| Forumi Horizont | Gjithsej 17 faqe: « E parë ... « 6 7 8 9 10 11 12 13 14 [15] 16 17 » Trego 17 mesazhet në një faqe të vetme |
Forumi Horizont (http://www.forumihorizont.com/index.php3)
- Kupa e Shqiperise (http://www.forumihorizont.com/forumdisplay.php3?forumid=169)
-- Kupa e Shqiperise (http://www.forumihorizont.com/showthread.php3?threadid=1808)
Dinamo - Teuta, finalja e parakohshme e kupës
Në FSHF është hedhur dje shorti i çerekfinaleve të Kupës së 52-të të Shqipërisë.
Ja çiftet çerekfinaliste të Kupës së Shqipërisë:
Besa - Tirana
Elbasani - Partizani
Shkumbini - Vllaznia
Dinamo - Teuta
Dinamo-Teuta, finalja e vjetshme, do të jetë ndeshja më interesante e çerekfinaleve në edicionin e 52-të të Kupës së Shqipërisë. Ka qenë shorti i lirë, i hedhur dje në FSHF, ai që ka vendosur 4 sfidat nga do të dalin ekipet gjysmëfinaliste të Kupës së 52-të Shqipërisë. Shorti i kupës është hedhur dje në Federatë, në orën 12.00. Të pranishëm në short, veç presidentit Duka dhe drejtuesve të sektorit të garave, kanë qenë edhe përfaqësuesit e klubeve të kualifikuara në këtë kompeticion. Sektori i garave i kishte ndarë 8 ekipet e kualifikuara në dy grupe, sipas renditjes së vjetshme në kampionat. Kështu, në grupin e parë bënin pjesë 4 ekipet më të forta, Tirana, Vllaznia, Partizani dhe Teuta. Ndërkohë, grupi i dytë përbëhej nga Shkumbini, Dinamo, Elbasani dhe Besa. Me short, çifti i parë i çerekfinaleve të edicionit të 52-të në Kupën e Shqipërisë ka qenë Besa-Tirana. Partizani, një nga ekipet që e ka fituar më shumë këtë trofe ndër vite, do të përballet me Elbasanin, ekipin me të cilin këtë fundjavë ka barazuar 1-1. Më të lehtë në këto çerekfinale të Kupës së Shqipërisë duket se do ta ketë ekipi i Vllaznisë. Shkodranët do të përballen me Shkumbinin. Ndërkohë, dy ekipet e mbetura, Dinamo dhe Teuta, finalistet e vjetshme të Kupës së Shqipërisë, do të jenë çifti i fundit i çerekfinaleve të edicionit të 52-të të kupës. Madje nga të gjithë ky çift është cilësuar më i forti dhe finalja e parakohshme e këtij edicioni të 52-të të Kupës së Shqipërisë.Sipas kalendarit, ndeshjet para të çerekfinaleve do të zhvillohen më 10 mars. Ndërkohë, takimet e kthimit do të zhvillohen 2 javë më pas, pra më 24 mars. Sipas shefit të sektorit të garave në FSHF, ndeshjet e para do të luhen në fushat e ekipeve të vazos së dytë, çka favorizon shumë ekipet e mëdha, si Tirana, Vllaznia apo Partizani, që janë pretendentët kryesorë për fitimin e këtij trofeu.
Protagonistët e çerekfinaleve shprehen pas shortit
Menjëherë pas përfundimit të shortit të Kupës së Shqipërisë, kanë dhënë opinionin e tyre edhe drejtuesit e klubeve që kanë qenë të pranishëm në FSHF.
Albert Xhani, president i Partizanit:
"Eshtë një ballafaqim i vështirë për ekipin e Partizanit. E njohim mirë forcën e ekipi elbasanas, për më tepër që para disa ditësh kemi luajtur me këtë skuadër. Do të jetë një ndeshje e bukur dhe një sfidë e denjë për këto çerekfinale të Kupës së Shqipërisë. Kundërshtarin nuk e kemi frikë, ndonëse në Elbasan, në dy ndeshje këtë sezon, kemi barazuar dy herë. Shpresoj që të kualifikohemi për më tej, ndonëse "armiku" ynë i vetëm në këtë sfidë me dy takime do të jetë fusha e Elbasanit, që është në një gjendje të mjerueshme. Do të bëjmë çmos që të mos e luajmë në atë fushë takimin e parë."
Genc Gjylsheni, sekretari i klubit "Besa":
"Nuk mund të shkonte më keq për ne në këtë short. Vetë kundërshtari nuk të lejon të thuash ndonjë gjë. Tirana është ekipi kryesues i kampionatit dhe një nga skuadrat më të forta të Shqipërisë. Komentet do të ishin të tepërta. Gjithsesi, do të mundohemi të bëjmë diçka në fushën e lojës, edhe pse ndaj Tiranës do ta kemi shumë të vështirë."
Eduard Gjini, administrator i Tiranës:
"Vetë skema e shortit dhe ekipet që ishin në vazon e dytë mund të them se ishin të njëjta, nëse fati do t'i kishte vënë kundër Tiranës. Përjashto ndonjë përplasje me Dinamon, të gjitha ekipet e tjera janë të një niveli dhe shumë të rrezikshme, megjithëse në renditjen e kampionatit janë disi poshtë. Edhe pse kundër Besës kemi fituar në kampionat, nuk do të thotë se duhet ta nënvleftësojmë, pasi takimet e Kupës së Shqipërisë janë pak specifike dhe mund të ndodhë gjithçka. Kavajasit kanë një ekip të mirë. Gjithsesi, ne dëshirojë të kualifikohemi për më tej, pasi këtë sezon, si gjithmonë, kemi pretendime në të dyja kompeticionet dhe them se ekipi bardheblu mund ta kalojë pa problem çdo pengesë."
Hasan Lika, trajner i Teutës:
"Nuk do shumë mend të thuash se Teuta doli "e persekutuar" nga shorti i Kupës së Shqipërisë. Dinamo-Teuta ishte ndeshja më e fortë e këtyre çerekfinaleve dhe finalja e parakohshme e Kupës së Shqipërisë, pasi dihet që vjet këto dy ekipe kanë luftuar për këtë trofe në fund të sezonit. Nuk kishte si të shkonte më keq për Teutën. Dinamo është nga ekipet më të forta në Shqipëri dhe kualifikimi do të jetë i hapur deri në fund, për më tepër që këtë sezon nuk kemi fituar ndaj tyre. Duke parë që ekipi i Teutës është larguar nga lufta për titull, të gjitha energjitë do t'i përqendrojë në këtë kompeticion. Kupa e Shqipërisë mbetet për ne ndoshta e vetmja rrugë për Evropë. Teuta do të bëjë maksimumin për t'u kualifikuar, ndonëse do të jetë shumë e vështirë. Shpresoj që fati të jetë nga ana jonë në këtë sezon, ndryshe nga finalja e vjetshme e kupës."
Astrit Isai, sekretar i klubit "Shkumbini":
"Kupa e Shqipërisë nuk është synimi kryesor i Shkumbinit në këtë sezon. Dihet që ne po luftojmë për të qëndruar në kategorinë e parë dhe kupa në këtë moment del në plan të dytë për ne. Deri tani kemi kaluar disa shkallë në këtë kompeticion dhe jemi të kënaqur. Gjithsesi, kundër Vllaznisë do të marrin atë që do të mundim, qoftë ky edhe kualifikimi, nëse e arrijmë. Insistoj të them se Shkumbini duhet të sigurojë qëndrimin në Grupin A1."
Gëzim Mustafaraj, drejtori teknik i Vllaznisë:
"E kemi pritur me qetësi hedhjen e shortit dhe mund ta konsiderojmë të pranueshëm për Vllazninë. Shkumbinin e konsideroj të kalueshëm nga Vllaznia, megjithëse nuk duhet nënvlerësuar në asnjë mënyrë. Eshtë një ekip, lojërat e të cilit kanë ardhur në rritje kohët e fundit dhe, megjithëse vëmendjen kryesore e ka te kampionati për të mos rënë nga kategoria, nuk do ta lërë pas dore as Kupën e Shqipërisë. Ndeshja e parë luhet në Peqin dhe, siç dihet, në fushën e tyre peqinasit kanë luajtur gjithmonë mirë, çka do të thotë se duhet të bëjmë kujdes të madh për të mos i ndërlikuar punët për ndeshjen e kthimit."
| Gjithsej 17 faqe: « E parë ... « 6 7 8 9 10 11 12 13 14 [15] 16 17 » Trego 17 mesazhet në një faqe të vetme |
Materialet që gjenden tek Forumi Horizont janë kontribut i vizitorëve. Jeni të lutur të mos i kopjoni por ti bëni link adresën ku ndodhen.