Forumi Horizont | Gjithsej 7 faqe: « 1 2 [3] 4 5 6 7 » Trego 7 mesazhet në një faqe të vetme |
Forumi Horizont (http://www.forumihorizont.com/index.php3)
- Besimi Fetar (http://www.forumihorizont.com/forumdisplay.php3?forumid=182)
-- Lutje Per Raste Te Vecanta_ Per Te Gjithe (http://www.forumihorizont.com/showthread.php3?threadid=11653)
MBROJTJA
O Zot, Perëndia im! O Ti Ndihmuesi i të dobtëve, Mbështetësi i të varfërve dhe Shpëtuesi i të pashpresëve që e kanë kthyer fytyrën ndaj Teje.
Me përunjësinë më të madhe, shtrij me lutje duart drejt mbretërisë Sate të bukurisë dhe të drejtohem Ty me zjarr, duke thënë me gjuhën e shpirtit: O Perëndi, Perëndia im! Më ndihmo të të adhuroj Ty; forcoji shpatullat e mia që të të shërbej Ty; më ndihmo me mirësinë Tënde në shërbimin Tënd; më bëj të qëndroj i patundur në bindjen time ndaj Teje; derdhe me bollëk mbi mua bujarinë Tënde, hidhe vështrimin e syrit të dashamirësisë Sate nga unë, dhe më zhyt në oqeanin e mëshirës Sate. Më mbështet në devotshmërinë time ndaj Besimit Tënd dhe më jep më shumë bindje e siguri, që unë të shkëputem krejtësisht nga bota, ta kthej fytyrën me përkushtim të plotë ndaj fytyrës Sate, të forcohem me fuqinë bindëse të provave e të dëshmive dhe, i veshur me madhështi e pushtet, të mund të kaloj tej çdo ane të qiellit e të tokës. Me të vërtetë Ti je i Mëshirshmi, Lavdiploti, i Miri, Zemërdhembshuri.
O Zot! Këta janë ata që mbijetuan prej martirëve të Tu, prej atij reparti shpirtrash të bekuar. Ata kanë përballuar çdo vuajtje dhe kanë treguar durim para padrejtësisë së madhe. Ata kanë braktisur çdo rehati e begati, i janë nënshtruar me dëshirën e vet vuajtjeve e fatkeqësive të tmerrshme në rrugën e dashurisë për Ty, madje ende mbahen robër në kthetrat e armiqve të tyre, që vazhdimisht i torturojnë me vuajtje të padurueshme dhe i shtypin, sepse ata ecin të patundur në rrugën Tënde të drejtë. Askush nuk i ndihmon ata, askush nuk miqësohet me ta. Veç të poshtërve e të ligjve, askush nuk shoqërohet e nuk shkon me ta.
O Zot! Këta shpirtra kanë provuar agoni të hidhur në këtë jetë tokësore dhe, si shenjë të dashurisë së tyre për bukurinë e shndritshme të fytyrës Sate e në zellin për të arritur mbretërinë Tënde qiellore, kanë duruar çdo poshtërim të madh që njerëzit e tiranisë u kanë shkaktuar.
O Zot! Mbushi veshët e tyre me vargjet e ndihmës hyjnore e të një fitoreje të shpejtë, dhe shpëtoji ata nga shtypja e kësaj fuqie aq të tmerrshme. Mbaje dorën e të ligut dhe mos i lër këta shpirtra të shqyhen prej kthetrave e dhëmbëve të bishave të egra, sepse ata i ka pushtuar dashuria për Ty, besojnë në misteret e shenjtërisë Sate, qëndrojnë të përunjur në portën Tënde dhe kanë arritur në oborrin Tënd të lavdëruar.
O Zot! Forcoji mirësisht ata me një frymë të re; ndriçoji sytë e tyre, duke i bërë të aftë të sodisin provat e Tua mahnitëse në errësirën e natës; cakto për ta çdo gjë të mirë që është me bollëk në Mbretërinë Tënde të mistereve të përjetshme; bëji ata të shkëlqyer si yjet që ndriçojnë mbi të gjitha vendet, pemë të begata plot fruta e degëza që lëvizin nga flladet mëngjesore.
Në të vërtetë, Ti je Bujari, i Fuqishmi, Ai që ka në dorë gjithçka, i Padetyruari. Nuk ka Perëndi tjetër veç Teje, Perëndisë së dashurisë e të mëshirës së dhembshur, Lavdiplotit, Gjithmonëfalësit.
'Abdu'l-Bahá
----------------------------
Ai është Zemërdhembshuri, Bujariploti! O Perëndi, Perëndia im! Ti më sheh, Ti më njeh mua; Ti je Qielli im dhe Streha ime. Unë nuk kam kërkuar as do të kërkoj askënd veç Teje; nuk kam shkelur as do të shkel asnjë shteg veç shtegut të dashurisë Sate. Në natën e errët të dëshpërimit, syri im drejtohet në pritje e plot shpresë nga agimi i favorit Tënd të pakufishëm dhe në atë çast shpirti im i lëshuar freskohet e forcohet duke kujtuar bukurinë e përsosurinë Tënde. Ai që hiri i mëshirës Sate e ndihmon, edhe në qoftë një pikë e vogël, do të bëhet një oqean i pakufi, dhe atomi më i thjeshtë që vërshimi i dashamirësisë Sate e mbështet do të shkëlqejë si ylli i ndritshëm.
Fute nën mbrojtjen Tënde, O Ti Shpirt i dëlirësisë, Ti që je Dhënësi Bujariplotë, shërbëtorin Tënd të magjepsur e të frymëzuar. Ndihmoje atë në këtë botë të qenies që të qëndrojë fort e i patundur në dashurinë Tënde, dhe bëje këtë zog krahëthyer të gjejë strehë në folenë Tënde hyjnore që ndodhet në pemën qiellore.
'Abdu'l-Bahá
Gjithsej 7 faqe: « 1 2 [3] 4 5 6 7 » Trego 7 mesazhet në një faqe të vetme |
Materialet që gjenden tek Forumi Horizont janë kontribut i vizitorëve. Jeni të lutur të mos i kopjoni por ti bëni link adresën ku ndodhen.