Forumi Horizont Gjithsej 5 faqe: « 1 2 [3] 4 5 »
Trego 5 mesazhet në një faqe të vetme

Forumi Horizont (http://www.forumihorizont.com/index.php3)
- Arsimi Shqiptar (http://www.forumihorizont.com/forumdisplay.php3?forumid=118)
-- Si mendoni a duhet apo jo te liberalizohen universitetet ne shqiperi....?! (http://www.forumihorizont.com/showthread.php3?threadid=9022)


Postuar nga amoxil datë 17 Gusht 2005 - 07:59:

Liberalizimi, kaos në fakultete

Rektori Rrokaj dhe dekanët janë të mendimit se vendimi kërcënon autonominë universitare

Një kaos i vërtetë ka përfshirë fakultetet e universiteteve të ndryshme të Shqipërisë. Por jo vetëm ata. Edhe kandidatët për studentë nuk e kanë ende të qartë se si do të funksionojë sivjet mënyra e pranimit të tyre në shkollat e larta. Dekanët, zëvendësdekanët dhe pedagogët janë shprehur të pakënaqur në lidhje me vendimin e qeverisë për liberalizimin e universiteteve. Sipas tyre, mungojnë gjërat minimale si dhe ambientet. Përveç këtyre, janë të domosdoshme edhe shtesa në buxhetin për arsimin e lartë. Titullarët e fakulteteve janë shprehur se nuk është momenti i përshtatshëm për liberalizim. Një element tjetër negativ që vjen nga ky proces është edhe mungesa e autonomisë së universiteteve.

Juridik, fluks i madh kërkesash

Dekani i Fakultetit të Drejtësisë, Kudret Çela thotë se me sa duket, institucioni që ai drejton është më i preferuari. Kërkesat janë të shumta dhe dy sportelet e vëna në dispozicion të kandidatëve për studentë, rrinë pothuaj gjithë kohën plot. Deri dje rreth orës 16.00 numri i të regjistruarve ka shkuar pothuaj në 2 mijë. Duket se konkursi në këtë fakultet do të jetë më i vështiri, për vetë faktin se kërkesat janë tepër të mëdha në numër. Ndërkohë, mësohet se procesi i regjistrimeve po bëhet me skaner. Nëpërmjet kësaj metode synohet shmangia e abuzimeve me fletët e provimit. Në çdonjërën prej tyre në ditën e konkurrimit do të jetë fotografia përkatëse e kandidatit që dëshiron të vazhdojë studimet e larta për drejtësi. Por, dekani Çela është shprehur se gjithçka është ende e paqartë, pasi Ministria e Arsimit dhe e Shkencës nuk e ka shpallur ende numrin zyrtar të pranimit në universitete. Madje në Fakultetin e Drejtësisë deri në këto momente nuk ka mbërritur asnjë shkresë zyrtare për një gjë të tillë.

Rrokaj: Nuk na mori njeri mendim

Rektori i Universitetit të Tiranës, Shezai Rrokaj është shprehur dje se vendimi i Këshillit të Ministrave për liberalizimin e arsimit të lartë, kërcënon seriozisht autonominë e universiteteve. “Vendimi duhej të ishte marrë pas një konsultimi të hollësishëm me akadamikët dhe titullarët e fakulteteve. Janë pikërisht ata që e njohim mirë arsimin e lartë aktual, kushtet në të cilat ai ndodhet, dhe ç’lloj ndryshimesh mund të përballojë”. Rrokaj ka siguruar dje se konkurset gjithsesi do të zhvillohen sipas parashikimit. Mësohet se deri dje nëpër universitete nuk ka mbërritur ndonjë shkresë zyrtare në lidhje me vendimin. I mendimit se vendimi për liberalizim kërcënon autonominë universitare, është edhe shefi i profesoriatit në UT, Ismail Hoxha. Ai deklaroi se pedagogët e universiteteve do të vazhdojnë të mbrojnë kërkesat e tyre, megjithë ndërrimin e pushteteve dhe ardhjen e qeverisë së re. Hoxha theksoi se ende nuk janë vënë në zbatim kërkesat e pedagogëve që janë autonomi administrative dhe financiare e universiteteve.


  Gjithsej 5 faqe: « 1 2 [3] 4 5 »
Trego 5 mesazhet në një faqe të vetme

Materialet që gjenden tek Forumi Horizont janë kontribut i vizitorëve. Jeni të lutur të mos i kopjoni por ti bëni link adresën ku ndodhen.