Forumi Horizont | Gjithsej 23 faqe: « E parë ... « 2 3 4 5 6 7 8 9 10 [11] 12 13 14 15 16 17 18 19 20 » ... E fundit » Trego 23 mesazhet në një faqe të vetme |
Forumi Horizont (http://www.forumihorizont.com/index.php3)
- Analiza (http://www.forumihorizont.com/forumdisplay.php3?forumid=291)
-- Europa: destinacioni X (eseja e Mustafa Nanos qe fitoi çmimin e pare) (http://www.forumihorizont.com/showthread.php3?threadid=8307)
S'ka vend për të vërtetën
Në këtë ballafaqim politik klanor, që synon të pushtojë e të monopolizojë gjithë hapësirën e debatit publik, mendimi i lirë e i pavarur, së bashku me bartësit e tij, janë të përsekutuarit e vetëm. Shtypi e mass-media, në mënyrë të hapur apo të maskuar, me hir me pahir, vihen tërësisht në shërbim të politikës. Zërat jashtë e antiklanorë janë të dënuar të mos shfaqen, por edhe kur një zë i lirë, për rrethana fatlumërisht tekanjoze, gjen hapësirë për t'u shprehur, kryqtarët e klaneve apo ata të klanit më intolerant apo më të lënduar nisin linçimin publik të zërit të lirë.
Nuk është vetëm kaq. Të mësuar të mos jetojnë dot jashtë klaneve, njerëzit e kanë vështirë të mendojnë se gjenden njerëz "të krisur", të cilët ndjekin udhëzimet e ndërgjegjes e shijeve të tyre. Mercenarizmi e klientelizmi janë shndërruar në stil të detyrueshëm jetese dhe kjo është arsyeja që njerëzit e pavarur, në vend t'i çmojnë për rrezikun që marrin ndër sy në këtë botë të zaptuar nga klanet, i konsiderojnë ose si teveqelë, ose si marifetçinj që dinë të fshehin përkatësinë klanore. Pra, pasi peshojnë mirë e mirë ato që thuhen e bëhen, arrijnë të shquajnë në ndershmërinë intelektuale e njerëzore të zërave e mendjeve të pavarura një varësi të maskuar me elegancë. Shkurt, ndershmërinë e pavarësinë nuk e beson askush. U duket e pamundur dhe heroike një jetë e harxhuar jashtë klaneve dhe besojnë se në Shqipëri, pothuaj kurrë e nga askush nuk provohen të bëhen gjëra të pamundura e heroike. Me sa duket, Shqipëria është vendi i njerëzve të prirur për të bërë të kollajtën. Kjo prirje nuk mund të bëjë gjë tjetër, veçse të prodhojë krim, korrupsion. Nuk di pse jam i sigurt që nuk ka gjë që nxit më shumë transgresionin njerëzor sesa lektisja pas suksesit, në rastin tonë pas pasurimit, të lehtë e të pamundimshëm.
Thashë sa më sipër për të theksuar vetminë e njerëzve të pavarur, që shpesh merren për grindavecë të padurueshëm. "Të shkruaj, të mos shkruaj?" - pyeste veten në fillim të shekullit të shkuar një nga njerëzit e ndershëm që ka nxjerrë ky vend, Faik Konica. E pastaj përgjigjej, duke pyetur përsëri veten: "Mirë, po shkruaj, po kush do të më lexojë?" Atëherë ish më lehtë të ngushëlloheshe, pasi shqiptarët ishin analfabetë. Sot është e zorshme të ngushëllohesh. Por, s'është kjo çështja. E mbërthyer në morsën e klaneve, bashkë me zërat e ndershëm e shpirtrat e lirë, jep shpirt e vërteta. Thënia e së vërtetës - kjo po, që po shndërrohet në një ankth për ata që pa të vërtetën s'bëjnë dot. Dhe nuk është fjala për të vërteta të botës mafioze, që shpesh kontrollon e komandon strukturat legale të shtetit. Jo, është fjala për të vërteta të tjera, të thjeshta...
Para një viti, i shqetësuar nga zelli nepotik e klanor i kryeministrit, që nuk la qoshe të administratës publike pa e mbushur me miq e bashkëpatriotë të tij, doja të shkruaja një artikull, ku të ngrija zërin kundër këtij krahinarizmi të tepruar e të papërmbajtur, gjë që, dukej sheshit se përbënte një strategji për të abuzuar me pushtetin. I bëra me dije disa njerëz mbi tundimin tim gazetaresk dhe këshilla që merrja prej tyre ishte e pritshme: "Nuk të takon ty ta bësh një gjë të tillë." Kështu më thanë të gjithë e me këtë donin të më kujtonin që edhe unë jam bashkëpatriot i kryeministrit, domethënë pjesë e të njëjtit klan. Jo vetëm klani, të cilit "i përkisja", nuk do të ma falte, por edhe të tjerët që s'kishin të bënin me këtë klan, për shkak të një mendësie klanore, më gjykonin si bukëshkalë në këtë sprovë të fantazuar. Përfytyrova reagimin e mundshëm të njerëzve të mij, të të njohurve, të atyre që për nderin e klanit do të ishin të gatshëm të përballonin lloj-lloj sakrificash. Për një zbythje të (pa) vetëdijshme nën trysninë e mendësive klanore të këshilluesve të mij, atë artikull nuk e shkruajta ndonjëherë. "Shpëtova", nuk u bëra tradhëtar e bukëshkalë.
Gjithsej 23 faqe: « E parë ... « 2 3 4 5 6 7 8 9 10 [11] 12 13 14 15 16 17 18 19 20 » ... E fundit » Trego 23 mesazhet në një faqe të vetme |
Materialet që gjenden tek Forumi Horizont janë kontribut i vizitorëve. Jeni të lutur të mos i kopjoni por ti bëni link adresën ku ndodhen.