Forumi Horizont Gjithsej 207 faqe: « E parë ... « 26 27 28 29 30 31 32 33 34 [35] 36 37 38 39 40 41 42 43 44 » ... E fundit »
Trego 207 mesazhet në një faqe të vetme

Forumi Horizont (http://www.forumihorizont.com/index.php3)
- Mediat Shqiptare (http://www.forumihorizont.com/forumdisplay.php3?forumid=129)
-- Komente (http://www.forumihorizont.com/showthread.php3?threadid=15321)


Postuar nga RIP Gibbs datë 05 Dhjetor 2010 - 20:36:

MEDIA DHE PUBLIKU, RAPORTET MES TYRE. (erald gibbs)

Për të bërë një analizë të thjeshtë për raportin mes medias dhe publikut vendosa të zgjedh gazetën “SHEKULLI”, përkatësisht numrat e datës 23, 25 tetor dhe 2 nëntor. Në të tre numrat që kam marrë në shqyrtim Ngjarja e Ditës konsiderohet: “Pakti i Shqipërisë me Greqinë për kufijtë detar”. Kjo ngjarje ka zënë vendin më të rëndësishëm në të gjitha gazetat këto dy javët e fundit. Ajo ka një interes të gjerë si për politikën ashtu edhe për mbarë shqiptarët, pasi preken interesat dhe sovraniteti ynë si shtet.
Si është pasqyruar kjo ngjarje nga gazeta në raport me publikun?
Në numrin e datës 23 tetor i është kushtuar plot dy faqe nga kjo gazetë, marrëveshjes midis Greqisë dhe Shqipërisë. Në krye të saj është vendosur një protestë e G99 dhe më poshtë një prenoncim për shtyp i historianit dhe politikanit Pëllumb Xhufi lidhur më çështjen në fjalë. Në të gjithë shkrimin që i kushtohet kësaj çështjeje nuk vërehen mendime apo këndëvështrime të opinionit publik. Për mendimin tim është e domosdoshme që opinionet apo këndëvështrimet nga shoqëria civile të mos mungojnë, pasi kjo çështje është e një interesi mbarëkombëtar.
Mëqënëse ngjarja ka shkaktuar debat të madh në media është e nevojshme që të trajtohet gjerësisht nga ana e medias për lexuesin.
Edhe në dy numrat e tjerë që kam zgjedhur, në atë të datës 25 tetor dhe 2 nëntor, “pakti me Greqinë” është trajtuar në mënyrë të ngjashme më atë të numrit të sipërpërmendur. Shkrimi përmban opinione nga ekspertë, citime nga konventa të ndryshme lidhur me çështjen e kufirit detar. Por kjo mënyrë trajtimi për këtë problematikë jo vetëm që nuk ngre debat për zgjidhjen e saj, por nuk lejon as publikun të marrë pjesë në të. Ky lloj trajtimi e shndërron çështjen e Paktit nga një çështje me interes kombëtar, në një çështje thjesht politike deri diku banale mes ekspertëve të majtë dhe atyre të djathtë.
Publiku nuk është gjë tjetër, veçse një spektator i pafuqishëm për të duartrokitur. Ai nuk ka asnjë lloj mundësie për të marrë pjesë në këtë çështje që e prek atë drejtpërdrejt dhe kjo për dy arsye: 1) Media nuk e përfshin në debat. 2)Nuk është i mirëinformuar për problemin në fjalë, pasi nuk ka një pasqyrim të thjeshtëzuar apo skematik të saj.
Por edhe sikur të vendoseshin në shkrime elemente të thjeshtëzuar në mënyrë që publiku të njihej më mirë me problemin e “Paktit”, ai do ta kishte thuajse të pamundur të jepte kontributin e tij në zgjidhjen e çështjes. Nga mënyra e trajtimit ngjarja nuk mund të ngjalli debat, por vetëm pakënaqësi në publik. Në të janë pasqyruar vetëm opinione të atyre që kundërshtojnë paktin, dhe opinionet e kundërta mungojnë. Atëherë është e pamundur që publiku të futet në debat kur në ditët në vazhdim është informuar vetëm për të këqijat e paktit.

Një ngjarje tjetër e ditës në të tre numrat e gazetës “SHEKULLI” ka qënë edhe ajo e zhurmave në kryeqytet. Gazetarët e kanë trajtuar “problemin” e zhurmave si një problem që duhet të zgjidhet urgjentisht. Në numrin e datës 23 tetor për ketë problem, që duhet thënë është një nga më shqetësuesit për shoqërinë, është botuar një shkrim nga prof. Zyhdi Dervishi, mbi pasojat që sjellin zhurmat te qytetarët.
Mënyra e pasqyrimit të këtij problemi është shumë e ndryshmë nga ajo e përdorur për trajtimin e “marrveshjes për kufirin detar mes Shqipërisë dhe Greqisë”. Gazetari është përpjekur të ngre një debat dhe përveç ekspertëve dhe psikologovë ka përfshirë dhe persona nga shoqëria civile, që në fund të fundit janë ata që vuajnë pasojat e zhurmave tej normave të lejuara. Ky në fakt është një elemenet pozitiv pasi gazetari ka përfshirë rreth 15 persona të tillë për këtë problem duke u munduar kështu që të arrihet një debat më i gjerë.
Ai ka formuluar një pyetësor të shkurtër, ku çdo i intervisutar ka shtruar pikëpamjet e tij se si duhen mënjanuar zhurmat. Më së shumti të gjithë kanë dhënë mendimet dhe shqetësimin e tyre në lidhje më këtë problem deri diku stresues.
Por a kemi realisht një debat?
Unë mendoj se debati nuk është ngritur as për ketë çështje, ashtu siç nuk ishte ngritur as për atë të mëparshmen dhe kjo për disa arsye. E para, vërtet gazetari ka përfshirë publikun të jetë pjesëmarrës në këtë problem dhe ky i fundit ka dhënë mendimet e tij dhe ankesat e shqetësimet në lidhje me to, por vetëm kaq. Këtij problemi i mungon pala tjetër, ata që shkaktojnë zhurmën dhe ata që e lejojnë atë. Mungesa e këtyrë dy komponentëve kaq thelbësore bën që trajtimi i këtij problemi të jetë i paplote, duke çuar në rastin më të keq në moszgjidhjen e tij.
Megjithatë raportet mes medias dhe publikut janë më të afërta për problemin e dytë dhe për të tjera probleme të kësaj natyre, sesa për çështjet politike, ekonomike apo edhe ato me interes kombëtar.
Për çështjet më madhore ku publiku nuk duhet të mungojë, ai mungon duke i lënë probleme të tilla në dorën e politikanëve dhe të ekspertëve të tyre për ti zgjidhur. Zgjidhje që shpeshherë bien në kundërshtim me interesat e mbarë shoqërisë.


  Gjithsej 207 faqe: « E parë ... « 26 27 28 29 30 31 32 33 34 [35] 36 37 38 39 40 41 42 43 44 » ... E fundit »
Trego 207 mesazhet në një faqe të vetme

Materialet që gjenden tek Forumi Horizont janë kontribut i vizitorëve. Jeni të lutur të mos i kopjoni por ti bëni link adresën ku ndodhen.