Forumi Horizont | Gjithsej 23 faqe: « 1 2 [3] 4 5 6 7 8 9 10 11 12 » ... E fundit » Trego 23 mesazhet në një faqe të vetme |
Forumi Horizont (http://www.forumihorizont.com/index.php3)
- Analiza (http://www.forumihorizont.com/forumdisplay.php3?forumid=291)
-- Europa: destinacioni X (eseja e Mustafa Nanos qe fitoi çmimin e pare) (http://www.forumihorizont.com/showthread.php3?threadid=8307)
Kamja, magjia e Perëndimit
Thirrja "E duam Shqipërinë si gjithë Europa" vinte së shumti prej përfytyrimit mitik që kishin për Perëndimin shqiptarët e rritur në komunizëm, të cilin (përfytyrimin mitik) shkrimtari e publicisti Fatos Lubonja e ndan në dy pjesë në një esse të vetën të titulluar "Ndryshimi në lindje i perceptimit të perëndimit"; miti i Perëndimit si toka e premtuar dhe miti i Perëndimit si shpëtimtari i mundshëm nga e keqja që i kish kapluar, komunizmi. Te kjo thirrje ishte çuditërisht e lehtë të gjente strehë çdo aspirim për liri, demokraci, siguri e kamje. Dy të parat, liria e demokracia, ishin e janë koncepte shumë të vagullta për shqiptarët (ç'është e vërteta, me gjithë zhbirilimet e bëra në shekuj, mbeten paksa të vagullta edhe për mendimin e sotëm filozofik e politik); ndërsa siguria e kamja jo. Nevoja për siguri nuk është ndonjë nevojë inteligjente. Është një nevojë primare e primordiale, domethënë, përpara se të jetë shqiptare, është njerëzore. E njëjta gjë mund të thuhet edhe mbi nevojën për të mbijetuar, gjë që, afërmendsh, nuk mund të njëjtësohet me nevojën për të qenë të kamur. Janë dy nevoja të ndryshme, por të përmbushura nëpërmjet së njëjtës rrugë nga shqiptarët: pragmatizmit proverbial të tyre. Shqiptarët kanë patur tradicionalisht me (s)kamjen një raport të drejtëpërdrejtë e mirëkuptues, që me shumë zor mund të trazohej e "ndotej" nga, fjala vjen, ideali patriotik, shqetësimi për të ardhshmen e vendit, apo nga fetishizimi i kulturës e i njerëzve të kulturës. Këtej nga anët tona, kamja ka qenë prore e lidhur me dinjitetin e me zotësinë e njeriut; dhe ka qenë e lidhur aq shumë, sa regjimit komunist, ndërsa idealin e kamjes e shihte si konkurenten më të frikshme të ideologjisë së vet, iu desh jo vetëm t'i shpronësonte në emër të një bote pa pronë private, por edhe t'i demonizonte, ish-çifligarët e ish-bejlerët dhe t'i vizatonte ata si e keqja totale e fatale e Shqipërisë. Por pavarësisht nga ky fakt e pavarësisht nga lufta sistematike që u bë kundër pronës private, raporti i shqiptarëve me (s)kamjen nuk u prish. Pas rënies së komunizmit, gjëja e parë që ndodhi natyrshëm e përveç të tjerash, ishte, jo vetëm rehabilitimi material i pinjollëve të ish-çifligarëve e ish-bejlerëve (gjë e drejtë, kjo), por edhe rehabilitimi "moral" i këtyre të fundit, madje aty-këtu, etërit e tyre shihen si krenaria e ajka e qëmotshme e kombit.
Në jug edhe sot e kësaj dite, njerëzit e varfër, për t'i dalluar si një kategori e përbuzur dhe e përbuzshme, thirren me një emër fyes e skualifikues, që Lumo Skëndo e përdorte për të poshtrit e të liqtë: harbutë. Skamja legjendare në regjimin komunist e shndërroi kamjen si kurrëndonjëherë në një kult. Europa për shqiptarët e fundviteve '80, përpara se të ishte Europa kristiane, Europa e vlerave, e kulturës, e qytetërimit, e solidaritetit njerëzor, e shtetit të së drejtës, ishte thjesht Europa që notonte në luks, Europa e kamur dhe e stërkamur; varianti hedonist për jetën përcillej së pari e së shumti, si një provokim konstant ndaj njerëzve të zhytur në mizerje, nga televizionet italiane e jo vetëm italiane. Këtij provokimi nuk mund t'i shpëtonte askush, as ai që dinte ta shihte realitetin perëndimor ashtu siç ishte në të vërtetë. Arsyeja është e thjeshtë. Mund të gjendej ndonjë mënyrë për të përmbushur kureshtjen dhe urinë intelektuale e kulturore, mund të gjendeshin mënyra për të lexuar ndonjë libër të ndaluar nga censura, mund të gjendeshin ca miq, me të cilët mund të tirrje biseda të thella, të rënda, ku jo vetëm s'lihej gjë pa thënë kundër komunizmit, por analizohej me sy kritik edhe vetë Perëndimi, mund të sajohej ndonjë strofull e painfektuar nga monotonia komuniste e larg syve vigjilentë të regjimit, mund ta mbaje gjallë mëtimin për të mos u njëjtësuar me realitetin, pra mund të bëheshin të gjitha këto por kishte një moment ku megjithatë ti ishe si të tjerët dhe asnjë gatishmëri për të bërë sfida heroike nuk të shpëtonte. Do të mbaje radhën e gjatë për të bërë shoping-un e përditshëm, domethënë për të blerë djathin, qumështin, vezët, mishin, perimet, do të digjej xhani për të mbathur një palë bluejeans apo për të mbllaçitur një chewing-gum, do t'i bije këmbës për një palë gym-shoes, ishte luks të përdorje shampo, letër higjienike, cigare me filtër, biçikletë, për të mos thënë pastaj që nuk mund të kishe kurrën e kurrës një makinë e nuk mund të organizoje pushimet sipas qejfit. Kur blije një palë këpucë, një radio dore apo qoftë edhe diçka më pak të vlefshme, gati të gjithë të njohurit nuk harronin të bënin urimin më kuptimplotë në një botë të mizerjes: t'i gëzosh me shëndet! Ishte një skamje okupatore e persekutore.
Pasojat u panë pas përmbysjes së komunizmit. Aty për aty, ndërsa zunë të shijonin lirinë e ëndërruar (pasi makina e terrorit shtetëror u fik), shqiptarët mbetën të persekutuar prej skamjes. Rruga drejt kamjes ishte e gjatë (edhe drejt demokracisë xhanëm, por për këtë kokëçarja ishte dhe është e vogël), ndërsa durimi ishte i paktë. U thurën ato kohë në formën e një thashethemnaje gjigande ëndërra të bukura, të cilat kishin lidhje me vullnetin e Perëndimit për të sponsorizuar shpejt e shpejt një Shqipëri të kamur (e ç'është Shqipëria?, thuhej. S'e ka problem Perëndimi të ngrejë ekonomikisht më këmbë një vend me popullsi sa një e treta e një metropoli të tij), aq sa entusiazmi i paparë ndonjëherë, me të cilin u prit më 1991 Sekretari Amerikan i Shtetit James Backer, u shua në mënyrën më trishtuese, kur u mor vesh se nuk kish premtuar më shumë se gjashtë milionë dollarë. Perëndimi shihej kolektivisht bash ashtu siç shihej individualisht xhaxhai i ikur prej kohësh në Amerikë: si bamirës që me t'u bërë i vetëdijshëm për fukarallëkun e këtushëm, do t'i këputej shpirti, do të vinte dorën në zemër e do të hapte thesin e mbushur dingas me para.
Nuk u desh shumë kohë për të kuptuar se kjo shpresë ishte një vetëgënjim fëmijësh, gjë që, edhe pse ishte në të vërtetë një goditje e fortë, nuk e lëndoi psikozën e pasurimit të shpejtë. Pas hapjes së kufijve, emigrantët e parë, ndërsa ktheheshin përkohësisht, sillnin rrogën e disa muajve, që përbënte një shumë goxha të madhe për Shqipërinë e vitit '91, e rrëfenin pambarim historira me kapitalistë grekë e italianë, të cilët u kishin rezultuar kokëgdhë, por kishin para pa fund (ndërsa ne shqiptarët jemi më inteligjentë se ata, por jemi të varfër - thuhej). Shumica e këtyre historirave ishin të sajuara, por së bashku me suksesin e mikrobizneseve të këtushme në një ekonomi të sapolindur e të çoroditur tregu, nxisnin psikozën e një pasurimi të shpejtë e të pamundimshëm. Kjo psikozë u bë sunduese. Bashkë me epideminë e kioskave, plasi epidemia e lojrave fitimprurëse. Në çdo qendër urbane me një popullsi mbi dy mijë banorë lindën lokalet Bingo, ndërsa televizioni shtetëror (më i madhi në vend dhe i vetmi deri më 1998) organizoi programin më të ndjekur në historinë e televizionit shqiptar, të titulluar "Telebingo". Nisi organizimi kombëtar i toto-futbollit, i lloto-sportit, dhe i llotarive të panumërta, magjia e të cilave ishte dhe është te mundësia për t'u pasuruar tak-fak. Televizionet private me moshë vetëm trevjeçare janë pushtuar nga të njëjtat ethe. Mania e tyre janë mega-llotaritë e ndërtuara në formë spektaklesh super të kushtueshme, për të cilat bëhet një publicitet agresiv ne shtyp, në televizion, në radio, në rrugë, kudo e kurdo. Spot-i televiziv i lojës "gërvisht e fito" transmetohet me një frekuencë të çmendur nga më shumë se dhjetë televizione, ndërsa logo-ja publicitare e saj ka pushtuar uniformisht të gjithë gjatësinë e superstradës së sapondërtuar Tiranë-Durrës. Nuk është e tepërt të thuhet se kompanitë rentiere piramidale, falimentimi i të cilave më 1997 solli rrëzimin e shtetit, shpërthimin e depove ushtarake e armatosjen e popullsisë, përtej lojrave politike, i polli edhe kjo mani kolektive e pasurimit fët e fët; ashtu siç pjell sot korrupsionin, krimin e organizuar, rrjetin e prostitucionit, trafikun klandestin të njerëzve, të armëve, të drogës.
Është e qartë pra, se në dhjetorin e vitit '90, fari që ndriçonte që larg mendjet e njerëzve ishte kryesisht kamja. Ky ishte (në një masë të madhe është ende) ideal shumë i rëndësishëm i jetës së shqiptarëve, i cili, në dhjetor të '90-ës nuk u shfaq në formën e drejtëpërdrejtë "Duam të jemi të kamur", por me sloganin eufemistik "E duam Shqipërinë si gjithë Europa". Slogani i sotëm "të integrohemi në Europë" është e njëjta gjë, por i shprehur me një gjuhë më burokratike e më institucionale. Ky tashmë është një slogan programor i të gjitha partive politike.
Gjithsej 23 faqe: « 1 2 [3] 4 5 6 7 8 9 10 11 12 » ... E fundit » Trego 23 mesazhet në një faqe të vetme |
Materialet që gjenden tek Forumi Horizont janë kontribut i vizitorëve. Jeni të lutur të mos i kopjoni por ti bëni link adresën ku ndodhen.