| Forumi Horizont | Gjithsej 5 faqe: « 1 2 3 4 [5] Trego 5 mesazhet në një faqe të vetme |
Forumi Horizont (http://www.forumihorizont.com/index.php3)
- Shqiperia, traditat kulturore (http://www.forumihorizont.com/forumdisplay.php3?forumid=114)
-- Berati (http://www.forumihorizont.com/showthread.php3?threadid=210)
Nis restaurimi i katedrales dhe 30 ikonave.
Projekti në “Fjetjen e Shën Mërisë”, italianët derdhin 50 mijë euro.
Prej dy vjetësh ka marrë udhë projekti “Berati qytet arti”, financuar nga Regione Lombardia dhe së fundi nga Fondacioni “Cariplo” në Berat që ka për qëllim ndërhyrjen përfundimtare në katedralen “Fjetja e Shën Mërisë” dhe në shpëtimin e një numri të konsiderueshëm ikonash që aktualisht janë të ekspozuara në muzeun “Onufri”. Për të gjithë këto ndërhyrje po shfrytëzohen 50 mijë euro. Ky projekt është duke u administruar nga shoqata italiane ARCI e cila është prezente në Berat prej vitit 1996. Ideja për të marrë në mbrojtje dhe për të kontribuar për restaurimin e muzeut “Onufri” dhe ikonave të tij, lindi pas lidhjes që kjo shoqatë krijoi me qytetin muze, me ngritjen e një qendre në ndihmë të gruas dhe rinisë beratase. Dhe qysh në fillim nëpërmjet kësaj qendre u angazhua në fushën e trashëgimisë kulturore, duke realizuar një katalog të të gjitha veprave të artit dhe të kultit në muzeun “Onufri”.
Pas kësaj, në bashkëpunim me specialistë dhe restauratorë të Institutit të Monumenteve të Kulturës, u kërkua të ndërhyhej konkretisht në ikonat. Në përputhje me legjislacionin shqiptar për trashëgiminë kulturore u përgatit një projekt, i cili iu dërgua shoqatës ARCI Milano. Projekti në fjalë është ndarë në dy faza. Së pari në kryerjen e punimeve emergjente në katedralen ku ndodhet dhe muzeu “Onufri” dhe ndërhyrjen në 22 ikonat më të dëmtuara. Së dyti do të vazhdohet me restaurimin e 30 ikonave të tjera. Janë duke u identifikuar problemet dhe do të bëhet diagnostifikimi i dëmeve të ikonave dhe më pas do të fillojnë edhe trajtimet e specializuara si petrifikim, dezinfektim, përforcime të suportit të drurit etj.
Aktualisht po punohet për krijimin e një sistemi ajrimi të nëndheshëm duke realizuar një sistem kanalesh të lidhura për ajrosjen e nëndheshme të sallës së ekspozimeve me qëllim uljen e masës së lagështisë, ndërsa jashtë ndërtesës po përfundon një drenazhim total i muzeut edhe ky me qëllim largimin e ujërave. Restauratorët do të ndërhyjnë edhe në bashkimin e një harku mbi portën e prapme të muzeut e cila është shkëputur nga muri kryesor dhe rrezikon të shembet. Do të perfundojnë gjithashtu edhe disa punime rifiniture të cilat janë në funksion të përmirësimit të ambientit në përgjithësi të muzeut.
| Gjithsej 5 faqe: « 1 2 3 4 [5] Trego 5 mesazhet në një faqe të vetme |
Materialet që gjenden tek Forumi Horizont janë kontribut i vizitorëve. Jeni të lutur të mos i kopjoni por ti bëni link adresën ku ndodhen.