Forumi Horizont Gjithsej 6 faqe: « 1 2 3 [4] 5 6 »
Trego 6 mesazhet në një faqe të vetme

Forumi Horizont (http://www.forumihorizont.com/index.php3)
- Gjergj Kastriot Skenderbeu (http://www.forumihorizont.com/forumdisplay.php3?forumid=386)
-- Kthimi i Gjergj Kastriotit ne Kruje (http://www.forumihorizont.com/showthread.php3?threadid=3547)


Postuar nga volter datë 15 Mars 2005 - 14:01:

Jeta dhe veprimtaria e Gjergj Kastriotit - Skënderbeut (deri më 1443)

Gjergj Kastrioti - Skënderbeu lindi rreth vitit 1405. Ishte djali më i vogel, dhe fëmija i parafundit i familjes me shumë fëmijë të Gjonit dhe të Vojsavës, familia e së cilës banonte në krahinën e Pollogut. Ata kishin katër djem (Stanishin, Reposhin, Kostandinin dhe Gjergjin) dhe pesë vajza ( Marën, Jellën, Angjelinën, Vllajkën e Mamicën). Gjergji lindi në një kohë kur Principata e Kastriotëve ishte e fuqizuar. Kur osmanët morën Krujën (në fund të vitit 1414 ose në fillim të vitit 1415), që ishte në kufi me Principatën e Kastriotëve. Gjoni, i cili më 1410 u kishte dhënë një djalë peng osmanëve (ndoshta Stanishin) u detyrua edhe tani t’u jepte atyre peng djalin e vogël, Gjergjin.

Për një periudhë rreth 10-vjecare, Gjergji vazhdoi shkollën e içogllanëve të Edrenesë, ku përgjithësisht futeshin djemtë e sundimtarëve të posanënshtruarve e vasalë, për t’i përgatitur e edukuar me frymën osmane, si komandantë të zotë e feudalë të bindur.

Natyra e kishte pajisur Gjergj Kastriotin më dhunti të veçanta, shumë të çmuara. Ai ishte shtatlartë e shumë i fuqishem. Ishte mendjemprehtë dhe mësoi disa gjuhë të huaja. Gjatë viteve të shkollimit Gjergji u dallua nga të tjerët. Atij ia vu emri mysliman Skender dhe mori pjesë në fushata të ndryshme ushtarake në Ballkan dhe në Azinë e vogël. Luftonte mbi kalë e më këmbë dhe ishte mjeshtër i pashoq në përdorimin e shpatës e të armëve të tjera.

Pasi mbaroi shkollën e içollganëve, Skender hyri në kuadrot ushtarake dhe mori titullin e beut, duke pëparuar shpejt në karierë shtetëore: nga spahi arriti deri në postin e lartë të sanxhakbeut.

Në mesin e viteve ‘20 ai u dërgua në Shqipëri dhe qëndroi si kuadër i Perandorisë osmane deri në fund të viteve ‘30. Si spahi Skënderbeu pati një timar të madh në zonën midis Lezhes dhe Rubikut, ku ndodheshin edhe porti i Shufadasë dhe kriporet e Shënkollit. Në vitet 1437-1438 Skënderbeut iu tha posti i subashit të Krujës, kurse me detyrën e sanxhakbeut të Sangjakut Shqiptar ishte i biri i Teodor Muzakës, Jakup Beu.

Gjatë viteve të qëndrimit në Shqipëri Skënderbeu, ashtu si dhe Jakup Beu, favorizoi elementin shqiptar në marrëdhënie me administratën osmane dhe u kujdes për mbarëvajtjen e Principatës së Kastriotëve.

Në fund të viteve ‘30 kur në Ballkan po fillonin trazirat antiosmane, sulltan Murati II transferoi Jakup Beun dhe Skënderbeun nga postet e larta që kishin në Shqipëri. Emërimin e tij si sanxhakbej larg Shqipërisë, ndoshta në Nikopol të Bullgarisë. Skënderbeu nuk mund ta shikonte si një “gradim”, por si shprehje të mosbesimit të sulltanit ndaj tij dhe ndaj elementit shqiptar që ishte përfshirë në administratën e shtetit osman, (aq më tepër që në atë kohë atij i kishte vdekur i ati dhe dy vëllezër dhe në krye të Principatës duhej të vihej ai me Stanishin).


  Gjithsej 6 faqe: « 1 2 3 [4] 5 6 »
Trego 6 mesazhet në një faqe të vetme

Materialet që gjenden tek Forumi Horizont janë kontribut i vizitorëve. Jeni të lutur të mos i kopjoni por ti bëni link adresën ku ndodhen.