Forumi Horizont Gjithsej 58 faqe: « E parë ... « 38 39 40 41 42 43 44 45 46 [47] 48 49 50 51 52 53 54 55 56 » ... E fundit »
Trego 58 mesazhet në një faqe të vetme

Forumi Horizont (http://www.forumihorizont.com/index.php3)
- Shqiperia, traditat kulturore (http://www.forumihorizont.com/forumdisplay.php3?forumid=114)
-- Nje Nder Traditat Shqiptare, (http://www.forumihorizont.com/showthread.php3?threadid=7213)


Postuar nga robert datë 07 Dhjetor 2014 - 16:43:

Ne me lejohet, po hedh nje tregim (cka nga pikpamja letrare, por per temen qe trajton shtyhet), i vitit 2009, me ide te fund-viteve '90, i cili ka te beje me traditen (ne thonjza) te mikpritjes (edhe) shqiptare, e te cilin po e ndaj ne dy-tre pjes.

Mikpritje alla shqiptarçe

Oh ç’gëzim i madh kur më erdhi kushuriri! Kaq vite pa u takuar! Po shyqyr që erdhe o kusho, i thashë, dhe e rroka në qafë. Të humbi njeriu kështu si ty!.. E pas takimit të së shoqes dhe dy kalamajve që kish bërë, e rroka edhe një herë në krahët e mi. Po ku je or burr‘ i dheut, i fola gjithë gëzim. E pa kaluar shumë i nxora një birrë të ftohtë, për kokë të birrës, ta mblidhte veten.
-Ajd‘ gëzuar! -bërtita fort, sa dhe komishinjtë do e kishin dëgjuar.
-Po prit, se s’jemi ulur akoma mirë!.. -ma ktheu me atë ndrojtjen e vet, siç e kishte zakon, -Të marrim njëherë frymë!
-O po, -thashë, -të më vijë kushua dhe unë të rri si kërcu! Po hajde ore, se do ta tundim që ç’ke me ‘të!
Isha vërtet i gëzuar. Të më vinte kushuja në shtëpi e të më gjente mu në mes të Romës! Hera e parë që më vinte! Kaq e kaq vite pa u parë! -Kur jemi takuar së fundi o kusho? -e pyeta sa për muhabet. -Po… -dhe nisi të mendohej, -më duket para tre vjetësh u takuam në portin e Durrsit, ti po ktheheshe e unë po largohesha.
-Ah. lëre atë pesë minutsh, -iu hodha menjëherë, -flas qysh kur nuk jemi takuar tamam, or burr i dheut!..
-Po ka, ka më shumë se pesëmbëdhjetë vjet, qysh në kohë të atëhershme, kur s’dilnim dot si sot.
-E pra, -i thashë, -kemi vite, qysh kur isha unë tek ty në fshat.
Dhe i kujtova jo vetëm atë rast të fundit, aty në ardhje të pluralizmit, tek i kisha vajtur në fshat, por i kujtova edhe rastet e mëpërparme, kur ishim akoma të rinj e biles, fëmijë.
E ndërsa më jepte të drejtë, unë i përplasja nga pak shishen e birrës. Isha vërtet i gëzuar, do festoja, sa ta merrte vesh kushua që isha i gëzuar. -O po, më gëzove dhe më nderove, -i thashë. Dhe mezi e kandisa ta kthente atë të uruar birrë. -Shtroje këtu shpejt, -i thashë gruas, -se do ta festojmë… më sill dashin ta therrim… ha, ha… bëj shaka, o kusho vëllai…
-Ti e di, o Luan, -më foli pas pak seriozisht kushoja, -unë tre ditë leje kam, dhe këto tre ditë thashë të të takoj ty këtu në Romë, takoj edhe Titin, po ia dite shtëpinë, e them të vizitojmë edhe pak Romën e bukur.
-O po të gjitha do i bëjmë or Sefo djali, po prit të nxjerrim mallin, -iu hodha dhe ting, i përplasja shishen për të kusheditën sa herë, sepse mezi e vinte në buzë. -Të gjithë do i vizitojmë. Qysh nesër të shtunën! E biles edhe të hënën do marr pushim o kusho, vetëm e vetëm që ti të kënaqesh, se … se më bëhet zemra mal më bëhet, që të shoh.
Ma mbush frigoriferin plot, i thashë gruas pak më vonë me zë të ulët. Asgjë mos ti mungoj kushos! Kemi zakone shqiptari ne, i shfryva me gjithë stërklat e birrës. -Pse, unë çfarë jam?... -ma ktheu gjithë ironi, -Kanadeze?
-Ik, ik, se nuk merr vesh fare nga mikpritja, -ia ktheva gjoja si i mërzitur, duke u larguar dhe afruar kushos. Isha vërtet i gëzuar sa s’më mbante vëndi. -Më shkruaj në një listë, ku do të të çoj vllai ty! -ia shtrova detyrë kushos. Dhe vërtet, kisha për ta çuar me atë rrangallen time, fiat i shtatdhjet e gjashtës, ku ti donte e bardha e zemrës.
-Po ti i di atraksionet e Romës! -ma ktheu i qetë.
-I di që ç’ke me ‘të trataksionet unë, -i thashë, -të shëtit vëllai ty kusho, që më paske mësuar dhe fjalë të mëdha! (vazhdon):


  Gjithsej 58 faqe: « E parë ... « 38 39 40 41 42 43 44 45 46 [47] 48 49 50 51 52 53 54 55 56 » ... E fundit »
Trego 58 mesazhet në një faqe të vetme

Materialet që gjenden tek Forumi Horizont janë kontribut i vizitorëve. Jeni të lutur të mos i kopjoni por ti bëni link adresën ku ndodhen.