Forumi Horizont | Gjithsej 6 faqe: « 1 2 3 4 [5] 6 » Trego 6 mesazhet në një faqe të vetme |
Forumi Horizont (http://www.forumihorizont.com/index.php3)
- Rilindja dhe Pavarsia e shqiptarëve dhe e Shqipërisë (http://www.forumihorizont.com/forumdisplay.php3?forumid=33)
-- Situata ne trojet Shqiptare ne prag te pavarsise 1912 (http://www.forumihorizont.com/showthread.php3?threadid=5527)
Qëndresa shqiptare përballë ushtrisë Pushtuese serbo-malazeze
Përballë ushtrisë pushtuese serbe u gjendën forcat kryengritëse shqiptare dhe disa efektiva të vogla turke.Kryengritësit shqiptarë ishin dislokuar në këto pozicione:
1.-Në veriperëndim të Shqipërisë në gjerësinë frontale të qëndresës :derdhja e lumit Bunë-Hot-Kelmend,forcat shqiptare drejtoheshin nga Ded Gjo Luli;
2.-Në veri, në drejtimet kryesore: Pejë-Beranë-Bjellopojë me thellësi mbrojtjeje nga Berana deri në Gjakovë dhe në gjerësi frontale të mbrojtjes: Guci-Beranë-Plavë, forcat e qëndresës shqiptare udhëhiqeshin nga Bajram Curri, ndërsa në vijim-drejtimin e Sanxhakut, Pazarit të Ri,me thellësi mbrojtjeje nga Senica deri në Mitrovicë dhe me gjerësi frontale: Selenicë-Jenipazar e mbulonte Isa Boletini.
3.-Në verilindje, drejtimet Llap-Gollak me thellësi nga Merdari në Prishtinë dhe me gjerësi frontale: Permalinë-Bujanovc i mbronin forcat shqiptare në krye me Idriz Seferin .
4.-Në Lindje, nga Presheva deri në thellësi të Shkupit me gjerësi frontale: Bujanovc-Gjystendil... flamurin e qëndresës e mbanin Hasan Prishtina, Mehmet Deralla i Tetovës dhe Elez Isufi i Dibrës.
5.-Ndërkaq me kuadrin e një mbrojtjeje të shkallëzuar brenda territorit, ngrihej grupimi luftarak që mbulonte hapsirën e bashkimit të Drinit të Bardhë e të Zi (Lumë). Këto forca vullnetare udhëhiqeshin nga patriotët Ramadan Zaskoci ,Islam Spahija e shumë të tjerë.16
Beteja e parë e përgjakshme në mes forcave kryengritëse shqiptare dhe Armatës së III serbe u zhvillua nga 14-19 tetor 1912 në Merdare,Ristovc,Markov Vis,Bervenik,Tugjevc etj, dhe me këtë rast ushtria pushtuese serbe pësoi humbje të madhe,ku pati 1400 të vrarë e të plagosur.Madje në luftën e Merdares,megjithë masat e marra të komandës ushtarake serbe,një krah të ushtrisë e përfshiu paniku dhe u shkapërderdh e iku nga fronti. Me fillimin e luftës në Merdare... komanda e armatës III (me qëllim të shkaktimit të luftrave të vogla, krijimit të frikës në popull dhe depërtimit sa më të lehtë në Kosovë) në brendësi të territorit të Kosovës (fshehtas) futi 4 aradha çetnike:
1.Aradhën Çetnike të Llapit, nën komandën e kapiten Vojisllav Tankosiqit,
2. Aradhën Çetnike të Lisicës, nën komandën e kapiten D.Sekuliqit,
3 Aradhën Çetnike të Llukovës, nën komandën e kapiten P.Bllazhariqit dhe
4. Aradhën Çetnike të Gjilanit nën komandën e kapiten B.Simiqit."17
Më 19 tetor në të gjitha vijat e frontit u përhap zjarri i luftës. Pas disa ditë luftimesh të përgjakshme,forcat e qëndresës shqiptare nën presionin shkatrrimtar të zjarrit artilerik,të trupave pushtuese serbe,u tërhoqën në drejtim të Podujevës.Në afërsi të Podujevës (te Merçezi) divizioni i Shumadisë - hasi në rezistencë të forcave shqiptare, mirëpo për shkak të epërsisë ushtarake dhe artilerisë së rëndë, këto forca detyrohen sërish të tërhiqen. Gjatë këtij operacioni forcat serbe përdorën tërë artilerinë e rëndë dhe dogjën e rrafshuan me tokë shumë fshatra të Llapit. Përkundër rezistencës shqiptare natën e 20/21 tetorit ushtria serbe e pushtoi Podujevën dhe menjëherë vendoset regjimi ushtarako-policor në tërë regjionin e Llapit.18Udhëheqësi i Armatës së tretë serbe gjenerali Bozhidar Jankoviq me qëllim të depërtimit sa më të lehtë në drejtim të Prishtinës dhe gjetiu,lëshoi një proklamatë të shkruar me germa çirilike në gjuhën shqipe të titulluar :"Ton Fiseve n`Shqipni, or vllazni", në të cilën i ftonte shqiptarët që të mos i bëjnë rezistencë ushtrisë serbe, sepse ajo kishte ardhur si "mike e shqiptarëve" për "të përzënë ushtrinë turke nga Ballkani"! Në fund të proklamatës porositen shqiptarët që nëse do të shtinin në ushtrinë serbe "pushkë kemi me çitë në çato qi qetë në ne, edhe në lëshoftë zoti, shkrum kemi me ba qatë shpi, e katundin, qi na ktheni pushkën e në qato qi na pret vllaznisht, kemi me përqaf vllaznisht, sikur vllau vllaun, se po baim me një dorë besën e zotit, drejtën e njerzi e në çetrën po baim arm e zjarm..."19Gjatë kësaj faze bie në sy tërheqja dhe shmangia e efektivave turke nga ballafaqimet e armatosura me ushtrinë serbe. Kjo tërheqje pa qëndresë (e turqëve) sidomos e reparteve të Baftjar Pashës nga Mitrovica nëpër Drenicë për në Gostivar dhe e 12 reparteve të divizionit 21 të Xhavit Pashës nga Sanxhaku,nëpër Has e Lumë për në Dibër, dëshmojnë qartë,për arritjen e një marrëveshjeje serbo-turke: që këto forca të tërhiqen pa gjakderdhje nga tokat shqiptare.
Më 22 tetor 1912,Divizioni i Shumadisë dhe ai i Moravës të armatës III e sulmuan Prishtinën dhe pas një lufte të përgjakshme në grykën e Teneshdollit, për munges municionesh Prishtina ra në duar të tyre.Menjëherë pas hyrjes së ushtrisë serbe filloi aksioni për çarmatimin e shqiptarëve nga kufiri deri në Prishtinë.Më 24 tetor ushtria serbe nis një operacion me përmasa shfarosëse në drejtim të Ferizajit dhe Kaçanikut. Pas luftimeve të përgjakshme, forcat serbe me përdorimin e gjithë arsenalit të artilerisë së rëndë, më 25 tetor futen në Ferizaj, ndërsa një ditë më vonë marrin nën kontroll edhe Kaçanikun.20
Krahas këtyre operacioneve (të armatës së III), në krahun lindor operonin 126 mijë trupa të armatës së parë(I). Këto forca gjatë marshimit në drejtim të Shkupit, hasën në rezistencë të forcave kryengritëse shqiptare dhe nga 22-24 tetor 1912 në Kumanovë u zhvillua beteja më e madhe deri atë kohë. Beteja e Kumanovës u zhvillua midis malit Kozjak në lindje,Malit të Zi të Shkupit në perëndim,midis lumenjve Pqinje dhe Lumit të Madh në jug,si dhe në veri të fshatrave Llojan,Karabiqan,Nikulan dhe Strezovc.Në Betejën e Kumanovës,e cila mendohet se ishte vendimtare për fatin e luftës së vitit 1912,armata serbe pati 21 oficerë dhe 702 ushtarë të vrarë.Qëndresa heroike e forcave shqiptare që drejtoheshin nga Hasan Prishtina, gjeneral Mehmet Deralla, Elez Isufi dhe Idriz Seferi, në saje të forcave serbe shumëfish më të mëdha dhe përdorimit të armëve artilerike, u thye më 24 tetor.Ato ditë të gjitha fshatrat shqiptare mbetën të boshatisura dhe afër 150 mijë të ikur u përqëndruan në Shkup.21
Pas betejës së Kumanovës dhe pushtimit të qytetit, më 26 tetor 1912 ushtria serbe pushton pa luftë edhe Shkupin.Gjatë rrugëtimit për në Shkup ushtria serbe vrau e masakroi pa mëshirë rreth 2 mijë shqiptarë. Ato ditë, pas rënjes së Shkupit,ushtria serbe i kap të gjallë,13 krerë Kryengritjes Kombëtare Shqiptare si: 1)Hasan Prishtinën(ai u kap në rrethinën e Shkupit derisa po bënte përpjekje mbinjerëzore të rezistencës dhe me tërë qenien përpiqej të pengonte tërheqjen dhe shpërnguljen e popullit shqiptar nga friga e barbarisë serbe);pastaj-Nexhip Dragën;Hoxha Seid Efendin nga Shkupi; Shaban Pashën nga Prishtina;Qemajl Beun nga Shkupi; Hurshid Omerin nga Prishtina;Muharrem Efendin nga Prishtina;Jashar Pashën nga Peja;Idriz Seferin nga Gjilani; Kasum Seferin nga Gjilani;Ibrahim bej Kokolën nga Prishtina;Xhemajl Beun nga Prishtina dhe Mustafë Muhsinin nga Stambolli, profesor i Gjimnazit në Shkup. Të arrestuarit internohen dhe izolohen në Kështjellën e Beogradit.22 Duke qenë në burg, komandanti i armatës së III (B.Jankoviç) me qëllim të "qetësimit" të gjendjes në Kosovën e pushtuar, kërkoj ekzekutimin e këtyre prijësve, ndërsa qeveria serbe për shkak të famës që kishin ata në popull, iu shmang një veprimi të këtillë.Pas qëndrimit disa muajsh,më 16 maj 1913 ata do të lirohen nga burgu me kusht "se do të bëhen qytetarë lojalë të mbretërisë së Serbisë". Në ngjarjet e mëvonshme, ndonëse emrat e disave nga të liruarit nuk do të përmenden kurrë më(ndoshta për shkak të lojalitetit ndaj pushtuesve) të tjerët në krye me atdhetarin Hasan Prishtina do t'i bashkangjiten qëndresës shqiptare deri në vdekje.23
Me betejën e Kumanovës gjegjësisht me pushtimin e Shkupit dhe përgjithësisht të Rrafshit të Kosovës, përfundon faza e parë e luftrave pushtuese serbe në Kosovë dhe fillon faza e dytë (e etapës së parë) për pushtimin e Rafshit të Dukagjinit.
Gjithsej 6 faqe: « 1 2 3 4 [5] 6 » Trego 6 mesazhet në një faqe të vetme |
Materialet që gjenden tek Forumi Horizont janë kontribut i vizitorëve. Jeni të lutur të mos i kopjoni por ti bëni link adresën ku ndodhen.