Forumi Horizont | Gjithsej 31 faqe: « E parë ... « 10 11 12 13 14 15 16 17 18 [19] 20 21 22 23 24 25 26 27 28 » ... E fundit » Trego 31 mesazhet në një faqe të vetme |
Forumi Horizont (http://www.forumihorizont.com/index.php3)
- Shqiperia, traditat kulturore (http://www.forumihorizont.com/forumdisplay.php3?forumid=114)
-- Tirana (http://www.forumihorizont.com/showthread.php3?threadid=137)
Familja Bogdani
Saga e Bogdanëve të Tiranës vijon me brezni të reja s_ aty ku zbarkoi Bogdani i parë nga Rrajca, Hasi apo Struga 400 apo 500 vjet të shkuara. Diku mes xhamisë së Dine Hoxhës dhe rrugës së Ambasadave, dyqanet e qeleshepunuesve Bogdani janë shndërruar në vitrina hi-tech. Aty ku dikur gjeje shtëpitë prej qerpiçi të Bogdanëve sot lartohen shumëkatëshe dhe vila moderne. Por nëse në krye të herës aty zbarkuan dy ose tre familje Bogdani, tani i sigurojnë vazhdimësi sagës së lashtë 60-70 syresh. Shumica banorë të trojeve të hershme Bogdani me toponiminë identike: Rruga e Bogdanëve. Këta të fundit i kanë qëndruar besnikë mëhallës së tyre, ku ditët e fundit një basoreliev kushtuar zanatçiut të mirëfilltë tirans, Hasan Bogdani, ka risjellë kujtimin e një njeriu të thjeshtë, që punoi gjithë jetën në profesionin e lashtë tirans të qeleshepunuesit. Bashkë me këtë basoreliev edhe “moralin e fitimit me djersën e ballit dhe gjakun e shpirtit” siç u shprehen pinjollët e Bogdanëve në ceremoninë e vendosjes së basorelievit të realizuar nga skulptori Niko Thana. Po cila është historia e kësaj familjeje tironse që ka lënë gjurmë jo vetëm në qytetin e Tiranës por edhe në sport e kulturë. Bogdanët e djeshëm dhe të sotmit. Legjenda dhe jeta e një familje tironse. Udhëtim në të shkuarën për të gjetur rrënjët, për të njohur agallarët dhe qeleshepunuesit por edhe arsimtarët, mjekët, sportistët nëpërmjet rrëfimit të njërit prej pinjollëve të kësaj familjeje. Pikërisht Ramazan Bogdani, etnokoreolog dhe autor i një morie botimesh mbi kulturën popullore të kërcimit shqiptar, na rrëfeu sagën Bogdani. Aty ku bën pjesë edhe nusja e Bogdanëve, Ema Qazimi, gruaja e Ramazan Bogdanit.
Origjina
Saga e Bogdanëve mplekset në mënyrë të mistershme me pemën e dardhës. Si në një rrëfenjë të realizmit magjik. Me krahinën e Rrajcës, zonën e Hasit të thatë dhe Strugën e Tuhinën në Maqedoni. Dardha nuk përbën megjithatë një simbol për familjen, ngase lidhja e saj me Bogdanët ka mbetur enigmatike. Ndërsa lidhjet me Rrajcën mbahen si teza më e sigurtë e prejardhjes së familjes Bogdani. Më pak të mbështetura po jo të përjashtuara mbeten tezat e prejardhjes nga Hasi dhe nga disa krahina në Maqedoni ku ende ekziston toponimia “Te dardhat e Bogdanëve”, megjithëse nuk ka banorë me këtë mbiemër asaj zone. Dhe të gjitha së bashku të çojnë në një hipotezë tjetër, tek prejardhja sllave. Kjo edhe për shkak të mbiemrit, i cili në gjuhën sllave përkthehet: Bog- Zot dhe Dani – Ditë, pra Ditë e Zotit. “Këto janë disa nga tezat ose më saktë hipotezat kryesore të prejardhjes së Bogdanëve kur dihet mungesa e traditave të shkrimeve përpara 200-300 vjetëve në Shqipëri. Kështu që nuk është e lehtë të përcaktosh me saktësi prejardhjen e një familjeje tiranse”, - shpjegon Ramazan Bogdani në lidhje me origjinën e familjes pinjoll i së cilës është. Përveç gjurmëve të Bogdanëve andej-këndej ai thotë se prejardhja nga krahina Rrajcë e Librazhdit duket më e mundshmja, pasi vetëm në një fshat të kësaj krahine ka sot 90 familje me këtë mbiemër. “Sipas të dhënave për familjen që kam mbledhur nga baba im, familja Bogdani duhet të ketë 400 deri në 500 vjet në Tiranë dhe të gjithë Bogdanët e Tiranës, të degëzuar mjaft tanimë, janë të një trungu”, - thotë profesori. Futbollisti i njohur Erion Bogdani është njëri prej tyre. Nip i Ramazan Bogdanit. Por një vazhdë sportistësh të tjerë kanë dalë nga kjo familje. Ashtu si edhe shumë mjekë, arsimtarë e duke udhëtuar mbrapsht në drejtim të Tiranës së vjetër deri tek qeleshepunuesit siç ka qenë babai i Ramazanit, Fitnetit, Reshatit, Bilalit, Fatmirit, Lilit dhe Agronit. Një nga personazhet e kohërave të vjetra, i cili ka përjetësuar mbiemrin Bogdani në një tjetër rrugë në kryeqytet, është Ramazan Bogdani (i vjetri), gjyshi i profesorit tonë. Ose Rama Efendiu. Kështu thirrej ky personazh i Tiranës së vjetër, i cili kryente funksionin e ndamësit të pleqnisë asokohe ose një gjykatësi me autoritet të pranuar gjerësisht. Ram Efendiu pati punuar edhe në Bashkinë e Tiranës dhe sot një rrugë në “qytezën” e Aviacionit mban pikërisht emrin e tij. Tradita e familjes Bogdani është e lidhur me profesionin e qeleshepunuesit, të cilin nuk e ushtron sot asnjë prej pinjollëve Bogdani. Megjithatë ndër meshkujt Bogdani ka patur edhe tregtarë, këpucarë, arsimtarë, mjekë, etj, brez pas brezi. Ndër femrat ashtu si shumica e femrave tironse të asaj kohe bijat por edhe nuset Bogdani të gjitha kanë ditur t’i bien dajres dhe të qëndisin me gjerdef. Kryesisht Bogdanët kanë pasë jetuar me të ardhurat nga qiratë e shtëpive dhe të dyqaneve, edhe vite më parë, ashtu si ende sot disa prej tyre. Veçse në atë kohë të atillët quheshin agallarë.
Ema Qazimi, nusja tironse
Ajo është bijë e Labërisë por e martuar me Ramazan Bogdanin, ditën e dasmës ka veshur si të gjitha nuset e Tiranës, kostumin tradicional të qytetit, dimit mermeri. Rashela, e bija, identifikohet gjithashtu si tironse dhe nuk ka humbur rast pa pozuar me kostum të traditës tironse qysh së vogli. Ajo tanimë studion piano në Gjenevë por me Tiranën e lidh gjaku. Në shtëpinë e tyre TIRONA nuk mungon as në dhomën e gjumit, pikërisht aty ku qëndron varur fotografia e çiftit ditën e dasmës. Ndërsa në dhomën e ndenjes një lambik i kahershëm sjell atmosferën primitive, por nostalgjike të kohës, kur për të larë duart hidhej ujë me anë të këtij mjeti që punohej nga teneqexhinjtë tirans.
Gjithsej 31 faqe: « E parë ... « 10 11 12 13 14 15 16 17 18 [19] 20 21 22 23 24 25 26 27 28 » ... E fundit » Trego 31 mesazhet në një faqe të vetme |
Materialet që gjenden tek Forumi Horizont janë kontribut i vizitorëve. Jeni të lutur të mos i kopjoni por ti bëni link adresën ku ndodhen.