Forumi Horizont Gjithsej 404 faqe: « E parë ... « 281 282 283 284 285 286 287 288 289 [290] 291 292 293 294 295 296 297 298 299 » ... E fundit »
Trego 404 mesazhet në një faqe të vetme

Forumi Horizont (http://www.forumihorizont.com/index.php3)
- Politika Shqiptare (http://www.forumihorizont.com/forumdisplay.php3?forumid=45)
-- Sali Berisha, komunisti i veshur tani me petkun e Demokracise?! (http://www.forumihorizont.com/showthread.php3?threadid=14943)


Postuar nga Vizioner datë 10 Gusht 2010 - 22:12:

Notojmë në korrupsion



Në këtë vapë gushti shqiptarët kanë shpresuar të pushojnë të qetë, larg zhurmës së
përditshme të politikës ose së paku larg fytyrave të politikanëve që u dalin përditë në ekran apo gazeta. Mirëpo kjo nuk qenka e thënë për kreun e qeverisë, të cilit, me sa duket, dalja katër ose pesë herë në ditë në TV, me gjasë i duket mënyra më e mirë për të mbyllur ditën e tij të punës. Ndoshta Kryeministri e përjeton si ankth mungesën e daljes së përditshme në publik, ndryshe nuk shpjegohet kjo nevojë për propagandë bajate edhe gjatë ditëve të tij të pushimit.

Zëdhënësja e tij na dha lajmin se "Kryeministri ka thyer rekordin në not duke notuar për rreth 127 minuta në det ose 4 minuta më shumë se sa vjet" (!!), kurse vetë "notari" qeveritar nën ritmin e sazeve popullore dhe me gërshërët në dorë, njëlloj si dikur Enveri, duke prerë shiritin e një rruge fshati në Himarë, u deklaroi shqiptarëve se "përsa kohë do ta votonin, motoja e tij do ishte zero tolerancë ndaj korrupsionit".

Fjalët e tij ka kohë që i merr jo era, po flladi, ndërkohë që rekordet reale në Shqipëri po i vendos korrupsioni që e ka kthyer këtë vend në një parajsë hajdutësh me imunitet politik. Ajo që publiku mëson përditë është që Kryeministri peshqit e mëdhenj të korrupsionit, nëse do që ti luftojë vërtet, i ka afër vetes dhe në të gjitha nivelet e pushtetit. Fjalët janë larg veprave dhe me sa duket janë e vetmja gjë që i ka mbetur tashmë një kryeministri, motoja antikorrupsion e të cilit është thjesht fasadë dhe e dështuar.

Por bashkë me vapën e gushtit, Berishës i duhet të mendojë edhe për të "ftohtin e madh" që e pret në vjeshtë me krizën e thellë ekonomike të vendit dhe me paralajmërimin se proceset integruese të vendit janë bllokuar. Në rast se Evropa nuk bindet as kësaj here për të hequr vizat për shqiptarët, ai nuk mundet më as të akuzojë opozitën e vendit, pasi kushtet e fundit që janë vënë për të plotësuar lidhen kësaj here ekskluzivisht vetëm me punën e qeverisë dhe hallkave të tjera të shtetit, të cilave BE-ja u kërkon rezultate konkrete në luftën ndaj korrupsionit dhe ngrirjes së pasurive të vëna në rrugë kriminale.

Është kjo arsyeja e kërcënimeve të tij publike me "Ligj e Maliq", ndërsa nën rrogoz i porosit oborrtarët e tij të rrinë urtë derisa BE-ja të marrë vendim për vizat e më pas të hidhen në sulm për t'u përgatitur për fushatën e zgjedhjeve që vijnë.
Ndërkombëtarëve disa gjëra u duhen thënë troç dhe qartë: E para, "korrupsionistët" që BE-ja kërkon të luftojmë, kanë kohë që lëvizin pa viza nëpër Evropë e botë, ndaj "kërcënimi" me vizat vlen vetëm për shqiptarët e ndershëm. E dyta, betimet e radhës të Kryeministrit për "tolerancë zero" ndaj korrupsionit dhe krimit në vend, nuk di nëse këta ndërkombëtarë i marrin seriozisht, në kushtet kur këto betime nuk i besojnë më as shqiptarët. Edhe shqiptarët që kanë votuar Kryeministrin e kanë tashmë të qartë se shteti ligjor në Shqipëri është përulur përpara njerëzve që notojnë në ujin e parave të korrupsionit dhe ky i fundit sponsorizohet në një masë të dukshme nga mungesa e demokracisë në vend.

Ndaj kësaj here perëndimi nuk duhet të na kërkojë sigurinë e kufijve dhe as teknologjinë moderne për ruajtjen e tyre, sepse dihet që ne jemi vend anëtar i NATO-s dhe siguria vetëkuptohet, por duhet ti kërkojë në mënyrë konsekuente Kryeministrit të vendit
transparencën e zgjedhjeve dhe bërjen e zgjedhjeve të lira e të ndershme pasi kjo do ti hapte rrugë rrotacionit normal të pushtetit dhe do t'u priste rrugën njëherë e përgjithmonë lobeve të errëta të krimit dhe biznesit drejt politikës.

Ekuacioni ynë është i thjeshtë: Nëse Kryeministri bindet të respektojë me vepra standardet demokratike të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, atëherë ai apo kushdo tjetër që do të vijë në pushtet do ta ketë më të lehtë për të marrë notën 10 në luftën ndaj krimit dhe korrupsionit. Por me ç'duken punët Kryeministrit tonë i rroftë rekordi në not se e vetmja "luftë" kundër korrupsionit që di të bëjë është të na ngopë nga televizori me
përralla dimri.

Shpresojmë që vizat të hiqen për të përfituar të vetmit shqiptarë që deri tani pengohen: qytetarët e ndershëm dhe të varfër të këtij vendi. Por bëjmë mirë ta dimë se heqja e vizave nuk është bonus për punën e mirë të pushtetit dhe qeverisjes. Po të ishte kështu, nuk do ishim të fundit. Qytetarët e nëpërkëmbur të këtij vendi, e meritojnë një shpërblim të vuajtjeve dhe sakrificave shekullore të tyre për t'ju bashkangjitur perëndimit, të dashurisë së tyre pa kushte ndaj jetesës dhe lirisë perëndimore. Dhe është e qartë se në kushtet kur jemi të fundit në listë, askush nuk ka të drejtë të bëjë politikë me një procedurë si vizat. Askush, e aq më pak këta qeveritarë të përçmuar që kemi sot.


-Shekulli-


  Gjithsej 404 faqe: « E parë ... « 281 282 283 284 285 286 287 288 289 [290] 291 292 293 294 295 296 297 298 299 » ... E fundit »
Trego 404 mesazhet në një faqe të vetme

Materialet që gjenden tek Forumi Horizont janë kontribut i vizitorëve. Jeni të lutur të mos i kopjoni por ti bëni link adresën ku ndodhen.