Forumi Horizont Gjithsej 5 faqe: « 1 2 [3] 4 5 »
Trego 5 mesazhet në një faqe të vetme

Forumi Horizont (http://www.forumihorizont.com/index.php3)
- Faik Konica (http://www.forumihorizont.com/forumdisplay.php3?forumid=88)
-- Kush është Faik Konica (http://www.forumihorizont.com/showthread.php3?threadid=97)


Postuar nga volter datë 30 Janar 2004 - 19:32:

Faik Konica

F. Konica është mjeshtri që i dha fytyrë moderne prozës shqipe, intelektuali që solli mentalitetin e mirëfilltë perëndimor në kulturën shqiptare.
Lindi në Konicë, qytet i vogël shqiptar, që me vendimet e Konferencës së Londrës më 1913, të cilat e rudhën shtetin shqiptar në kufijtë e sotëm, mbeti ne Greqi. Vinte nga një derë e njohur, prej së cilës trashëgoi titullin bej, vetëdijen e një përkatësie elitare, që e manifestoi fort në jetë dhe në krijimtarinë e tij, por jo dhe mentalitetin anadollak lindor prej të cilit u nda me nje buzeqeshje hokatare, që u kthye në një sarkazëm therëse në veprën e tij. Ndoqi një vit shkollën jezuite të Shkodrës, pastaj Liceun Perandorak të Stambollit, kreu me 1895 studimet për letersi e filozofi në Universitetin e Dizhonit (Francë), shkollimin e mbylli me kryerjen e studimeve ne Universitetin e Harvardit, ndersa me 1912 mori, në këtë universitet, titullin e magjistrit në letërsi dhe arte. Master of Arts Erudit, njohës i gjithë gjuhëve të mëdha të Evropes dhe i disa gjuhëve lindore, mik i G.Apolinerit, F.Konica u quajt prej të huajve “një enciklopedi që ecën” dhe u bë për kulturën shqiptare modeli i intelektualit perëndimor. Iu kushtua që në rini lëvizjes kombëtare, por, në kundërshtim me frymën mitike idealizuese e romantizante të Rilindjes, solli në të frymën kritike dhe përjetoi dhomën e përjetshme të idealistit që vuan për mendimet e tij.
Themeloi revistën “Albania” (Bruksel 1897-1900, Londër 1902-1909), që u bë organi më i rëndësishëm i shtypit shqiptar të Rilindjes. Publicist, eseist, poet, prozator, përkthyes dhe kritik letrar, është veç të tjerave autor i studimit “L’Albanie et les turcs” (Paris 1895), “Memoire sur le mouvement national albanais (Bruksel, 1899), i novelave “Një ambasadë e Zulluve në Paris” (1922) dhe “Doktor Gjilpëra” (1924), si dhe i veprës historiko-kulturore “Albania. The rock Garden of Southeastern Europe”, që u botua pas vdekjes së Massachussets me 1957. Dy novelat e Konicës i bashkon shpirti satirik dhe shprehja alegorike e konfliktit midis dijes dhe injorancës e konflikti midis mentalitetit të prapamebtur oriental dhe mentalitetit modern perëndimor. Publicistika dhe proza e tij janë model i një shqipeje letrare të përpunuar dhe i një stili elegant.
Vitet e fundit të jetës (1926-1939), i kaloi si ambasador i Mbretësise Shqiptare në Washington, ku dhe vdiq më 1942. Eshtrat e tij u sollën në Shqipëri në vitet e fundit.
Në letërsinë e shqiptarëve të Italisë, në periudhën midis dy luftrave, vazhdoi tradita e shkollës romantike të shek. XIX, Z. Skiroi (1865-1927) me veprën e tij (“Kthimi” 1913, “Te dheu i huaj”, 1940) desh të rikuperonte kujtesën historike të shqiptarëve të mërguar qysh nga shekulli XV, pas vdekjes së Skënderbeut.
Gjatë Luftës Antifashiste të popullit shqiptar (1939-1944), u zhvillua një letërsi e rezistencës, e cila lindi në ilegalitet përmes shtypit klandestin të Partisë Komuniste Shqiptare. Krijimet e kësaj letërsie ishin kryesisht shkrime publicistike, skica letrare dhe tekste këngësh partizane. Autorët e saj qenë luftëtarë antifashistë të brezit më të ri (Sh.Musaraj, A.Caci, F.Gjata, K.Jakova, Q.Buxheli).
Pas Luftës II Botërore, letërsia shqiptare njohu një zhvillim masiv. Tipari kryesor i letërsise dhe i arteve të kësaj periudhe, ishte zhvillimi i tyre i orientuar ideologjik dhe levrimi i të gjitha zhanreve, sidomos i romanit, i cili, nga nje zhanër pa traditë, doli ne krye të procesit letrar.
Tipi më i levruar i romanit u bë romani realist social, me permbajtje etologjike dhe historike, me subjekt linear (J.Xoxa, S.Spasse), por nuk mungon as romani me kompozicion të thyer, me poetikë të hapur dhe me një nënshtresë filozofike, që buron nga asosacioni i ideve dhe analogjitë historike (I.Kadare, P.Marko) dhe as romani satirik (D.Agolli, Q.Buxheli).
Tregimin dhe novelën, e lëvruan Dh.Shuteriqi, N.Prifti, Z.Cela, T.Laco, Dh.Xhuvani, N.Lera e të tjerë, kurse poezinë, I.Kadare, D.Agolli, F.Arapi, Xh.Spahiu, M.Ahmeti e të tjerë.
Më pak, u zhvillua drama (K.Jakova “Toka jonë”, 1955) dhe komedia (S.Çomora “Karnavalet e Korçës” 1961).
Letërsia e kësaj periudhe në Shqipëri u zhvillua brenda kornizave të realizmit socialist, i vetmi drejtim i lejuar nga politika zyrtare. Por talente te fuqishme, përtej këtyre kornizave, krijuan vepra me një frymë opozitare të nënkuptuar dhe me një domethënie universale.


  Gjithsej 5 faqe: « 1 2 [3] 4 5 »
Trego 5 mesazhet në një faqe të vetme

Materialet që gjenden tek Forumi Horizont janë kontribut i vizitorëve. Jeni të lutur të mos i kopjoni por ti bëni link adresën ku ndodhen.