Forumi Horizont Gjithsej 207 faqe: « E parë ... « 14 15 16 17 18 19 20 21 22 [23] 24 25 26 27 28 29 30 31 32 » ... E fundit »
Trego 207 mesazhet në një faqe të vetme

Forumi Horizont (http://www.forumihorizont.com/index.php3)
- Mediat Shqiptare (http://www.forumihorizont.com/forumdisplay.php3?forumid=129)
-- Komente (http://www.forumihorizont.com/showthread.php3?threadid=15321)


Postuar nga Fajtori datë 27 Shtator 2010 - 14:40:

Dita pa njerëz

Nga Koloreto Cukali

------------

Dita pa makina, ishte ditë me smog, me stres, me komunizëm, me majmunëri, me dhunë, me abuzime, me tallje dhe me spam. Ajo prodhoi të kundërtën e asaj që në perëndim është konceptuar të prodhojë. Në thelb ishte një ditë çnjerëzore.


DITA ME SMOG

Nëse dikush ka menduar që dita pa makina do na i lironte vrimat e hundës nga bloza e përditshme, e ka pasur shumë gabim. Makinat e bllokuara në trafik, për shkak të devijimit të detyrueshëm që shumë njerëz nuk e kishin marrë vesh ose ishin pak të informuar, prodhuan më shumë smog se çdo ditë tjetër. Pa folur për ndotjen akustike të borive të acaruara dhe sharjeve me gjithë shpirt të shoferëve. Pra, dita pa makina prodhoi të kundërtën e vet, një ditë më të pisët.

Në një Tiranë kaq të pisët, i vetmi vend ku ndjehesh i mbrojtur është makina jote. Kush mund të jetë aq budalla që për një ditë të heqë dorë nga mbrojtja e fundit që na ka mbetur? Kurrë! As po të na sulmojë King Kongu. Madje, King Kongu këtu e ka fundin të sigurt. Mjafton të bllokohet mes tymrave 10 minuta te 21-shi ose te Banka.

DITA ME STRES
Dita pa makina prodhoi stres ekstra, përveç dozës normale që kemi përditë. Me njerëz që ishin nisur për të kryer punët e tyre dhe që nuk kishin për të arritur dot dhe me autobusë të ngecur si balena në breg të detit, Dita Pa Makina u perceptua si një ditë torture.

Përpara se të realizohet një ditë pa makina, duhet organizuar transporti publik si mundësi alternative. Rrugë për biçikleta nuk ka. Pse duhet të harxhosh para për fotoksinë? Do të vrasësh veten? Bli një biçikletë, e bëj një xhiro te rruga e Durrësit.
Autobusët e Tiranës janë kampe përqendrimi me rrota. Aty të vjedhin, aty të shtyjnë, aty fatorinoja bie erë sikur sapo ka dalë nga stalla e derrave, aty ka njerëz që hipin me pula në dorë, aty të molestojnë, madje, ka molestues që kanë mësuar stilin që kur një vajzë ankohet me zë për ngacmimin, ngrenë zërin dhe e shajnë me fjalë të ndyra nën sytë apatikë të njerëzve që po vdesin. Sepse, autobusët transportojnë hallexhinj shoqërisht të vdekur. Të hipësh në autobus është turp.

Autobusët në Tiranë i kanë stacionet me 3 km distancë, si stacione treni. Shanset që të mund të organizosh rrugën tënde me 2 ndërrime autobusi, janë zero.
Për të shkuar diku me autobus në Tiranë të duhen minimalisht 30 minuta. Plus pritja në stacion. Autobusi që ecën si xhenaze, se i kanë vënë orar. Kush mban përgjegjësi për atë 1 orë që na vdes në autobus, për ditë, për 40 vjet? Apo, punë e madhe, janë orët e vdekura të hallexhinjve!

DITA ME KOMUNIZËM
"Dita Pa Makina", më kujtoi të dielën e pastrimit komunist. Edhe një të diel që njeriu mund të flinte deri vonë, binte dera që në 7. Duhej të dilje me detyrim të pastroje, ose...
Një ditë pa makina, duhej të ishte një kërkesë që vjen nga një grup i ndjeshëm komuniteti, ose OJF-ësh, për nga anëtarësia dhe për nga pesha në komunitet. Por, si në komunizëm, direktiva vjen nga lart, nga Komitetet e Reja Qendrore.
Edhe organizimi binte erë komunizëm. Një Ditë qytetare, që ruhet me policë. Ca kalamaj shkolle të nxjerrë me biçikleta. Ca kalamaj që shumë shpejt babi do u blerë makinën e tyre, e do na dhunojnë nesër në rrugë. Ca personalitete që dalin sa për të dalë në TV.

DITA ME MAJMUNËRI
Atëherë pse? Në një vend ku nuk dëgjoj të flitet kurrë për ekosistemin, ku biznesi i biçikletave (për inat të Norvegjisë) është në rrënim dhe biznesi i varrezave të makinave është në lulëzim, atëherë, pse?? Mos po kopjojmë si majmunët perëndimin, si me ligjin qesharak antiduhan apo ligjin anticelular në timon? Në një vend ku Fabrikat e Çimentos konkurrojnë Platformat e lëshimit të shuttle-ve të NASA-s, kush do që të duket më perëndimor se perëndimorët?!

"Ta mbrojmë natyrën". Sa qesharake kjo thirrje e gënjeshtërt, në një qytet ku kultura e luleve s'ka ekzistuar ndonjëherë, përveçse në varreza dëshmorësh. E përjetësuar mrekullisht në batutën e "Koncert në vitin '36": "...në këtë qytet lulet i hanë gomerët...".

I vetmi që më dhimbsej në tërë atë majmunëri, ishte më duket se Ambasadori Holandez, me ndjenjën e tij naive të kontributit qytetar. Tha diçka të tipit: "Kurrë nuk dal dot në rrugë me biçikletë, është shumë e rrezikshme, po sot dola se ishte dita pa makina..."

DITA ME ABUZIME
Shteti tentoi të na nxirrte në rrugë pa makinë. D.m.th., na la në shtëpi. Ky shtet, që nuk mbron dot këmbësorët e vet, të nxjerr në rrugë pa makinë.
Askush, nga ata që kanë makinë, nuk doli në këmbë. Ose nuk doli fare, ose la pa bërë punët, ose vendosi të tentojë me makinë. "Another one bites the dust!"


DITA ME TALLJE

Në tërë këtë histori njëditore tallja e madhe me të tërë ne është fakti që po ky shtet, promotori i ditës pa makina, është i paaftë të heqë nga rruga veturat e dumdumet që tymojnë si oxhakë fabrikash. Po ky shtet është i paaftë të aplikojë standardet e mosndotjes. Kontrolli i makinave, vazhdon të jetë një magazinë qesharake ku edhe një furrnaltë mund ta fusësh për kontroll teknik dhe ta nxjerrësh të miratuar me leje qarkullimi një vjeçare. Mjafton që shteti të marrë lekët, vit për vit.
Tallja është që ky shtet nuk ka asnjë strategji. Nuk kam parë askënd të mendojë të bëjë diçka që të paktën, pas 10 vjetësh, ky qytet të jetë më njerëzor e më miqësor me ambientin. Ky shtet ka vetëm leje ndërtimi për të dhënë.


DITA ME SPAM
E fundit, por jo më pak e rëndësishme. Ku e gjejnë të drejtën kompanitë celulare të na dërgojnë sms promovuese, qoftë dhe për një kauzë "të drejtë"? Pasi na kanë dërguar non stop reklama për shitje makinash, edhe këto, të pakërkuara.

DITA ME DHUNË
Duan të na mësojnë me dhunë, të mos përdorim makinën. Kush? Pushtetarët që nuk bëjnë më asnjë hap në këmbë. Kam vite që nuk e shoh në rrugë Kryetarin e Bashkisë. Sepse, nuk ecën në këmbë, përveçse kur ka kamerat nga pas te ndonjë rrugicë tregtarësh!! Kryeministri, që e ka shtëpinë 2 minuta larg nga puna, herë pas here shkon në këmbë në zyrë. Herë pas here?! Ai DUHET të shkojë PËRDITË në këmbë!!

A thua, përmes dhunës, qoftë dhe një person do të ndryshojë? A mundet që me këtë formë të ndërgjegjësojmë qoftë dhe një person të vetëm nga 1 milionë që ka Tirana? Dyshoj se jo. E vetmja gjë që po bëjmë, është se po i shtyjmë njerëzit të urrejnë iniciativat qytetare. Duam t'iu heqim makinën, kur makina është i vetmi simbol statusi për shumë njerëz. Para se ta bëjmë të lërë makinën me përdhunë, duhet t'i ofrojmë një qytet njerëzor. Dhe, Tirana, nuk është më njerëzore.
Në fakt, dita pa makina, është ditë pa njerëz.

----------------------------------------



Sa me shume kalon koha aq me shume shijen e dikurshme te Mustafa Nanos ma jep Koloreto Cukali. Ka sqime dhe komunikim imediat dhe humoristik.


  Gjithsej 207 faqe: « E parë ... « 14 15 16 17 18 19 20 21 22 [23] 24 25 26 27 28 29 30 31 32 » ... E fundit »
Trego 207 mesazhet në një faqe të vetme

Materialet që gjenden tek Forumi Horizont janë kontribut i vizitorëve. Jeni të lutur të mos i kopjoni por ti bëni link adresën ku ndodhen.