Forumi Horizont | Gjithsej 23 faqe: « 1 2 3 [4] 5 6 7 8 9 10 11 12 13 » ... E fundit » Trego 23 mesazhet në një faqe të vetme |
Forumi Horizont (http://www.forumihorizont.com/index.php3)
- Analiza (http://www.forumihorizont.com/forumdisplay.php3?forumid=291)
-- Europa: destinacioni X (eseja e Mustafa Nanos qe fitoi çmimin e pare) (http://www.forumihorizont.com/showthread.php3?threadid=8307)
"Korigjimi" i mitit nga brenda
Por do të ishte gabim që përfytyrimi mitik i shqiptarëve për Europën të thjeshtohej si e sa më sipër.
Është shumë më kompleks. Do të mjaftonte një gatishmëri sado e kursyer për ta kundruar mirë mitin, dhe brenda tij, përveç adhurimit për kamjen, fuqinë, stilin e lakmuar të jetës, lirinë, demokracinë, etj., do të gjeje edhe mërinë e pakënaqësinë e konservuar për një kohë të gjatë. Miti i Europës, pra, nuk është miti i një gjëje të shenjtë, të drejtë, të pagabueshme. Përkundrazi, thotë me të drejtë studiuesi Piro Misha, ka edhe një anë tjetër të medaljes: Europa e pabesë, Europa armike, burim i një sërë padrejtësish që i janë bërë shqiptarëve, Europa e pamoralshme, kurva plakë, e kështu me radhë.
Edhe kjo optikë nuk është e re. Në themel të saj ka qëndruar për një kohë të gjatë një logjikë e një maraz nacionalist, që ngrihej mbi çështjen ende të pazgjidhur shqiptare, me fjalë të tjera, mbi faktin që në fillim të shekullit të shkuar, troje e popullsi shqiptare u janë lënë shteteve fqinjë. E në këtë arsyetim e sipër, ndërsa është fajësuar e fajësohet Europa për atë që "s'ka bërë" (zgjidhjen e çështjes shqiptare), harrohet të falënderohet dobare për atë që ka bërë: krijimin e shtetit të pavarur shqiptar. Kjo është aq e vërtetë, sa shpesh në shtypin tonë,. ndërhyrja e NATO-s në Kosovë në vitin '98 u trajtua në mënyrë folklorike edhe si ndreqje e një padrejtësie historike, apo më lezetshëm akoma, si larje e një borxhi të vjetër. Me logjikën e mësipërme, një këndvështrim i tillë ka shkak të qëndrojë edhe sot. Pavarësisht nga zhvillimet rajonale të viteve të fundit, në të cilat për herë të parë "është vënë re" një rreshtim i qartë i fuqive të mëdha kundër sllavëve "lindorë" e në favor të shqiptarëve "perëndimorë", këta të fundit vazhdojnë të jetojnë në katër shtete të veçantë e fqinjë me njëri-tjetrin. Nga ana tjetër, ka mendje "finoke e mendjemprehta", të cilët edhe te ky rreshtim "proshqiptar" i Fuqive të Mëdha, nuk arrijnë të shohin gjë tjetër, veçse një përputhje fatlume të interesave të tyre aktuale me aspiratat konstante kombëtare tonat. Pra, Europa është ajo që ka qenë, e pamoralshmja e përjetshme dhe e pandreqshme, por për fat, kurvëria e saj këtë herë na vjen për hosh.
E nuk mbaron këtu. Periudha e vështirë postkomuniste dhe rrjedha e ngatërruar e ngjarjeve të viteve të fundit, është shpjeguar tek-tuk edhe me optikën e mësipërme, thënë ndryshe me djallëzinë e Europës e të Amerikës. Madje nuk kanë munguar zërat që e lidhin krizën e famshme të vitit '97 me interesat e me vullnetin malinj të ndonjë fuqie të madhe. Në atë kohë, ndërsa shqiptarët protestonin në rrugë kundër regjimit autoritar postkomunist, një deputet e personazh i rëndësishëm i partisë në pushtet akuzoi në mënyrë të drejtëpërdrejtë Shtetet e Bashkuara të Amerikës si "nxitëse të rebelimit komunist". Këtyre zërave u shtohet herë pas here edhe ndonjë kritikë racionale dhe e qëndrueshme që u bëhet politikave e strategjive perëndimore në Shqipëri, e të gjitha këto ndihmojnë të mbahet më këmbë sendërgjia e plakës kurvë, me emrin Europë (nënkupto: Perëndim). Nuk është një psikozë e përhapur, por ekziston gjithsesi. Te pjesa elitare e shoqërisë është disi më e arsyetuar e më konstruktive. Është një dukuri e njohur tashmë që elitat e popujve të vegjël e historikisht buzëpaqeshur, duke mos dashur ta mbajnë vetë apo t'ua lënë paraardhësve të tyre mbi supe përgjegjësinë mbi fatin e vendit, nuk heqin shumë për ta legjitimuar zemërimin me të huajt, të cilët mund ta ushtronin këtë përgjegjësi e nuk e kanë ushtruar.
Në fjalimin e mbajtur me rastin e marrjes së çmimit "Nobel", Gabriel Garcia Markez, sidoqë vjen nga një vend jo europian, gjen sallën mondane të Akademisë Mbretërore të Stokholmit, për të fajësuar edhe ish-kolonizatorët për kalvarin historik dhe për të sotmen e vendit të vet. E kam të lehtë të besoj, se sikur t'i jepej hera, të njëjtën gjë e me më shurnë lehtësi, do të bënte edhe kandidati disa herë për këtë çmim, shkrimtari shqiptar Ismail Kadare, i cili, në më shumë se një rast, është bërë zëdhënës i kësaj pakënaqësie. Kam frikë se kemi të bëjmë rne alibinë eterne të të dobëtit, për të cilin, çdo shpjegim ontologjik i fatit të vet të lig do të ngjante (padrejtësisht) shkurajues. Përveç kësaj, i dobëti, edhe prej faktit që është i dobët, kryesisht prej këtij fakti, ka një ndërgjegje autokritike shumë pak të zhvilluar. Madje, një nga gjërat lehtësisht të refuzueshme e të anatemueshme nga shoqëritë e vendeve të vogla e të varfëra, është orvatja e ndokujt për të zhvilluar këtë sens autokritik; thënë me terma më të troçtë, tentativa për ta zhveshur lakuriq vetveten, e për ta lënë të duket në mes të sheshit, ashtu kockë e lëkurë, me brinjët që na numërohen që larg. Kam bindjen gati të verbër se për të dobëtin e për të fortin, më shumë për të dobëtin sesa për të fortin, nuk ka gjë më shpëtimtare se sa ndërgjegja autokritike. Unë do të guxoja të thoja se magjia e zhvillimit, e çdo zhvillimi, është ndërgjegja autokritike. Ky është përveç të tjerash edhe një nga leksionet që na sjell bota ku duam të shkojmë, Europa.
Gjithsej 23 faqe: « 1 2 3 [4] 5 6 7 8 9 10 11 12 13 » ... E fundit » Trego 23 mesazhet në një faqe të vetme |
Materialet që gjenden tek Forumi Horizont janë kontribut i vizitorëve. Jeni të lutur të mos i kopjoni por ti bëni link adresën ku ndodhen.