Forumi Horizont Gjithsej 4 faqe: « 1 2 [3] 4 »
Trego 4 mesazhet në një faqe të vetme

Forumi Horizont (http://www.forumihorizont.com/index.php3)
- Analiza (http://www.forumihorizont.com/forumdisplay.php3?forumid=291)
-- Mesazhet e pathëna të zgjedhjeve (http://www.forumihorizont.com/showthread.php3?threadid=8813)


Postuar nga Fajtori datë 18 Korrik 2005 - 20:29:

Dushk, dushk e vetëm dushk

MUSTAFA NANO

Është folur shumë këto ditë për aleancën midis Berishës nga njëra anë e Milos e Xhuvelit nga ana tjetër, dhe ndër zërat mediatikë, kanë qënë shumë të paktë, ata që e kanë marrë në mbrojtje këtë gjest të befasishëm politik. Përgjithësisht pra, është vënë re një refuzim bipartizan i kësaj aleance të panatyrshme e të pamoralshme. Kjo është një dëshmi e gëzueshme e faktit, që mjedisi mediatik shqiptar nuk e ka humbur për fare as ndjeshmërinë morale, as syçeltësinë intelektuale e politike ndaj gjesteve të tilla, të cilat nuk janë gjë tjetër, veçse një përthyerje e Dushkut të famshëm. Me fjalë të tjera, kemi të bëjmë (në një formë tjetër e në një kohë tjetër jo elektorale) me vazhdimin e dukurisë së "Dushkut", e cila fare mirë e fare saktë, mund të përkufizohet si "mekanizëm elektoral apo postelektoral i adoptuar nga një parti apo nga një koalicion, që bën të mundur shndërrimin e një pakice apo të një shumice të brishtë, respektivisht në një shumicë të thjeshtë apo në një shumicë solide".

Nëpërmjet këtij mekanizmi, PS-ja synonte para katër vitesh, të krijonte de jure, një shumicë presidenciale në parlament (më shumë se 2/3 e deputetëve), ndërkohë që kish de facto, vetëm një shumicë qeverisëse (më shumë se ½ e deputetëve). Ndërsa PD-ja ia doli mbanë kësaj radhe – edhe nëpërmjet Dushkut – që, edhe pse e mbështetur nga një pakicë në elektorat, të shndërrohej shumicë në parlament. Mirëpo, Berisha nuk duket i kënaqur me kaq. Është një shumicë që nuk i jep garanci. A mund t´i zihet besë Pollos, Lesit, Starovës apo ndonjë tjetri? Ja, kjo pyetje e ka shqetësuar për disa netë pas zgjedhjeve, Berishën, i cili, me të marrë vesh se shumica e re në Kuvend nuk e kalonte numurin 73 apo 74, nuk e pati për gjë t´u vardisej publikisht kurvickave politike, që kushtojnë fare pak (për të bërë të qartë krahasimin e fortë, duhet thënë se, së pari kurvickat në politikë nuk prenotohen për një natë, por prenotohen për një legjislaturë; dhe së dyti, ato nuk shkojnë për të fjetur me Berishën, por shkojnë për të fjetur me pushtetin).

Ne, Dushkun e madh nuk mundëm ta ndalnim. Edhe këtë nënfish të Dushkut të madh, nuk do të kemi fuqi ta ndalim. Mund ta ndalte këtë lojë të panevojshme ndonjë grup deputetësh demokratë, por për arsye që dihen, fraksione anti-Berisha brenda PD-së, janë të papërfytyrueshme. Për më tepër, të gjithë demokratët-aspirantë për ministra apo për pushtet, janë në pritje, për të parë se cili do të digjet prej flirt-it të Berishës me kurvickat e mësipërme. Kështu që, hë për hë, brenda PD-së do të mbretërojë uniteti rreth Berishës.

Praktikisht, mund të ish vetëm Mediu apo Pollo që mund ta ndalnin këtë lojë, pasi ata kanë numra që e kushtëzojnë apo e kërcënojnë shumicën e re. Mirëpo, të parit as që i shkon në mendje për ta bërë këtë gjë; i dyti, dëshiron ta bëjë me synimin për t´u identifikuar fort politikisht e me synimin për të përfituar sa më shumë pushtet, por i ka duart e lidhura. Sipas të gjitha gjasave, deputetët e partisë së tij do të merren për dore nga instikti i pushtetit, d.m.th., nga Berisha, e jo nga ndonjë lodër politike në favor të partisë, d.m.th., nga Pollo. Shefi i Partisë Demokrate të Re, provoi t´i bënte një shantazh Berishës, por ky i fundit, vetëm pak orë më pas, "nxorri" në skenë Xhaferrin e Ndokën, të cilët nxituan të ishin dakord me "zgjerimin e koalicionit qeverisës, që bashkon shqiptarët!!!".

Folja "nxorri", e prangosur nga thonjëzat, nuk është ndonjë aluzion, sipas të cilit, Xhaferri apo Ndoka janë marrë në telefon e janë urdhëruar nga Berisha. Jo, s´ka fare nevojë për telefonata të tilla. Janë ata vetë, që do të mendojnë e do të flasin si Berisha e si berishianët tani e tutje. Nuk është vetëm mirënjohja prej faktit që kanë fituar nën siglën e PD-së apo që PD-ja i ka caktuar si kandidatë në zona elektorale të ngjyrosura blu; është mbi të gjitha fakti, që gjithë qënia e tyre, kontrollohet ekskluzivisht nga instikti i pushtetit. Përsa kohë do të ketë jetë kjo maxhorancë, shefi i Xhaferrit, Ndokës, etj., do të jetë Berisha. Pollo do të ketë në dorë partinë, por jo grupin parlamentar. Nuk është çudi që, pas ndonjë viti, në rast se Pollo bëhet bezdisës për Berishën apo për pushtetin, Xhaferri e Ndoka të bëhen anëtarë të Partisë Demokratike nën shembullin e të rikthyerve; në mos, do të bëjnë ndonjë partiçkë proberishiane, nën shembullin e PDS-së apo PAA-së, përgjithmonë prokryeministrore.

Shkurt, edhe kjo maxhorancë do të eci besnikërisht në gjurmët e maxhorancës paraardhëse, amoraliteti i së cilës ka qënë uluritës (ju kujtohet, se si një numër i madh armiqësish ndërpersonale të shfaqura në KPD-në e dhjetorit 2001, u shndërruan si me magji më pas, në miqësi e partneritet? Ju kujtohet gjithashtu, se si në momentin, kur opozita kërkonte të votonte një mocion mosbesimi ndaj qeverisë "Nano", disa deputetë opozitarë u zhdukën për nja dy ditë nga faqja e dheut, sikur të kishin veshur pelerinën e Harry Potter-it?). Ky amoralitet është paradoksalisht themeli, mbi të cilin ngrihet jetëgjatësia e mandatit qeverisës të një maxhorance apo, në daçi, edhe jetëgjatësia e karrierës politike të një leader-i të dështuar. Berisha e qeveria e tij, bash me mjete e forma alla Dushk, do të mund ta kapërcejnë pa ndonjë vështirësi, momentin presidencial të vitit 2007, i cili shihet prej opozitës së majtë, si një mënyrë për ta këputur në mes mandatin e demokratëve.

P.S., meqë ra fjala, në ditët që do të vijnë, ne do të kemi rast të shohim se si do të bëhen bashkë, rrotull Fatos Nanos, të gjithë vjetërsirat politike e kalbësirat morale të Partisë Socialiste; do të ndodhë kjo, jo sepse Fatos Nano jep garanci për një opozitë të fortë, por sepse Fatos Nano është garanci për ta.


  Gjithsej 4 faqe: « 1 2 [3] 4 »
Trego 4 mesazhet në një faqe të vetme

Materialet që gjenden tek Forumi Horizont janë kontribut i vizitorëve. Jeni të lutur të mos i kopjoni por ti bëni link adresën ku ndodhen.