Forumi Horizont | Gjithsej 129 faqe: « E parë ... « 11 12 13 14 15 16 17 18 19 [20] 21 22 23 24 25 26 27 28 29 » ... E fundit » Trego 129 mesazhet në një faqe të vetme |
Forumi Horizont (http://www.forumihorizont.com/index.php3)
- Kombetarja Shqiptare (http://www.forumihorizont.com/forumdisplay.php3?forumid=240)
-- Kombetarja Shqiptare (http://www.forumihorizont.com/showthread.php3?threadid=1801)
Tre veteranët e ekipit kuqezi, Strakosha, Rraklli dhe Bushi kërkojnë mbështetjen e sportdashësve
Bushi: Publiku të na ndihmojë
Në nga sulmuesit e kombëtares, Alban Bushi, u ka kërkuar të gjithë tifozëve shqiptarë falje për humbjen në Gjeorgji. Sipas tij, skuadra në Tbilisi ka luajtur jashtë mundësive të saj, të cilat realisht janë parë në ndeshjen me Rusinë dhe Zvicrën. "Ekipi ynë ka 25 lojtarë cilësorë, të cilët janë shumë të rëndësishëm. Nëse ndonjëri dëmtohet, është shumë e vështirë që ky lojtar të zëvendësohet në ekip, pasi jemi shumë pak,"- është shprehur Bushi. Sipas tij, jo i gjithë faji është i futbollistëve të kombëtares. "Nuk jemi të vetmit që gabojmë. Psikologjikisht jemi ngarkuar edhe nga akuzat e shtypit, i cili një ditë na bën heronj dhe një ditë tjetër thur lloj-lloj historish," - ka vijuar më tej Bushi. Sulmuesi kuqezi ka lënë të kuptohet se ekipi është shumë i stresuar, pasi ka mbi vete një barrë të rëndë për të mbajtur: të fitojë me Gjeorgjinë. "Nuk kam ardhur për t'i marrë ekipit kombëtar, por për t'i dhënë atë që mundem, pasi prej tij kam arritur sukseset që kam në karrierën time. Në prag të kësaj ndeshjeje, duhet të bëj vetëm një thirrje për të gjithë tifozët dhe ata që e ndiejnë se janë nacionalistë: të jenë sa më shumë në stadium sot, pasi kështu e ndihmojnë ekipin të kalojë këtë gjendje të rëndë që u krijua pas humbjes me Gjeorgjinë,"- ka vazhduar Bushi. Në fund, sulmuesi kuqezi ka thënë se sot, kundër gjeorgjianëve, ekipi duhet të fitojë. "Objektivi që ka marrë ekipi para fillimit të eliminatoreve për Evropianin është mosrreshtimi në vendin e fundit të grupit, të cilin medoemos duhet ta evitojmë,"- ka përfunduar Alban Bushi.
Strakosha: Tifozët, arma jonë me e fortë
Kapiteni Foto Strakosha kërkon ndihmën e të gjithëve për ndeshjen e sotme në "Qemal Stafa". "I duam të gjithë në stadium, pasi tifozët janë arma më e fortë që ka kjo skuadër,"- është shprehur Strakosha. Kapiteni kuqezi ka vazhduar fjalën e tij, duke u kërkuar të gjithëve të jenë në stadium, edhe pse skuadra ka zhvilluar ndeshje shumë të dobëta këto kohë. "Eshtë e vërtetë që skuadra ka luajtur keq, por nuk është vetëm faji i futbollistëve. Trysnia që kemi është shumë e madhe, pasi medoemos duhet të fitojmë për të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen. Por nëse ekipit i mungojnë shumë futbollistë dhe për më tepër skuadra nuk ka shumë alternativa, faji nuk mund të jetë vetëm yni,"- ka vijuar më tutje Foto. Sipas tij, të gjithë futbollistët e konsiderojnë kombëtaren krenarinë e tyre. "Do të ishte e palogjikshme të mendohej se futbollistët nuk luajnë me dëshirë në kombëtare, pasi nuk është e drejtë," - ka thënë Strakosha. Por portieri legjendar i kuqezinjve nuk ka harruar të vërë në dukje edhe një anë negative të skuadrës kombëtare që, sipas tij, ndikon shumë në rezultatet e kuqezinjve. "Ndoshta të gjithë e kanë kuptuar se kombëtarja ka një ves të keq. Luan shumë mirë para kundërshtarëve të mëdhenj, ndërkohë që me skuadrat e vogla nuk tregon impenjim serioz. Por edhe në ndeshjet e fundit, kur nuk ka ndonjë objektiv, futbollistët mendojnë më shumë për veten, sesa për ekipin kuqezi," - ka përfunduar fjalën e tij Strakosha. Kapiteni kuqezi është shprehur se kombëtarja do të fitojë medoemos në ndeshjen e sotme me Gjeorgjinë.
Rraklli: Do të fitojmë ndaj Gjeorgjisë
Altin Rraklli ka qenë i fundit nga veteranët kuqezinj, i cili i është përgjigjur interesimit të gazetarëve. Sulmuesi kavajas është shprehur se i njeh mirë disa nga kundërshtarët e sotëm, edhe pse në ndeshjen e parë nuk ka luajtur. "Njoh disa nga futbollistët gjeorgjianë, të cilët luajnë në Gjermani. Janë një ekip shumë i fortë dhe në këto momente kanë një objektiv, për të cilin po luftojnë,"- është shprehur Rraklli. Sipas tij, kundërshtarët do të zbresin në "Qemal Stafa" të përgatitur, edhe pse në ndeshjen e parë kanë fituar me lehtësi. "Nuk dua të bëj parashikime para ndeshjes, por shpresoj që gjeorgjianët ta kenë marrë lehtë këtë ndeshje. Ne duhet të fitojmë, pasi kemi një objektiv që duhet ta përmbushim. Ndeshja duhet të luhet nga ana jonë me të gjithë maksimumin e forcave, ndonëse ekipi nuk po kalon një moment të mirë, - ka vijuar më tej ai. - Eshtë e vërtetë që goditja psikologjike ka qenë shumë e fortë, por futbollistët tanë janë profesionistë dhe do të japin maksimumin në fushë. Të njëjtën gjë do të bëj edhe unë, nëse trajneri do të më besojë një vend në formacionin bazë,"- është shprehur Rraklli. Por golashënuesi i kombëtares nuk ka harruar të japë edhe një vlerësim për ndeshjen e sotme, për të cilën thotë se shpreson ta fitojë Shqipëria, duke larguar hamendjet e të gjithëve për këtë skuadër. "Rruga e vetme është fitorja. Duhet ta arrijmë, pasi i kemi mundësitë. Në Tbilisi kam parë një ekip jo në formën tij më të mirë. Për më tepër, që kemi pasur edhe disa dëmtime që rezultuan serioze. Them se skuadra do të jetë sot në gjendje të reagojë," - ka përfunduar Rraklli.
Gjithsej 129 faqe: « E parë ... « 11 12 13 14 15 16 17 18 19 [20] 21 22 23 24 25 26 27 28 29 » ... E fundit » Trego 129 mesazhet në një faqe të vetme |
Materialet që gjenden tek Forumi Horizont janë kontribut i vizitorëve. Jeni të lutur të mos i kopjoni por ti bëni link adresën ku ndodhen.