Forumi Horizont | Gjithsej 242 faqe: « E parë ... « 25 26 27 28 29 30 31 32 33 [34] 35 36 37 38 39 40 41 42 43 » ... E fundit » Trego 242 mesazhet në një faqe të vetme |
Forumi Horizont (http://www.forumihorizont.com/index.php3)
- Diskutime te ngjarjeve nga Shqiperia (http://www.forumihorizont.com/forumdisplay.php3?forumid=307)
-- Komente... (http://www.forumihorizont.com/showthread.php3?threadid=17050)
E verteta "Gay"
Në mbledhjen e fundit të grupit ndërministror për integrimin, kryeministri Sali Berisha foli për herë të parë në lidhje me martesat brenda së njëjtës gjini, duke pohuar vullnetin që, sipas tij, ekziston mes së djathtës për të aprovuar në Kuvend një ligj kundër diskriminimit në përgjithësi. Deklarata e kryeministrit, pavarësisht arsyeve pse u bë dhe pavarësisht momentit të zgjedhur për ta bërë, nxjerr nudo para të gjithëve, pothuajse gjithë shoqërinë shqiptare, të pamësuar me debate të tilla, të cilat as vende me kulturë të zhvilluar demokratike nuk i përballojnë dot.
Së pari, kjo deklaratë, tregoi që të nesërmen se sa pak profesionale është media shqiptare në tërësi, për ta trajtuar këtë çështje. Një gazetar shkruante i revoltuar në gazetën Koha Jonë se kjo nismë “shpërfytyron” shoqërinë shqiptare dhe si argument për këtë frikë të tij sillte të shkruar e zezë mbi të bardhë plot dhjetëra vargje biblike (por jo Kuranore!), nga librat e Dhiatës së Vjetër (Jeremisë, Isait, Nehemisë, madje dhe nga Zanafilla). Një tjetër gazetar me zë, shkruante po atë ditë në gazetën Shekulli, se “Berisha po plotëson qejfet seksuale të një grushti njerëzish, duke na provokuar të gjithëve”.
Me deklaratën e vet, Berisha tregoi po ashtu se një femër me sa duket edhe ajo shume e painformuar në këtë çështje thelbësisht njerëzore dhe sociale, por edhe ligjore, drejton sot Ministrinë e Integrimit. Znj. Majlinda Bregu, përgjegjëse për negociatat e Shqipërisë me BE, zgërdhihej para kamerave, teksa shefi i saj paraqiste (edhe ai me një sforco të dukshme për të mos u zgërdhirë) projektin në fjalë.
Berisha vuri ne siklet me deklaratën e tij edhe shoqërinë civile shqiptare e cila prej 18 vjetësh ka patur mundesi te përfitoje shuma të mjaftueshme donacionesh, të paktën për të inicuar një debat të tillë në opinionin publik, debat që nuk e inicioi asnjëherë, apo më saktë, debat që dështoi në plot dy dekada për ta inicuar. Te pakten derisa, fale nje angazhimi te Grupit Shqiptar per te Drejtat e Njeriut, dhe fale vete taktikes super te holle te kryeministrit, kjo ceshtje ka marre tashme nje rruge pa kthim…
Kryeministri tregoi pothuajse me të njëjtën befasi se sa të papërgatitur janë për këtë çështje edhe vetë përfaqësuesit e feve në Shqipëri, të cilët, të impenjuar maksimalisht me çështjet e pronave dhe të menaxhimit të tyre, kanë kohë që nuk shfaqen në debate publike në lidhje me ideologjitë apo vlerat fetare që përfaqësojnë. I shohim rëndom pothuajse gjithmonë sa herë kanë mosmarrëveshje pronash!
Komisioni Europian: Doni liberalizim të vizave? Bëni ligjin anti-diskriminim!
Qeveria shqiptare asnjëherë nuk e ka bërë publike të gjithë rrugën e detyrimeve konkrete që duhet të përmbushë për arritjen e marrëveshjes për liberalizimin e vizave. “Road map” quhet kjo listë detyrimesh që askush në Shqipëri nuk ka mundur ta studiojë se cfarë detyrimesh përmban, në fakt!
Mapo ka mundur të sigurojë një raport progresi të Shqipërisë në këtë process të liberalizimit të vizave, raport i muajit maj 2009 i Komisionit Europian. Në faqen 24 të këtij raporti, shkruhet shprehimisht se vendit tonë i nevojitet një ligj kundër diskriminimit.
Duke përmendur shprehimisht se në vendin tonë, akoma nuk ka denoncime të dokumentuara të diskriminimit nga ana e homoseksualëve, raporti kërkon që të bëhet më shumë në këtë drejtim (nëse nuk ka raportime të dokumentuara kjo nuk do të thotë se nuk ka diskriminim, por sepse nuk ka një bazë ligjore dhe infrastrukturë që të funksionojë në mënyrë të tillë që raportimet të dokumentohen dhe të gjejnë rrugën ligjore të zgjidhjes!).
Automatikisht, kuptohet se në hartën e obligimeve, Shqipërisë I është kërkuar që të zgjidhë cështjet e diskriminimit në mënyrë ligjore. Ndaj kryeministri Berisha jo vetëm që nuk priti gjatë në këtë pikë, por për të fituar kohën e humbur, mesa duket, hodhi edhe një hap më tej, duke deklaruar jo thjesht domosdoshmërinë e hartimit të një ligji Anti Diskriminim, por edhe pse jo, nisjen e një debate për martesat Brenda gjinisë: një mënyrë kjo supër e kalkuluar politike për të përmirësuar imazhin e Shqipërisë në botë, madje një formë ofensiove e qeverisë shqiptare ndaj BE, e cila pasi u dha të drejtë qytetarëve të Maqedonisë, Malit të Zi e Serbisë, u mohoi edhe për pak shqiptarëve të drejtën për të lëvizur lirisht në Europë.
Por Shqipëria është vendi i kontrasteve ekstreme jo vetëm përsa i përket fasadave që zbukurojnë kryeqytetin, apo kontrasteve politike e njerëzore të batutave të kryeministrit verior që “çudisin” akoma opinionin, por sidomos përsa i përket historive njerëzore, thellësisht personale, që qytetarë të këtij vendi të rinj apo të moshuar jetojnë çdo ditë. Të jesh gay në një vend si Shqipëria, që befas mund të shndërrohet në vendin e 4 europian pas Hollandës, Belgjikës, e Norvegjisë që lejon martesat brenda gjinisë, duhet të jetë ndoshta përvoja që do të zinte faqet e para të çdo gazete, apo faqet e çdo skenari premtues hollivudian.
Mapo rrëfen më poshtë një vëzhgim të detajuar të asaj që njerëz me orientim të ndryshëm seksual, jetojnë ‘hallet’ e tyre pa u shqetësuar e pa menduar fare nëse një ligj si ai që propozon Berisha do u ndryshonte jetën, apo do ishte thjesht një ligj më tepër në arkivën e legjislaturave të Shqipërisë. Të këtij vendi ballkanik që vetëm në vitin 1995 hoqi dënimin me burg për këdo që kapej duke bërë seks me një person të së njëjtës gjini. I fundit vend ballkanik pra, që i fuste në burg homoseksualët në 1995 e që tani pretendon të jetë i pari që u jep atyre të drejtë të martohen e t’u njihet ligjërisht pasuria e përbashkët dhe trashëgimia mbi të.
21 vjeçari të atit: Dua një mashkull!
Marseli, një 21 vjeçar që studion në një fakultet arti në Itali, e tronditi babain e tij 3 muaj më parë, kur me një qetësi gati absurde i tha në Tiranë se ai ishte gay, se kishte rënë në dashuri me një mashkull dhe se ishte shumë i lumtur. E madje donte që po kaq i lumtur të ishte dhe i ati (*të gjitha burimet për këtë shkrim këmbëngulën të mbeteshin anonimë dhe po kështu edhe personat e tjerë të cilët ata citojnë, ndaj të gjitha emrat e përdorur do të jenë të sajuar, zgjedhur sipas dëshirës së vetë burimeve).
.
“Cfarë të tha?”, e pyetën shokët dhe disa shoqe Marselin, në një bar të thjeshtë në ish bllokun e Tiranës, të quajtur “Old House”. “S’më tha asgjë të keqe”, iu përgjigj ai. Por të nesërmen kur i takoi sërish miqtë e tij (të gjithë të rinj gay), u sqaroi se i ati kishte zënë shtratin e nuk ndihej mirë…
Secili prej këtyre të rinjve, në pamje të parë duket se jeton shumë mirë, në mënyrën ndoshta më komode të mundshme: mes festave që nuk mbarojnë, sa në njërin club të Tiranës, sa në tjetrin. Sot për sot, Tirana është i vetmi kryeqytet në Ballkan që nuk ka as edhe një ambient dëfrimi të destinuar ekskluzivisht vetëm për të rinjtë homoseksualë. Në Beograd, ka tre diskoteka të mëdha, dy pub-e dhe disa bar-kafe vetëm për këtë pjesë të komunitetit, në Zagreb gjithashtu. Në Shkup dhe në Podgoricë funksionojnë bare të tilla, madje dhe në Sarajevë. Në Tiranë jo, por grupe të rinjsh homoseksualë tregojnë se ata frekuentojnë pothuajse njëkohësisht vende miqesore me ta si Old House, Raum, Neë Irish, Llolipop, Mad, Folie, etj, që të gjitha këto vende të njohura të jetës së natës në Tiranë.
Secili prej këtyre të rinjve ka nga një histori dashurie. Ata e tregojnë deri në detaje, të pashqetësuar, sepse në rrethin e tyre të ngushtë tashmë kushdo e di preferencën seksuale që kanë, ama jashtëzakonisht të trembur nëse i pyet se a mund ta tregojnë këtë histori me emrin e tyre, me mbiemër, e ndoshta me një fotografi të sfumuar në ndonjë organ të shtypit shqiptar! Të përgjigjen të gjithë: Jo! Madje edhe Marseli, që ndryshe nga të tjerët pati guximi t’i tregojë për të fshehtat e jetës së vet, të atit. “Të jesh i drejtpërdrejtë me prindërit e t’u thuash çdo gjë që për ty ka rëndësi, për mua do të thotë respekt: nuk ka gjë më të bukur se sa të hapesh me prindërit e tu”, thote ai. Eshtë normale që pas një diktature prej 50 vjetësh të degjosh dhe fjalë negative ose të kesh moskuptime për momentin. Por besoj se duke u munduar së shpjeguari mirë se çdo të thotë vërtet të dashurosh, besoj se çdo prind do e kuptonte”!
Por rrëfimi i tij, të bën më shumë konfuz dhe ai vetë të nervozon më shumë, sa herë që nuk u përgjigjet plotesisht pyetjeve. Për shembull, ai nuk e di akoma se çdo të thotë të jesh një baba si i ati, një biznesmen i suksesshëm që i është dashur të përballet me shumë situata të forta karakteri mashkullor, në pozicionin kur i biri i thotë se ka rënë në dashuri me një tjeter mashkull!
“E kush është ajo nënë apo ai baba që nuk do e pranonte fëmijën e tij?”, përgjigjet kapriçoz Marseli, pa shpjeguar në fakt, se si arriti i ati të ngrihet nga shtrati ku ishte dergjur për disa ditë e ta pranonte atë ashtu siç është. “Në moment duken pak ndryshe dhe sikur nuk të kuptojnë por me kohën do e shikoni që çdo gjë do shkojë si jo më mirë”, vazhdon ai (këtë herë preferon që përgjigjet t’i japë përmes postës elektronike).
“Eshtë normale që një prind të reagojë keq për momentin thjesht për faktin sepse ai kishte një ide tjetër për jetën tënde, asgjë më tepër! Me kohën do mësohet. Unë nuk ia thashe prindërve të mi këtë gjë sepse ndihem ndryshe nga të tjerët, jo, aspak! Unë jam njësoj si të gjithë të tjerët dhe ndihem një njeri normal me difektet e mia, por jam normal.dhe s’kam pse ti them botës që jam gay! Jo… Unë mund t’i them botës që dashuroj një mashkull me x emër, këtë po, e bëj me kënaqësi, por të them që jam gay, do të thotë që ndihem ndyshe nga të tjerët”, vazhdon me botëkuptimin e tij Marseli, i patrembur tashmë se po dëshmon për një revistë të përjavshme shqiptare.
Ndërkombëtarët: Ky është një lajm i jashtëzakonshëm!
“Ky është një lajm i jashtëzakonshëm! Jam shumë kurioz të mësoj se si do të shkojë e gjithë kjo çështje”. Kështu pohon për revistën MAPO Bjorn Van Roozendaal nga CoC Netherland, një organizatë e fuqishme hollandeze që merret me mbrojtjen e të drejtave të homoseksualëve (Gay, lëzbike, biseksualë, transeksualë). Deri përpara dy vjetëve Roozendaal asistonte GISH (Grupi për Integrimin Shoqëror) të vetmin grup shqiptar të mirëorganizuar deri para dy vjetësh në lidhje me këto çështje.
Roozendaal thotë për revistën MAPO se nëse Shqipëria do të duhet të përballet me Bashkimin Europian gjatë proçesit të integrimit, e rëndësishme nuk është martesa brenda gjinisë, por një legjislacion i plotë kundër diskriminimit.
Në fakt, ligji të cilit i referohej kryeministri Berisha bën fjalë pikërisht për norma të caktuara në lidhje me diskriminimin, sidomos me atë diskriminim që vihet re në marrëdhëniet e punës dhe jo ekskluzivisht per martesat gay, por që ky debat të avancojë deri te martesat Brenda gjinisë, kjo jo vetëm që nuk e shqetëson BE, por përkundrazi, e surprizon për mirë.
Ndaj, e gjithë deklarata e kryeministrit Berisha, sigurisht mbetet edhe këtë herë për t’u provuar nëse është një shoë provokues mediatik, apo jo. Por që këtë herë, premton se do të sjellë të paktën një klimë të shëndetshme në informimin e opinionit publik me disa të vërteta që deri më sot ka refuzuar t’i përballë.
Elsa Ballauri: Po punojmë për këtë ligj që në vitin 2006
Mapo: Sa kohë ka Grupi juaj që punon për këtë draft ?
Elsa Ballauri (Grupi Shqiptar për të Drejtat e Njeriut): Puna për Ligjin kundër Diskriminimit ka nisur në vitin 2006. Mbështetja financiare ka ardhur nga Komiteti Suedez i Helsinkit me të cilin ne kishim një bashkëpunim shumë të ngushtë. Unë ia propozova idenë e projektit kordinatorit të kesaj shoqate që punonte në Shkup. Punuam me një grup pune me specialistë dhe u bazuam në disa ligje europiane ose jashtë Europës. Një nga ligjet më të gjera mbi këtë tëmë është ligji anglez, Australian, por edhe ligjet e disa vendeve të Ballkanit, janë ligje shumë të mira.
Mapo: Konkretisht cfarë përmban ky ligj
Ballauri: Të gjitha format e diskriminimit të njohura deri më sot mbrohen nga ky ligj, pra minoritetet etnike, gratë, fëmijët, persona me orientim seksual të caktuar, handikapët, persona të feve të ndryshme, etj. Ligji është projektuar në tre aspekte në atë të edukimit, të punësimit dhe të shërbimeve. Pra, ai mbron individët që për shkak të përkatësisë në pakica të caktuara që unë përmenda më lart, mund të diskriminohen në sektorin e edukimit, ne punë, etj. E drejta e këtyre personave kërkohet në gjykatat e vendit, apo më tutje.
Mapo: Cfarë komentesh kanë rreth draftit organizmat ndërkombëtare që ju kanë asistuar?
Ballauri: Kemi bashkëpunuar me OSBE, Këshillin e Europës, Komisionin Europian, ILGA (Organizata Ndërkombëtare e Gay dhe Lesbian), ERRC (Organizata Europiane e Romëve), me Forume të handikapëve, shoqata grash, fëmijësh, minoritetesh etnike, etj.
Mapo: A ka lidhje realisht ky ligj me integrimin e Shqipërisë dhe si?
Ballauri: Ligji kundër Diskriminimit ka lidhje me integrimin e Shquiperisë në BE. Diskriminimi është një nga cështjet që diskutohet sot në botë dhe një nga elementët e rëndësishme të përfisrjes në familjen europiane. …
Shkruan K. Pinderi
Gjithsej 242 faqe: « E parë ... « 25 26 27 28 29 30 31 32 33 [34] 35 36 37 38 39 40 41 42 43 » ... E fundit » Trego 242 mesazhet në një faqe të vetme |
Materialet që gjenden tek Forumi Horizont janë kontribut i vizitorëve. Jeni të lutur të mos i kopjoni por ti bëni link adresën ku ndodhen.