Forumi Horizont Gjithsej 124 faqe: « E parë ... « 25 26 27 28 29 30 31 32 33 [34] 35 36 37 38 39 40 41 42 43 » ... E fundit »
Trego 124 mesazhet në një faqe të vetme

Forumi Horizont (http://www.forumihorizont.com/index.php3)
- Feja Islame (http://www.forumihorizont.com/forumdisplay.php3?forumid=183)
-- Agjerimi dhe vlerat e tij. (http://www.forumihorizont.com/showthread.php3?threadid=6282)


Postuar nga Indrit datë 24 Shtator 2006 - 13:53:

FILOZOFIA DHE SEKRETET E AGJËRIMIT

  
"Agjërimi paraqet burrërinë e proklamuar dhe dëshirën e lartë".   
Kjo është mbrëmja e dytë e këtij Muaji fisnik, në të cilin njerëzit zakonisht qëndrojnë deri në mëngjes, përgatisin ushqim gjersa e kalojnë nivelin e rëndomtë dhe përjetojnë gëzim dhe hare. Këto forma mund t'i plotësojnë dëshirat e disa fetarëve, që i konsiderojnë si argument për thellimin e Islamit në zemrat e muslimanëve, por ngelin në këtë kufi sepse e pranojnë realitetin e agjërimit në bazë të urisë ditore, realitetin e fisnikërisë me pagesat e iftarit dhe syfyrit kurse realitetin e devotshmërisë me ndriçimin e minareve dhe mbushjen e xhamive me njerëz.   
Në realitet e vërteta e agjërimit nuk ndikon në mjedisin e disa njerëzve dhe për këtë vendosin të mos agjërojnë, pa ndier kurrfarë faji ose mëkati, bile ndonjëherë hanë gjatë ditës së agjërimit publikisht pa kurrfarë turpi ose shqetësimi.   
Sekretet e agjërimit   
Sikur të ishte agjërimi traditë atëherë sipas edukatës shoqërore, duhej ta respektonim më tepër sesa e respektojmë tash për shkak të nderimit të popullit dhe traditës së tij.   
Pra në ç'mënyrë ta respektojmë pasi që është edukatë shpirtërore e popullit që mëson prej agjërimit ngritjen mbi epshet, depërtimin në horizontet e mirësisë dhe largimin nga materja, gjegjësisht shoqëria fiton lumturinë e saj?!   
Kështu, agjërimi është vegël për edukimin e dëshirës stabile të popullit sepse agjëruesi nuk dominon vetëm mbi kënaqësinë e lejuar por edhe mbi ate të ndaluarën; fiton shprehi të largohet vullnetarisht nga ushqimi e pija që më vonë të mos ndiej vështirësi në rast obligimi.   
Agjërimi është obligim praktik i Islamit të mëshirshëm për të gjithë muslimanët; hanë e pijnë në një kohë, nuk dallohet barku prej barkut e as goja prej gojës; ndien urinë edhe ai që se ka ndier para Ramazanit si dhe përjeton vuajtjet e varfërisë dhe të skamjes edhe ai që s'i ka përjetuar më parë.   
Pasha jetën time, a ka në botë socializëm praktik që i trajton njerëzit në mënyrë të barabartë, si në skamje ashtu edhe në bollëk, ashtu siç është shoqërorizimi i agjërimit gjatë Muajit të Ramazanit?!   
O agjërues besimtarë, Ramazani është largim nga epshi e kënaqësia, lartësim shpirtëror dhe liri shpirtërore. Sa bukur do të ishte sikur i tërë viti të ishte Ramazan, nëse ky është koncepti i agjërimit!   
Ramazani është muaji i burrërisë së proklamuar që dominon mbi instinktet dhe i dëshirës së lartë që funksionon vullnetarisht. Sa mirë do të ishte sikur Muaji i Ramazanit ta bashkonte gjithë popullin e të mos mbetet askush me burrëri të dështuar dhe me dëshirë të parealizuar! Sa mirë do të ishte sikur Ramazani t'i bashkonte njerëzit me agjërimin që përmban në vete burrëri të proklamuar dhe dëshirë të lartë!   
Ramazani është varfëri e obliguar sepse të gjithë njerëzit në të janë të barabartë, ndiejnë vuajtje të njëjta që dalin nga realiteti objektiv e jo nga imagjinata iluzore. Nga vuajtjet lindë mëshira kurse nga mëshira drejtësia! Sa e bukur do të ishte jeta sikur të gjithë të kishin vuajtje dhe ndjenja të njëjta!   
Sa e bukur do të ishte koha edhe sikur të ishte krejt Ramazan, ngase ai (Ramazani) i realizon gjërat më të rëndësishme në shoqëri: barabarësinë dhe rehatinë!   
Nëse Ramazani është përkryerje, burrëri, edukatë e dëshirës dhe socializëm praktik, atëherë a nuk e shpallin publikisht muslimanët që nuk agjërojnë zhytjen e tyre në epshe, largimin nga burrëria, dështimin në mejdanin e dëshirës dhe luftimin kundër socializmit praktik? A e fitojmë të drejtën që joagjëruesit e rritur t'i quajmë "fëmijë të rritur", kurse fëmijët agjërues "të rritur të vegjël?"   
O fëmijët e mi të vegjël dhe o vëllezër të rinj që e përjetoni vuajtjen e urisë, vapën e verës dhe vështirësinë e etjes! Ju agjëroni së bashku me prindërit tuaj dhe e vërtetoni burrërinë dhe dëshirën tuaj!   
Ju lumtë, sepse vatani me ju do të fitojë e jo me ata të cilët dështuan para se të hynë në mejdanin e luftës!   
O vëlla besimtar!   
Nëse Ramazani është ashtu siç u theksua, atëherë e drejta jonë është të pyesim se a agjërojmë me të vërtetë këto ditë apo a i përjetojmë vuajtjet e urisë në ditët e Ramazanit e t'i mënjanojmë nga ato që i përjetojmë gjatë tërë vitit?   
A e ndalojmë ushqimin e trupave tanë që t'i mbrojmë organet tona nga dëmtimi dhe armiqësia?   
A ndjejmë në agjërim lartësinë e shpirtrave tanë ashtu që të mos veprojmë siç kemi vepruar para Ramazanit?   
Muhammedi a.s. përgatitej para çdo Ramazani, jo me ushqim e pije as me zbukurim e veshje, por me adhurim dhe devocion, bujari dhe shpirtgjerësi, kështu që para Zotit xh.sh. shndërrohej në rob respektues, para njerëzve në pejgamber të urtë, kurse para vëllezërve dhe fqinjëve të tij në mirëbërës dhe bujar aq shumë saqë disa shokë të tij thonin se gjatë Ramazanit ishte më bujar se kurdoherë më parë...   
Ashtu vepronin edhe shokët dhe pasardhësit e tij. Ramazani për ta ishte koha kur shijonin erërat e parajsës (xhennetit), fluturonin besimtarët në qiejt e të vërtetës dhe ngriheshin zërat e falësve të namazit kundër tiranëve keqtrajtues.   
Pse nuk e përjetojmë Ramazanin ashtu siç e përjetuan Pejgamberi dhe paraardhësit tanë? Pse nuk e shndërrojmë në muaj të mirësisë ashtu që jeta jonë të lulëzojë vetëm me mirësi, begati dhe lartësi shpirtërore?   
Pse nuk e shndërrojmë Ramazanin në muaj të luftës kundër dobësisë, injorancës, epsheve tona, kaosit tonë dhe kundër çdo mëkatari e tirani në botë?!   
O ju agjërues!   
Ju jeni në luftë me epshet tuaja për shkak të grindjes mes materies dhe shpirtit dhe duhet të keni kujdes që të mos dështoni; keni kujdes që të mos keni uri ditën për t'i mbushur barqet natën; keni kujdes që të mos i ushqeni duart, sytë dhe gjuhën tuaj pas agjërimit me mëkate, gënjeshtra e sharje!.   
Keni kujdes që të mos jeni aktivë në veprat e këqija dhe përtacë në adhurim! Keni kujdes prej të gjitha këtyre gjërave sepse janë vepra të djallit e jo të Rrahmanit (Zoti xh.sh.).   
Shpejtoni në përkushtim!   
Bëni vepra të mira!   
Shijoni erërat e xhennetit!   
Çoni sytë përpjetë kah qielli!   
Ngreni shpirtrat tuaj nga kjo botë!   
Përkujtoni gjithmonë thënien e Muhammedit a.s.: "Shumë agjërues nuk fitojnë prej agjërimit të tyre pos urisë dhe etjes", ose: "Agjërimi është mburojë dhe nëse e nxitë ose e sulmon ndokush agjëruesin le të thotë: 'Unë agjëroj, unë agjëroj'."   
O Zot, na bën prej agjëruesve të pranuar!   
   
   
   

 RAMAZANI, MUAJI I MIRËBËRJES  

Para pak çastesh përfunduat iftarin dhe falënderuat Zotin xh.sh. për ushqimin pas urisë dhe etjes. Iftari është njëri prej dy gëzimeve që i ka theksuar Muhammedi a.s.: "Agjëruesi ka dy gëzime: në iftar dhe në takimin me Zotin e tij."   
Gëzimi i përbashkët nga ushqimi dhe freskimi zakonisht realizohet në mbrëmjet e Ramazanit sepse familja vështirë bashkohet në ushqim e haje pos në Ramazan, bile nëse ndokush mungon nga familja, mungesa e tij ndihet më së shumti në ditët e Ramazanit.   
Ju, o agjërues, në çdo mbrëmje të Ramazanit përjetoni lumturi të papërshkruar, i falënderoheni Zotit xh.sh. dhe kërkoni prej Tij që ajo lumturi të vazhdojë; pra si e paramendoni vazhdimin e këtyre begative dhe si i falënderoheni?   
Falënderimi për mirësitë nuk shprehet vetëm me gjuhë por duhet të punosh që edhe vëllezërit tu, të cilët jetojnë një jetë në skamje, të të shoqërojnë në ato mirësi. Sa të varfër ka që janë më të zgjuar e më të mençur se të pasurit mirëpo ashpërsia e shoqërisë dhe mosinteresimi shtetëror ua destinoi botën e mjerimit dhe të problemeve elementare.   
Pasi që mëshira për ta është e obliguar jashtë ditëve të Ramazanit, atëherë gjatë këtij muaji bëhet edhe më e obligueshme.   
Pasi që shoqatat humanitare obligohen t'u ndihmojnë dhe t'ua fshijnë lotët, pikëllimet dhe mjerimet e tyre, atëherë muslimanët janë më të obliguar për t'i bërë të lumtur e t'u ndihmojnë.   
O ju njerëz, a nuk mendoni se numri i njerëzve të tillë është shumë i madh?   
A nuk mendoni se ata në shoqërinë tonë të ashpër e të vrazhdë gjenden në çdo lagje, treg, rrugë, fshat...?   
Mos mendoni se të gjithë ata të cilët trokasin në dyert tuaja dhe të cilët ju bezdisin me insistimet e tyre nëpër rrugë janë të varfër sepse shumica  janë ekspertë në fjalë. Të mjerë dhe të varfër janë ata të cilët nuk mund t'i ushqejnë fëmijët me rrogat e tyre, gratë që s'kanë gjë në vatrat e tyre, jetimat, refugjatët e ikur të cilët për shkak të politikës diskriminuese, tradhtisë apo faktorëve të tjerë e humbën pasurinë, u poshtëruan, u shpërndanë nëpër rruzullin tokësor dhe erdhën te ne që të kërkojnë lëmoshë për jetë.   
Për ta sot duhet të kujtoni. Nuk them që t'u jepni lëmoshë apo të bëheni zemërgjerë sepse këto janë sjellje njerëzore, por them: "fshini mëkatet tuaja dhe të tyre me ndjenjat e vëllazërimit, lidhjet fetare, mëshirën dhe afërsinë fqinjësore".   
Sikur të mos ishte vrazhdësia e shoqërisë, nuk do të jetonin në mjerim të tillë. Nëse ata ndjejnë idhëtinë e jetës një herë jashtë Ramazanit, atëherë e ndjejnë shumë herë gjatë këtij muaji.   
O ju njerëz, ata janë fqinj tuaj sepse në çdo lagje keni një ose më shumë familje të varfëra. Paramendone mjerimin e tyre kur ju shohin se si hyni në shtëpitë tuaja me lloj-lloj pemë, perime e ëmbëlsira, kur e ndjejnë erën e mishit të pjekur dhe të gjellave për çdo mbrëmje dhe kur i shohin fëmijët tuaj që dalin të ngopur në rrugë për të luajtur. I ati i tyre ndien  dhembje në gjoks, nënës i rrjedhin lotët, kurse fëmija qanë e vajton nga uria.   
Kështu ju ushqeheni çdo ditë kurse ata kalojnë natën të uritur...   
Njoh një prind që ishte i pasur kurse fëmijët e tij ishin mësuar me ushqim të mirë dhe veshmbathje luksoze, mirëpo, për fat të keq pas një kohe përjetoi çastet e vështira të mjerimit. U afrua  Ramazani kurse ai s'kishte të jep atë që e jepte më parë dhe kështu, për shkak të turpit nuk dilte të kërkojë prej njerëzve lëmoshë apo sadaka. S'kishte mundësi t'i ofrojë familjes së vet diçka për të ngrënë pos djathit, fasules dhe ullirit.   
Fëmijët e tij duruan ditën e parë dhe të dytë mirëpo në të tretën, fëmija i vogël i tha: "O baba, na e mbytë barkun djathi dhe ulliri, ne agjërojmë dhe kemi nevojë për ushqim të mirë e lëngje freskuese në këtë vapë dhe do ta humbim vetëdijen nga erërat e gjellërave të fqinjve tanë. Pse nuk na ushqen ashtu si i ushqen fqiu ynë fëmijët e tij dhe ashtu si na ushqejshe më parë?" Kështu, fëmijës i pikuan lotët, kurse i ati doli në një vend të errët të shtëpisë dhe filloi të qajë, sepse nuk dëshironte që zemrat e fëmijëve të tij ta përjetojnë mjerimin e skamjes nga vrazhdësia e njerëzve dhe dredhia e shoqërisë.   
O ju agjërues të pasur! Ju keni gjellëra të ndryshme e të këndshme për çdo mbrëmje. Diçka prej tyre mund ta ushqejë të uriturin, t'i gëzojë të mjerët dhe t'i fshijë pikëllimet. Pra, a mendoni për fqinjët dhe të afërmit tuaj? A mendoni që të ndani vetëm një gjellë prej gjellërave tuaja për familjen, mjerimin e së cilës e njeh vetëm All-llahu xh.sh.?   
Pasha Atë që e ka obliguar agjërimin për ta siguruar barabarësinë njerëzore dhe mirëbërjen ndaj të mjerëve e të varfërve, sikur çdo agjërues të ushqejë ndonjë agjërues të varfër dhe sikur çdo familje e pasur të ushqejë ndonjë familje të varfër, nuk do të ekzistonte në shoqërinë tonë asnjë i mjerë, i varfër ose fatkeq. Ramazani do të ishte muaj i begatisë së pafundshme dhe ne do të ishim Ummeti më i mirë në botë!   
O agjërues, ndihmoni fqinjët tuaj, të afërmit dhe vëllezërit refugjatë!   
Keni kujdes që të mos e harroni mirëbërjen ndaj tyre, lumturinë e tyre dhe shfrytëzimin e përbashkët të begative të Zotit xh.sh.   
O ju agjërues, kur të mblidheni me familjet tuaja rreth sofrave tuaja plot me ushqim e pije kujtoni urinë e zorëthatëve dhe vuajtjet e njerëzve si dhe binduni se Zoti xh.sh. nuk do ta pranojë agjërimin e as adhurimin tuaj, po qe se afër jush jetojnë njerëz të uritur që mund t'i ushqeni dhe të mjerë që mund t'i gëzoni!   
Muhammedi a.s. thotë: "Nuk më beson mua ai i cili fle i ngopur dhe e di se fqiu i tij është i uritur."   
O Zot, të lusim që të na dhurosh të mira të llojllojshme dhe të falënderohemi për bagatitë që na i ke dhuruar; na mundëso të bëjmë vepra të mira dhe të hyjmë në parajsë me mëshirën Tënde e të jetojmë me robërit e devotshëm!   
   
   
   
   

NDIKIMI I ADHURIMIT (IBADETIT) NË EDUKATËN E POPULLIT 
 
Popujt që duan të bëhen të famshëm dhe fisnikë ndjejnë nevojën për një edukatë të posaçme për fëmijët e tyre të cilët më vonë do ta mbrojnë ideologjinë dhe mesazhin e tyre.   
Karakteristikat më të rëndësishme të kësaj edukate janë: "fuqia", "dashuria" dhe "modestia".   
Me termin "fuqi" nënkuptojmë fuqinë e shpirtit dhe të mendjes; me termin "dashuri" nënkuptojmë dashurinë ndaj fëmijëve të popullit dhe bashkëpunimin e njohjen e ndërsjellë me fëmijët e njerëzimit; me termin "modesti" nënkuptojnë eliminimin e dallimeve klasore, gjegjësisht të mos ketë i pasuri përparësi ndaj të varfërit për shkak të pasurisë, njeriu i shtetit ndaj atij të rrugës për shkak të pozitës së tij dhe të mos mburren njerëzit me prejardhjen familjare, rrobat apo pasurinë, por me punë të mira.   
Nëse edukata e popullit përqëndrohet në këto tri karakteristika, atëherë do të ketë rini e cila do ta mbrojë nga sulmet e njerëzve qëllimkeqë dhe nga rreziku i dekadencës dhe devijimit të brendshëm shtetërorë.   
Për fat të mirë, sheriati ia ka siguruar popullit tonë këtë lloj edukate për të formuar një rini të tillë, edhe atë në bazë të parimeve fetare islame që i ka caktuar. Namazi, agjërimi, haxhxhi dhe zekati në realitet janë mënyra për edukimin e shëndoshë që është i nevojshëm për jetën e çdo populli nëse synon të jetojë i përkryer e fisnik.   
O vëlla i sinqertë, eja me mua e t'i analizojmë këto tri elemente islame dhe të shohim se a kemi nevojë për to që të formojnë gjeneratë që i përballon kohës me fuqi, lartësi dhe edukatë fisnike? Nëse e analizojmë elementin e fuqisë në besimin islam do të shohim se abdesti është fuqi për trupin dhe energji për shpirtin dhe se qëndrimi i përbashkët i gjithë muslimanëve para Zotit xh.sh. në një drejtim është fuqi që vërteton qëllimin unik, pastaj përgatitja e rrugës së drejtë dhe ngritja e kokës përpjetë, etj.   
A nuk sheh se hyrja në namaz me himnin hyjnor të përhershëm: "All-llahu Ekber (Zoti është më i madh)" paraqet fuqinë e shpirtit, frymës dhe masës së popullit që ndien se Zoti është më i madh prej çdo të madhi, më i madhëruar dhe më i fuqishëm në botë se çdokush tjetër që konsiderohet i fuqishëm dhe i madhëruar? Pastaj a nuk shohim se thënia e besimtarit në namaz: "Vetëm Ty të adhurojmë dhe vetëm në Ty mbështetemi" paraqet betimin e fuqisë së besimtarit para Zotit se vetëm Atë e adhuron dhe vetëm në Të mbështetet? Në këtë mënyrë besimtari forcohet me Zotin para dobësisë së vet në jetë dhe provokimit të epshit.   
Pastaj qëndrimi në radhë të drejta pas imamit për të dëgjuar leximin e Kur'anit, ligjëratat ose për t'u falur gjithashtu prezenton fuqinë e bashkimit të popullit, fjalën e përbashkët, zemrat e bashkuara dhe dominimin e respektit dhe disiplinës.   
Çfarë fuqie mund të jetë më e mirë për popullin se kjo e namazit që ndjehet në shpirtin e muslimanit pesë herë në ditë?   
Nëse e analizojmë agjërimin do të vërejmë se agjëruesi vullnetarisht u nënshtrohet vuajtjeve nga uria, etja e lodhja. Kjo fuqi e dëshirës së tij për t'u përballuar vështirësive në jetë nuk mund të krahasohet me asnjë fuqi tjetër si dhe nuk e njeh dështimin apo disfatën.   
Nëse e analizon haxhxhin, do të kuptosh se lundrimi mbi det, hipja në tren e automjete tjera, ecja nëpër shkretëtirë, lakuriqësia e kokës, gjoksit, krahëve dhe këmbëve, qëndrimi nën diell, tavafi rreth Qabes dhe shpejtimi mes Safasë dhe Merves paraqesin fuqinë e shpirtit, fuqinë e trupit dhe fuqinë e dëshirës. A ka ndonjë edukatë shoqërore që është më e mirë dhe më fisnike se kjo që i bashkon të pasurit me të varfërit, të madhin me të voglin dhe që e forcon Ummetin aq shumë saqë e anulon dobësinë, dështimin dhe paaftësinë.   
Edhe zekati përmban fuqi e dëshirë sepse dhënësi ndanë nga pasuria e tij që e ka grumbulluar me lodhje e vuajtje për vëllezërit e vet, dominon mbi koprracinë dhe dëshirën për grumbullimin e pasurisë.   
Ai që jep diçka vullnetarisht nga pasuria e tij e shtrenjtë konsiderohet bujar më i madh.   
Ky është elementi i fuqisë në besimin islam. Tash të shohim elementin e dashurisë.   
A nuk sheh se tubimi i muslimanëve për faljen e namazit është faktor i dashurisë ndërnjerëzore? Ata tubohen në vendin më të pastër dhe me qëllim më fisnik para Zotit të botëve, të Gjithëmëshirshmit e Mëshirëbërësit... Pasi i kaplon mëshira e Zotit, atëherë s'ka vend për vrazhdësi, dëm e tirani.   
Pastaj shih se si e përfundon muslimani namazin e tij me thënien: "Paqja  dhe shpëtimi qofshin mbi ne dhe mbi të devotshmit e Zotit". Ai në këtë rast përkujton botën e mirësisë dhe vëllezërit e tij si në Lindje ashtu edhe në Perëndim. Kur del prej namazit thotë: "Paqja dhe shpëtimi i Zotit qofshin mbi ju". Ai e fillon namazin me madhërimin e Zotit dhe e përfundon me mëshirë e paqe të përhershme.   
Njerëzimi ka shumë nevojë për një fuqi të tillë të mëshirshme që i kaplon edhe popujt e shtypur e të mjeruar në tokë.   
A nuk të nxitë ndjenja për uri dhe etje gjatë agjërimit që ta rikujtosh botën e uritur e të etshme? A nuk është edukatë praktike e dashurisë pas dështimit të rregullave dhe leksioneve teorike në realizimin e saj?   
A nuk është haxhxhi dashuri ndaj Zotit xh.sh., Pejgamberit dhe vendit ku lindi thirrja islame?   
A nuk është dashuri ndaj njerëzve ngase braktiset shtëpia dhe familja për t'u tubuar në një vend? Përsa i përket elementit të modestisë, unë nuk shoh diçka më të bukur se modestia e muslimanit kur përulet para Zotit xh.sh. Kështu përulen të gjithë muslimanët - nuk ka kokë mbi kokë as shpirt mbi shpirt por të gjithë janë një. Gjatë faljes së namazit në xhami, shpirtit njerëzor i kthehet autoriteti sepse aty të mëdhenjtë e ndjejnë shpirtin popullor, sepse aty takohen me popullin krah për krahu e fytyrë për fytyre. Sheriati në namaz ka caktuar barabarësinë mes njerëzve sepse aty vërtetohet jeta e realtë.   
O ju të rinj, a dëshironi fuqi? Ajo përfitohet në bazë të adhurimit të Zotit të Madhëruar dhe përuljes para Tij?   
O ju të moralshëm, a dëshironi dashuri? Kjo realizohet në bazë të namazit, agjërimit, haxhxhit dhe zekatit!   
O ju socialistë, a dëshironi barabarësi? Kjo realizohet në bazë të namazit, agjërimit, haxhxhit dhe zekatit sepse njerëzit barabarë-so-hen, -trupat tubohen dhe duart bashkohen.   
O ju reformistë, a dëshironi fuqi për popullin tuaj, dashuri, barabarësi e modesti? Atëherë thirrni në adhurim, nxitne devotshmërinë në popull dhe bëhuni të devotshëm e adhurues!   
   
   
   
   

 INSTITUCIONI I ZEKATIT  

Ramazani është afër përfundimit dhe ju përgatiteni ta përcjellni me mirësi e mirëbërje. Në kohën e fëmijërisë sime i vëreja njerëzit se si e përcillnin këtë muaj me ndihma e kontribute, gjegjësisht me zekat. Para se të afrohej gjysma e këtij muaji të pasurit i hapnin sënduqet e tyre, e pastronin pasurinë dhe i hapnin dyert e të varfërve me lloje të ndryshme bamirëse si në veshmbathje, ushqim dhe të holla. Sa bujar ishte shpirti  i muslimanëve të atëhershëm përplot me bashkëpunim, ndihma dhe kontribute. Ramazani i kishte kapluar zemrat dhe kishte çrrënjosur urrejtjen, i kishte bashkuar duart dhe eliminuar koprracinë si dhe e kishte kapluar pasurinë, e kishte zhdukur gjendjen e saj statike sepse bartej prej një xhepi në xhep tjetër dhe prej një shtëpie në shtëpi tjetër. Kur vinte festa, fytyrat e njerëzve ishin përplot hare, trupat e tyre të veshur me rroba të bukura dhe duart i zgjateshin njëri-tjetrit me dashuri.   
Kështu e shihja lamtumirën e Ramazanit në kohën e fëmijërisë sime dhe nuk e di se a ekzistojnë ende këto tradita të bukura. Jam i bindur se besimi që i nxiste etërit dhe gjyshërit tanë të japin zekatin dhe të shpërndajnë mirësi në Ramazan ende ekziston në shpirtin tonë dhe na nxitë të veprojmë ashtu siç vepronin ata, eventualisht ta përfundojmë Ramazanin ashtu siç e përfundonin ata.   
Zekati nuk ka muaj të caktuar në Islam mirëpo ne shfrytëzojmë një rast prej rasteve të adhurimit dhe një mënyrë prej mënyrave të eliminimit të varfërisë e mjerimit.   
Zekati në Islam nuk është sadaka (dhënie lëmoshë) e as nafile, por është dhënie e obliguar për të drejtën shoqërore, për lumturinë e shoqërisë  dhe për parimin islam që konfirmon se sado që të ketë dallime mes njerëzve në pasuri, përsëri duhet të mbretërojë parimi i përbashkët i nderit njerëzor që e proklamon Kur'ani: "I kemi fisnikëruar dhe nderuar pasardhësit e Ademit".   
Zekati është e drejta e të varfërit që ka aftësi për punë por s'e gjen dot apo s'mund të punojë për shkak të ndonjë sëmurje ose pengese tjetër. Zekati është e drejtë e klasave të nënshtruara në shoqëri për ta shfrytëzuar frytin e mundimeve të tyre, ashtu siç thotë All-llahu i Madhëruar në Kur'an: "Dhe në pasurinë e tyre kishin përcaktuar të drejtë, për lypësin dhe për të ngratin (që ka nevojë, por nuk lypë)."   
Është për t'u habitur se njerëzit e sotshëm shkojnë kah socializmi me hapa të shpejtë ngase mendojnë se ky është drejtimi ideal për mbrojtjen e nderit të njeriut edhe atë pas luftërave, revolucioneve dhe zhvillimeve që e ndërtojnë historinë. Njerëzit ende nuk kanë vendim të prerë për kufijtë e këtij socializmi apo për ndonjë mënyrë që e zhdukë mjerimin dhe e realizon lumturinë.   
Islami është ai që proklamoi parimin e barabarësisë shoqërore para katërmbëdhjetë shekujsh në mënyrë aq të qartë saqë askush s'mund ta mohojë. Pastaj ai caktoi edhe metodën e tij duke e caktuar zekatin si një prej karakteristikave të realizmit socialist. Zekati shumë herë ka realizuar drejtësinë shoqërore dhe ka luftuar dukuritë e mjerimit dhe vuajtjeve në shoqëri.   
Si shembull, i Dërguari i Zotit e dërgoi Muadhin në Jemen për ta mbledhur zekatin dhe për ta sjellë në Medine që t'ua shpërndajnë të varfërve, dhe e porositë kështu: "Po të dërgoj në Jemen për ta mbledhur zekatin nga të pasurit e Jemenit dhe t'ua shpërndash të varfërve", kurse Muadhi i është përgjigjur: "Pasurinë e tubuar nga zekati ta dërgoj pas plotësimit të nevojave të të varfërve derisa nuk mbetet tek unë asnjë i varfër."   
Edhe për Umer ibn Abdulazizin i cili i udhëzonte njerëzit ta aplikojnë sheriatin, një funksionar i tij rrëfen kështu:   
"I vizitonim njerëzit me sadakatë por askush s'i pranonte".   
Mendoj se asnjë shtet socialist bashkëkohor nuk mund të deklarojë se e ka eliminuar varfërinë dhe se nuk pranon ndihmë monetare.   
Nëse dëshirojmë ta zhdukin gjendjen e palakmueshme të shoqërisë sonë dhe ta realizojmë barabarësinë njerëzore, atëherë më mirë do të ishte t'i kthehemi zekatit e ta përdorim si armë kundër mjerimit në rrethin tonë, nga vrazhdësia dhe koprracia në një anë dhe mjerimi e skamja në anën tjetër.   
A nuk preferohet për ne, pasi që bëjmë përpjekje të shpëtojmë nga kaosi, regresi dhe prapambeturia, që t'i qasemi kësaj metode të siguruar me sheriat e të pamohuar?   
Zekati është pasuri e madhe që grumbullohet nga shteti e populli për përmirësimin e gjendjes së përgjithshme, ngritjen e standardit të familjeve të rrezikuara dhe sigurimin e gjërave elementare për çdo qytetar.   
Të gjithë jemi të bindur se kemi nevojë për të, mirëpo ankohemi se kemi pak pasuri, gjithashtu edhe shteti, shoqatat reformiste dhe apeluesit e drejtësisë shoqërore ankohen...   
Obligimi i zekatit është 2,5 për qind nga pasuria e posaçme, kështu mund të paramendoni se sa është pasuria e Damaskut, sa është zekati vjetor për të, sa mund të ndërtojë spitale, shkolla, fabrika e shtëpi për të varfërit, punëtorët dhe fshatarët dhe sa mund ta ngritë standardin e qindra familjeve për çdo vjet?!   
Pse ta humbim gjithë këtë e të ankohemi?   
Pse nuk e shfrytëzojmë këtë rregull të Islamit pasi që kemi nevojë jashtëzakonisht të madhe për të? Me këtë fjalim u drejtohem dy kategorive të popullit, kategorisë që i takon ta jep zekatin dhe kategorisë së udhëheqësve, prijësve dhe reformatorëve.   
Sa i përket grupit që i takon ta jep zekatin e që e përjeton obligimin e Ramazanit, lus që t'i besojnë Zotit xh.sh., ta përcjellin rrugën e Muhammedit a.s, ta respektojnë Librin e Zotit dhe ta japin zekatin e plotë aty ku e ka caktuar Islami nëse dëshirojnë ta takojnë Zotin xh.sh. me zemër të pastër e punë të mira. Pasuria juaj, kënaqësitë tuaja dhe fëmijët tuaj nuk ju afrojnë me Zotin, nuk ju shënojnë në histori e as që i hapin zemrat e dashurisë dhe respektit të popullit, por ajo që ju ofron me Të është vepra e mirë. Lumturia e popullit dhe përparimi i vendit tuaj ju shënojnë në histori kurse dhënia e pasurisë që ua ka dhuruar Zoti xh.sh. pa e mbyllur dhe pa e fshehur, ua hapë zemrat e popullit.   
Kthejani këtij populli të mjerë të drejtën e tij me pasurinë e zekatit që të shpërbleheni nga All-llahu xh.sh., t'ju përmendë historia e t'ju respektojë populli, sepse në të kundërtën do të ballafaqoheni me revolucion shpirtëror që vlon në brendësi, qoftë edhe nga duart e mëkatarëve! A pritni që pushteti t'ua merr atë që ju refuzoni ta jepni ashtu siç veproi Ebu Bekri?   
Unë gjithashtu i apeloj grupit të udhëheqësve, prijësve dhe reformatorëve që të themelojë institucion popullor të quajtur "Institucioni i Zekatit" të cilin do ta drejtojnë njerëzit më të zgjedhur e do ta mbikëqyrë shteti që të mos bëhet ndonjë shpenzim i kotë, që do ta realizojë drejtësinë shoqërore dhe përparojë standardin e jetës, arsimit, shëndetësisë dhe moralit.   
O ju udhëheqës dhe burra të shtetit, nëse veproni kështu, së shpejti do t'ia siguroni popullit tuaj fuqinë, famën dhe autoritetin! Ju jetoni në botën që e organizon dhe realizon barabarësinë mes njerëzve dhe nuk do të mund t'i mëshironi njerëzit me botën e tyre të organizuar e të drejtë sepse ata ju kanë paraprirë në të kohë më parë, pos nëse shpejtoni dhe e realizoni barabarësinë e Islamit, eventualisht të filloni me organizimin e të ardhurave të zekatit.   
Ky është një rikujtim për atë që e do mirësinë dhe që dëgjon me vëmendje!   
   
   
   
   

 


  Gjithsej 124 faqe: « E parë ... « 25 26 27 28 29 30 31 32 33 [34] 35 36 37 38 39 40 41 42 43 » ... E fundit »
Trego 124 mesazhet në një faqe të vetme

Materialet që gjenden tek Forumi Horizont janë kontribut i vizitorëve. Jeni të lutur të mos i kopjoni por ti bëni link adresën ku ndodhen.