Forumi Horizont Gjithsej 8 faqe: « 1 [2] 3 4 5 6 7 8 »
Trego 8 mesazhet në një faqe të vetme

Forumi Horizont (http://www.forumihorizont.com/index.php3)
- Feja krishtere (http://www.forumihorizont.com/forumdisplay.php3?forumid=184)
-- Figura te Shquara të Ortodoksisë flasin gjatë kohërave! (http://www.forumihorizont.com/showthread.php3?threadid=12360)


Postuar nga mobidik datë 24 Shtator 2006 - 21:20:

Kometë në kupën e qiellit.

           Posi një nga kometat, që nga një kohë në tjetër shfaqen në kupën e qiellit, derdhin dritë të shkëlqyeshme dhe zhduken shpejt, kështu prezantohet përpara nesh dhe fytyra e ndritshme e Shën Kozmait. Ky Shenjt nuk ishte nga ata fetarë kallogjerë të paditur e mendjengushtë, që të ngjitur në letra të vdekura, harrojnë frymën e vërtetë të besimit fetar. Ai ishte një njeri me kulturë dhe me horizont mendor të gjerë dhe natyrisht me mendime fetare të larta.
            Kjo gjë duket qartë si nga veprat ashtu dhe nga jetëshkrimi i tij, i shkruar në origjinal prej një admiruesi të tij. Këto na japin të kuptojmë se Shën Kozmai ishte njeri me vullnet të fortë dhe me aktivitet të palodhur. Në ato kohëra të zorshme të frikës ai, me mundime të mëdha dhe me rreziqe të patregueshme, shëtiti anembanë Shqipërisë; derdhi pasurisht dritën dhe mësimet e tij të çmueshme dhe u përpoq që të forconte, të inkurajonte popullin e dëshpëruar. Me anën e këtij aktiviteti mundi ta shpëtojë dhe ta përmbajë.
            Po si ia arriti vallë këtij qëllimi? Duke përhapur dritën në popull, duke çelur shkolla gjithkund dhe duke bindur popullin që t’i mbante këto me çdo theori. Dhe kjo është merita e tij e madhe. Si një njeri me kulturë të gjerë ai e dinte që kjo ishte e vetmja udhë për të formuar në shpirtin e popullit një fetarizëm, jo të dukshme, po të gjallë, të thjeshtë dhe të çliruar nga paragjykimet.
            Është e vërtetë! Pa dije nuk mund të ekzistojnë dhe idetë fetare të thjeshta. Padija është rrënja e shumë ligësive; po më tepër ajo është nëna e supersticioneve të errëta.- S’ka dhe s’mund të ketë besim dhe kult fetar të pastër pa mësim.
            Le të hedhim një vështrim në popullin tonë. Me hidhërim do të vërejmë se është degjeneruaar në një shumicë të tij ideja fetare dhe gjer në ç’gradë ajo e ka humbur karakterin saj të lartë dhe influencën bamirëse. Ajo në vend që të jetë burim aktiviteti të gjallë, të shfaqur në vepra të hijëshme, në njerëzillëk, përkundrazi krijon në shpirtin e tij paralogjizma të rrezikshme
            Për një të paditur fe domethënë ceremonira, zakone dhe formalitete. Atij i duket se kur mban këto, i ka mbaruar të gjitha detyrat Fetare. Këto supersticione, trashëgimi i një të shkuare të gjatë, që kanë pushtuar shpirtin e një shumice të popullit, i përngjan Hidrës mitologjike, së cilës, kur i pritej një kokë, mbinte në vendin e saj një tjetër.
            Po është vallë kjo Feja e vërtetë? Janë Fe supersitcionet e paarsyeshme e të errëta?
            Kurrë, kurrë! Inteligjenca e Lartë që drejton gjithësinë e pajisi njeriun me arsye, që është zbulimi i vërtetë, një shkëndijë e dritës së tij të amëshuar. Mbi atë dritë, pra, të rrjedhur prej Atij vetë duhet të bazohet çdo besim.
            Fe nuk janë zakonet dhe supersticionet prapanike, po sjellja e mirë, sinqeriteti dhe nderi në relacionte dhe shoqi-shoqin; Fe sidomos është të bëhesh theror për të mirën e përgjithshme, për atdheun. Këto janë shenjat e thjeshta dhe të gjalla të fesë dhe në to na udhëheq arsyeja, e ndriçuar nga mësimi.
            Ja përse Shën Kozmai punoi për t’i frymëzuar popullit këto parime të larta; ja përse ai u përpoq që të përhapte dritën, të çelte shkolla. Këto parime ai i vërtetoi dhe me shembullin e tij të bukur dhe sidomos me mbarimin heroik, duke ofruar jetën e vet si theror në altarin e idealit që ndiqte.
            Urojmë që ajo fytyrë kaq e ndritshme të qëndrojë gjithnjë e gjallë përpara syve tanë dhe të na kujtojë gjithmonë karakterin e lartë të fesë që është: Humanimi dhe theoria, drita dhe përparimi
+ Kristofor Kisi.


  Gjithsej 8 faqe: « 1 [2] 3 4 5 6 7 8 »
Trego 8 mesazhet në një faqe të vetme

Materialet që gjenden tek Forumi Horizont janë kontribut i vizitorëve. Jeni të lutur të mos i kopjoni por ti bëni link adresën ku ndodhen.