Forumi Horizont Gjithsej 129 faqe: « E parë ... « 40 41 42 43 44 45 46 47 48 [49] 50 51 52 53 54 55 56 57 58 » ... E fundit »
Trego 129 mesazhet në një faqe të vetme

Forumi Horizont (http://www.forumihorizont.com/index.php3)
- Kombetarja Shqiptare (http://www.forumihorizont.com/forumdisplay.php3?forumid=240)
-- Kombetarja Shqiptare (http://www.forumihorizont.com/showthread.php3?threadid=1801)


Postuar nga qershor13 datë 05 Dhjetor 2003 - 23:20:

Shqiptarët me sytë nga Frankfurti

Sot kuqezinjtë do të njihen me kundërshtarët e ardhshëm të botërorit, "Gjermania 2006"

Që sot merr udhë "profecia" e Brigelit, sipas së cilës kombëtarja shqiptare do të jetë e pranishme në finalet e Botërorit 2006 (ose më saktë do të sigurojë një "biletë" për në Gjermaninë e 2006-tës). Gjithçka do të nisë e marrë jetë në orën 17.00 të ditës së sotme, kur të fillojnë procedurat e hedhjes së shortit të këtij aktiviteti mbarëbotëror. Ashtu si të gjithë futbolldashësit e botës, edhe shqiptarët do t'i kenë sytë të ngulur tek ekrani i televizorit, i cili do të përcjellë anekënd globit atë që do të zhvillohet në Frankfurt të Gjermanisë, pikërisht hedhjen e shortit në fjalë. Trajneri kuqezi, si vendali që është, do t'u urojë të deleguarve të Federatës Shqiptare të Futbollit në këtë ngjarje, Dukës, Starovës dhe Nurit, mirëseardhjen, me shpresën se fundi i shortit do t'i kënaqë të gjithë. Natyrisht, për gjermanin do të kishte më shumë rëndësi një short i favorshëm, me kundërshtarë të lehtë, me qëllim që t'i realizohet premtimi. Po kështu, edhe krerët e FSHF-së, pasi kanë arritur të mbyllin me sukses të plotë shitjen e së drejtës televizive të ndeshjeve të kombëtares, që kushton 2.7 milionë euro, do të presin jo me shumë ankth se mos fati i vë përballë ndonjë skuadre të njohur evropiane. Kjo, pasi qëllimi për të shukosur të ardhura të tjera në arkën e FSHF-së, nuk duket më parësore. Përballja me kundërshtarë elitarë të kontinentit tonë do të konsiderohej thjesht "rrezatuese" për FSHF-në, por jo për trajnerin Brigel. Një përballje me ndonjë nga "big"-ët e futbollit evropian, konkretisht ndonjë Itali, Francë, Spanjë apo ndonjë kombëtare tjetër, do të ishte e mirëpritur edhe për sportdashësit shqiptarë, të cilët ëndërrojnë të shikojnë në "Qemal Stafa" yje të tillë, si Del Piero, Vieri, Nesta, Zidane, Raul etj. Ky është "oreksi" i parë shqiptar ndaj shortit të ditës së sotme, ndërkohë që "lutjet" e trajnerit Brigel, pse jo edhe të drejtuesve të tjerë të futbollit shqiptar, zor se mund të jenë të tilla. Kuqezinjtë, me trajner gjermanin Hans Peter Brigel, sot mund të përballen me dy realitete. Në grupin ku pritet të renditet Shqipëria, "lufta" për kualifikim mund të jetë sa e vështirë, aq edhe e bukur. Po kështu, që sot nisin edhe llogaritë e trajnerit Brigel, i cili duhet të mendojë të mbajë premtimin e dhënë fill sapo është rikonfirmuar në krye të kuqezinjve, që ta çojë Shqipërinë në "Gjermaninë 2006".


  Gjithsej 129 faqe: « E parë ... « 40 41 42 43 44 45 46 47 48 [49] 50 51 52 53 54 55 56 57 58 » ... E fundit »
Trego 129 mesazhet në një faqe të vetme

Materialet që gjenden tek Forumi Horizont janë kontribut i vizitorëve. Jeni të lutur të mos i kopjoni por ti bëni link adresën ku ndodhen.