Forumi Horizont Gjithsej 6 faqe: « 1 2 [3] 4 5 6 »
Trego 6 mesazhet në një faqe të vetme

Forumi Horizont (http://www.forumihorizont.com/index.php3)
- Historia e Shqipërisë dhe Shqipëtrëve mbas luftës së dytë botërore (http://www.forumihorizont.com/forumdisplay.php3?forumid=256)
-- “Fillet e izolimit shqiptar: Regjimi i Enver Hoxhës në vitet 1944-1961” (http://www.forumihorizont.com/showthread.php3?threadid=9367)


Postuar nga amoxil datë 06 Shtator 2005 - 04:50:

Dr. Agim ZOGAJ: Çka u tha në Plenumin e 2-të të KQ të PKSH-së, 23-27 nëntor 1944?

Ndërhyrje frontale dhe e papenguar e jugosllavëve

Plenumi i 2-të i KQ të PKSH-së, i mbajtur në Berat prej 23 e deri më 27 nëntor 1944, paraqet njërin ndër tubimet më transparente dhe njëherësh më dramatike të periudhës së Luftës së Dytë Botërore e të LANÇ-së në Shqipëri. Kjo mbledhje e udhëheqjes së komunistëve shqiptarë shënon një nga momentet më të drejtpërdrejta të ndërhyrjes jugosllave në rrjedhat e politikës shqiptare që zhvillohej, jo vetëm brenda PKSH-së në veçanti, por edhe të Frontit Nacionalçlirimtar, në përgjithësi. Transparenca e luftës politike në mes të grupimeve të ndryshme brenda radhëve të udhëheqjes komuniste shqiptare, që u zhvillua në këtë mbledhje, e ndikuar nga ndërhyrjet sistematike të përfaqësuesve të Misionit politik e ushtarak të PKJ-së, shënon ndërhyrjen frontale, të papenguar, të jugosllavëve. Ata i diktuan rrethanat, të cilat determinuan një përçarje të hapur në radhët e udhëheqësve të PKSH-së. Qëndrimet e Plenumit të 2-të të KQ të PKSH-së, në rrjedhat e mëtejshme të LANÇ-së të popullit shqiptar, patën pasoja të rënda në zhvillimet e pavolitshme për çështjen kombëtare në përgjithësi. Me këto qëndrime, jo që nuk u krijua strategjia e përbashkët dhe unike mbarëkombëtare për të ardhmen e kombit, mbi vizionet e pajtimit dhe të bashkimit kombëtar në kufijtë etnikë por, përkundrazi, ndodhi përçarje e madhe brenda radhëve të kombit. Edhe pas Plenumit të 2-të të KQ të PKSH-së, u trasua rrugë e gabuar për çështjen kombëtare, duke krijuar çarje të reja. Ishte e qartë se e ardhmja e kombit ishte gjithnjë e më e pasigurt, pa vizion dhe pa perspektivë, ndonëse po dilte ballëhapur nga një luftë e madhe botërore antifashiste. Ndoshta, duke ndier një pjesë të fajësisë së vet, edhe personale, udhëheqja e PKSH-së, me në krye Enver Hoxhën, vendosi që materialet e këtij plenumi historik, për pesëdhjetë vjet, të ngelin të izoluara nga historia, duke u mbajtur të mbyllura në arkivat e PPSH-së. Humbje për PKSH-në në planin kombëtar Ky izolim dhe kjo fshehje e materialeve të Plenumit të 2-të të KQ të PKSH-së, ishte e qëllimtë, nga fakti se ky plenum shënoi një humbje të madhe të politikës autentike të PKSH-së në planin kombëtar. Udhëheqja e komunistëve shqiptarë nuk e pranoi asnjëherë se qëllimi i Titos, që nga viti 1941, ishte që të organizonte një lëvizje të rezistencës antifashiste në Shqipëri, e cila nuk do të duhej të kishte kontakte me lëvizjen e shqiptarëve në Kosovë, në Mal të Zi dhe në Maqedoni dhe që do të kontrollohej në mënyrë të rreptë nga PKJ-ja. Synimi kryesor jugosllav ishte që të paralizoheshin aspiratat dhe veprimet e shqiptarëve për bashkim, të heshtej çështja e Kosovës dhe të imponohej përcaktimi i udhëheqjes së PKSH-së nga sfera e Lindjes. Misionarët jugosllavë: Miladin Popoviqi, Dushan Mugosha, Velimir Stojniqi, Svetozar V. Tempo, Nijaz Dizdareviqi, etj., kishin për detyrë që, me veprimet e tyre, të përkrahur edhe nga qarqe të caktuara të udhëheqjes së PKSH-së, të pengonin influencën e nacionalistëve dhe bashkimin e të gjitha grupimeve politike shqiptare në kohën e Luftës së Dytë Botërore. Duke e thyer në masë të theksuar vullnetin idealist dhe nacionalist të Enver Hoxhës, të deleguarit e Titos, ia dolën që udhëheqësin e PKSH-së ta poziciononin në vijën kundërshtuese edhe ndaj atyre forcave komuniste shqiptare që, për nga shpirti nacional, ishin më tepër demokratike sesa komuniste. Ishte e qartë, që nga fillimi i vitit 1941, veçmas pas Konferencës së Pezës dhe të Konferencës së Labinotit, se koekzistenca e demokratëve dhe e komunistëve nacionalistë nuk u pëlqente jugosllavëve. Qysh në Konferencën e Labinotit, e veçmas në Konferencën e Mukjes, jugosllavët ia arritën që komunistët t’i kundërvënë me forcat demokratike e nacionaliste. Në Plenumin e 2-të të KQ të PKSH-së, në Berat, u hapën portat e procesit të diferencimit brenda radhëve të PKSH-së, që shënonte edhe një hap tjetër më afër luftës vëllavrasëse civile. Në punimet e Plenumit të 2-të të KQ të PKSHsë përfshihej shndërrimi i partisë shqiptare në një version në miniaturë të simotrës së vet jugosllave, dobësimi i Hoxhës, i cili kishte manifestuar një nacionalizëm të vendosur, dhe arritja e njëfarë lidhjeje konfederale midis Shqipërisë dhe Jugosllavisë1 (Benard J. Fischer, Shqipëria gjatë luftës, 1939-1945, Tiranë,1999, f. 323. ) Duhej shkatërruar uniteti i brishtë politik i udhëheqjes së atëhershme të PKSH-së dhe, për këtë, misionarët jugosllavë ishin përkujdesur veçmas në Plenumin e 2-të të KQ të PKSH-së. Njëherësh, sipas jugosllavëve, brenda radhëve të udhëheqjes së PKSH-së, duhej gjetur forca politike, të cilat e afirmojnë jo vetëm deklarativisht planin e Titos për Konfederatën Ballkanike, por edhe realizimin e qëllimit përfundimtar që Shqipëria të bëhej provincë jugosllave, si republikë e shtatë e Federatës jugosllave.


PKJ nxiti luftën civile në Shqipëri

Plenumi i 2-të i KQ të PKSH-së, përmes “lidhjes jugosllave”, i nxiti përfundimisht Enver Hoxhën dhe bashkëpunëtorët e tij në luftë të përgjakshme kundër forcave nacionaliste dhe atyre demokratike brenda Lëvizjes Antifashiste Nacionalçlirimtare. Kritikat e vazhdueshme të Velimir Stojniqit se në Shqipëri po zhvillohej një lloj koekzistence me forcat nacionaliste, në Plenumin e 2-të të KQ të PKSH-së, nga udhëheqja komplete e PKSH-së, u kuptuan tepër drejtpërdrejt sa për t’i hapur edhe më gjerë dyert e konfrontimeve të brendshme politike, që rezultuan me sektarizëm të ekstremit të majtë. Kështu, bashkëpunimi midis PKSH-së dhe PKJ-së, i shoqëruar nga ekskluziviteti ideologjik, nxiti grindje e kundërshtime politike, duke krijuar armiqësi brenda grupacioneve politike shqiptare. Nuk ishte e rastit që përçarja deri në armiqësi mes PKSH-së dhe Ballit Kombëtar, u bë pasojë edhe e bashkëpunimit tinëzar e hegjemonist të PKJ-së me PKSH-në. Ky bashkëpunim, që nga fillimi e deri në prishjen e marrëdhënieve në mes të PKSH-së dhe të PKJ-së, karakterizohej me veprimet jugosllave për nënshtrim në çdo plan të PKSH-së dhe të Frontit të LANÇ-së të Shqipërisë. Jugosllavët i kishin imponuar kushte PKSH-së për bashkëpunimin e saj me Ballin Kombëtar. Ato konsistonin në kërkesën e PKSH-së ndaj Ballit Kombëtar që, në rast se dëshironin të bashkëpunonin me PKSH-në, fillimisht, duhej të pranonin rolin udhëheqës të PKSH-së në LANÇ. Balli Kombëtar nuk pranoi një ultimatum të tillë dhe, për pasojë, ai nuk mori pjesë në front nën udhëheqjen e PKSH-së. Përpjekjet për këtë dominim të PKJ-së mbi PKSH-në, u shpeshtuan veçmas pas ardhjes në Shqipëri të misionit politik e ushtarak të Jugosllavisë, me në krye Velimir Stojniqin. Ky mision arriti në Shqipëri në vjeshtë të vitit 1944. Këtu edhe fillon njëra prej periudhave më të vështira për PKSH-në dhe për udhëheqjen e saj. Duke u ballafaquar me rezistencën, e cila në fillim i bëhej për ndërhyrjen brutale në marrëdhëniet e brendshme të PKSH-së dhe në rrjedhat e LANÇ-së të Shqipërisë, Velimir Stojniqi kishte vlerësuar se më parë duhej të ndryshonte përbërjen e Byrosë së KQ të PKSH-së, e pastaj ta largonte Miladin Popoviqin nga Shqipëria. Stojniqi e kuptoi se, në këtë synim hegjemonist, duhej të kishte ndihmën dhe përkrahjen e kundërshtarëve të Enver Hoxhës, prandaj u ngut që të krijonte një bllok opozitar brenda udhëheqjes më të ngushtë të KQ të PKSH-së dhe të Byrosë së saj Politike. Për të realizuar këtë skenar dhe dredhinë jugosllave për ndërrimin e linjës politike të PKSH-së, pra edhe të kreut të saj, vullnetarisht u paraqitën Koçi Xoxe, Pandi Kristo, Sejfulla Malëshova e Nako Spiru. Në anën e Enver Hoxhës, kishte mbetur i paluhatur vetëm Ramadan Çitaku nga Kosova. Mbetet për t’u hulumtuar se si ndodhi që Sejfulla Malëshova dhe Nako Spiru, dy personalitete të moderuara dhe intelektualisht të avancuara, u entuziazmuan nga Koçi Xoxe, i cili, edhe në Plenumin e 2-të të KQ të PKSH-së, imponohej me qëndrimin se duhej të mendohej ndryshe. Kjo të mendohej ndryshe në PKSH, sipas Xoxes, nënkuptonte të mendohej pro PKJ-së.

Kurthet e Stojniqit për Malëshoven dhe Spirun

Në hulumtimet më të reja të historiografisë shqiptare ka vlerësime të ngutshme për shkaqet që ndikuan në përçarjet midis udhëheqësve të PKSH-së. Ka mendime se atëherë, pra në Plenumin e 2-të të KQ të PKSH-së, u konfrontuan bartësit e vijës konservatore, sektare, të Enver Hoxhës, me bartësit e vijës liberale e demokratike brenda radhëve të PKSH-së, të udhëhequr nga Sejfulla Malëshova. Duhet të bëhen gjurmime dhe hulumtime sistematike argumentuese për të definuar shkaqet e këtij konflikti të brendshëm në kreun udhëheqës të PKSH-së, aq më parë kur dihet se pikërisht bartësit e vijës liberale dhe demokratike, të udhëhequr nga Sejfulla Malëshova e Nako Spiru, në takimet paraplenumiane me Velimir Stojniqin, por edhe në vetë punimet katërditëshe të Plenumit të 2-të të KQ të PKSH-së, zbatonin skenarin për rrëzimin e Enver Hoxhës dhe për ardhjen e cilitdo prej tyre në krye të PKSH-së. Dokumentet arkivore dëshmojnë se qëllimi i vetëm dhe kryesor i këtij plenumi nuk ishte angazhimi për vijë të re politike, as luftimi i sektarizmit dhe i terrorit të kuq, që ishte shfaqur në radhët e PKSH-së, siç ishin dhënë kualifikime gjatë punimeve të plenumit. Studimet historike mbi marrëdhëniet e PKSH-së dhe të PKJ-së, për këtë periudhë, duhet të synojnë hulumtimin e shkaqeve dhe të rrethanave historike, politike e shoqërore, që ndikuan në qëndrimin kapitullues të PKSH-së, karshi PKJ-së. Sido që të jetë, pozicioni nënshtrues i udhëheqjes së PKSH-së ndaj PKJ-së, në Plenumin e 2-të të KQ të PKSH-së, shënoi fillimin e një etape të re të vështirë, të mundimshme dhe shumë kundërthënëse në jetën shoqërore e politike të PKSH-së, më vonë të PPSH-së, në raport me disa parti të tjera komuniste, ndaj të cilave elita e atëhershme politike shqiptare shfaqi servilitet, dobësi, përulje dhe, madje, inferioritet. Gjithsesi, në të gjitha këto ecuri të kësaj periudhe dramatike për historinë tonë kombëtare, nuk mund të mos merren në konsideratë një varg zhvillimesh të ndërlikuara të diplomacisë ndërkombëtare, siç ishte lufta e ftohtë ideologjike ndërmjet bllokut të Perëndimit dhe atij të Lindjes si dhe izolimi sistematik diplomatik i Shqipërisë, menjëherë në vitet e para të pasluftës. Ndërlikueshmëria e këtyre marrëdhënieve Perëndim - Lindje, me tërë rreptësinë e tyre dhe përplasjet e luftës së ftohtë, u reflektua edhe në çështjen shqiptare, e cila për plot pesëdhjetë vjet mbeti e izoluar, jo vetëm me fajin e vet. Lufta e pabarabartë diplomatike midis Shqipërisë komuniste dhe Perëndimit, në radhë të parë SHBA-së dhe Britanisë së Madhe, kulmoi madje edhe me aksione diversante nga këto dy të fundit për rrëzimin e qeverisë së Enver Hoxhës dhe të regjimit komunist shqiptar. Sido që të jetë, rrënjët dhe burimet e rirreshtimit të diplomacisë shqiptare të kohës së komunizmit kah Lindja dhe kah totalitarizmi lindor duhet kërkuar, veç të tjerash, edhe në punimet e Plenumit të 2-të të KQ të PKSH-së. (vijon)


  Gjithsej 6 faqe: « 1 2 [3] 4 5 6 »
Trego 6 mesazhet në një faqe të vetme

Materialet që gjenden tek Forumi Horizont janë kontribut i vizitorëve. Jeni të lutur të mos i kopjoni por ti bëni link adresën ku ndodhen.