Forumi Horizont Gjithsej 64 faqe: « E parë ... « 40 41 42 43 44 45 46 47 48 [49] 50 51 52 53 54 55 56 57 58 » ... E fundit »
Trego 64 mesazhet në një faqe të vetme

Forumi Horizont (http://www.forumihorizont.com/index.php3)
- Mjekësia (http://www.forumihorizont.com/forumdisplay.php3?forumid=266)
-- Gripi i Shpendeve!!! (http://www.forumihorizont.com/showthread.php3?threadid=9760)


Postuar nga Dr_Devil datë 24 Mars 2006 - 00:57:

Arriti edhe ne TR.

Cod. B23032006

Mbërrin virusi H5N1 në portën perëndimore të kryeqytetit. Pula e ngordhur në Pezë-Helmës, konfirmohet zyrtarisht e infektuar me virusin e shpendëve. Laboratori i referencës në Londër ka deklaruar dje rezultatin pozitiv të analizave, duke shtuar kështu një tjetër vatër të virusit vdekjeprurës. “Gjatë analizave të kryera për pulën nga Pezë-Helmësi, rezultoi pozitiv prania e virusit H5N1 në masën 99.8 për qind, e ngjashme me rastin e Greqisë dhe atë të Bosnjës”, - thuhet në raportin final të laboratorit të Veterinarisë së Webrigde. Ekspertët kanë ngritur rrjetin e survejancës dhe kanë përcaktuar zonën e karantinës e cila përfshin disa fshatra në një rreze prej 3 kilometrash, ndërkaq që zona e rrezikut arrin deri në Vaqarr, 1 kilometra larg portës perëndimore të kryeqytetit, atë të Kombinatit.
Konfirmimi
Përgjigja pozitive e analizave të pulës së Pezë-Helmësit nga laboratori, ka mbërritur mëngjesin e ditës së djeshme. News24 ishte i pari televizion që dha lajmin pas komunikimit të drejtpërdrejtë me laboratorin e Wejmbrixh në Londër. Përfundimisht është konfirmuar edhe prania e nëntipit N1, ndërkohë që një ditë më parë ishte dhënë edhe përgjigja për nëntipin H5. Raporti final nga Anglia shpjegon se në katër testet e kryera me kampionin e pulës së dyshuar për H5N1, rezultoi prania e virusit N1, pas izolimit të tij në kushte laboratorike. Ky është i dyti rast i deklaruar me këtë virus, pas atij të Çukës. Një ditë më parë, Instituti i Kërkimeve Veterinare konfirmoi se analizat e ardhura nga Londra pohonin se tek pula e Pezës-Helmësit ishte gjetur vetëm nëntipi i virusit H5. Ndërkaq, i njëjti institucion kishte provuar si pozitive tek i njëjti shpend virusin H5, por u desh përsëritja e analizave në laboratorin e referencës për të zbardhur rezultatin.
Karantina
Në hyrje të fshatit Pezë-Helmës, në një karton të varur mbi një dru me shkrim dore shkruhet; “Zonë në Karantinë”. Punonjësit e shërbimit veterinar dezinfektojnë të gjitha automjetet që hyjnë dhe dalin në zonë. “Kjo zonë është në karantinë prej 12 ditësh, që në momentin kur u dyshua si një vatër bartëse e një virusi, edhe pse nuk ishte konfirmuar prania e H5N1. Ne kemi vijuar dezinfektimin, por nuk është bërë asnjë asgjësim masiv i shpendëve”, - shpjegon Nevruz Lika, shef i Shërbimit Veterinar të Tiranës. Në bazë të një plani të detajuar, është përcaktuar zona e karantinës me një rreze prej tre kilometrash. Në zonën e karantinës përfshihen 5 fshatra : Peza e Vogël, Mnik, Ura e Beshirit, Damia Fortuzaj si dhe një lagje e fshatit Shesh. Kryeveterineri i Tiranës shpjegon gjithashtu, se është detajuar edhe zona e rrezikut që shtrihet deri në 10 kilometra. Në këtë hartë përfshihen fshatrat : Baldushk, Pezë e Madhe, Arbanë, Ndroq, Grepaj, Bërzezë, Varosh, dhe kufiri i fundit me kryeqytetin është Vaqarri, që ndodhet rreth një kilometër nga zona e Kombinatit. Prej dy javësh në këtë zonë ka nisur kontrolli ku sipas një raporti i detajuar, mësohet se numri i shpendëve arrin në 8800 dhe mbi 150 të tjerë kanë ndodhur brenda dy javësh.
Monitorimi
Autoritetet shëndetësore kanë mbërritur dje në vatrën e infeksionit për të inspektuar zonën ndaj influencës aviare. Shefja e Institutit të Shëndetit Publik, me një grup specialistësh kanë marrë kampione gjakut të banorët e Pezë-Helmësit, pas 15 të parave që u analizuan javën e shkuar në këtë institut. Drejtoresha e ISHP-së theksoi se kampionet e gjakut po merren në ato famuije ku ka pasur shpendë të ngordhur dhe mendohet se banorët kanë pasur kontakte të rrezikshme me shpëndët e ngordhur. “Ne kemi kërkuar kushte të larta higjenike nga ana e banorëve të fshatit Pezë-Helmës, pasi kjo është e vetmja mënyrë për të mos u rrezikua nga infeksioni. Të kihet kujdes në momentin e therrjes së shpendëve që kanë simptoma të dyshimta, për të evituar kontaktet me gjakun ose sekrecionet e tjera”-theksoi Silva Bino, drejtore e ISHP-së.


Marre nga Gazeta Shqiptare.


  Gjithsej 64 faqe: « E parë ... « 40 41 42 43 44 45 46 47 48 [49] 50 51 52 53 54 55 56 57 58 » ... E fundit »
Trego 64 mesazhet në një faqe të vetme

Materialet që gjenden tek Forumi Horizont janë kontribut i vizitorëve. Jeni të lutur të mos i kopjoni por ti bëni link adresën ku ndodhen.