Forumi Horizont Gjithsej 4 faqe: « 1 2 [3] 4 »
Trego 35 mesazhet në një faqe të vetme

Forumi Horizont (http://www.forumihorizont.com/index.php3)
- Volejboll (http://www.forumihorizont.com/forumdisplay.php3?forumid=224)
-- volejboll (http://www.forumihorizont.com/showthread.php3?threadid=1325)


Postuar nga qershor13 datë 19 Korrik 2004 - 14:25:

Skënderbeu në dilemë për të ardhmen e tij.

Pas daljes në grupin A2, Skënderbeu në volejboll për femra ka marrë pushimet, pa ditur sesi do të paraqitet në sezonin e ardhshëm. Trajnerja e ekipit, Tatjana Marashi, për momentin është duke u përkushtuar me kombëtaren të paratërejave dhe më pas i duhet të mendojë seriozisht për ekipin e saj. Pasuesja e ekipit, Zguro, ka deklaruar gjatë këtyre ditëve largimin e saj nga Skënderbeu. Nuk dihet ende sesi do të veprojë një nga lojtaret më të mira të Skënderbeut, Ediola Janaqi, që ka pasur oferta gjatë këtyre viteve nga shumë klube shqiptare. Tashmë të gjitha lojtaret e Skënderbeut kanë marrë pushimet dhe presin që shumë shpejt, pas rikthimit të trajneres së tyre, të rikthehen në stërvitje. Në dyshim është edhe qëndrimi i lojtares me mjaft përvojë Mimoza Shahu, e cila edhe mund të largohet. Me pak fjalë, asgjë e sigurt për këtë Skënderbe, që pas rënies në grupin A2 ka mjaft probleme për të zgjidhur. Edhe rënia në këtë kategori ka ardhur si pasojë e përvojës së pakët të lojtareve korçare, që edhe pse u përpoqën, nuk arritën të jepnin më shumë. Ndërkohë, gjëja tjetër që është e sigurt për këtë Skënderbe do të jetë financa e pakët, që do ta shoqërojë edhe në sezonin e ri 2004?2005. Më shumë se të gjitha këto, largimet duket se do të hapin një problem shumë të madh për këtë skuadër, që ndoshta mund të mbetet jetime.


Postuar nga qershor13 datë 19 Korrik 2004 - 14:27:

Teuta kërkon Lushnjarin dhe Bukën.

Drejtuesit e skuadrës së Teutës në volejboll për meshkuj po punojnë intensivisht për forcimin e grupit dhe futjen në sezonin e ardhshëm në elitën e volejbollit shqiptar. Sipas shefes së klubit "Teuta", Nexhmie Kotrri, një lajm pozitiv është se një prej volejbollistëve cilësorë të kampionati shqiptar, Ermal Buka, tashmë mund të konsiderohet pjesë e ekipit durrsak. Buka, sezonin e kaluar është aktivizur me Studentin, por për sezonin e ri ka vendosur që të bashkohet me ekipin e qytetit të tij të lindjes. Një objektiv tjetër i rëndësishëm në merkato për Teutën është edhe afrimi i volejbollistit Fisnik Lushnjari, por, sipas Kotrrit, akoma nuk është precizuar gjithçka në lidhje me afrimin e këtij volejbollisti në radhët e Teutës. Krahas afrimeve të reja në ekip, Teuta ka mundur që të mbajë në radhët e saj volejbollistët e sezonit të kaluar, si Bardhin, Indrit Bukën, Kolean, Litin, Marangonin, Gjeçin etj., si dhe një grupi të rinjsh të talentuar. Disa prej këtyre volejbollistëve u kanë thënë "jo" ofertave të ekipeve të tjera, duke shprehur vendosmërinë për të qëndruar te Teuta. Ndërkohë, klubi shumësportësh "Teuta" ka konfirmuar se në stolin e ekipit do të vazhdojë të jetë trajneri Robert Borova, i cili në sezonin e ardhshëm do të ketë detyrën e vështirë për ta futur Teutën e Durrësit në vallen e ekipeve pretendente për titull.


Postuar nga qershor13 datë 19 Korrik 2004 - 14:29:

Pogoni, medalje në seminarin në Izrael

Federata Botërore e Volejbollit (FIVB) e ka vlerësuar maksimalisht trajnerin e ri shqiptar Artan Pogoni në seminarin që u zhvillua në fillim të muajit korrik në Izrael. I dërguar nga FSHV-ja në këtë seminar, trajneri i ri kryeqytetas ka treguar cilësi të mira, duke u renditur i dyti në përfundim e duke marrë medalje argjendi. Kjo tregon për një rritje cilësore të trajnerëve të volejbollit shqiptar. Vetë Pogoni, pasi kthimit do të shprehej: "Dua të falënderoj presidentin e FSHV-së, Vesel Rizvanolli, sekretarin Leonard Tase, sekretarin e KOKSH-it, Stavri Bello dhe drejtorin e QKSHS, Bashkim Milo, për ndihmën që më dhanë për të marrë pjesë në këtë seminar. Për mua ishte një eksperiencë e rëndësishme dhe përfitova mjaft nga ky seminar, ku referuan njerëz të mëdhenj të volejbollit botëror," - shprehet trajneri Artan Pogoni.


Postuar nga qershor13 datë 19 Korrik 2004 - 14:42:

Eliminatoret e botërorit, ja shorti i Shqipërisë.

Volejboll. Janë përcaktuar dje në Romë grupet e eliminatoreve të "Japoni 2006".


Është hedhur dje paradite në Romë të Italisë shorti i eliminatoreve të Kampionatit Botëror të Volejbollit "Japoni 2006". Në këtë veprimtari ka konfirmuar pjesëmarrjen e saj edhe Shqipëria, me të dy ekipet e saj kombëtare, meshkuj dhe femra. Sipas një informacioni që mbërrin nga Federata Botërore e Volejbollit (FIVB) në adresën e saj në internet, Shqipëria (me të dy kombëtaret) do të marrë pjesë në turin e parë eliminator. Kombëtarja e meshkujve ndodhet në grupin D së bashku me Estoninë, Izraelin dhe Bosnjë-Hercegovinën. Nga ky grup kualifikohet për në turin e dytë eliminator vetëm një skuadër, natyrisht ajo që renditet e para. Një short paksa i vështirë, ku përfshihen shtete me nivel të lartë në sportin e volejbollit. Në rast se kuqezinjtë arrijnë të renditen të parët, do të luajnë në turin e dytë, ku në grup do të kenë Portugalinë, Letoninë dhe Austrinë. Ndërsa kombëtarja e femrave, në turin e parë eliminator, renditet në grupin A së bashku me Anglinë, Skocinë, Spanjën dhe Serbi & Mali i Zi. Një short disi më i pranueshëm se i meshkujve edhe për faktin se nga ky grup kualifikohen dy ekipet e para, ndaj dhe shanset janë më të mëdha. Ndërkohë nuk dihet nëse ndeshjet e kombëtareve tona do të zhvillohen me sistem vajtje-ardhje apo në grup si dhe datat kur do të luhen sfidat e turit të parë eliminator. Për këtë pritet që Federata Shqiptare e Volejbollit të japë një informacion në ditët në vijim, pasi të mbërrijë edhe një sqarim nga FIVB-ja për mënyrën e zhvillimit të ndeshjeve.

Turi i parë eliminator Meshkuj - Grupi D
SHQIPËRIA
Estonia
Izraeli
Bosnjë-Hercegovina

Femra - Grupi A
SHQIPËRIA
Anglia
Skocia
Serbi & Mali i Zi
Spanja


Postuar nga qershor13 datë 19 Korrik 2004 - 14:47:

Tartari: Një short i pranueshëm

Pas hedhjes së shortit, trajneri i ekipit kombëtar të femrave, Kreshnik Tartari, për "Sportin shqiptar" është shprehur në një intervistë të shkurtër.

- Në grup kemi Anglinë, Skocinë, Spanjën dhe Serbi & Mali i Zi. Si ju duket shorti për kombëtaren tonë?
- Duke parë shortin e hedhur, duhet të jemi optimistë, por duhet të hedhim në praktikë gjithçka kemi programuar me Federatën e Volejbollit. Është gjithnjë një fakt interesant, sepse përkon edhe me Lojërat Mesdhetare dhe është një stimul më shumë për ne. Mund të them se jemi në kohë për të kaluar në fazën e dytë të punës, të përgatitjes për eliminatoret, pas asaj të seleksionimit.
- Cila mund të jetë strategjia e kombëtares sonë?
- Duhet "lëshuar" si objektiv sulmi ndaj Spanjës. Duke qenë se kualifikohen dy skuadra, duhet të përpiqemi të renditemi në dy vendet e para. Serbi & Mali i Zi është bërë skuadër e fortë kohët e fundit dhe ka treguar volejboll gjithnjë në rritje, por edhe Spanja është një ekip që po jep shenja mjaft pozitive. Anglia dhe Skocia janë dy shtete me një volejboll jo shumë të përparuar, por pikërisht ndaj tyre duhet të kemi më shumë kujdes. Të mos harrojmë se në të tilla aktivitete skuadrat përgatiten në maksimum dhe shembulli më i mirë është Greqia e futbollit.
- Si do ta presë Tartari një veprimtari të tillë, që është ngjarja kryesore për volejbollin shqiptar?
- Kemi marrë pjesë në eliminatoret e evropianit (1990) dhe jemi kualifikuar në turin e parë. Kemi fituar medalje ari në Lojërat Mesdhetare dhe kemi triumfuar edhe në ballkaniada. Tashmë është rasti të provojmë veten në eliminatoret e botërorit. Për mua dhe Pogonin do të jetë një shans për të hedhur në praktikë planin që kemi bërë. Mendojmë të afrojmë në kombëtare si lojtare që luajnë në Shqipëri, ashtu edhe sportiste që luajnë jashtë, për të krijuar një ekip sa më kompetitiv.


Postuar nga qershor13 datë 19 Korrik 2004 - 14:50:

Tomorri: Do të japim më të mirën

Tashmë ekipin kombëtar të meshkujve në volejboll e pret një detyrë e vështirë, ajo e përfaqësimit në eliminatoret e botërorit. Për këtë aktivitet, pas hedhjes së shortit, trajneri i kombëtares, Ylli Tomorri, u shpreh:

- Ç'mendoni për shortin e ekipit tonë kombëtar?
- Mund të them se është një short disi i vështirë, pasi kemi në grup Estoninë, një vend balltik ku volejbolli është mjaft i përparuar. Ne jemi ndeshur në Belgjikë (në turneun e volejbollit në bar) me ekipe estoneze, që janë të një niveli të lartë. Për Izraelin mund të them se ka mjaft lojtarë të natyralizuar, sidomos rusë, mjaft të fortë dhe që do të jenë mjaft të vështirë për ne. Ndërsa Bosnjë-Hercegovina mund te them është një ekip i barabartë me ne, kemi një volejboll ndoshta të njëjtë. Nga hera e fundit që jemi përballur me të (në Lojërat Mesdhetare të Barit) mund të them se ekipi boshnjak ka rritje.
- Duke parë rivalët, që janë relativisht më të fortë se ne, çfarë mund të arrijmë në këto eliminatore?
- Gjithçka do të shihet në vazhdim, për të parë më nga afër kontigjentin e ekipit tonë dhe ato të ekipeve kombëtare kundërshtare. Nuk do të jetë e lehtë, por ne do të përpiqemi që të japim më të mirën tonë. Duhet filluar nga puna për këto ndeshje, të fillojë grumbullimi i ekipit kombëtar, për të qenë gati për këto ndeshje eliminatore të botërorit.


Postuar nga qershor13 datë 19 Korrik 2004 - 15:15:

Merkato: Aulona Volej, "bum" blerjesh.

Është mbyllur dje afati zyrtar i lëvizjes së sportistëve të volejbollit me kontrata nga njëri ekip te tjetri. Por jo gjithçka është mbyllur dje, pasi sportistët mbi 30 vjeç, ata me lejekalimi dhe të huajt kanë afat deri 24 orë para fillimit të sezonit të ri sportiv 2004-2005 për të ndryshuar ekip. Ndërsa te meshkujt gjithçka ka qenë e vakët, krejt ndryshe ka qenë situata te femrat. Vetëm Dinamo për meshkuj ka paraqitur dy lëvizje, atë të Priftit dhe Hodajt, që sezonin e ri do të vishen blu. Te femrat, skuadra e Aulona Volejit ka bërë një "bum" blerjesh, ku deri tani ka afruar pesë lojtare, tri me kontratë dhe dy me lejekalimi. Skuadra debutuese në grupin A1 ka qenë ajo që ka lëvizur më shumë, ndërkohë që gjithçka është ende e hapur për afrime të tjera. Kampionet e Dinamos nuk kanë afruar deri tani asnjë lojtare, duke konfirmuar vetëm Marsela Çollakun, ndërkohë që janë larguar Kuqi e Luca. Por skuadra më e prekur është ajo e Studentit, prej së cilës janë larguar 6 lojtare. Tri prej tyre, Shollo dhe dy motrat Hoxha, kanë kaluar te Minatori, që tashmë ka trajner Artan Pogonin, ndërsa tri të tjerat, Meraja, Neli e Borova, do të luajnë me Aulona Volejin. Mungesën e lojtareve, trajneri i ri i Studentit, Altin Mërtiri, është munduar ta zëvendësojë me Amarilda Llupon (tashmë është larguar nga Tirana) dhe Erisida Doçin e Krutjes. Këto ishin kalimet me kontratë (afati 1-15 korrik), ndërsa mund të ketë sërish ndryshime të tjera për sportistët që lëvizin me lejekalim, ndërsa në fund janë edhe sportistët e huaj (afati skadon më 15 janar).


Postuar nga qershor13 datë 19 Korrik 2004 - 15:17:

Kavaja dhe Lako, objektivat e Teutës.

Skuadra e Teutës në volejboll për femra po vazhdon me intensitet tentativat në merkato për afrimin e dy sportisteve, të cilat do të kompletonin formacionin durrsak për sezonin e ri. Për të bërë realitet një objektiv të tillë, klubi "Teuta" po insiston për të mbajtur në ekip Vera Kavajën dhe të afrojë 2 pasuese, njëra prej të cilave është Kreuza Lako. Ndërsa bisedimet me Kavajën mund të quhen drejt konkretizimit, ato me volejbollisten Kreuza Lako paraqiten disi më të vështira për faktin se ajo, duke qenë rezidente në SHBA, nuk dihet nëse do të qëndrojë në Shqipëri. Edhe dje, shefja e klubit "Teuta", Nexhmie Kotrri, ka pasur bisedime me të dyja këto volejbolliste, por ende nuk mund të thuhet se gjithçka është e përfunduar. Ndërkohë, sipas Kotrrit, është mbajtur i gjithë grupi i volejbollisteve që ka pasur në dispozicin Teuta sezonin e kaluar, ku ndër pikat kryesore evidentohen Muho, Begiç, Sadiku e Hoxha, në një kohë që i gatshëm do të jetë edhe një grup volejbollistesh të tjera të talentura. Gjithashtu, në krye të stolit durrsak do të jetë trajneri Agim Doraci, i cili do të drejtojë Teutën edhe sezonin e ri. Ndërkohë, janë disa sponsorë, të cilët tashmë i kanë mbështetur financiarisht tratativat në merkato.


Postuar nga qershor13 datë 20 Korrik 2004 - 13:49:

Grumbullohet kombëtarja e të rejave.

Ka nisur grumbullimi i skuadrës kombëtare të të rejave në volejboll, e cila po përgatitet për kampionatin ballkanik që do të zhvillohet në Rumani në fund të muajit korrik. Trajnerët e ekipit kombëtar, Adrian Gorenxa dhe Agim Doraci, kanë grumbulluar për këtë turne 12 vajza të reja. Është pothuajse i njëjti kontigjent i një viti më parë, ku në përbërje ka mjaft vajza të talentuara që luajnë në ekipet kryesore shqiptare. Ndonëse periudha në dispozicion nuk është e mjaftueshme, skuadra ka filluar menjëherë nga puna, për të qenë gati për ballkaniadën e Rumanisë. Skuadra kuqezi stërvitet dy herë në ditë, në pallatin e sportit "Asllan Rusi" në kryeqytet, përgatitje e cila do të vazhdojë deri në ditët e fundit të këtij muaji. Trajnerët janë duke punuar si nga ana teknike ashtu edhe nga ana taktike me vajzat e reja, për të arritur maksimumin e mundshëm në këtë turne ballkanik. Ende nuk dihet se cilët do të jenë rivalet e skuadrës kombëtare në këtë turne, por mendohet se do të jenë të njëjtat skuadra si vitin e kaluar.


Postuar nga qershor13 datë 20 Korrik 2004 - 13:51:

Skënderbeu në dilemë për të ardhmen.

Pas daljes në grupin A2, Skënderbeu në volejboll për femra ka marrë pushimet, pa ditur sesi do të paraqitet në sezonin e ardhshëm. Pasuesja e ekipit, Zguro, ka deklaruar gjatë këtyre ditëve largimin e saj nga Skënderbeu. Nuk dihet ende sesi do të veprojë një nga lojtaret më të mira të Skënderbeut, Ediola Janaqi, që ka pasur oferta gjatë këtyre viteve nga shumë klube shqiptare. Tashmë të gjitha lojtaret e Skënderbeut kanë marrë pushimet dhe presin që shumë shpejt, pas kthimit të trajneres së tyre, të rikthehen në stërvitje. Në dyshim është edhe qëndrimi i lojtares me mjaft përvojë Mimoza Shahu, e cila mund të largohet. Me pak fjalë, asgjë e sigurt për këtë Skënderbe, që pas rënies në grupin A2 ka mjaft probleme për të zgjidhur. Edhe rënia në këtë kategori ka ardhur si pasojë e përvojës së pakët të lojtareve korçare, që edhe pse u përpoqën, nuk arritën të jepnin më shumë. Ndërkohë, gjëja tjetër që është e sigurt për këtë Skënderbe do të jetë financa e pakët, që do ta shoqërojë edhe në sezonin e ri 2004-2005. Më shumë se të gjitha këto, largimet duket se do të hapin një problem shumë të madh për këtë skuadër, që mund të katandiset në pikë të hallit.


  Gjithsej 4 faqe: « 1 2 [3] 4 »
Trego 35 mesazhet në një faqe të vetme

Materialet që gjenden tek Forumi Horizont janë kontribut i vizitorëve. Jeni të lutur të mos i kopjoni por ti bëni link adresën ku ndodhen.