Forumi Horizont | Gjithsej 23 faqe: « E parë ... « 3 4 5 6 7 8 9 10 11 [12] 13 14 15 16 17 18 19 20 21 » ... E fundit » Trego 23 mesazhet në një faqe të vetme |
Forumi Horizont (http://www.forumihorizont.com/index.php3)
- Analiza (http://www.forumihorizont.com/forumdisplay.php3?forumid=291)
-- Europa: destinacioni X (eseja e Mustafa Nanos qe fitoi çmimin e pare) (http://www.forumihorizont.com/showthread.php3?threadid=8307)
Debati, mysafiri i munguar
Andej nga fundi i vitit 2000, një ditë prej ditësh pothuaj të gjitha të përditshmet shqiptare publikuan një foto mjaft interesante të agjencisë "Reuters", të marrë në hollin e hotelit më të famshëm të Tiranës, "Rogner". Në të shihej kryetari i shumicës dhe kryetari i pakicës parlamentare, i pari duke hyrë dhe i dyti duke dalë. Ndërsa ndodheshin fare pranë, në celuloidin e filmit kish mbetur vështrimi sfidant e i murrëtyer i shefit të PD-së dhe pamja e shkujdesur dhe indiferente e shefit të PS-së. As që i hodhën sytë njëri-tjetrit. Sillen kështu prej dhjetë vitesh. Turmat që u shkojnë pas e që shpesh herë pushtojnë sheshet e rrugët nuk e kanë për gjë të lusin në kor deri edhe vdekjen e kundërshtarit. Në një prej qindra tubimeve të demokratëve në sheshin "Skënderbej", njerëzit kishin sjellë me vete një tabut të improvizuar dhe demonstronin duke e mbajtur atë mbi duart e ngritura përpjetë. Kërkonin kufomën e liderit so-cialist. Është makabre dhe e pabesueshme, por është e vërtetë.
Në një klimë të tillë është absurde të flasësh për debat. Dhe në fakt, debat nuk bëhet. Dy personazhet, për të cilët fola më sipër, jo vetëm nuk komunikojnë me njëri-tjetrin, por nuk i lejojnë vetes "çnderimin" e pjesëmarrjes në një debat publik me të tjerë, në të cilin të flitet për argumenta politikë e jo politikë. Nuk është se nuk shfaqen në media. Ditë për ditë, televizionet japin konferenca për shtypin të njërit apo veprimtari e takime politike të tjetrit, ndërsa herë pas here, opinioni publik ka rastin të ndjekë intervista të gjata dy a tri orëshe, të cilat u jepen tête-a-tête vetëm gazetarëve dashamirës. Në këto intervista, kreu i opozitës dhe ish-Presidenti nuk harron asnjëherë të marrë me vete një flamur të vogël kombëtar, dhe për këtë kërkon me ngulmim pranë vetes një tavolinë çfarëdo, duke diktuar e kushtëzuar deri dhe skenografinë e regjinë e transmetimit televiziv. Ndryshe ai nuk shkon të intervistohet. Kam pritur më kot që ndonjëri prej intervistuesve t'ia rrëmbejë atë flamur e t'ia grisë publikisht copa-copa, sa për ta bërë me dije dobare që gjendet qoftë edhe një copëz Shqipërie, ja, për shembull, një studio televizive, që nuk kontrollohet nga tekat e politikës e të politikanëve, sa për ta bërë me dije gjithashtu se gjenden ca njerëz që dashurinë për vendin e tyre nuk e trajtojnë si mall për ta shitur. Ndonjëherë i kam lejuar vetes arsyetimin ngushëllimtar, sipas të cilit, nuk është se kemi të bëjmë me një mungesë fatale të debatit e komunikimit politik; përkundrazi, janë thjesht disa politikanë të prapë, të ngjashëm me dy të mësipërmit, që bëhen pengesë në këtë drejtim. Por, në fakt, nuk është kështu. Kemi të bëjmë me një fatalitet. Shqiptarët janë ende të pamësuar të debatojnë e dialogojnë në mënyrë civile. Në çdo garë, polemikë, ballafaqim e matje forcash, mjeti i parë që shtihet në punë është përbuzja, denigrimi, linçimi moral, dhuna (verbale e fizike), aq sa të krijohet përshtypja se në këtë ballafaqim e sipër nuk kërkohet të zgjidhet ndonjë problem i caktuar, por thjesht të asgjësohet apo turpërohet kundërshtari. Protestat antiqeveritare janë rëndom ultimative, duke përfunduar kësisoj ose me një grevë urie, ose me një bllokim të një rruge nacionale, ose me një sabotim kolektiv. Në anën tjetër, qeveria vetë, çdo protestë e merr si një sfidë që i bëhet asaj e, për këtë arsye, gjëja e parë që i shkon në mendje është injorimi i protestuesve ose përdorimi i dhunës ndaj tyre. Askush nuk përpiqet ta kuptojë tjetrin. Te kundërshtari apo oponenti shihet armiku. Ky i fundit, jo vetëm s'ka asnjëherë të drejtë, por është edhe i rrezikshëm, Nëse ke pushtetin duhet: t'a shtypësh. Nëse je në opozitë, duhet të ndërtosh strategjinë e rebelimit permanent kundër tij. Ndërkaq, të dyja palët përgjërohen për demokracinë.
Një vështrim përtej politik i çështjes, na bind se debati është mungestari i madh në të gjithë jetën shqiptare. Nuk para komunikojnë ose komunikojnë keq edhe gazetarët, shkrimtarët, artistët, me një fjalë njerëzit e kulturës në përgjithësi. Shembuj? O, sa të duash. Në të përditshmen "Shekulli", një gazetar rreth të njëzetave, jo i patalentuar, polemizonte me një shkrim të Fatos Lubonjës dhe në artikullin e tij që zinte një faqe gazete, ky djalë i ri me jetën përpara nuk begeniste t'i përmendte emrin Lubonjës i cili ka një jetë që merret me shkrime. Pata ndonjë viti, një gazetar tjetër (jo i ri tashmë; përkundrazi, shumë i dëgjuar) polemizonte me studiuesin e njohur Ardian Klosi, dhe kish shpikur akuzën "gay" për ta kryqëzuar këtë të fundit. Nuk mund të thuhet se nuk ia arriti qëllimit. Në Shqipëri, mund të mirëkuptohet edhe banditizmi më i madh, por jo homoseksualët.
Para disa muajsh ka parë dritën e botimit një libër autobiografik i piktorit të njohur e të vlerësuar Maks Velo. Libri, më shumë se sa autobiografik është ashpërsisht polemik. Imiton në mënyrën më besnike polemikat më të këqia në pjesën më të keqe të shtypit të keq shqiptar. Duke qenë libër mund të konsiderohet si një monument letrar i antidialogut e i moskuptimit ndër shqiptarët. E bën më të dukshëm e imponues këtë monument, fakti që Velo ka qenë i persekutuar prej diktaturës si një artist që nuk pranonte ta shiste shpirtin te realizmi socialist mefistofelian. Sikur të mos mjaftonte kjo, Ismail Kadare i ka bërë parathënien këtij libri. Monumenti i antidialogut bëhet i frikshëm.
Gjithsej 23 faqe: « E parë ... « 3 4 5 6 7 8 9 10 11 [12] 13 14 15 16 17 18 19 20 21 » ... E fundit » Trego 23 mesazhet në një faqe të vetme |
Materialet që gjenden tek Forumi Horizont janë kontribut i vizitorëve. Jeni të lutur të mos i kopjoni por ti bëni link adresën ku ndodhen.