Forumi Horizont Gjithsej 129 faqe: « E parë ... « 15 16 17 18 19 20 21 22 23 [24] 25 26 27 28 29 30 31 32 33 » ... E fundit »
Trego 129 mesazhet në një faqe të vetme

Forumi Horizont (http://www.forumihorizont.com/index.php3)
- Kombetarja Shqiptare (http://www.forumihorizont.com/forumdisplay.php3?forumid=240)
-- Kombetarja Shqiptare (http://www.forumihorizont.com/showthread.php3?threadid=1801)


Postuar nga qershor13 datë 11 Shtator 2003 - 16:00:

Mbrëmë, në "Qemal Stafa", kuqezinjtë kanë fituar 3-1 ndaj Gjeorgjisë në ndeshjen e fundit për Euro 2004
Kombëtarja me dy fytyra

Kombëtarja me dy fytyra. Vetëm kështu mund të shpjegohet përfaqësuesja shqiptare në dy sfidat e brenda pak ditëve ndaj Gjeorgjisë. Kuqezinjtë zhgënjyes dhe të turpshëm në Tbilisi u shndërruan në idhuj dhe të magjishëm mbrëmë në "Qemal Stafa". Megjithatë, një fitore nuk mund të mbulojë "skifon" e kombëtares sonë katër ditë më parë në Tbilisi, apo të javëve të shkuara në Prilep ndaj Maqedonisë. Edhe 45 minutat e para, dje, ndaj Gjeorgjisë, kanë qenë të vakta, pa grintë, dhe shumë konfuze nga kuqezinjtë tanë, të cilët në pjesën e dytë janë kthyer në "luanë", duke pasur një udhëheqës në fushë, Igli Taren. Sulmuesi i Bolonjës ka luajtur mbrëmë ndoshta ndeshjen më të mirë me fanellën kuqezi, duke tërhequr pas vetes të gjithë skuadrën shqiptare. Kombinimet e tij të kolaudura prej vitesh me Rrakllin kanë qenë arma fituese e kombëtares në pjesën e dytë, ku nuk mund të mohohet edhe kontributi i Hasit, Shkëmbit dhe Klodian Duros në fazën sulmuese. Kanë mjaftuar vetëm dy minuta të pjesës së dytë për të përmbysur gjithçka. Kuqezinjtë, më shumë mes entuziazmit dhe dëshirës sesa skemave, apo qartësisë taktike, kanë shënuar dy gola të befasishëm, që i kanë dhënë drejtimin e fitores kuqezi ndeshjes së fundit në grup për tanët në këto eliminatore të Euro 2004-s.
Fillimisht, Hasi, i gjendur çuditërisht në zonën e vogël të portierit kundërshtar, ka shënuar golin e parë të kombëtares, por edhe të tijin me fanellën kuqezi. Më pas, Tare-Rraklli nxjerrin në kundërkohë të gjithë mbrojtjen gjeorgjiane, duke i dhënë mundësinë bjondit kuqezi të firmosë golin e dytë për tanët. Një pauzë disaminutëshe e kuqezinjve u ka dhënë shansin gjeorgjianeve, që nëpërmjet një aksioni model, të shënojë golin e parë dhe të vetëm për ta. Në fund nuk ka munguar edhe goli i Alban Bushit, i cili ka marrë një pasim të artë në Shkëmbi dhe i vetëm ka mposhtur, pas dy tentativave, portierin gjeorgjian, duke barazuar Rrakllin dhe Kushtën në kuotën e 10 golave me kombëtaren.
Kombëtarja ka fituar mbrëmë 3-1 me Gjeorgjinë falë karakterit, dëshirës, entuziazmit dhe mbështetjes së publikut, që me mbushjen e shkallëve të "Qemal Stafës" ka treguar se mbetet arma më e fortë e kuqezinjve, që këtë sezon eliminatoresh nuk humbën asnjëherë në fushën e tyre (2 fitore dhe 2 barazime). Një fitore që jep shanse për të mos qenë të fundit, por një tripikësh që nuk e mbulon dot dështimin e pak ditëve më parë në Tbilisi. Mbrëmë, Brigeli ka festuar, ndoshta, për të fundit herë në stolin kuqezi. Mbrëmë fituan sportdashësit që do të dëshironin gjithmonë ta shihnin të luante kombëtaren e tyre si në "Qemal Stafa", apo "Loro Boriçi", por kurrë si në Vollgograd, Prilep, apo Tbilisi, që fare mirë mund të quhen njollat e zeza të kombëtares në edicionin e Euro 2004-s. E kemi mbyllur me "happy-end", por nuk kemi mbyllur të gjithë problemet e kombëtares, që vetë Tare i trumbetoi me shumë forcë pas ndeshjes. Kjo kombëtare duhet të japë më shumë, pasi edhe shqiptarët nuk ia kanë kursyer mbështetjen, edhe pse mbrëmë në "Qemal Stafa" shiu i rrëmbyeshëm u duk se "fshiu" gjithçka të hidhur që lamë pas.


  Gjithsej 129 faqe: « E parë ... « 15 16 17 18 19 20 21 22 23 [24] 25 26 27 28 29 30 31 32 33 » ... E fundit »
Trego 129 mesazhet në një faqe të vetme

Materialet që gjenden tek Forumi Horizont janë kontribut i vizitorëve. Jeni të lutur të mos i kopjoni por ti bëni link adresën ku ndodhen.