Forumi Horizont Gjithsej 13 faqe: « 1 2 3 4 5 6 7 8 9 [10] 11 12 13 »
Trego 13 mesazhet në një faqe të vetme

Forumi Horizont (http://www.forumihorizont.com/index.php3)
- Gjergj Kastriot Skenderbeu (http://www.forumihorizont.com/forumdisplay.php3?forumid=386)
-- Dicka rreth Gjergj Kastriotit (Skenderbeut) (http://www.forumihorizont.com/showthread.php3?threadid=260)


Postuar nga amoxil datë 20 Gusht 2005 - 07:54:

Një grafikë e panjohur e Gjergj Kastriotit.

Dr. Musa Ahmeti, Studimet në Vatikan dhe hulumtimet shkencore për epokën e Skënderbeut, çdo ditë e më shumë po japin rezultate të reja në fusha dhe lëme të ndryshme. Është deri diku e çuditshme që nëpër arkiva e biblioteka shtetërore e private, muze e koleksione të ndryshëm të ruhen thesare kaq të çmuara, të panjohura dhe të pabotuara deri më sot.

Është vështirë të gjenden personalitete të tillë të shquar nga e kaluara, për të cilët të jetë shkruar kaq shumë dhe në vazhdimësi, qoftë në fushën e historisë, të krijimtarisë letrare e artistike, në fushën e studimit të artit luftarak, diplomacisë, etj. si për heroin kombëtar shqiptar, Gjergj Kastrioti - Skënderbeun!

Shkrimet e para për të datojnë që nga mesjeta, d.m.th. menjëherë pas vdekjes së tij, ku autorë të ndryshëm i thurnin himne lavdërimi trimërisë dhe veprës së tij madhështore, ngase ai nuk u përkul asnjëherë, as para ushtrisë së panumërt osmane, dhe as para asaj venedikase, të cilave me forcën e shpatës dhe mjeshtërinë e artit luftarak, u tregoi se lufta për liri dhe mbrojtje kombëtare është e shenjtë dhe nuk njeh sakrifica të tepërta. Vepra e tij luftarake u bë shembull për shumë popuj të tjerë, të cilët luftuan gjatë shekujve për liri dhe çlirim kombëtar. “Çdo heroi në histori i është dashur të kalojë përmes tri fazave: të glorifikimit, të asgjësimit dhe të rivlerësimit. Kjo do të thotë se në fillim, ai është ngritur në qiell prej admiruesve të tij; pastaj është dërrmuar në mënyrë të pamëshirshme prej kritikuesve të tij; dhe, më në fund, është nxjerrë përsëri në shesh, nga varri, me durim, me mundim dhe me mëshirë është vënë në vendin që i takonte prej historianëve të arsyeshëm, që skanë qenë verbuar as prej fanatizmit të admiruesve të heroit, as prej tërbimit të kritikuesve të tij". (Fan Noli, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, f. 35)

Sipas disa historianëve, studiuesve dhe shkencëtarëve të fushave të ndryshme, studimet për epokën dhe personalitetin e Gjergj Kastriotit kanë arritur kulmin, d.m.th. fjalën e fundit! Një mendim i tillë, në shikim të parë, duket sikur ka mbështetje, nëse shikojmë publikimet e shumta, në gjuhë të ndryshme, monografi të specializuara, duke filluar nga fundi i shek.XV deri në ditët e sotme; botime të dokumenteve, edhe pse të pjesshme, bibliografi pothujase shteruese si dhe dalja në dritë e të dhënave nga më të ndryshmet, qofshin ato private, për jetën e Skënderbeut ose ato të epokës së tij: portrete, medaljone, vula, shpata, përkrenare, monedha floriri, dorëshkrime, dokumente origjinalë, piktura, skulptura, grafika... etj.

Megjithatë, përkundër gjithë këtyre momenteve, mendojmë se mendimet e lartëcekura, as për së afërmi nuk qëndrojnë. Një përfundim të tillë, na e mundëson puna sistematike hulumtuese 13-vjeçare, nëpër arkiva e biblioteka anekënd Evropës, ku ruhen vlera të jashtëzakonshme për historinë e Shqipërisë dhe personaliteve shqiptare, ndër to edhe për Skënderbeun. Edhe pse tepër i trajtuar në historiografi, në fushën e krijimtarisë letrare dhe gjini të tjera, personaliteti i Skënderbeut, ende është enigmatik dhe jo i ndriçuar sa duhet.

Për një argumentim të tillë, mund të sjellim si ilustrim, portretin e Gjergj Kastritotit që ruhet në fondin e grafikave të Arkivit Shtetëror Kroat në Zagreb, në signaturën nr. 732, e punuar me bojë të zezë, në letër kartoni të bardhë, gjysmë të fortë me dimensione brenda kuadratit: vertikalisht: 27.5 cm horizontalisht: 19.4 cm, ndërsa dimensionet e vetë portretit janë: vertikalisht: 19.6 cm horizontalisht: 19.4 cm, të cilën e konsultuam në mesin e muajt prill të këtij viti.

Skënderbeu, paraqitet paksa në profil i kthyer në të majtë dhe është vetëm pjesa e kokës pa trup. Kokën e ka tullace, mban një mjekër të gjatë, të valëzuar, sy të mbyllur. Hunda ka formën e “hundëshqiponjës”. Portreti është i futur në një kornizë katrore, me vija të dyfishta, të theksuara. Poshtë kornizës, ka të shënuar me laps plumbi: 1580. Scanderbeg. Sb. XX. 358234. Në kurriz të portetit [verso] lart në të majtë, ka këto shënime me laps plumbi: Türken Portr. Mappe 53301. Në mes të faqes, po në verso, është vula e Arkivit Shtetëror Kroat. [Hrvatski Drzavni Arhiv. Graficka zbirka. Inv. Br. 732]. Poshtë portretit është ky tekst: WARE CONTRAFACTVR, DES SCANDER BEEG IN DER PROFINZ. BOSSEGA WELCHEN HERR GEORG GRAF ZV SERIN ALS AVFF SOLCHERRAIS OBRISTER DEN XXX SEPTEMBRIS. IM M.D.LXXX IAR SAMBT ANNDERN MER FVRNEMEN TVRCKEN. DERN IN ALLEM VBER IIIIM.GEËESEN AVS DEN SELBEN ABE BIS VBER. CCC. ERLEGT VND GEFFANGEN. Përkthimi në gjuhën shqipe do të ishte: Contrafakturë e vërtetë e Skënderbeut në provincën e Pozhegës, të cilën [e kishte me vete] zoti kont Gjergj Zrinski, oficer i lartë kur udhëtoi si i tillë më 30 shtator. Në vitin 1580 ishte bashkë me shumë turq të tjerë të shquar. Ata ishin mbi 4.000, nga të cilët ai vrau dhe zuri rob mbi 400.

Theksojmë se teksti në gjuhën gjermane është i shek.XVI, kështu që është mjaft i vështirë dhe nuk është i lehtë për përkthim. Në disa raste kemi qenë të detyruar të vëmë fjalë të reja për të pasur një kuptim logjik teksti. Këto fjalë i kemi vënë në kllapa katrore dhe shkrim korsiv. Përkundër kërkimeve të shumta, ne nuk kemi arritur të sigurojmë asnjë të dhënë për autorin e mundshëm të grafikës, e cila ruhet në Arkivin Shtetëror Kroat që nga mesi i shek.XVIII, por nuk ka shënime se si ka arritur aty.

Gjergj Kastrioti-Skënderbeu si një prej prijësave më të njohur të shek. XV që i bëri ballë zgjerimit të Perandorisë Osmane në Ballkan, është radhitur në mesin e heronjve më të nderuar të rilindasve kroatë. Ai do të konsiderohet si heroi më popullor i popujve të Ballkanit, i cili luftoi jo vetëm për të drejtat dhe lirinë e popullit shqiptar, por edhe të popujve të tjerë të Ballkanit dhe të Evropës. Pjesa më e madhe e rilindasve kroatë, do ta ngrinin lart figurën e tij dhe luftës së tij, në letrari dhe në tekste historike, studime të veçanta etj. Tek kjo figurë ata shohin rebelimin, qëndresën, luftën e drejtë dhe të pakompromis kundër zgjerimit osman në Ballkan dhe mënyrën e vetme të kundërvëniës ndaj Perandorisë Osmane.

Figura e Skënderbeut ka luajtur një rol shumë pozitiv në rrjedhat historike romantike, të zgjimit të vetëdijes dhe të ndërgjegjësimit kombëtar të popullit kroat. Vetë fakti se konti Gjergj Zrinski e kishte me vete grafikën e Skënderbeut tregon se ai është konsideruar si idhull në luftë kundër turqve, dhe reliket e portretet e tij janë mbajtur si objekte fatsjellëse në luftë. Konti Gjergj Zrinski ishte një ndër figurat më të rëndësishme të asaj periudhe në luftërat e kroatëve kundër osmanëve, i cili në vitet 1622-1626 u bë edhe ban i Kroacisë, Dalmacisë dhe Sllovenisë nën perandorinë Austro-hungareze. Pra, në Kroaci, pos kësaj grafike, ruhen edhe objekte të tjera me vlerë për Gjergj Kastriotin, si medaljoni i Skënderbeut nga viti 1449, letra origjinale të dala nga kancelaria e tij si dhe katër vula origjinale, një shtetërore e madhe dhe tri të vogla, përkatësisht ajo private e tij; dorëshkrime ku trajtohet jeta dhe vepra e tij, p.sh. ai i Shibenikut, Sinjit, Zagrebit, krijime letrare, drama e Sakcinskit, etj., etj.


  Gjithsej 13 faqe: « 1 2 3 4 5 6 7 8 9 [10] 11 12 13 »
Trego 13 mesazhet në një faqe të vetme

Materialet që gjenden tek Forumi Horizont janë kontribut i vizitorëve. Jeni të lutur të mos i kopjoni por ti bëni link adresën ku ndodhen.