Forumi Horizont Gjithsej 77 faqe: « E parë ... « 26 27 28 29 30 31 32 33 34 [35] 36 37 38 39 40 41 42 43 44 » ... E fundit »
Trego 77 mesazhet në një faqe të vetme

Forumi Horizont (http://www.forumihorizont.com/index.php3)
- Mjekësia (http://www.forumihorizont.com/forumdisplay.php3?forumid=266)
-- Sherbimi mjeksor ne Shqiperi (http://www.forumihorizont.com/showthread.php3?threadid=17818)


Postuar nga ~Enigme~ datë 27 Korrik 2012 - 07:31:

Autori - Elton Spahiu

Dje në mëngjes më rastisi të lexoj një artikull që quhej “Rini Kafenesh“. E kish shkruar një vajzë e moshës time (rreth 25 vjec), që ishte e shqetësuar për orët e tepruara që rinia shqiptare shpenzon duke pirë kafe. Nuk e kish keq zonjusha. Ne shqiptarët, por edhe ballkanasit në përgjithësi, shpenzojnë një pjesë të madhe të kohës në kafene. Pa diskutim që ka aktivitete të tjera më interesante ku mund të përqendroheshim, por mesa duket kjo është natyra jonë dhe zor se do ndryshojë nga artikulli i zonjushës. Po dje, për cështje pune, më rastisi të vizitoj edhe një spital të ri që është hapur në Tiranë. Një investim italian serioz. Une nuk impresionohem lehtë, por kjo ishte një strukturë me të vërtetë moderne. Gjithcka ishte projektuar që në gjenezë në funksion të një kompleksi spitalor eficent. Ndihej në arkitekturë, paisje, shërbim, etj. Guidë e imja përgjate 4 kateve të këtij spitali u bë një djalosh i ri, i thjeshtë dhe komunikues. Pasi pati durimin dhe mesa vura re dhe kënaqësinë të më shpjegonte funksionin e cdo paisje, filloi të më fliste për mjekët që punonin aty. Ishin ekskluzivisht mjekë italian që mesa kuptova janë figura të njohura në fushat e tyre në Itali.
Diku në katin e tretë të spitalit më lindi një pyetje: Nqs në të gjitha spitalet private punojnë vetëm mjekë të huaj, cndodh me studentët shqiptarë që diplomohen në mjekësi? Sidomos së fundmi kur numri i tyre është i dyfishuar për shkak se përvec universitetit publik të mjekësisë ekziston dhe një tjetër privat. Si arrijnë ata të krijojnë eksperiencën e duhur nqs nuk gjejnë hapësira në strukturat spitalore vëndase? Këtë shqetësim e ndava me guidën time që më rrëfeu se ishte student i vitit të fundit në mjekësi. Kjo shpjegonte dijet e tija të thelluara për paisjet dhe entuziazmin e të folurit për to. Duhet të isha në mësim tani më rrëfeu ai, por kam zgjedhur që të qendroj në spital. Si ndihmës, si guidë, si pastrues, si asistent, si recepsionist. Do bëja gjithcka për të qendruar në spital pasi është e vetmja mënyre “për të vjedhur zanatin”. Dhe kjo nuk është një e vërtetë që i përket vetëm Shqipërisë. Në cdo vend të botës “do prapanicë” të bëhesh mjek. Do aftësi, por mbi të gjitha do dëshirë dhe vullnet. Duhet të shpenzosh netë e netë të tëra në spital, madje vite, i pa paguar, në mënyre që të bëhesh mjek. Ndërsa, nëse do të bëhesh një mjek i mirë, atëherë duhet të “jetosh” në spital. Brezi im këtë s'e ka kuptuar. Mendon se shkolla është mjaftueshëm dhe janë aq komod në bankat e tyre sa luten që kjo të zgjasë përgjithmonë. Jo vetëm që nuk përtojnë të studiojnë ata libra voluminozë, por bëjnë të pamundurën që pas shkollës të bëjnë cfarëdolloj specializimi tjetër me po aq libra voluminozë, vetëm që ti qendrojnë larg spitalit sepse spitalin ato nuk e duan. E vetmja gjë që duan është të mbajnë duart larg të sëmurëve.
Papritmas mu kujtua shkolla ime e Regjisë së Filmit. Studentët aty dashurojnë librat dhe kanë për borxh të paguajnë me mijëra euro kurse jashtëshkollore në Angli, Itali, etj, vetëm për të larguar sa më shumë ditën kur do kenë përgjegjësinë e krijimit të një vepre filmike. Nuk kanë as më të voglën dëshirë për të xhiruar dicka jashtë detyrave shkollore. Madje, kanë alergji nga kamera. Mu kujtua gjithashtu shprehja e një profesorit tim që sa herë kjo temë hapej, thonte: Bicikleta nuk mësohet po si hype sipër dhe as noti po su fute në uje. Pra, nqs do të mesosh një zanat, duhet ta praktikosh atë dhe nëse je i dashuruar me drejtimin që ke zgjedhur në jetë, llogjika ta do qe mezi pret për ta ushtruar.
Të përkëdhelur nga prindër që kanë vuajtur mungesa të thella në rininë e tyre, brezi im po rritet me lluksin për të mos bërë asgjë. Jo vetëm që nuk i shtyn askush drejt “bërjes së duarve pis” në zanatet e tyre, por madje stimulohen që të studiojnë gjithë jetën. Jo më kot sot shikon një boom studentësh jashtë shtetit që 3 vite shkolle i bëjnë për 10 (e ndërkohë prindërit mburren) dhe një boom masterash që nuk dihet se për cfarë shërbejnë. Eshtë gjithcka produkt i një shoqërie që ka harruar të jetë e dashuruar me atë që bën sepse edhe zgjedhjen e profesionit të jetës nuk e bën mbi cfarë ka talent apo dëshirë, por mbi cfarë sjell më shumë para. Ja pse kemi një pafundësi juristësh e ekonomistësh të rinj, por nuk gjejmë dot hidraulikë e mekanikë.
Duke ju rikthyer artikullit të zonjushës për rininë e kafeneve, unë nuk do të isha dhe aq i shqetësuar. Le të pijnë kafe se mbase zgjohen. Madje, le të rrinë në kafene gjithë ditën. Mjafton të kuptojnë që të qenurit studentë nuk është një vizë për të qënë turist i përjetshëm në jetë. Të qenurit studentë është vetëm fara e frutit që ti do të bëhesh. Ujitjen ama duhet ta bësh vetë!


  Gjithsej 77 faqe: « E parë ... « 26 27 28 29 30 31 32 33 34 [35] 36 37 38 39 40 41 42 43 44 » ... E fundit »
Trego 77 mesazhet në një faqe të vetme

Materialet që gjenden tek Forumi Horizont janë kontribut i vizitorëve. Jeni të lutur të mos i kopjoni por ti bëni link adresën ku ndodhen.