Forumi Horizont | Gjithsej 31 faqe: « E parë ... « 9 10 11 12 13 14 15 16 17 [18] 19 20 21 22 23 24 25 26 27 » ... E fundit » Trego 31 mesazhet në një faqe të vetme |
Forumi Horizont (http://www.forumihorizont.com/index.php3)
- Shqiperia, traditat kulturore (http://www.forumihorizont.com/forumdisplay.php3?forumid=114)
-- Tirana (http://www.forumihorizont.com/showthread.php3?threadid=137)
Tirana e dikurshme...
Po të rrëmosh në Tiranën e së shkuarës, në botën e personazheve të saj, të ndërtesave, rrugëve e pazareve zbulon anadollakë, bejlerë, qeleshepunues e teologë të shkollave turke, ashtu si edhe një botë sendesh të mrekullueshme primitive, shtëpi qerpiçi e vila të borgjezisë, pleq me brekushe e gomarë nga pas si edhe pasanikë që shkojnë për ski në Dajt. Një botë kontrastesh që ngërthehet katërcipërisht në atë Pazarin e famshëm të Vjetër. Atë për të cilin ke për çfarë të jesh nostalgjik e të skuqesh nga turpi njëherësh. Ku ndeshesh me zanatçinj të shkathët, që punojnë me zhurmë dhe shesin po aty. Më mirë i dinë këto sa më sipër ata që patën fatin e mirë apo të keq të jetonin në Tiranën e asaj kohe. Por secili prej tyre përzien me kujtimet edhe emocionet e nostalgjitë. Ashtu siç pretendojnë tiransit e vjetër se të ardhurit nuk janë realistë në kujtimet e tyre për Tiranën e vjetër, që kryesisht pikturohet prej tyre si një fshat mesjetar i mbushur me anadollakë të mishëruar në figurën e fshatarit me brekushe dhe gomar.
Në kronikën e Tiranës të së shkuarës i ndesh të gjitha. Nga historianët tek dëshmitarët e fundit që ruajnë kujtime nga ajo kohë, Tirana rindërtohet në të shkuarën herë prozaike, herë poetike. Ja një histori e shkurtër e Tiranës nga ato çfarë mbajnë mend të vjetrit dhe çfarë shkruajnë historianët për Tiranën e vjetër.
Copëza kujtimesh nga gjenerata e fundit...
Janë gjenerata e fundit e atyre që kanë jetuar në Tiranën e vjetër dhe në këtë të renë njëherazi. Tanimë me një barrë vite në supe, ata herë shfaqen nostalgjikë e herë plot kujtime të errëta si nga Mesjeta për Tiranën në fillim të shekullit XX.
Den baba den tirans, Sali Shijaku ka një botë me kujtime nga Tirana e asaj kohe, të cilën duket se e ka futur të gjithën brenda asaj shtëpisë së mrekullueshme të traditës 200 e më shumëvjeçare. Ai ka kohë që është vënë në kërkim të vegjëve si element dekori në shtëpinë e kthyer në muze pranë Selvisë. Siç kujton ai nëndaja Mahmude tirrte me elemine fillin e krimbit të mëndafshit dhe më pas e kalonte në vegjë. “Më kujtohej si e tirrte mëndafshin në oborrin e shtëpisë, ajo atmosferë, si zgjatej filli nga njëri cep i oborrit në tjetrin. Përveç kësaj kujtoj edhe dybekët, jo ato që tundin dhallin, por dybekët për të shtypur grurin ose orizin. Dy-tre punëtorë rrihnin në dybek grurë ose oriz”, - kujton Sali Shijaku. Vajzat dhe gratë tiranse, pothuajse pa përjashtim, punonin tërë jetën në vegjë, duke endur pëlhurë të pambukta e të mëndafshta për nevojat e shtëpisë dhe për t’i shitur. Më përpara shtëpitë e të varfërve në Tiranë ishin përdhese dhe të ndërtuara me qerpiç. Kjo, për arsye ekonomike, sepse guri gjendej larg nga fushat. “Muret prej qerpiçi që bëheshin dikur prej ustallarëve lidheshin me breza druri dhe gjithë kjo sipas një teknike antisizmike”, - thotë Sali Shijaku. Ndërsa ndër shtëpitë e vjetra tradicionale kryeqyetase është ajo ku banon Sali Shijaku është ruajtur më mirë. Është e famshme dhoma e zjarrit si karakteristikë e kësaj shtëpie.
Todi Lubonja është një nga banorët e Tiranës së viteve ’20, megjithëse origjina e tij është korçare. Libri i tij i fundit, shkruar tani kur është rreth të tetëdhjetave, “Në 30 ditët e vitit kur familjet mbanin Ramazan sundonte rregulli, qetësia dhe heshtja. Nata ishte më me gjallëri se dita. Ngado të zinte syri burra me qeleshe e brekushe që mbanin duart prapa dhe numëronin rruazat e tespive...”. “Kështu kalonte, si në filma jeta e tiransave, ku mpleksej gërshet e me potere, grotesku i një qyteti gjysmë fshat dhe drama e varfërisë e prapambetjes”, - shkruan ai në një fragment tjetër.
Hafiz Ibrahim Dalliu, me origjinë tiranse, i njohur si publicist por edhe teolog i Shqipërisë së vjetër, ka lënë dëshmi të shkruara për Tiranën, por vetë është ndarë nga jeta qysh në vitin 1951. Ai, në librin e tij “Patriotizmi” të shkruar në vitin 1930, merr në mbrojtje tiransit si patriotë duke hedhur poshtë idenë e përhapur se tiransit janë anadollakë e fshatarë rebela. Më duket se ash rranjos nëpër trutë e gjithë atyre që s’janë tirans se gjoja ky vend ka qenë krejt halldup. Këtë mendim të gabueshëm ma kanë shfaqur disa herë edhe ata njerëz që mbahen si dijetarë. Për shembull një ditë Mid’hat Frashëri më tha si për qesëndi: “Hafiz! Ke pas këtu ndonjë shok tirans?!”. Me buzë në gaz i thashë: “Z. Mid’hat! Më kujtove një përrallëz që ma ka pas kallëzue yt ungj, Mehmet beu, në burgun e rebelizmës, ndjesë pastë! Një plakë i paska thanë shoqes: Qyqja, qyqja, më ngelën dhentë pa i lëshue. Pse, mri motër, i thotë shoqja, paske edhe ti dhen? Po i tha kjo, kam nja nji...”.
Faqe nga historia e Tiranës...
Sipas hulumtuesve të historisë, Skënder Jasa dhe Xhavit Maçi në librin e tyre të përbashkët për historinë e Tiranës, si qytet i ri Tirana mori hov kur në krye të kazasë erdhi si sundimtar Ibrahim bej Bargjini, pinjoll trashëgimtar i kësaj dinastie, që më vonë u bë pashë. Nën kujdesin e tij qyteti nis i të zmadhohej sipas një plani urbanistik. U hapën rrugë të reja, u zmadhua banjoja publike, u ndërtua një kanal vaditës me ujin e lumit të Regllatës, u ndërtuan lagje të reja dhe organizohej çdo vit një panair që quhej “Shën Lleshi”. Dyzet vjet që nga themelimi si qytet Tirana kishte marrë një fizionomi origjinale paçka se kishte tipare që ishin karakteristikë e qyteteve shqiptare të Mesjetës së vonë.
Shtëpitë e qytetarëve komunikonin me njëra-tjetrën me anën e dyerve të kopshteve të rrethuara me mure qerpiçi. Mund të komunikohej me tërë qytetin nëpërmjet dyerve të brendshme, pa qenë nevoja të dilje rrugëve. Rrugët e qytetit ishin të ngushta, disa të shtruara me kalldrëm, por shumica të pashtruara. Xhamitë dhe sheshet, si ai i Namazgjasë apo ai i Pazarit që shërbenin për kuvende, ishin të rrethuar me selvi dhe ullinj. Dyqanet ishin të përqendruar kryesisht në Pazarin e Vjetër. Një pjesë e dyqaneve shërbenin si punishte zejtarie.
Çezmat në Tiranë kanë qenë të pakta dhe konsideroheshin si diçka e shenjtë. Ato ishin Kroi i Banës, Çezmja e Rrapit Trish, Çezma e Krojit të Shëngjinit, Çezma e Spitalit të Dr. Sabriut. Këto çëzma ishin ndërtuar nga bamirës të ndryshëm. Qysh në kohën e Abdurrahman bej Toptanit në Tiranë u ndërtua një bibliotekë me 158 libra dhe Medreseja.
Trasetë e rrugëve automobilistike u ngritën pothuajse mbi ato të rrugëve antike. Nga viti 1926-1927 u hapën disa rrugë të rëndësishme të qytetit si Rruga e Barrikadave dhe rruga “Qemal Stafa”. Në vitin 1928-1929 u ndërtua bulevardi i qytetit dhe sheshi “Skënderbej”. Dhe, ndërsa tiransit rrojtën e u trashëguan, ndërtimet e ndyshimet vazhdojnë edhe sot e kësaj dite...
Gjithsej 31 faqe: « E parë ... « 9 10 11 12 13 14 15 16 17 [18] 19 20 21 22 23 24 25 26 27 » ... E fundit » Trego 31 mesazhet në një faqe të vetme |
Materialet që gjenden tek Forumi Horizont janë kontribut i vizitorëve. Jeni të lutur të mos i kopjoni por ti bëni link adresën ku ndodhen.