Forumi Horizont Gjithsej 129 faqe: « E parë ... « 16 17 18 19 20 21 22 23 24 [25] 26 27 28 29 30 31 32 33 34 » ... E fundit »
Trego 129 mesazhet në një faqe të vetme

Forumi Horizont (http://www.forumihorizont.com/index.php3)
- Kombetarja Shqiptare (http://www.forumihorizont.com/forumdisplay.php3?forumid=240)
-- Kombetarja Shqiptare (http://www.forumihorizont.com/showthread.php3?threadid=1801)


Postuar nga qershor13 datë 11 Shtator 2003 - 16:06:

Kuqezinjtë kanë qenë shumë entuziastë pas fitores 3-1 ndaj Gjeorgjisë në "Qemal Stafa"
Tare: Kjo fitore nuk mbulon gabimet
"Në bisedën që pata me trajnerin para takimit i thashë se isha shumë i sigurt se skuadra ndaj gjeorgjianëve nuk do të kishte nevojë për shumë motivim. Ne e fituam ndeshjen, por dëshiroj që me një rezultat të tillë pozitiv të mos mbulohen gabimet. Them kështu sepse skuadra po shpalos dy fytyra dhe mendoj se kemi shumë për të bërë në të ardhmen. Gëzimi duhet të jetë sot për sot dhe që nesër stafi drejtues dhe skuadra duhet të mendojnë për të ardhmen."

Edvin Murati:
"Pësova një dëmtim të lehtë dhe nuk pata mundësi ta vazhdoja lojën, por shokët e mi mendoj se ma shpërblyen me fitore. Haxhi, që u rikthye në kombëtare, luajti shumë mirë. Fitorja qe e merituar dhe u treguam tifozëve se kemi për të bërë shumë."

Lorik Cana:
"Dëshira ime për të luajtur me fanellën kombëtare të Shqipërisë ka qenë e madhe dhe deri tani kam marrë mjaft kënaqësi. Në ndeshjen e djeshme bëmë një kthesë, krahasuar me takimin e para katër ditëve dhe e merituam fitoren. Kjo qe fitorja ime e parë me përfaqësuesen kuqezi dhe dëshiroj të arrij të tjera."

Blendi Shkëmbi:
"Jam shumë i gëzuar që në takimin e parë timin si titullar me kombëtaren arritëm të fitonim. Kam pasur disi ndrojtje në fillim, por më pas u mundova t'i kaloja emocionet. Në minutat e para u mundova të isha më i sigurt dhe më pas mora më shumë gjëra përsipër, duke arritur të dilja në lojën time. Shpresoj që në të ardhmen të vazhdoj me këto ritme."

Alban Bushi:
"Në radhë të parë, falënderoj publikun, që me mbështetjen e tij na nxiti në këtë fitore. Ne kishim nevojë për ngrohtësinë e tij, pas kritikave të shumta që morëm për humbjen e së shtunës në Gjeorgji. Mendoj se ishim në një stres të madh para takimit, por gjithçka e kaluam me sukses dhe arritëm të fitojmë."

Besnik Hasi:
"Jam shumë i lumtur për golin që shënova. Duhet të fitonim pasi ishim borxhlinj përpara publikut tonë, i cili na mbështeti në një numër aq të madh. Me fitoren e arritur përmbushëm imazhin e keq që krijuam në takimin e disa ditëve më parë në Tbilisi. Në të ardhmen shpresoj të kemi një lojë më të qëndrueshme dhe të arrijmë rezultate më të larta."

Ardian Aliaj:
"Ekipi gjeti forca dhe tregoi karakter në fushën e lojës, duke marrë një fitore të vlefshme. Jam shumë i kënaqur, pasi i mbyllëm denjësisht këto eliminatore."

Foto Strakosha:
"Meritën më të madhe në fitoren tonë e ka publiku. Jo vetëm që na fali për ndeshjen e keqe para disa ditësh, por edhe na mbështeti pa rezerva. Për të ardhmen time, mund të them se jam edhe këtë sezon në aktivitet dhe do të largohem nga kombëtarja kur ta mendojë trajneri."

Klodian Duro:
"I gjithë ekipi tregoi forcën e tij dhe se, nëse jemi të bashkuar, kemi mundësi të mëdha. Për rolin tim, unë u jam përshtatur ideve të trajnerit dhe kudo që kam luajtur kam dhënë maksimumin. Kjo skuadër, gjatë gjithë eliminatoreve, tregoi se është në rrugë të mbarë. Nëse do të luajmë më me shpirt, kemi për të marrë rezultate më të mëdha, ndoshta mund të kualifikohemi në botëror."


  Gjithsej 129 faqe: « E parë ... « 16 17 18 19 20 21 22 23 24 [25] 26 27 28 29 30 31 32 33 34 » ... E fundit »
Trego 129 mesazhet në një faqe të vetme

Materialet që gjenden tek Forumi Horizont janë kontribut i vizitorëve. Jeni të lutur të mos i kopjoni por ti bëni link adresën ku ndodhen.