Forumi Horizont | Gjithsej 23 faqe: « E parë ... « 4 5 6 7 8 9 10 11 12 [13] 14 15 16 17 18 19 20 21 22 » ... E fundit » Trego 23 mesazhet në një faqe të vetme |
Forumi Horizont (http://www.forumihorizont.com/index.php3)
- Analiza (http://www.forumihorizont.com/forumdisplay.php3?forumid=291)
-- Europa: destinacioni X (eseja e Mustafa Nanos qe fitoi çmimin e pare) (http://www.forumihorizont.com/showthread.php3?threadid=8307)
Një shoqëri pa vullnetarë
Nëse do të më kërkonin të jepja një përkufizim mbi shoqërinë civile, nuk do të dija të isha as i saktë, as lakonik. Por nëse do të më pyesnin, cilat janë themelet e shoqërisë civile, do të përgjigjesha pa u menduar: solidariteti dhe vullnetarizmi. Në Shqipëri flitet shumë për shoqërinë civile, por bazuar mbi këtë që sapo thashë, merret me mend që rëndom flitet kuturu. Duke qenë një shoqëri kryesisht klanore, solidariteti, e shumta ngrihet brenda klanit e për interesa të klanit. Ndërsa për vullnetarizëm, sa kohë që kontributi në mbrojtje të interesave të klanit nuk mbetet i pashpërblyer (përgjithësisht klientelizmi -jo ndonjë ideal- është në ditët e sotme vaji lubrifikant për makinën e klanit), as që bëhet fjalë.
Në rrethanat kur shteti në përgjithësi e ky i yni në veçanti nuk mund të marrë përsipër gjithçka, në rrethanat kur mbrojtja e mjedisit, mbrojtja e atyre që quhen handicappedpeople, e shtresave të pambrojtura në nevojë, e të droguarve, e të sëmurëve me SIDA, e lypësve, e fëmijëve pa prindër, e të moshurve të braktisur, e të varfërve, e të burgosurve, e të diskriminuarve, del jashtë mundësive të shtetit apo injorohet nga shteti, vullnetarizmi mund të bëjë çudira. Sa pak flitet për këtë gjë! Në këto dhjetë vite, ku më pak e ku më shumë, ku më keq e ku më mirë, është folur për gjithçka e nga gjithkush, por jo për vullnetarizmin.
Bën vaki që konsiderohet një çalltisje marsianësh të thuash se një shoqëri duhet të shqetësohet e duhet të mos i lejojë vetes luksin e gjumit të qetë, sa kohë që segmente të saj përpëliten në luftën për të jetuar e mbijetuar; se njerëzit civilë nuk mund të shijojnë komfortin e një shtëpie banimi, sa kohë që mjedisi publik, shtëpia jonë e përbashkët, degradon keq e më keq; se një njeri civil nuk mund t'i gëzohet shëndetit të tij, sa kohë që fqinji dergjet i vetmuar në shtrat duke numëruar orët e fundit të jetës; se në një shoqëri civile, vuajtja e dhimbja e dikujt është vuajtje e dhimbje e të gjithëve; e kështu me radhë.
Media, e sidomos televizionet, mund të luanin e mund të luajnë një rol të jashtëzakonshëm në këtë mes, por nuk e kanë bërë. Në vend të synonin të krijonin një protagonist të ri, të panjohur për shqiptarët, dua të them shqetësimin qytetar e, bashkë me të, e përveç të tjerash, vullnetarët, media është hutuar prej protagonizmit politik. Vullnetarët - këta janë protagonistët e vërtetë të një shoqërie civile, të cilën duam ta ndërtojmë, ndërsa duam të integrohemi në Europë. Shqiptarët e kanë modelin të gatshëm. Vullnetarja par excellence më e madhe e botës është çuditërisht një shqiptare, Nënë Tereza. Sigurisht, duke besuar që mëshira e dhimbja për të pambrojturit e për të dobëtit ishte dashuria e saj, e jo një mundim pretencioz e heroik, Nënë Tereza ishte para së gjithash një besimtare e përvuajtur dhe e devotshme. Vullnetarizirni i saj lapidar është në thelb një vullnetarizëm i frymëzuar nga besimi në zot. Ndërsa këtu fjala është për një vullnetarizëm civilësh e jo domosdoshmërisht besimtarësh dhe, në këtë kuptim, vullnetarizmi nuk është e thënë të jetë një vetësakrifikim françeskanësh. Mjaft të falim pakëz kohë nga koha e çuar dëm, shpesh herë në mënyrë stresante dhe kështu jemi, padyshim, vullnetarë në mënyrën më pak impenjative. Po si mund të nxitet ky mobilizim vullnetar?
Në këtë pikë është e vështirë të japësh një përgjigje. Këtu gjërat janë aq të ngatërruara, dhe ngatërresën e sjell kulti i parasë, meraku për klanin, dhe një prirje e hatashme hedoniste që nuk lihet "të korruptohet" nga shqetësimi për hallet e tjetrit apo nga shqetësimi për atë që romakët e quanin res pubblica, Ekzistojnë me dhjetëra shoqata e organizma jo qeveritare, por këto shoqata nuk i ka krijuar shpirti vullnetar i njerëzve të shqetësuar për të sotmen e të ardhmen e komunitetit ku jetojnë. Përkundrazi, janë paratë e ardhura nga Perëndimi që kanë nxitur mobilizimin "civil" të shumë njerëzve. Nuk ka asnjë rast të mobilizimit civil, në themel të të cilit të jetë vullnetarizmi. Nuk ka asnjë rast, kur solidariteti të nxitet nga njerëz jo politikë e për motive jo politike, domethënë ekonomike, ekologjike, kulturore, kombëtare. Të gjithë e dinë tashmë se, ndërsa brenda mureve të shtëpive, pavarësisht mungesës së ujit, të energjisë elektrike, shqiptarët shquhen për maninë e pastërtisë (qysh në fillim të shekullit të kaluar, Edith Durham-i, e befasuar nga ky fakt, i krahasonte gratë shqiptare me shtëpijaket holandeze), sapo kapërcejnë portën e pallatit ku banojnë, janë indiferentë edhe ndaj gjirizeve të shpërthyera. Të parët tanë nuk kanë munguar të tallen megjithatë me këtë egocentrizëm të egër e primitiv. Një anekdotë që rrëfehet edhe sot e kësaj dite me një autoironi për t'u admiruar e dëshmon më së miri këtë gjë: "I thonë dikujt: po digjet fshati! Larg mëhallës sime!, përgjigjet ai i pashqetësuar. Po digjet mëhalla, i thonë përsëri. Larg shtëpisë sime!, vazhdon të mos e prishë terezinë, e kështu me radhë, derisa, ndërsa tha "larg bythës sime", flakët e përfshinë dhe përvëluan".
Gjithsej 23 faqe: « E parë ... « 4 5 6 7 8 9 10 11 12 [13] 14 15 16 17 18 19 20 21 22 » ... E fundit » Trego 23 mesazhet në një faqe të vetme |
Materialet që gjenden tek Forumi Horizont janë kontribut i vizitorëve. Jeni të lutur të mos i kopjoni por ti bëni link adresën ku ndodhen.