qeverisë parashikon përfitimin e punonjësve të policisë nga vjetërsia e punës. “ Punonjësi i Policisë së Shtetit, për kohën e qëndrimit në gradë, përfiton shtesë për vjetësi në punë, në masën 1 për qind, pas çdo viti pune. Masa e shtesës për vjetërsi në punë të jetë deri në nivelin e pagës bazë, të gradës pasardhëse”,-thuhet në vendim.
Informatika
“Specialistët, përgjegjësit e sektorit apo drejtorët në Policinë e Shtetit, që punojnë në pozicione që lidhen me procesin e informatizimit të veprimtarisë së Policisë së Shtetit dhe kërkojnë, në mënyrë të detyrueshme, arsimin e lartë, në degët “Inxhinieri Elektronike” apo “Informatikë”, përfitojnë një shtesë, për kushte pune, prej 10 000 (dhjetë mijë) lekësh mbi pagën mujore të gradës përkatëse”-thuhet në vendimin e këshillit të Ministrave.
HIERARKIA
Ligji për gradat në Policinë e Shtetit
Gradat në Policinë e Shtetit shprehin hierarkinë që ekziston midis personelit që punon në këto struktura. Sipas specialistëve që kanë hartuar ligjin, “Grada” është shprehje e nivelit të ndërmjetëm brenda rolit që përmban cilësitë dhe ushtrimin e funksioneve në përputhje me hierarkinë në strukturën e policisë. Sipas ligjit që vepron aktualisht, gradat janë ndarë në rol bazë, të mesëm, të lartë dhe madhor.
Punonjësit që janë pjesë të strukturës së rolit të mesëm, duhet të kenë gradat e nëninspektorit, inspektorit dhe kryeinspektorit. Më pas, po sipas ndarjes sipas roleve, vijnë ata punonjës që përfshihen në rolin e lartë. Këta të fundit përfitojnë gradat nënkomisar, komisar dhe kryekomisar. Në fund janë dhe gradat më të larta që bëjnë pjesë sipas hierarkisë së përcaktuar në rolin madhor. Këto janë personat që përfitojnë gradat drejtues dhe drejtues i parë. Për të qenë pjesë e strukturave të larta në Policinë e Shtetit duhet të ndjekësh një procedurë të caktuar ligjore, që është shprehur qartë në ligjin për gradat e policisë.
Sipas këtij ligji, në momentin që një person mbaron arsimin e lartë që është Akademia e Rendit dhe përfshihet në strukturat e policisë, merr automatikisht gradën “agjent”. Më pas kërkesa për të marrë një gradë më të lartë shqyrtohet nga komisioni përkatës dhe në varësi të gradës që kërkohet, punonjësi i policisë duhet të plotësojë kritere dhe kushte të ndryshme. Zakonisht përveç aftësive personale dhe vlerësimit të punës në momentin që një punonjës kërkon gradë më të lartë duhet të plotësojë dhe kushtin për vjetërsinë e punës.
| Gjithsej 14 faqe: « 1 2 3 4 5 6 7 8 9 [10] 11 12 13 14 » Trego 14 mesazhet në një faqe të vetme |
Materialet që gjenden tek Forumi Horizont janë kontribut i vizitorëve. Jeni të lutur të mos i kopjoni por ti bëni link adresën ku ndodhen.