Forumi Horizont Gjithsej 129 faqe: « E parë ... « 100 101 102 103 104 105 106 107 108 [109] 110 111 112 113 114 115 116 117 118 » ... E fundit »
Trego 129 mesazhet në një faqe të vetme

Forumi Horizont (http://www.forumihorizont.com/index.php3)
- Kombetarja Shqiptare (http://www.forumihorizont.com/forumdisplay.php3?forumid=240)
-- Kombetarja Shqiptare (http://www.forumihorizont.com/showthread.php3?threadid=1801)


Postuar nga BIONDIA datë 13 Gusht 2009 - 02:51:

Shqipëri-Qipro 6-1
Shënues: Ervin Skela (2 pen.), Erjon Bogdani, , Ansi Agolli, Emiljano Vila / Kristostomos (aut.)



6 gola të shënuar, tre prej të cilëve me penallti, një eurogol i Agollit, një paraqitje mjaft pozitive e grupit kuqezi. Kjo është përmbledhja me një fjali e ndeshjes miqësore, që kombëtarja shqiptare fitoi 6-1 ndaj Qipros, në ndeshjen që filloi në orën 19.00 në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”. Shifra të tilla për kuqezinjtë tanë kanë fiksuar edhe një rekord në numrin e golave të shënuar, rekord i cili ishte regjistruar po në një tjetër miqësore, në turneun e Norcias, ndaj kombëtares së Vietnamit. Shenja që tregojnë se nën drejtimin e Kuzhes, kombëtarja kuqezi po disiplinohet, po bëhet pragmatiste dhe, c’është më e rëndësishmja, ka dalë edhe tek goli. I rikthehemi fitores pas shumë muajsh, që në 2-1, po në miqësore, ndaj Lihtenshtejnit, duke karikuar e votëbesuar veten para ndeshjes zyrtare me Danimarkën, që do ta luajmë në shtator po në “Qemal Stafa”. Trajneri Kuzhe, në këtë ndeshje i ka aktivizuar të gjithë lojtarët që kishte në dispozicion, me përjashtim të portierit Hidi. Kuadratin kuqezi e ka mbrojtur nga fillimi e deri në fund të lojës Ujkani, i cili, mesa duket, tashmë e ka parakaluar shtatlartin Hidi, duke qenë portieri titullar, në mungesë të Beqajt, ose i dyti, me praninë e këtij të fundit. Lorik Cana, edhe në këtë ndeshje, ka luajtur në qendër të mbrojtjes, bashkë me Currin, ndërkohë që në krahë të tyre e kanë nisur Vangjeli nga a majta dhe Dallku nga e djathta. Në mesfushë, Skela kishte rolin e organizatorit të lojës kuqezi, me shumë hapësira ku duhej të lëvizte, me në krah Bulkun, që kishte detyra shkatërruese të manovrës sulmuese qipriote. Në krahë të mesfushës ka funksionuar Agolli në të majtë dhe K.Duro në të djathtë. Sulmi përbëhej nga dyshja Bogdani-Salihi. Shkodrani ka luajtur një nga ndeshjet më të mira të tij, teksa ka fituar dy penallti, por ka gatuar edhe golin e tretë, të realizuar nga Bogdani, pas asaj roveshiate të bukur. Dygolësh, me anë të goditjes së penalltive, ka realizuar edhe Ervin Skela, kapiten në këtë ndeshje, në mungesë të Altin Lalës. Kujtojmë se pas një penalltie, të ekzekutuar nga K.Duro, ka ardhur edhe goli tjetër. Goditjen e Duros e ka pritur në fillim portieri qipriot, por goditjen e dytë, me kokë, nga ekzekutuesi i 11-m e ka shtyrë në rrjetën tij një mbrojtës mik. Në pjesën e dytë trajneri Kuzhe, ashtu si edhe kolegu i tij i Qipros, kanë bërë zëvendësime të shumta, duke u dhënë mundësinë shumë lojtarëve për të “firmosur” në këtë ndeshje miqësore, e cila ka folur tërësisht për kombëtaren shqiptare. Për meritë të kësaj të fundit, por edhe për dobësi të theksuara të qipriotëve, ndaj të cilëve, në ballafaqimet direkte, arritëm të fiksojmë fitoren e parë.
Sporti shqiptar.


  Gjithsej 129 faqe: « E parë ... « 100 101 102 103 104 105 106 107 108 [109] 110 111 112 113 114 115 116 117 118 » ... E fundit »
Trego 129 mesazhet në një faqe të vetme

Materialet që gjenden tek Forumi Horizont janë kontribut i vizitorëve. Jeni të lutur të mos i kopjoni por ti bëni link adresën ku ndodhen.