Forumi Horizont | Gjithsej 9 faqe: « 1 2 3 4 [5] 6 7 8 9 » Trego 9 mesazhet në një faqe të vetme |
Forumi Horizont (http://www.forumihorizont.com/index.php3)
- Bota e re poezise (http://www.forumihorizont.com/forumdisplay.php3?forumid=337)
-- Nje dite ne Davidoff (http://www.forumihorizont.com/showthread.php3?threadid=17540)
5
Në klubin "Davidoff" qelqnajë e ngrirë
Dremitje dite sjell s'di se nga ku.
Një si madonë e lodhur më është përhirë,
Që italishtja gjuhë mund t'ishte gjithashtu.
Lehonë e zbehtë pas lindjes së kaltëreme,
Në të njëmijtin e treqindin vit,
Më shumë se Krishti madonën, kjo poemë
E lodhi ndoshta gjuhën italisht.
O këto pamje i njoh dhe nuk i njoh,
Këto tri kate, rradhët, ashensorët,
Ku hypin, zdrypin, klithin obobo,
Rufjanët, mëkatarët dhe mizorët.
Të gjithë janë aty, rrahin më kot
Të ndërrojnë katet, por katet s'ndërrohen kurrë.
Të zes, në mjegull shtyhen sindozot,
Ish-korbat e së zezës diktaturë.
Nga bie dalja? Ku ndodhet Purgatori?
Nga pyetjet sheshi gumëzhin si zgjoi.
Shkodran je ti? Ç'plenum i zi të polli?
Më ngriti i dyti, i gjashti më rrëzoi.
Një zë gjëmon: këndej plenumi i katërt,
Piktorët andej, i pesti rreth u mbush.
Shkrimtar spiun je ti? Rend te i shtati.
Në s'do të digjesh te i teti shkrumb.
Rendni, fatzinj, mëshirë për ju nuk ka,
Ashtu siç ju nuk patët për askënd.
S'ka vend ndërkaq te Tmerret e Mëdha,
As te Politbyroja nuk ka vend.
Me ngut po shtohet një Gropë e Hon i Ri,
Bri Lugjezezës një tjetër Lugjezezë.
I nënti rreth po mbushet, dhe ai.
S'ka mbetur veç një vend për Zonjën e Zezë.
Gjithsej 9 faqe: « 1 2 3 4 [5] 6 7 8 9 » Trego 9 mesazhet në një faqe të vetme |
Materialet që gjenden tek Forumi Horizont janë kontribut i vizitorëve. Jeni të lutur të mos i kopjoni por ti bëni link adresën ku ndodhen.