Forumi Horizont Gjithsej 31 faqe: « E parë ... « 11 12 13 14 15 16 17 18 19 [20] 21 22 23 24 25 26 27 28 29 » ... E fundit »
Trego 31 mesazhet në një faqe të vetme

Forumi Horizont (http://www.forumihorizont.com/index.php3)
- Shqiperia, traditat kulturore (http://www.forumihorizont.com/forumdisplay.php3?forumid=114)
-- Tirana (http://www.forumihorizont.com/showthread.php3?threadid=137)


Postuar nga i_lire datë 29 Nëntor 2003 - 07:55:

Familja Saraçi

Nuk e kemi fjalën për Saraçët e Shkodrës, Kukësit, Dibrës, Shkupit, Durrësit, Elbasanit, Beratit, Korçës, Vlorës, Gjirokastrës. Në të gjithë këto rrethe e madje edhe në ndonjë tjetër ka Saraçë. Dhe të gjithë në krye të herës nuk kanë qenë përpos tjetër veçse punues të pajimeve të lëkurta për kuaj. Saraçët e Tiranës po ashtu. Pinjollët e sotëm Saraçi e kanë harruar profesionin e parë por jo historinë e tyre në Tiranë, ku një rrugë me këtë emër, shtëpitë dhe dyqanet e tyre vijnë si dëshmi të gjalla të vjetërsisë së familjes. E megjithatë shtëpitë e vjetra të traditës, që i përkasin kësaj familjeje janë drejt shembjes. Tanimë gjysmë të rrënuara, ato janë destinuar për t’ua lënë vendin shumëkatësheve që po pushtojnë edhe pjesën historike të qytetit të Tiranës, ku kanë banuar shumica e tironsave të vjetër. Por pinjollët nuk i tremben më harresës pasi emri i tyre është përjetësuar në pllakatën që shënon këtë rrugë, ku dikur banonin më shumë Saraçë se sot dhe ku nesër do të banojnë akoma më pak. Gjithsesi pjesa më e madhe e Saraçëve vazhdojnë të jetojnë në Tiranë, aty ku ndërthuret e shkuara e tyre plot peripecira me të sotmen, me sa duket më të mbarë për ta.
Trungu i origjinës
Pema gjenealogjike e familjes Saraçi nis me të parin e Saraçëve i cili ushtronte zanatin si saraç, i specializuar si përpunues i pajisjeve prej lëkure për kuaj, nga ka mbetur edhe mbiemri Saraçi. Sipas dëshmive të më të vjetërve mbahet mend Ali Saraçi, i cili ka qenë Myfti në Krujë. Aliu ka patur dy djem, Beqirin dhe Mehmetin, të cilët kanë qenë që të dy tregtarë, duke formuar kështu dy trungje, nga ku rrjedhin të gjithë pjesëtarët e familjeve të sotme Saraçi me banim në Tiranë. Deri më tani numërohen shtatë breza nga trashëgimtarët e Beqir Saraçit, ndërsa nga Mehmet Saraçi deri sot rrjedhin gjashtë breza.
Personazhet e familjes
Sipas Ramazan Saraçit, njëri ndër të parët e familjes, Sefer Saraçi (senior), i biri i Beqir Saraçit (senior), ka kontribuar me napolona flori në ngritjen e strehës vorfnore të Tiranës. “Po ashtu të tjerë kanë ndihmuar në ndërtimin e Urës së Beshirit mbi lumin Erzen dhe në vepra të tjera bamirëse”, - thotë Ramazani. Pjesëtarët e familjeve Saraçi kanë qenë punëtorë, tregtarë, atdhetarë kanë marrë pjesë në luftën para ngritjes së Flamurit në Vlorë më 1912 dhe më pas, në ngritjen e shtetit të ri shqiptar, gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe më pas. “Djali më i madh i Sefer Saraçit (senior), Osman Saraci (senior), ka qenë anëtar i pleqësisë së lagjes për rrugën e Saraçëve në kohën e xhonturqve, kur persekutoheshin në masë patriotët tirans për të vetmen arsye se kërkonin të mësonin shqip. Këtë e përmend patrioti i shquar tirans Hafiz Ibrahim Dalliu ne librin e tij “Patriotizma në Tiranë” (botuar për herë të parë në vitin 1930). “Gjatë Luftës së Parë Botërore, në kohën kur serbët erdhën në afërsi të Tiranës në malin e Dajtit, Xhemal Saraçi, i biri i Osman Saraçit (senior ) në atë kohë në moshë të re, tregon se ka shkuar së bashku me shumë të rinj në mbrojtje të Tiranës në luftë kundër serbëve”, - tregon Ramazan Saraçi. “Djali tjetër i Sefer Saraçit, Hamdi Saraçi, ka qenë anëtar i Këshillit Bashkiak të Tiranës, në disa legjistlatura që nga 1922 deri në 1927 kur kryetarë të bashkisë kanë qenë Ali Begeja, Ali Derhemi dhe Fuat Toptani. Këto shkruhen në librin e Degrand, Myderizi, Bakiu dhe G. A. Bakiu “QYTETI I TIRANES “, botuar në vitin 1998”, - thotë Ramazani. Pas Luftës së Dytë Botërore, me ardhjen e forcave komuniste në gjysmën e Tiranës dhe vendosjen e tyre në rrugën e Saraçëve, u vra pa gjyq Abdulla Saraçi, martir i demokracisë, së bashku me martirin e demokracisë Muharrem Likun, ushtarakë me kulturë akademike, nacionaliste dhe që kishin punuar për forcimin e ushtrisë shqiptare. Bij të familjeve Saraçi janë burgosur për bindjet e tyre politike nacionaliste. Ndër ta një pjesë kanë qenë ballistë.
Profesionet, jo më saraçë
Gjatë gjithë jetës së tyrë pjesëtarët e familjeve Saraçi kanë qenë punëtorë të profesioneve të ndryshme. Krahas zanatit të parë, si saraçë, ata kanë punuar si mjeshtër marangozë e këpucarë, profesione që i kanë trashëguar ndër breza, janë marrë me tregti e profesione të tjera. “Shumë kohë më parë familja jonë zhvillonte tregti me karvane. Banorë të krahinës së Matit tregojnë se kishin dëgjuar nga prindërit e tyre për Osman Saraçin që organizonte tregtinë me karvane nga Tirana në Burrel e deri në Dibër. Me këto karvane Osman Saraci transportonte vaj ulliri, vajguri që vinte nga Durrësi (deti), pëlhura të ndryshme të endura nga gratë e familjeve Saraçi, të cilat ishin të njohura për endjen e pëlhurave, siç ishin të gjitha gratë në Tiranë. Çdo grua tiranse kishte pjesë të pajës së saj edhe vegjën. Të njohur kanë qenë Isuf Saraçi, Nexhmedin Saraçi dhe fëmijët e tyre që punonin si profesionistë këpucarë dhe Beqir Saraçi dhe i biri si marangozë. Në familjen Saraçi ka shkëlqyer që në moshë të vogël, Lisandri, i biri i Njazi Saraçit. Më vonë në Marsejë të Francës ai spikati edhe më shumë me aftësitë e tij.
Ramazani ka hartuar një listë të gjatë profesionesh si edhe për arsimimin e pinjollëve Saraçi. Ai thotë se nga familjet Saraçi para Luftës së Dytë Botërore dhe mbas saj pinjollët Saraçi kanë studiuar në akademi ushtarake jashtë shtetit si oficeri i shquar Abdulla Saraci, martir i demokracisë, dhe më vonë në Universitetin e Tiranës, ku janë diplomuar si mësues, teknikë, inxhinierë, doktorë, juristë, menaxherë. Ndër ta mësuesit Osman Saraçi (junior), në shkollën teknike të Tiranës, Afërdita Saraçi (Mneri) në shkollën 8-vjeçare “Fan S. Noli”, Njazi Saraçi, Nimete Basha ( Saraci ) në Universitetin e Tiranës e të tjerë. Doktorët e njohur në Tiranë Ferit Saraçi, kardiolog, Shqipe Saraçi pediatre shërbejnë gjithashtu në Tiranë.

Në rrugën e Saraçëve
Sot është një rrugicë tërë baltë e gropa si shumica e rrugëve të ndërmjetme të kryeqytetit. Diku në ekstremet e saj gjen një pllakatë që i ka rikthyer rrugës emrin e dikurshëm. Aty çdo banor i ardhur ose jo është gati të të numërojë të gjitha shtëpitë e Saraçëve, të reja e të vjetra që kanë mbetur aty. Ato prej qerpiçi, që do të shemben shumë shpejt, pasi u ka mbërritur plani dhe të tjerat ku ende banojnë Saraçë. Familjet Saraçi kanë qenë banorët e parë të kësaj rruge. Kjo rrugë lidh rrugën e Dibrës dhe të Dajtit (Qemal Stafa ). Para 3 vjetësh ajo rimori emrin “Rruga e Saraçëve” ashtu siç emërtohej në të kaluarën dhe thirrej prej banorëve të vjetër të Tiranës. Në rrugën e Saraçëve zhvillohej aktivitet patriotik. Ende një pjesë e familjeve Saraçi banon në rrugën e Saraçëve dhe në afërsi të saj. Saraçët e tjerë banojnë në rrugen “Mujo Ulqinaku”, në rrugën “At Shtjefën Gjeçovi”, në pallatet 9-katëshe, mbrapa kinema “Partizani”, që janë në afërsi të rrugës së Saraçëve, etj.


  Gjithsej 31 faqe: « E parë ... « 11 12 13 14 15 16 17 18 19 [20] 21 22 23 24 25 26 27 28 29 » ... E fundit »
Trego 31 mesazhet në një faqe të vetme

Materialet që gjenden tek Forumi Horizont janë kontribut i vizitorëve. Jeni të lutur të mos i kopjoni por ti bëni link adresën ku ndodhen.