Forumi Horizont Gjithsej 31 faqe: « E parë ... « 19 20 21 22 23 24 25 26 27 [28] 29 30 31 »
Trego 31 mesazhet në një faqe të vetme

Forumi Horizont (http://www.forumihorizont.com/index.php3)
- Shqiperia, traditat kulturore (http://www.forumihorizont.com/forumdisplay.php3?forumid=114)
-- Tirana (http://www.forumihorizont.com/showthread.php3?threadid=137)


Postuar nga i_lire datë 18 Korrik 2004 - 00:30:

Rrugët e Tiranës

Përveç historisë së ngjarjeve, figurave, Tirana ka edhe një histori rrugësh. Nga familjet e vjetra tiranase, tek heronjtë dhe dëshmorët e njësive partizane, por edhe artistë, politikanë, gjeneralë, miq të Shqipërisë; rrugët dhe sheshet e kryeqytetit kanë përjetësuar një mori individësh të njohur, të harruar ose krejt të panjohur nga vetë kryeqytetasit. Historia e Tiranës mund të ndërtohet edhe nga historia e rrugëve të saj. Fatet e kësaj historie i ka vendosur një organizëm “i padukshëm” në institucionin e Bashkisë së Tiranës, Këshilli Bashkiak, edhe pse shpesh emërtimet nuk kanë ngjitur dhe njerëzit e kanë ndryshuar fatin e këtyre vendimeve. Nga ana tjetër, një mori rrugësh e sheshesh kanë emra që përgjithësisht nuk janë memorizuar, pasi janë ndërruar shpesh, duke i ngatërruar njerëzit. Ndërkaq, mungesa e pllakave të rrugëve, vendosja e tyre gabim ose fshirja së shkronjave është një problem tjetër, që i ka shtuar keqkuptimet. Lista e emërtimeve të rrugëve të kryeqytetit për një pjesë të banorëve të Tiranës është “idiomë”. Për shembull, rruga “Gjeneral Nikols” shumicës së tyre nuk u kujton asgjë. Ka plot nga ata që nuk e dinë se paskërka një shëtitore “Lasgush Poradeci” ose një shesh me emrin “Paris”. Emërtimet e reja, pas ndryshimesh të shumta, zëvendësimesh e fshirjesh për shkak të konotacionit komunist, ende nuk janë në përdorim nga kryeqytetasit. Për shembull, shumë qytetarë sheshit “Mustafa Qemal Ataturk” vazhdojnë t’i thonë “21 dhjetori” (pasi e kanë fshirë nga kujtesa “evenimentin” që i dha emrin këtij kryqëzimi gjatë regjimit komunist), i cili përkujtonte ditëlindjet e Stalinit. Nga ana tjetër, “Rrugës së Kavajës” nuk i ngjiti kurrë emërtimi “Konferenca e Pezës” e që tani e ka zgjatimin e saj fundor drejt Kombinatit. Referimi me familjet tiranase, nga ana tjetër, janë emërtimet më solide të rrugëve të kryeqytetit. Disa prej tyre qysh prej themelimit të Tiranës, shpalljes së pavarësisë ose nga koha e shtetit të Zogut.

Rrugët e vetëpagëzuara

Paçka se “Rruga e Dibrës” është pagëzuar nga Këshilli Bashkiak me emrin rruga “Bajram Curri”, ajo edhe sot e kësaj dite vazhdon të quhet “Rruga e Dibrës” e, më në fund, edhe vetë insitucioni ka vendosur ta quajë kështu këtë rrugë edhe zyrtarisht. Është një rrugë e vetëpagëzuar, e cila ishte pikënisja e rrugës së vjetër për në Dibër, nga Qafa e Tujanit dhe ku u vendosën shumë prej migrantëve dibranë që zbarkuan në qytetin e Tiranës, i cili pranoi t’i kishte në gjirin e vet, pasi ishin refuzuar në Elbasan. Tani komuniteti i dibranëve të vjetër është identifikuar fort në këtë zonë të Tiranës. Ndërkaq, emërtimi “Bajram Curri” ka kaluar si emërtim për bulevardin përgjatë Lanës, në pjesën e jashtme të unazës së kryeqytetit. “Rruga e Kavajës” gjithashtu ka një histori të ngjashme emërtimi dhe qytetarët e kanë thirrur gjithnjë kështu, megjithëse zyrtarisht ajo ka mbajtur gjithnjë emrin “Konferenca e Pezës”, ndërsa vitet e fundit edhe emërtimi i saj zyrtar përputhet me emërtimin e popullit dhe vetëm pjesa e mbetur e rrugës nga sheshi “Ataturk” për në Kombinat ka emrin “Konferenca e Pezës”. Po kështu edhe “Rruga e Durrësit”.

Rrugët e dëshmorëve

Një mori rrugësh në kryeqytet përjetësojnë dëshmorët, partizanët dhe këto emërtime janë ruajtur. Sipas Valter Gjonit, përgjegjës i sektorit të historisë dhe traditës kulturore në Bashkinë e Tiranës, gjatë emërtimeve të rrugëve është bërë kujdes të risillen vlerat, të mos çohen në periferi figurat e rëndësishme, por të mos bëhet më luftë klasash deri edhe me emërtimet e rrugëve, siç ishte bërë më parë. Kjo është arsyeja për të cilën shumë emërtime rrugësh nuk janë ndryshuar për shkak të traditës që kanë krijuar këto emërtime. Nga ana tjetër, sipas Gjonit, u vu re një mungesë e emërtimeve nga rilindasit. “Rruga e sotme “Abdyl Frashëri”, përkarshi Presidencës, vetëm para pak vitesh vazhdonte të quhej rruga “Miqësia”, megjithëse askush nuk e mbante më mend se për çfarë miqësie bëhej fjalë”,- shprehet Gjoni. “Kishte gjithashtu dy rrugë “Mine Peza”, njëra prej të cilave e tepërt, që tani quhet “Asim Vokshi”. Rruga tjetër tregonte pikërisht vendin pranë burgut ku është vrarë Mine Peza”,- shprehet spcialisti i kulturës në bashki. Është shtuar gjithashtu rruga “Murat Toptani”, pranë Galerisë së Arteve, pasi edhe ai ka qenë një artist (skulptor).”

Rrugët e familjeve tiranase

Rruga e Bogdanëve, e Tafajve, e Saraçëve... Një pjesë të mirë të historisë së rrugëve të Tiranës e kanë bërë familjet e vjetra të kryeqytetit. Bashkia e Tiranës ka vendosur t’i ruajë këto emërtime të rëndësishme. Për shembull, “Rruga e Bogdani” shenjon pikërisht emrin e fisit me këtë emër. Ky emër iu rikthye vetëm para rreth 3 vjetësh kësaj rruge dhe emërtimi që e zëvendësonte, “Andon Zako Çajupi” i kaloi një tjetër rruge, aty ku ndërthuren rrugë me emërtime kryesisht të personaliteteve rilindase. Rruga e re “Andon Zako Çajupi” i ka vajtur pranë një busti të rilindasit të shquar. Emërtimet e këtyre rrugëve janë nga më të vjetrat. Si për shembull, “Rruga e Tafaj” është një rrugë rreth 200-vjeçare, pranë Selvisë, tek Akademia e Tafajve.


  Gjithsej 31 faqe: « E parë ... « 19 20 21 22 23 24 25 26 27 [28] 29 30 31 »
Trego 31 mesazhet në një faqe të vetme

Materialet që gjenden tek Forumi Horizont janë kontribut i vizitorëve. Jeni të lutur të mos i kopjoni por ti bëni link adresën ku ndodhen.