Forumi Horizont Gjithsej 41 faqe: « E parë ... « 5 6 7 8 9 10 11 12 13 [14] 15 16 17 18 19 20 21 22 23 » ... E fundit »
Trego 41 mesazhet në një faqe të vetme

Forumi Horizont (http://www.forumihorizont.com/index.php3)
- Politika Shqiptare (http://www.forumihorizont.com/forumdisplay.php3?forumid=45)
-- Berisha mashtroi për Gërdecin !!! (http://www.forumihorizont.com/showthread.php3?threadid=15566)


Postuar nga Vizioner datë 24 Mars 2008 - 14:24:

Gërdec, ku një jetë kushton sa dy karamele

LIBRI I VDEKJES

Njerëz që rrezikonin jetën për pak lekë. Sa paguhej një punëtor në fabrikën e Delijorgjit, si punohej, sa predha çmontonin

Libri i zi: Çmimi i demontimit të një predhe është nga 10 deri në 13.3 lekë. Shifrat e plota të fabrikës



TIRANË- Familje të tëra në kërkim të mbijetesës. Të mbytur në barut dhe të vetëdijshëm për rrezikun që iu kanosej. Nëse kishe mundësi, nëse kishe fuqi merrje edhe të afërmit e tjerë. Gjithçka për të hapur sa më shumë predha, për të fituar sa më shumë para. Edhe zhytja në barut pranohet, edhe loja me tritolin, edhe rreziku i të pashmangshmes. Gjithçka për të siguruar edhe një ditë ushqimin në tavolinë... Kjo është panorama e fabrikës së kobshme të Gërdecit. Aty ku njeriu shfrytëzon njeriun si qindra vite më parë. Aty ku një qitap bën ligjin, të jep bukën e përditshme të siguron jetesën e fëmijëve.



"Libri i Vdekjes" tregon gjithçka që ndodhte në fabrikën e tmerrshme të Gërdecit ku qindra njerëz punonin çdo ditë duke hapur predhat që të ndanin veç skrapin e veç eksplozivët. E gjitha kjo që pronari i tyre të fitonte sa më shumë para nga puna e tyre me "kokën në trastë". Një shikim i thjeshtë i ditëve të fundit të punës në këtë fabrikë tregon shumë thjesht shfrytëzimin e banorëve fatkeqë.



"Grupi i parë i punës ka hapur 744 copë predha. Për këto duhet të paguhet 81163 lekë të vjetra. Ai përbëhet nga Shkëlqim Prini, Alberta Prini, Zelie Leti dhe Luli Lula. Secili prej tyre do të marrë nga 20290 lekë të vjetra",- shënohet në "Librin e Vdekjes". Kjo është shkruar në fund të ditës më datë një mars. "Llogaritari" u ka qëndruar secilit tek koka. Ai i ka matur, regjistruar dhe i ka caktuar secilit hakun. "Faleminderit. Dy mijë lekë është pagesa për secilin prej jush. Faleminderit edhe një herë që rrezikoni jetën tuaj për kaq para. Nuk e di se çfarë do të kishim bërë pa ju...",- duket sikur i thotë ai secilit prej punëtorëve në fund të çdo dite të lodhshme pune. Dhe këta punëtorë nuk janë makina por njerëz të përbërë nga mishi e gjaku e që kanë një nevojë të përbashkët mbijetesë.



Secilit t'i jepet haku i punës! Kjo do të ishte një batutë normale në çdo ndërmarrje të kësaj bote por në rastin e gërdecit merr një tjetër konotacion. Këta njerëz fatkeqë duhet të bënin një volum të tmerrshëm pune të rrezikshme për të marrë ato pak para. Tmerri nis që me çmimin që ka hapja e një predhe. Ai është rreth 10 lekë të reja. Një predhë kushton sa dy karamele tek dyqani ushqimor i lagjes. Imagjino se sa "karamele" duhet të bënin këta njerëz që të nxirrnin bukën e gojës. Të tjerët që merreshin me demontimin e predhave paguheshin 11 lekë të reja për çdo predhë që hapnin. Sa herë që ata rrezikonin jetën e tyre në kushtet më të këqija të mundshme merrnin 11 lekë. Një çmim i drejtë për skllavopronarin e tyre. 11 lekë për një jetë njeriu. Kurrë jeta e një njeriu nuk ka pasur një çmim më të ulët se sa në Gërdec...

Në disa raste çmimi ishte më i lartë se "dy karamele". Ata njerëz që punonin në kushtet më të vështira e të rrezikshme të punës, ata që merreshin me barutin e vjetruar prej 40 vitesh, i cili mund të merrte flakë vetvetiu edhe pa e ngacmuar askush paguheshin pak më shumë. Për ta një nxjerrje baruti paguhej mirë, por sërish jo aq mirë sa për të blerë tre karamele. Ata merrnin 13.3 lekë për çdo hapje baruti. Për çdo herë që rrezikonin jetën paguheshin me dy karamele dhe u mbesnin tre lekë, jo në kuptimin figurativ por plot tre lekë, në xhep.



E kështu me radhë lista e gjatë e "Llogaritarit" llogarit sa i vlen jeta secilit prej punëtorëve të tij fatkeqë. Ata që pastronin predhat apo gëzhojat e vjetra paguheshin një mijë lekë të reja në ditë. Këta dhe punëtorët e sistemimit të arkave ishin disi më të privilegjuar se të tjerët. Lista vazhdon ende me transportuesit, 1400 lekë të reja në ditë. Në krye të tyre qëndrojnë specialistët. Në disa raste oficerë të vjetër ushtrie të hedhur në rrugë nga reformat e shumta të këtyre viteve. Ata kishin bërë vite shkollë, dhjetëra vite eksperiencë pune dhe për këtë vlerësoheshin me tre mijë lekë të reja në ditë. Këta ishin edhe njerëzit më të aftë të fabrikës, edhe më të aftë se skllavopronari i tyre që kishte bërë vetëm një shkollë mekanike dyvjeçare dhe kishte punuar në bonifikim.



-----------------------------------------------------------------------------

Listat e zeza tregojnë njerëz me të njëjtin mbiemër që krijojnë grupet e punës e merren me demontimin e predhave


Familje të tëra të punësuara në fabrikë


Rregulli më i thjeshtë i kësaj fabrike ishte: Merr me vete të gjithë familjen se kështu mund të punoni më shumë, mund të paguheni më shumë, edhe pse rrezikoni që të mos dilni të gjallë prej këtej. Dhe punëtorët ditëzinj janë përpjekur sa më shumë që të kapin normën, të fitojnë paratë. "Grupi tre përbëhet nga Nikolin Hazizi, Mirela Hazizi, Taulant Hazizi dhe Vasile Gjata. Ata do të marrin nga 23272 lekë te vjetra për punën që kanë kryer sot",- shkruhet në ditarin e fabrikës së Gërdecit. Tre anëtarë të një familjeje formojnë një grup. Një i njohuri i tyre bën anëtarin e katërt dhe kështu i hyjnë punës për të hapur sa më shumë predha, për të fituar ditën e punës. Bari Plloçi, Mehmet Plloçi, Hume Plloçi dhe Fatbardha Koxheri formojnë një tjetër grup pune. Më datë 28 shkurt ata nuk kanë punuar ashtu siç kërkonte pronari i tyre, kishin hapur pak predha dhe për këtë arsye do të paguhen me vetëm 14501 lekë të vjetra. Muslim Dova, Ylber Dova, Flora Dova dhe Liri Dova ishin një grup tjetër i demontimit të predhave të topit.

Një familje e tërë që vinte çdo ditë jetën në rrezik për ato pak lekë. Këto janë vetëm disa nga grupet e punës që ishin krijuar në fabrikën e tmerrshme. Ne do të kishim dashur që ti nxirrnim të gjithë por janë shumë, janë me të vërtetë shumë njerëz që shfrytëzoheshin çdo ditë në Gërdec. Lista të tjera tregojnë me detaje se si familje të tëra të zonës së Gërdecit por edhe përreth saj kishin bërë të pamundurën për të siguruar një vend punë në këtë fabrikë të tmerrshme. Vetë dëshmitë e tyre por edhe shënimet e "Llogaritarit" të fabrikës tregojnë se ai ishte kthyer në biznes familjar për ta.



  Gjithsej 41 faqe: « E parë ... « 5 6 7 8 9 10 11 12 13 [14] 15 16 17 18 19 20 21 22 23 » ... E fundit »
Trego 41 mesazhet në një faqe të vetme

Materialet që gjenden tek Forumi Horizont janë kontribut i vizitorëve. Jeni të lutur të mos i kopjoni por ti bëni link adresën ku ndodhen.