Forumi Horizont | Gjithsej 69 faqe: « E parë ... « 24 25 26 27 28 29 30 31 32 [33] 34 35 36 37 38 39 40 41 42 » ... E fundit » Trego 69 mesazhet në një faqe të vetme |
Forumi Horizont (http://www.forumihorizont.com/index.php3)
- Feja krishtere (http://www.forumihorizont.com/forumdisplay.php3?forumid=184)
-- Krijimi - evolucioni (http://www.forumihorizont.com/showthread.php3?threadid=12262)
Evolucion apo jo
Tek po bëja pastrimin e shtëpisë me themel, gjeta një kasetë, që se ç’më kujtoi diçka. Ishte një ngjarje këtu e dhjetë vjetë të shkuara. Mund të kem qenë atëhere rreth dhjetë-njëmbëdhjetë vjeçe dhe, duke kujtuar se isha edhe e imët nga trupi, mund të dukesha edhe më e vogël në moshë; ndoshta aq e vogël, sa edhe atyre dy burrave të cilët u ulën pranë meje, nuk do u kem rënë në sy…
E pashë kasetën me përmallim dhe një tufë vizionesh të kaluara mu rikthyen përpara syve. Prindërit më kishin blerë atëhere një kasetofon të bukur me ngjyra, e biles, për gëzimin tim, ngjyrat e tij përziheshin në ngjyrat e një fustani të bukur veror që vishja asaj kohe. E merrja kasetofonin dhe shkoja gjithandej duke inçizuar. Pasi ulesha diku, e vija aparatin me ngjyra në prehër, duke i bashkuar ngjyrat e tij me ato të fustanit, dhe inçizoja gurgullimën e një prroi, inçizoja fërshfërimën e erës, inçizoja zhurmën e makinave, e ç’nuk inçizoja. Edhe zhurmën e një aeroplani në qiell nuk e lija pa e futur tek shiriti i kasetës së manjetofonit. Biles bleva edhe nja dy-tre kaseta të tjera, me sa mbaj mënd. Isha apasionuar aq shumë pas inçizimit të zhurmave sa, me tu kthyer nga shkolla, merrja manjetofonin e bukur dhe dilja për të inçizuar. Ai aparat më kishte bërë për vete…
Mirpo vitet kaluan dhe interesi i dikurshëm u zëvëndësua nga dëshira të tjera. Manjetofoni përfundoi gjysëm i prishur diku tek qoshja e lodrave të papërdorura, ndërsa kasetat u shkelën sa me këmbë, e disa u hodhën në plehra më duket. Bisedat dhe zhurmat e inçizuara nuk tërhiqnin më vëmëndjen time. Mirpo, një kasetë unë nuk e hodha. Mbaj mënd se atë kasetë unë e njihja, ndaj e vura mënjanë. Nuk e di pse veprova ashtu asaj kohe, ndoshta sepse tema e saj i përshtatej mësimeve që bënim në shkollë, apo diçka tjetër, nuk e di; sidoqoftë unë e ruajta atë kasetë. E vura diku dhe koha bëri që unë ta harroj dikur edhe atë. Mirpo, tek e gjeta sot padashur, mu mbush trupi me mornica nga emocionet. Unë kisha inçizuar ata dy burra në parkun e qytetit tonë dhe, ngaqë nuk e kuptoja përse ata kishin biseduar, mendova se kisha inçizuar diçka me rëndësi. Më dukej se ata dy burra kishin përdorur një gjuhë të përzier me fjalë të huaja, në mënyrë që mos ta kuptoja unë. Sepse ata erdhën dhe u ulën në stolin ku isha ulur edhe unë. Ata po flisnin, po po, ata vazhdonin dhe flisnin me njëri-tjetrin pa e patur vëmëndjen tek unë, tek vajza e imët në krah të tyre që kishte vendosur një kasetë të re në manjetofon dhe po inçizonte. E dukej se ata as nuk e vunë re aparatin mbi fustanin tim, që po i inçizonte…
E mora kasetën me kujdes dhe e vura në impiant për ta dëgjuar. Doja ta kujtoja edhe një herë atë moment të dikurshëm. Ndoshta tani, që isha mbi njëzet vjeç, mund të kuptoja diçka nga ajo bisedë e atëhershme. Shtypa butonin dhe u ula në kolltuk…
Kështu u ula asaj kohe në atë stolin e parkut, hodha sytë rreth e përqark, mprefa veshët pipëz për të dëgjuar nëse kishte diçka interesante dhe shtypa butonin e inçizimit. Diku më tej, në barin e jeshiltë luanin disa fëmijë të vegjël. Prapa kokës time cicëronin disa zogj. Nja dy plaka po kalonin përpara këmbëve të mia dhe se ç’po ankoheshin mbi një shoqen e tyre. Një grua e re po kalonte me karrocën e bebit të saj, dhe zhurma e rrotave të karrocës dëgjohej përbukuri. Ndërsa këmbët e dy burrave që po afroheshin nën shëtitjen e ngadaltë, nuk dëgjoheshin akoma. Mirpo zërat e tyre nisën të hynin në shiritin e zi të kasetës, pa u larguar mirë karrocja e bebes. Atë moment nuk e dija se ata do të qëndronin e të uleshin pranë meje, të humbur në bisedën e nisur kushedi sa minuta më parë. Njëri prej tyre duhet të ish mbi të gjashtëdhjetat, pra afërsisht sa gjyshi im, ndërsa tjetri duhet të ish tek të pesëdhjetat, pra më i ri.
Kaseta rrotullohej ngadalë në impiantin tim. Unë rrija e dëgjoja. Burri i vjetër dallohej për zërin e ëmbël, të folurën e ngadaltë, por edhe një zgjatje të fjalëve. Ndërsa ai më i riu fliste me ton pakëz më të lartë, por i kuptoheshin fjalët më mirë. -…jo,jo, flasim për thelbin e çështjes,… -…po,po, edhe kategoritë nuk e shmangin thelbin e çështjes…, dëgjoheshin kështu fjalët e para në shirit. Asaj kohe unë nuk e kuptoja përse të dy burrat flisnin, ndonëse shumë fjalë të tyre i kisha të qarta. Më së shumti isha e përqëndruar ta mbaja manjetofonin në një pozicion të tillë, që të mos më shpëtonte asnjë fjalë e tyre.
-Nuk e kuptoj me çfarë mund ta zevëndësosh krijimin e Gjithësisë nga Zoti!? -fliste burri i vjetër, ndërsa më i riu ia kthente: -Nuk është problemi i krijimit në radhë të parë! E lëmë krijimin e Gjithësisë nga Zoti, pikërisht sipas versionit biblik, po të duash!. Ky nuk është thelbi i çështjes që po diskutojmë! Problemi është: a ekziston apo jo evolucioni!?
-Dhe përderisa do të pranosh krijimin e Gjithësisë nga Zoti, përse të duhet evolucioni i dashur!? -fliste ai më i vjetri.
-Sepse pa evolucionin nuk ka vlerë asnjë teollogji! -ia kthente prerë ai më i riu.
-Nuk ju kuptoj!
-Të mos pranoni ndryshimin e gjithshkaje në këtë botë, është e kotë që flisni për përmisimin e njeriut! Është e kotë të predikoni për përmisimin e njeriut!
Unë zgjatja pak më tej aparatin tim në prehër, duke mos qenë e sigurtë akoma për cilësinë e inçizimit. Më i vjetri nuk foli njëherë. Pastaj, pasi ai ishte menduar duket, foli: -Ju më duket e ngatërroni evolucionin e llojeve me evolucionin e ideve! Tek Hegeli mund të shihni shumë qartë evolucionin e ideve. As unë nuk jam kundër!...
-A kuptoni se ç’po flisni i dashur!? -vazhdoi menjëherë ai më i riu, -Po flisni si një nxënës i klasës së katërt!.. Pas ideve përfshihet gjithë ajo veprimtari e njeriut, duke filluar qysh nga lëvizjet më rutinore të përditshme e deri tek revolucionet! Të gjitha këto sjellin ndryshimin e gjymtyrve të njeriut. Dallohet qartë, se nga veprimtaria e përditshme gruaja nuk ka muskuj si burri, ndaj edhe mërdhin më shumë, basketbollisti është më i gjatë sepse luan basketboll, ata dy pleqtë atje që po luajnë me letra dhe bëjnë pak lëvizje, kanë patjetër një gjoks femre pa muskuj, e kushedi sa miliona shembuj kemi rreth e rrotull.
Unë hidhja sytë rreth e rrotull pa kuptuar asgjë. Nga një anë kuptoja diçka, e nga ana tjetër nuk kuptoja gjë. Megjithatë, kujdesi për të inçizuar çdo fjalë të tyre ishte permanent. Plaku nuk foli menjëherë as kësaj here.
-E megjithë këto ndryshime për shkak të aktivitetit të përditshëm, njeriu ka mbetur ashtu siç e ka krijuar Zoti!
-Kjo quhet vetgënjim! E si mund të mbyllësh sytë përpara zbulimeve arkeollogjike të skeleteve të ndryshëm!? Kemi kormografi të ndryshme kafkash, kemi gjatësi jo të njëjtë kockash. Ku janë tani këto lloje të dikurshme? Ato specie duhet të ekzistonin akoma sot, nëse do ti kish krijuar Zoti sipas versionit biblik!
Plaku nuk foli menjëherë edhe kësaj here. Unë prisja e ngrirë që shiriti të regjistronte gjithshka. -A nuk mendoni se ky evolucioni juaj i heq botës dhe ideve qëllimin e jetës? Kësaj radhe ishte burri i ri që u mendua pak. -Jo, jo, përkundrazi, ky evolucion i jep një kuptim jetës së njeriut. Mendoni sa pa kuptim do të ishte jeta sikur të mos kishte ndryshimin dhe evolimin! Në këtë rast, ideja dhe veprimtaria e njeriut nuk do të kishte vlerë, pra as predikimi yt!
-Nuk ju kuptoj!
Pas kësaj kaluan disa sekonda, para se burri i ri të fliste.
Gjithsej 69 faqe: « E parë ... « 24 25 26 27 28 29 30 31 32 [33] 34 35 36 37 38 39 40 41 42 » ... E fundit » Trego 69 mesazhet në një faqe të vetme |
Materialet që gjenden tek Forumi Horizont janë kontribut i vizitorëve. Jeni të lutur të mos i kopjoni por ti bëni link adresën ku ndodhen.