Forumi Horizont | Gjithsej 69 faqe: « E parë ... « 27 28 29 30 31 32 33 34 35 [36] 37 38 39 40 41 42 43 44 45 » ... E fundit » Trego 69 mesazhet në një faqe të vetme |
Forumi Horizont (http://www.forumihorizont.com/index.php3)
- Feja krishtere (http://www.forumihorizont.com/forumdisplay.php3?forumid=184)
-- Krijimi - evolucioni (http://www.forumihorizont.com/showthread.php3?threadid=12262)
-Njeriu ndryshon çdo ditë sipas kushteve ku kryen veprimtarinë e përditshme, por ndryshimi i gjymtyrëve të tij dallohet vetëm pas dhjetra, qindra dhe mijra vjetësh; ashtu siç kemi të dalluar disa specie të kaluara si floriosi në Indonezi, apo pigmenët e sotëm në Afrikën jugore, apo Neandertalin me kafkë më të madhe nga kjo e sotmja, apo homonidët e ndryshëm para austrolapitekut. Faktet nuk mund të mohohen! Biles, po të flasim në gjuhën tuaj, vetë Zoti na i ka ruajtur këto fakte, që të kuptojmë se rruga dhe qëllimi që Ai i ka zgjedhur të gjitha qënieve në evolim, është e gjatë dhe komplekse! Dhe kushedi, Ai i ka përcaktuar qënieve këtë rrugë në mënyrë që ato mos ta urrejnë jetën, por ta duan edhe më shumë, sepse vetëm zbulimi i vazhdueshëm i jep një kuptim jetës! Ç’farë kuptimi do të kish jeta po të ishin zbuluar të gjitha?! Apo, po të ish zbuluar Zoti?!
-Por, edhe tallje me njeriun Zoti nuk bën! Ai nuk do të luajë me njeriun pa hesap dhe pa fund!
-Përkundrazi, nëpërmjet këtij ndryshimi dhe evolimi, -si gjithnjë, të flasim me fjalët tuaja-, Zoti i ka përcaktuar njeriut një rrugë kuptimi, i ka përcaktuar një dallim nga e kaluara dhe nga ai tjetri, pra dallim në kohë dhe në hapsirë, përndryshe nuk do të kishte fërkim, nuk do të kishte as lëvizje.
-Dhe ti mendon se Zoti e ka përcaktuar evolucionin si rrugë në këtë Universin tonë?
-Po ta kuptojmë Zotin në një formë dhe ide më ndryshe nga ajo që paraqet teollogjia juaj, do të thoja: po. Sepse vetëm në këtë mënyrë Zoti i jep njeriut vetë në dorë ta kuptojë ai rrugën e tij të dashurisë, paqes dhe mirqënies. Nëse Zoti do t’ia jepte njeriut të gatshme idetë, dhe njeriu ta kishte krejt të qartë këtë, ky njeri nuk do të gëzohej aspak për rrugën e ndjekur, nuk do të gëzohej sepse kjo rrugë i është shtruar atij e gatshme nga Ajo Qënia Qiellore që e quajmë Zot.
-Nuk e kuptoj ku i kini provat për këtë teori kaq të këndshme?
-Kjo teori është e këndshme, për vetë faktin se nuk ka prova. Kjo ngelet hipoteza më e llogjikshme përpara kushtit të domosdoshmërisë dhe faktit të njohur të shkak-pasojës. Duke patur para syve edhe gjithë këtë shumllojshmëri të përafërta llojesh që ka kaluar jeta e gjallesave, ngelet automatikisht pranimi i teorisë dhe faktit të evolucionit; evolucionit të gjuhës, ideve, fesë, jetës, gjymtyrëve, fizionomisë, kulturës e t’jer‘. Është vetë Ai Zoti juaj që i ka lënë gjallesave rrugën evolutive nëpërmjet fërkimit dhe përplasjes!...
Për një moment shiriti i manjetofonit vazhdonte pa fjalë. Këtë moment unë nuk e kujtoja, e ndoshta kjo ngaqë nuk isha brënda thelbit të bisedës së dy burrave aty pranë.
-Çudi, çudi, -u dëgjua zëri i dobët i më të vjetrit. -I bie që përplasja na e çoka shoqërinë dhe njeriun përpara!.. Atëhere kot që predikojmë për dashurinë njerëzore! Për dashurinë që njerëzit duhet të ushqejnë për njëri-tjetrin!
-Pse… Mirpo zëri i më të riut u ndërpre nga ai i më të vjetrit, -vërtet, përse do ta krijonte Zoti këtë ndjenjë të bukur!? Do të mjaftonte fërkimi dhe përplasja për të realizuar rrugën evolutive!.. Në manjetofon u dëgjua një nënqeshje e lehtë e burrit më të ri.
-Dashuria … hëm, është vërtet një nga misteret më të mëdha të këtij Universi!... Nuk e di, vërtet nuk e di nga vjen kjo ndjenjë, … sidoqoftë, diçka është tepër e dallueshme. Edhe kjo ndjenjë, apo energji, sido ta quajmë, ekziston në konceptin dualist të të kundërtave…
-Hëm..
-Po, po, si me të gjitha subjektet dhe nocionet tona. Kot nuk thotë edhe filozofia popullore: „pa të mirë nuk ka të keqe dhe pa të keqe nuk ka të mirë!“ Kështu edhe me dashurinë, përballë saj rri urrejtja … dhe, pikërisht, këto dualizma me fushat e tyre të ndërmjetme janë autonome në veprimtarinë e tyre.Më kuptoni ç’farë dua të them me: autonome! Veprimtaria e tyre lëviz brënda ligjeve ekzistuese, por nuk rregullohet në të gjitha hollësitë dhe çdo çast prej dorës qiellore, pamvarësisht se mund të ketë qenë kjo dorë qiellore që i ka krijuar.
Kësaj radhe zëri i më të vjetrit nuk vonoi. -Meqë i ditkeni të gjitha, na thoni përse Zoti i krijoi gjërat dhe i la pastaj në rrugën e tyre të evolimit!? Për të parë në cilat rrugë do të eci jeta? Për të mësuar Ai vetë nga kjo rrugë e panjohur?
U dëgjua pas kësaj një nënqeshje e lehtë e më të riut.
-Pyetja juaj është interesante dhe patjetër do të jetë bërë qysh në kohë të Njutonit. Sikur të lëviznim pak, si mendoni?...
-Po, po, lëvizim… Zhurma e ngritjes u dëgjua në shiritin tim. Po ashtu edhe zëri i atij më të riut. -Ndoshta ajo Ide Absolute apo Zot, siç quhet në gjuhën popullore, mund të ketë përcaktuar vetëm ligjet kryesore në të cilat do të eci jeta e kësaj materie dhe energjie të Universit. Biles mund t’ju sjell një fakt interesant nga të rejat e mekanikës kuantike…
Fjalët e fundit mezi arrita ti kap me veshin tim, sepse zërat e dy burrave të larguar ishin tepër të dobët. Biles hapat e tyre dëgjoheshin më mirë se sa zërat e tyre. Mirpo unë nuk i kisha ndjekur nga mbrapa, sepse asaj kohe nuk e dija përse ata po bisedonin. Ndërsa tani më vinte keq që nuk i kisha ndjekur edhe pak me manjetofonin tim. Biseda e tyre më kish pëlqyer. Po rrija e ulur në kolltuk dhe po sillja në mënd atë moment të dikurshëm. Kisha dalë edhe ditë të tjera nga parku me manjetofonin tim, por ata dy burra nuk i pashë më. Po kushedi, thashë, ndoshta ata dy burra, që tani duhet të ishin edhe nga dhjetë vjet më të vjetër të paktën, mund të dilnin më shpesh nga parku!? Sa gjë e bukur do të ishte ti takoja e tu tregoja kasetën e inçizuar!.. Ah, budallaqe, mendova, ata duhet të kenë bërë me njëri-tjetrin edhe dhjetra biseda mbi evolucionin dhe gjithshka tjetër. Patjetër, emocionet e bisedës dhe inçizimit ishin vetëm të miat. Ata, thjesht vetëm do t‘ më falenderonin me mirsjellje dhe do t’ma linin sërish kasetën në dorë. Sidoqoftë, ngulmova me mëndje duke u ngritur dhe vënë kasetën në një sirtar, po të qëllonte që unë ti shihja sërish ata të dy, do t’ua tregoja inçizimin e dikurshëm, ... e pse jo, po të ishin duke debatuar sërish, të merrja manjetofon e vjetër e ti inçizoja përsëri. Ha, qesha me naivitetin tim fëminor.
Gjithsej 69 faqe: « E parë ... « 27 28 29 30 31 32 33 34 35 [36] 37 38 39 40 41 42 43 44 45 » ... E fundit » Trego 69 mesazhet në një faqe të vetme |
Materialet që gjenden tek Forumi Horizont janë kontribut i vizitorëve. Jeni të lutur të mos i kopjoni por ti bëni link adresën ku ndodhen.